Berisha: 85 vota kundër qytetarëve, ekzekutuan Patosin dhe Divjakën në Parlament, ne po mbronim qytetarin aty. Shqiptarët do të na votojnë vetëm kur të arrijmë të ripërtërihemi vetë

FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË FOLTOREN E RIPËRTËRITJES NË FIER

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë fjalës së mbajtur në ‘Foltoren e Ripërtëritjes’ në Fier, hodhi akuza ndaj Edi Ramës dhe qeverisë së tij për ndërtimin e një narkoshteti që po rrënon ekonominë, po shkatërron vendet e punës dhe po i shtyn shqiptarët të largohen nga vendi. Berisha foli edhe për votimin nga mazhoranca të reformës territoriale të Edi Ramës në Kuvend në orët e para të ditës së premte ku u vendos shkrirja e 15 bashkive, duke e cilësuar atë një akt kundër qytetarëve dhe interesave të komuniteteve lokale.

Në fjalën e tij, kryetari i PD-së Sali Berisha pranoi se partia duhet të ripërtërihet për të fituar besimin e shqiptarëve, duke theksuar se arritjet e qeverisjes së kaluar nuk mjaftojnë për të marrë votën e qytetarëve. ‘Shqiptarët nuk do na votojnë ne, as pse ne u ngritëm si feniksi nga hiri, as pse ne anëtarësuam Shqipërinë në NATO, apo se përmbysëm diktaturën komuniste, jo. Shqiptarët do të na votojnë ne, vetëm kur ne të arrijmë të ripërtërihemi vetë’, deklaroi kreu i PD-së.

Lideri i opozitës Sali Berisha akuzoi shumicën parlamentare se me votimin e reformës territoriale, shkrirjen e bashkive të Patosit dhe Divjakës në qarkun e Fierit, po godet qytetarët dhe po u mohon komuniteteve të drejtën për të administruar vetë potencialet e tyre ekonomike dhe zhvillimore. ‘15 bashki, dy nga të cilat në qarkun e Fierit. Patosi dhe Divjaka, me 13 të tjera, po të kishin shpirt do thoshin, po ekzekutoheshin’, u shpreh ai. Berisha e cilësoi Divjakën një pasuri të rëndësishme natyrore dhe bujqësore, duke ngritur pyetjen se përse kjo zonë nuk duhet të ruajë statusin e bashkisë. ‘Nuk duhet, se një dorë e zezë duhet t’i kontrollojë’, tha Berisha, duke akuzuar përfaqësuesit vendorë se nuk qëndruan në krah të banorëve që, sipas tij, kishin protestuar për një muaj.

Për votimin në Kuvend, kryetari i demokratëve përdori tone të ashpra ndaj reformës votimit në parlament të reformës territoriale, duke e përshkruar si një përballje mes interesave politike dhe qytetarëve. ‘Dolën me 85 vota triumfatorë mbi kë? Mbi ne? Po ne aq vota kemi. Ata dolën mbi qytetarët, dhunues të qytetarëve’, deklaroi kreu i opozitës.

Në fjalën e tij, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha akuzoi Edi Ramën, ministra të qeverisë dhe Olsi Ramën për ngritjen e narkoshtetit në Shqipëri. ‘Cili është sot armiku më i egër i çdo shqiptari? Unë ju them është narkoshteti. Narkoshteti kudo. I ndërtuar nga Edi Rama, i ndërtuar nga ministrat e tij lidhur njëri pas tjetrit me kartelin e drogës. I ndërtuar nga Olsi Rama me grupin që solli nga Miçigani në Shqipëri’, deklaroi Berisha. Sipas tij, paratë e drogës po ndikojnë në zhvlerësimin e euros, duke dëmtuar eksportet, industrinë dhe punësimin. Berisha akuzoi gjithashtu qeverinë se paraqet si rritje ekonomike një zhvillim që, sipas tij, nuk përkthehet në mirëqenie për qytetarët, ndërsa ndërtimin e kullave e lidhi me ekonominë e drogës.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sa Berisha ngriti alarmin për largimin e të rinjve dhe rënien e lindjeve, duke e cilësuar gjendjen si një katastrofë demografike që kërcënon të ardhmen e vendit. ‘Përndryshe ne, kështu siç jemi, jemi komb pa të ardhme’, u shpreh ai, duke kërkuar politika për nxitjen e lindjeve, mbështetjen e të rinjve dhe kthimin e shqiptarëve nga emigracioni.

FJALA E PLOTE:

Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta ju qytetareve dhe qytetarëve të qarkut të Fierit, të qytetit të Fierit, të pranishëm sot në këtë sallë dhe kudo që jeni në qytet, në fshatra, jashtë këtij qarku, në Shqipëri, në botë.

Një përshëndetje vëllazërore të përzemërt për të gjithë ju. Të nderuar deputetë të qarkut të Fierit, drejtues të degës së Partisë Demokratike të Fierit, Lushnjës, Divjakës, Patosit dhe Roskovecit.

Një përshëndetje me mirënjohje për punën tuaj, kontributin tuaj të çmuar.

Vij sot tek ju në këtë foltore të rithemelimit, e cila në vlerësimin tim ka një rëndësi të jashtëzakonshme para së gjithash për Shqipërinë, për shqiptarët, për të rinjtë, të rejat, burrat, gratë, të moshuarit e këtij vendi.

Sepse kjo ripërtëritje ka si qëllim madhor ripërtëritjen e Shqipërisë.

Partia Demokratike kaloi një periudhë të vështirë, kaloi një një kalvar të vërtetë. Por qëndroi, qëndroi me një vendosmëri epike në mënyrë që Fieri, në mënyrë që Shqipëria të ketë një opozitë të vërtetë, sovrane, të ketë një opozitë që qëndron ballë për ballë me një qeveri kur ajo është legjitime, po ballë për ballë me një qeveri kur ajo nuk është legjitime.

E gjithë beteja jonë mund të përmblidhet në dy fjalë, në dy fjali: Ne bëmë çdo gjë që këtë parti mos e kontrollojë kush tjetër përveç jush, anëtarët, anëtaret e kësaj partie.

Nuk mund të ishte kurrë në misionin e saj ndryshe, veçse si një forcë sovrane. Miqtë e mi, sovraniteti i një kombi është sovraniteti i jashtëm që përcaktohet nga tërësia dhe mosprekja e kufijve të tij, tërësia territoriale, por është sovraniteti i brendshëm i cili përfaqësohet para së gjithash nga pushteti që sovrani i jep opozitës.

Është ajo, është ajo që bën një vend sovran. Është ajo që bën një vend në kuptimin e mirëfilltë të fjalës të luftojë për të ardhmen e tij.

Vende pa opozitë të ardhme nuk kanë, edhe këtë e ka faturuar më shumë se kushdo tjetër Shqipëria në 46 vite.

Kështu që të gjithë ata që qëndruan, të gjithë ata të cilët u përballën në procese të padrejta, në përpjekje për t’i gjunjëzuar, për t’i kontrolluar, ata janë heronjtë e mi. Ata kanë dhe do kenë nderimin më të madh gjithmonë.

Por miqtë e mi, Shqipëria na kërkon tashti diçka tjetër shumë më të madhe.

Shqipëria kërkon dhe pret nga ne ta shpëtojmë atë. Sirenat e mjerimit, sirenat e shkretimit, sirenat e boshatisjes bien sot në të katër anët e vendit.

Ligjin, të drejtën kushtetuese e ka marrë në dorë krimi. Qytetarët për pushtetin janë statistikë, janë numra. Padrejtësitë ndaj tyre janë normale.

Varfëria e tyre është paaftësi e tyre. Pra, ne po rrokullisemi. Po rrokullisemi ndoshta si asnjëherë në histori po të marrim tërësinë.

Dhe ne duhet të jemi shumë të qartë, se shqiptarët nuk do na votojnë ne, as pse ne u ngritëm si feniksi nga hiri, as pse ne anëtarësuam Shqipërinë në NATO, apo se përmbysëm diktaturën komuniste, apo se ia dolëm të sjellim TAP-in në Shqipëri, ia dolëm të transformojmë infrastrukturën e këtij vendi.

Jo. Shqiptarët do të na votojnë ne, vetëm kur ne të arrijmë të ripërtërihemi vetë.

Vetëm kur ne të paraqitemi para tyre dhe tek ata si një forcë politike, para së gjithash një forcë që ndjen, që përjeton, që angazhohet me një vizion për t’u dhënë përgjigjen më urgjente, më të fuqishme problemeve me të cilat përballet qytetari i Fierit dhe qytetari shqiptar.

Kjo kërkon shkrirjen tonë me qytetarët, kjo kërkon hapjen tonë ndaj të gjitha vlerave të komunitetit dhe të shoqërisë.

Kjo kërkon modernizimin e Partisë Demokratike. Kjo kërkon përpunimin e vizionit, e programit të kësaj partie në interesat më jetike të qytetarëve shqiptarë.

Kjo kërkon në radhë të parë që demokratët dhe demokratet kudo që janë të mos pajtohen asnjë sekondë, asnjë minutë me të keqen.

Kërkon seksionet tona të jenë funksionale. Kërkon që strukturat tona të rivitalizohen.

Kërkon të angazhohemi në një dialog pa mure me mbarë shoqërinë tonë.

Ju jeni dëshmitarë çfarë u zhvillua mbrëmë në parlament. Skena të pashlyera nga memoria. 15 bashki, dy nga të cilat në qarkun e Fierit. Patosi dhe Divjaka, me 13 të tjera, po të kishin shpirt do thoshin, po ekzekutoheshin, ku në sallën e parlamentit nuk kishte krim më të shëmtuar.

Më thoni ju mua, çfarë ka Divjaka që s’mund të jetë bashki? E cila është një pasuri mahnitëse natyrore në vetvete. E cila, e vërteta është, është kurorë e fermerëve shqiptarë, janë të parët fermerë që marrin prodhimet dhe i eksportojnë, i eksportojnë në të katër anët e Evropës.

Çfarë ka ky rreth, ky qytet për të mos qenë bashki? Në një kohë kur kanë të gjitha pasuritë për t’u zhvilluar, për të begatuar banorët. Nuk duhet, se një dorë e zezë duhet t’i kontrollojë.

E patë ju atë deputeten e Divjakës? As ajo s’ishte aty. Kryetari nuk erdhi… kryetari që i nxori qytetarët një muaj të protestonin, dje nuk u duk. Skllevër të pasurive të tyre të paligjshme, skllevër të vjedhjeve që u kanë bërë qytetarëve.

Asgjë më urgjente nuk ka sesa krijimi i një agjencie kombëtare për konfiskimin e çdo pasurie të paligjshme, për rikthimin e saj tek qytetarët. Si mund ta shpjegojmë? Dilnin, diskutonin një nga një, personazhe të një romani mbi të keqen banale, përçues të së keqes.

‘Divjaka aty do jetë’. Dëgjo çfarë mendje, çfarë mendje, nuk po përdor epitete, domethënë ‘Klosi aty do jetë’, prandaj s’ka gjë pse nuk është bashki, me radhë. Pra, shqiptarët përjetuan një teatër absurd, të turpshëm, ku grumbulluan së bashku të gjitha interesat e tyre kriminale kundër qytetarëve.

Po ne që po i mbronim, ne nuk po mbronim, të jemi të sinqertë me ju, në asnjë rrethanë mbi baza partiake, jo! Ne po mbronim qytetarin aty. Se qytetari, pavarësisht çfarë është, demokrat, i paparti, socialist, aty ku e meriton duhet të ketë vetëqeverisjen e tij. Duhet të ketë vetëqeverisje që të zhvillojë të gjitha potencialet që ka zona, që ka komuniteti.

Çfarë është mësimi i kësaj? Mësimi është që ne duhet të angazhohemi kundër kësaj të keqe të madhe me çdo qytetar. Duhet të angazhohemi intensivisht.

Ata që ndoqën mbrëmë seancën, ata panë se si kriminelë gjakftohtë ishin ata deputetë, se si duke, duke dridhur e trokitur, ua hidhnin qytetarëve dhe arritën në atë shumicë votash duke kërcënuar me mafiozë njëri-tjetrin.

Dilte deputeti i Selenicës, ku ka një komunitet vllah, dhe nuk e thoshte, po sigurisht që unë do ta respektoj atë komunitet, pa diskutim, sepse edhe ata janë një minoritet i nderuar.

Dhe ky tani, jo që s’mbronte banorët, po mbronte marketin e tij. Po e tjetri me radhë, u bashkuan duke kërcënuar njëri-tjetrin dhe dolën me 85 vota triumfatorë mbi kë?

Mbi ne? Po ne aq vota kemi. Ata dolën mbi qytetarët, dhunues të qytetarëve.

Miqtë e mi ne do të kthehemi te qytetarët. Ne do të kthehemi tek qytetarët. Tek vlerat e tyre.

Dhe dua t’u them qytetarëve të Fierit dhe mbarë Shqipërisë se në qeverisjen tonë kemi patur arritje, kemi patur të meta, por dhe arritje të mëdha siç është NATO, siç është TAP-i, siç është kaskada e Devollit, kaskada e Fanit, siç janë transformimi epokal i infrastrukturës rrugore e të tjerë.

Unë do t’u them ju se dy janë arritjet tona më të mëdha të asaj periudhe. Njëra është se ne në atë periudhë dolëm nga grupi i vendeve me të ardhura të ulëta, dolëm në grupin e vendeve me të ardhura të mesme të larta.

Dhe miqtë e mi, nuk i harroj kurrë, më kanë përgëzuar, më kanë përgëzuar shumë. Ja u them unë ju, pas përmbysjes së diktaturës ajo ishte arritja më e madhe përsa i përket dinjitetit kombëtar. Nuk ishim më një vend në honet e varfërisë.

E dyta që kjo për mua do mbetet gjithmonë është një fakt tjetër. Një grup studiuesish në Universitetin e Bostonit që unë s’i njoh fare publikon në vitin 2012 një studim të 150 vendeve me parathënie të Tony Blair.

Në atë studim të tyre edhe kushdo që lloj ta gjejë në Google e ka kudo, Shqipëria renditet e katërta në botë për çfarë? Për shndërrimin e rritjes ekonomike në mirëqenie për qytetarët. Po.

Pra, rritja ekonomike e Shqipërisë nuk shkonte, më së pari tek oligarkët, por shkonte tek qytetarët. Sa është e vërtetë kjo, pse? Si arriti Shqipëria këtë? Thjesht, jua them unë.

Nga vendimi i pandryshueshëm për të dyfishuar rrogat e pensionet dhe për të vazhduar me rritjen e rrogave e të pensioneve. Po pse kjo, ky vendim? Sepse nuk do asnjë filozofi.

Në qoftë se ti qeveris Shqipërinë, nuk sheh një vend të dytë më të pasur se ky vend. Jo, asnjë vend nuk ka, jua them unë ju. Është një vend më i bekuar nga natyra se Shqipëria nuk ka.

Pasuritë e saj janë përrallore. Atëherë pse qytetarët e saj nuk do t’i gëzojnë ato? Mbi këtë parim, mbi këtë bazë vendosëm dyfishim në rroga, mbi dyfishim në rrogave, dyfishim të pensioneve dhe ju garantoj, ne dolëm në krye, dolëm në krye për rroga dhe pensione në rajon përfshirë Bullgari dhe Rumani.

Qëllimi ynë ishte, absolutisht, të kapnim Slloveninë. Po, të kapnim Slloveninë. Pra, shndërrimi i pasurive, shndërrimi i të ardhurave, shndërrimi i taksave që paguani, në mirësi dhe mirëqenie për qytetarët.

Ne pavarësisht nga problematikat, por ne u renditëm të katërt në botë, ju garantoj se nuk do të ketë qëllim tjetër më të madh sesa ky qëllim. Përsëri ne, në pushtet, me programin tonë do të bëjmë gjithçka që rritjen ekonomike, pasuritë e këtij vendi t’i shndërrojmë në mirëqenie për qytetarët.

Por kjo kërkon, kjo kërkon ligj. Kjo kërkon zbatimin e ligjit. Kërkon barazinë para ligjit të qytetarëve. Kjo kërkon t’i shtypësh kokën krimit aty ku ndodhet, i cili si shpatë Demokleu qëndron mbi bizneset dhe mbi qytetarët. Do ta bëjmë, e bëmë ne këtë. E bëmë.

18 muaj na u deshën për të eliminuar 206 banda kudo që ishin. Edhe unë nga Fieri, i paralajmëroj, kudo që janë në mënyrë absolute, si fat do të kenë qelitë, qelitë dhe vetëm qelitë.

Shqipëria nuk mund të jetë kurrë eksportues droge, kryesor droge. Ky rrënim, dhe unë ju flas ju, në qoftë se më pyesni sot, cili është sot armiku më i egër i çdo shqiptari?

Unë ju them është narkoshteti. Narkoshteti kudo. I ndërtuar nga Edi Rama, i ndërtuar nga ministrat e tij lidhur njëri pas tjetrit me kartelin e drogës. I ndërtuar nga Olsi Rama me grupin që solli nga Miçigani në Shqipëri.

Çfarë ndodhi me këtë? Prisni. Pse është ky armiku ynë numër një? Sepse vagonat, kontejnerët që vijnë me euro të drogës, me dollarë të drogës dhe që shkarkojnë në portin e Durrësit haptas dhe që i kam denoncuar me dokumente, ato rrëzojnë euron dhe dollarin.

Dhe euro dhe dollari në Shqipëri ka rënien më të madhe në botë. Ka rënie më të madhe se në çdo narkoshtet të Amerikës Latine. Çfarë sjell kjo rënie?

Prisni. Kjo zhvlerëson eksportet. Jo, i zhvlerëson. Ishim vendi i tetë në botë në prodhimin e këpucëve.

Kishim një eksport të fuqishëm të rrobave të modës së lartë. Por rënia e euros, të gjithë këto eksporte shkonin me euro, rënia e euros zhduku fitimin e tyre dhe ato njëra pas tjetrës u larguan nga Shqipëria.

Dhe sot, vetëm nga viti 2021 deri në vitin 2026 sipas Eurostatit, prodhimi industrial në Shqipëri ka rënien më të madhe në Europë pas Ukrainës. Po çfarë do të thotë të bjerë prodhimi industrial?

Do të thotë të shkatërrohen dhjetëra, qindra, mijëra vende pune.

Do të thotë që njerëzit të humbasin vendet e punës. Kjo është. Dhe, dhe bërtasim, kemi rritje. A e dini nga vjen rritja? Nuk e thonë. 70% vjen nga taksat e rrogave tuaja. Po, po.

Prodhimi industrial ka rënë, prodhimi bujqësor ka rënien më të madhe. Vjen nga ndërtimi, kullat e drogës, të cilat nuk i prek dot kush, janë molla e ndaluar. Dhe maturantja që foli këtu që unë dua të ndërtoj ëndrrën, nuk ka gjë më të bukur se ëndrrën e saj dhe ëndrrën e tyre.

Por ato, kur të vijnë në punë s’blejnë dot një apartament, kur të vijnë në punë s’blejnë dot një shtëpi. Nuk gjejnë dot një punë. Dhe pastaj marrin ëndrrën e tyre rrugëve të botës.

Ripërtërirja për Shqipërinë do të thotë të shpallësh përparësi absolute, të domosdoshme dhe të vlefshme për çdo çmim, ripopullimin e këtij vendi. Do të thotë të bësh gjithçka që këta të rinj të mbështeten me të gjitha mënyrat, të ndërtojnë bizneset, të ndërtojnë jetën e tyre në Shqipëri.

Do të thotë të bësh gjithçka që të kthesh mbrapsht këtë katastrofë të tmerrshme demografike ku kemi rënë. Sot ne kemi o të dashur miq, lindjet që kemi patur 100 vite më parë kur ishim nën 1 milion. Është statistikë e gjendjes civile kjo.

Duhet të bëjmë gjithçka, një politikë demografike pro lindjeve. Duhet të bëjmë gjithçka të kthejmë shqiptarët në Shqipëri që ikën. Përndryshe ne, kështu siç jemi, jemi komb pa të ardhme.

Çdo vit vdesim shumë më tepër se lindim. Këtu na katandisi ky, këtu e katandisi vendin ky regjim.

Ndaj dhe ne së bashku duhet të vendosim të ndahemi nga kjo e keqe, të ndalim këtë të keqe, por duhet të vendosim jo vetëm si parti demokratike, por duhet të bëjmë gjithçka që ky vendim të jetë i shoqërisë shqiptare.

I çdo shqiptari, i çdo biznesmeni, i çdo labi, i çdo malësori, i çdo kosovari që banon në këtë qark dhe kudo që ndodhet.

Pra është një thirrje për shpëtim. Dhe kjo thirrje për shpëtim e Shqipërisë, e ripërtëritjes së Shqipërisë, e bën dhe më imperative ripërtëritjen e Partisë Demokratike.

Ndaj dhe ne duhet të bëjmë gjithçka me një përkushtim të madh të garantojmë shqiptarët se jemi forca politike që do ripërtërijmë Shqipërinë dhe se ato që kemi realizuar, për ato që kemi realizuar ne nuk kërkojmë votën, por ato janë një dëshmi e seriozitetit tonë ndaj premtimeve.

Edhe një herë ju falënderoj shumë për praninë tuaj këtu.

Rroftë Fieri! Rroftë Shqipëria!

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale