Berisha: 8 maji protestë për familjen, për vogëlushët tanë, për jetën, sigurinë dhe të ardhmen e tyre

FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË FOLTOREN TEK KRYEMINISTRIA

EKSTRAKT

Në nisje të fjalës së tij në ‘Foltoren’ tek kryeministria, kryetari i PD-së Sali Berisha u kërkoi qytetarëve që të nderojnë me 1 minutë heshtje, fëmijët e vegjël që humbën jetën në Durrës.

‘Të ngushëllojmë familjet, të ngushëllojmë qytetin e Durrësit, për traumën e tmerrshme që pësoi nga i forti i lagjes, një kriminel i damkosur që pasi u mori jetën, i la në kthetrat e vdekjes dhe ia mbathi’, tha Berisha.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha në fjalën e mbajtur para qytetarëve në ‘Foltoren’ tek kryeministria, bëri të ditur se, 8 Maji do të jetë për familjen dhe vogëlushët tanë. Sipas tij, kjo protestë do të jetë për sigurinë dhe të ardhmen e fëmijëve. ‘Protesta e 8 majit nuk do jetë protestë për një kauzë. 8 maji do të jetë kushtrimi i ndërgjegjes së shqiptarëve. Do të jetë protestë për dinjitetin e shqiptarëve. Do të jetë protestë për familjen, për vogëlushët tanë, për jetën, sigurinë dhe të ardhmen e tyre.’, tha Berisha.

Kryedemokrati Sali Berisha u ka bërë thirrje të rinjve që ti bashkohen protestës së 8 majit.

Ai theksoi se ndërtimi i jetës në Shqipëri për të rinjtë është bërë ‘mision pothuajse i pamundur’, duke ia faturuar këtë, korrupsionit dhe kapjes së shtetit. ‘Të jesh i ri dhe të ndërtosh jetën në Shqipëri sot është pothuajse e pamundur. Jo për fajin tuaj, por për shkak të këtij sistemi,’ u shpreh Berisha.

Ai hodhi akuza ndaj Belinda Balluku, duke deklaruar se, ‘zotëron 300 apartamente’, ndërsa shtoi se një i riu në kryeqytet ‘i duhen 104 vite punë për të blerë një apartament’. ‘Si mund të ndërtosh jetën në një vend ku pasuritë krijohen nga paratë e vjedhura dhe nga lidhjet me krimin?’ u shpreh ai, duke akuzuar për ‘pengmarrje mafioze’ të biznesit dhe abuzim me fondet publike. Berisha bëri thirrje për mobilizim qytetar: ‘Më 8 maj, me zemërim dhe revoltë, të rinjtë duhet të zbresin në shesh për të ardhmen e tyre.’

Duke folur në ‘Foltoren’ tek kryeministria, lideri i opozitës Sali Berisha deklaroi se, siguria fëmijëve në vend është jetike, ndërsa shtoi se vrasjet e tyre ‘po kthehen në një epidemi kronike’ në Shqipëri. Berisha thekson se dështimi për të mbrojtur fëmijët përbën një falimentim të shoqërisë. ‘Kur një shoqëri nuk arrin të mbrojë fëmijët e saj, ajo ka dështuar,’ shprehet ai, duke e cilësuar situatën si alarmante dhe të papranueshme.

Ai solli në vëmendje disa raste tragjike të viteve të fundit, dhe deklaroi se, ato mund të ishin parandaluar, por mungesa e reagimit institucional dhe mosndëshkimi i përgjegjësve kanë krijuar një klimë pandëshkueshmërie. Berisha akuzoi drejtpërdrejt Edi Ramën për mënyrën e trajtimit të këtyre ngjarjeve, duke thënë se përgjegjësia është devijuar nga autorët drejt faktorëve të tjerë. ‘Në vend që të mbaheshin përgjegjës ata që kishin detyrimin të mbronin jetën e qytetarëve, u kërkuan justifikime të tjera,’ theksoi ai.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u ndal edhe njëherë tjetër te mburoja që po i bëhen mediat e kapura kryeministrit Edi Rama, duke ngjallur mosbesim dhe cinizëm te publiku. ‘Mediat po bëhen mburojë e Ramaduros duke ngjallur mosbesim dhe cinizëm! Me 8 maj, kryengritja paqësore do të dridhë themelet e narkoshtetit’, u shpreh Berisha në fund të fjalës së tij në foltoren e opozitës përpara kryeministrisë.

FJALA E PLOTE

Mirëmbrëma dhe përshëndetjet e mia më të përzemërta, ju anëtareve dhe anëtarëve të parlamentit të mrekullueshëm qytetar, të parlamentit të qytetarëve të rinj, të fjalës së lirë, të mendimit të lirë.

Ju, të cilët me pjesëmarrjen tuaj në këtë parlament, jeni simbol frymëzimi dhe qëndrese për mbarë shqiptarët.

Por unë sonte u ftoj të nderojmë me një minutë heshtje engjëjt që qyteti i Durrësit dhe familjet i përcollën në banesën e fundit.

Të ngushëllojmë familjet, të ngushëllojmë qytetin e Durrësit, për traumën e tmerrshme që pësoi nga i forti i lagjes, një kriminel i damkosur që pasi u mori jetën, i la në kthetrat e vdekjes dhe ia mbathi.

I paharruar kujtimi i vogëlushëve të qytetit të Durrësit që shkuan sonte në banesën e fundit dhe i lehtë dheu i tokës mbi këta engjëj të Durrësit.

Të dashur miq, ne mblidhemi sot në këtë shesh në prag të datës 8 maj, datës së kryengritjes tonë paqësore.

8 maji është data e protestës tonë të madhe.

Është data e revoltës.

Por, protesta e datës 8 maj do të jetë një protestë si asnjëherë më parë.

Pasojat e 13 viteve të narkoshtetit, ku krimi dhe droga kontrollojnë pothuajse çdo aspekt të jetës.

Ku krimi dhe droga kontrollojnë shtetin.

Ku paratë e drogës kontrollojnë ekonominë.

Ku mediat kryesore kombëtare të kontrolluara të vendit janë shndërruar në altoparlantë të Edi Ramës, organe të mashtrimit dhe manipulimit të qytetarëve, organe të korruptimit të gjuhës tonë të bukur, gjuhës shqipe.

Ku antikultura e drogës dhe krimit po mbivendosen mbi traditat tona të hershme të mrekullueshme.

Të gjitha këto kanë vendosur shoqërinë shqiptare në një prej situatave më kërcënuese në historinë e vendit, me pasoja të tmerrshme që i jetojmë çdo ditë.

Prandaj protesta e 8 majit nuk do jetë një protestë politike.

Nuk do jetë një protestë e një apo disa partive.

Protesta e 8 majit nuk do jetë protestë për një kauzë.

8 maji do të jetë kushtrimi i ndërgjegjes së shqiptarëve.

Do të jetë protestë për dinjitetin e shqiptarëve.

Do të jetë protestë për familjen, për vogëlushët tanë, për jetën, sigurinë dhe të ardhmen e tyre.

Sonte unë kam një thirrje për çdo shqiptar.

Për 13 vite, Edi Rama ka poshtëruar shqiptarët, i ka burgosur ata për fatura dritash, për një dozë kanabis për konsum vetjak, tani edhe për parkim të gabuar do burgosen.

Por kur drejtësia kërkoi arrestimin e Lubi Ballukut, që së bashku me Edi Ramën kanë vjedhur qindra e qindra milionë para tuajat siç u faktua në aferën e 50 milionë eurove vetëm në tunelin e Llogarasë.

Siç u faktua me çmimet e shumëfishta të rrugëve më të larta se sa në BE.

Edi Rama dhe Lubia nuk shkuan në burg, ashtu siç shkojnë qytetarët, ashtu si baballarët për faturën e dritave.

Edi Rama dhe Lubia nuk shkuan në burg ashtu si bijtë tuaj vetëm e vetëm pse dalin të protestojnë.

Por Edi Rama dhe Lubia përdorën 83 mandatet e parlamentit të krimit për të mbrojtur veten e tij, për të ndaluar drejtësinë, një akt i padëgjuar dhe i paimagjinuar në 34 vite pluralizëm politik.

Një akt i cili i kushtoi Shqipërisë kërcënim serioz për ëndrrën më të pavdekshme të saj, ëndrrën evropiane.

Siç është faktuar nga deklarata të shumtë të zyrtarëve europianë, siç u faktua në rezolutën e IDU që u firmos falë opozitës.

Siç është faktuar edhe me raportin IBAR, i cili shqyrtohet çdo javë në Bruksel, por javën nuk e kalon akoma dhe çdo javë rëndohen kërkesat më të drejtë ndaj Shqipërisë sepse Shqipëria është vendi i vetëm që përdor parlamentin si mburojë për vjedhjet dhe krimin.

Sonte unë kam një thirrje për çdo të ri shqiptar.

Të jesh i ri dhe të ndërtosh jetën në Shqipëri, sot e vërteta është mision pothuaj i pamundur.

Kjo, jo për fajin tuaj.

Jo prej paaftësisë tuaj siç shpesh përpiqen t’ua thonë, as për dembelizmin tuaj.

Por si mund të ndërtosh jetën në një vend ku Lubi Balluku zotëron 300 apartamente, ndërsa një të riu i duhen 104 vite punë për të blerë një apartament në kryeqytet.

Si mund të ndërtosh jetën në një vend ku Ergys Agasi, koordinator i Edi Ramës me kartelet e drogës dhe krimit të organizuar, zotëron mbi 20 lloj pasurish, apartamente, garazhe, troje, pyje, resorte, automjete luksoze, të gjitha pasuri të vëna nga paratë e vjedhura qytetarëve, nga paratë e krimit që ai ndan me Edi Ramën.

Si mund të ndërtosh jetën në një vend ku Linda Karçanaj e AKSHI-t merret një ditë në mbrojtje nga Edi Rama dhe deklaron se ajo jeton në shtëpi me qira dhe pak javë më vonë dalin apartamente, vila në qytete të ndryshme, ullishte, automjete luksoze, llogari të shumta bankare, të gjitha në pronësi të Lindës së AKSHI-t, të gjitha këto para të vjedhura qytetarëve shqiptarë.

Të gjitha këto para që kanë në bazë pengmarrjen mafioze të biznesmenëve që të mos guxojnë të konkurrojnë në tendera ku konkurron kryepeshkaqeni Armand Frangu, kunati i Linda Ramës.

Si mund të ndërtosh jetën në një vend ku çifti Rama, Edvini dhe Linda, me kunatin e tyre vjedhin qindra milionë euro nga AKSHI, para të taksapaguesve shqiptarë si në kopshtin e tyre privat.

Prandaj thirrja ime për çdo të ri, më 8 maj, me zemërim, me revoltë, të zbresin në shesh për të ardhmen e tyre.

Thirrja ime për prindërit, veçanërisht për çdo prind që ka fëmijë, por edhe ata që kanë nipër e mbesa, sot më shuë se kurrë duhet të protestoni për jetën dhe sigurinë e fëmijëve tuaj.

Duhet të protestoni për pagat e ulëta.

Protestoni për çmimin e lartë të naftës dhe të transportit, për shërbimet mizerabël që u rezervohen, për transportin e kushtueshëm.

Por pasuria më e madhe e njeriut janë fëmijët e tij.

Dhe kur një shoqëri nuk arrin dot të mbrojë fëmijët e saj, ajo shoqëri ka falimentuar.

Ajo shoqëri ka dështuar.

Nuk do të doja kurrë të përmendja një tragjedi ende të freskët, por vrasja e fëmijëve po kthehet në Shqipëri vitet e fundit në një epidemi kronike.

Kjo nuk është vetëm një fatkeqësi nga më të dhimbshmet, por është një krim kur sheh se të gjitha këto vrasje i kishin të gjitha mundësitë të parandaloheshin dhe këta vogëlushë të ishin të rritur, të ishin në moshën tjetër.

U kujtoj vogëlushen Joniada Avdiaj, erdhi nga Anglia me të atin për të kaluar pushimet në Himarë. I forti me uniformë i mori jetën me skaf. Komisari i narkopolicisë.

Vogëlushi Martin Cami u vra në një shesh banal jo në një lokal, por në ambientet e shkollës së tij 9-vjeçar nga fëmija i të fortit të partisë sepse shteti dështoi të marrë masat më minimale në mbrojtje të nxënësve në shkolla, në institucione.

Dhe Edi Rama, në vend të bënte përgjegjës ata që mbanin përgjegjësi të plotë për këtë vrasje makabër, fajësoi TikTokun, shfrytëzoi një akt kriminal, një vdekje tragjike për të mbyllur TikTokun sepse të rinjtë nuk e honepsin këtë arrogant dhe janë gjithë ditën kundër tij.

Së fundmi, edhe dy vogëlushët e vrarë në Durrës dhe tjetri që po lufton me jetën, po loznin në trotuar. I forti i partisë kaloi aty i dehur, kishte pasion rakinë dhe guidimin e çmendur. U mori jetën, i la aty sikur të mos ishin njerëz.

Ishte përsëritës, terrorizonte lagjen, por kishte imunitet.

E vërteta është se fëmijët shqiptarë jetojnë sot terrorin e betonit.

Nuk kanë ku të lozin, nuk mendon kush për ta.

Janë viktima më e dhimbshme e narkoshtetit të Edi Ramës.

Miqtë e mi, të dashur prindër, ka ardhur koha që përgjigja jonë të jetë zemërimi.

Ka ardhur koha që përgjigja jonë të jetë revolta.

Çfarë bëjnë mediat e kontrolluara nga Rama?

Në vend që të ngrenë revoltën dhe ndërgjegjen qytetare, në vend që të pasqyrojnë të gjithë këta engjëj që sot nuk jetojnë dhe që mund të ishin midis nesh nëse shteti do kishte bërë detyrat më minimale, këto media shpëlajnë trurin e shqiptarëve me lajme të rrema, korruptojnë gjuhën shqipe me propagandën e qeverisë, ngjallin cinizëm si mburojë për Ramaduron dhe mosbesim të madh te qytetarët.

Sulmojnë opozitën vetëm e vetëm që të ndërtojnë mburojë për Ramën, mashtrimet e tij, t’u errësojnë të vërtetën qytetarëve.

Ndaj dhe me 8 maj është e vetmja rrugë ku zemërimi, revolta dhe kryengritja paqësore e çdo shqiptari t’i japë një grusht narkoshtetit të Edi Ramës.

Me 8 maj ne nuk protestojmë vetëm si opozitë, por protestojmë si prindër që nuk pranojnë më që fëmijët tanë të jenë viktimë e pasigurisë në rrugë, në shkollat, në mjediset e tyre.

Ne protestojmë si të rinj që refuzojmë të shohim ëndrrat tona të vriten nga vilat e Agasit, Lindës së AKSHI-t, apartamenteve të Ballukut, si të rinj që nuk duam të marrim rrugët e dheut, por duam të ndërtojmë Europë në Shqipëri dhe që duam që Shqipëria të bëhet shtëpia e ëndrrës tonë.

Ne protestojmë si fermerët më të braktisur të Europës, që derdhin çdo ditë çurkë djerse, por nga çmimi i naftës na pret vetëm falimentimi.

Do protestojmë si pensionistë që pas lumenjve të djersës që kemi derdhur dhe sakrificave që kemi bërë dekada dhe dekada për familjet tona dhe vendin, trajtohemi sot me një pension qesharak, poshtërues si askush tjetër në rajonin tonë dhe në Europë.

Do protestojmë si qytetarë që integrimin e Shqipërisë në Europë e konsiderojmë të ardhmen më të mirë për kombin dhe vendin.

Do protestojmë si shqiptarë që i dalin zot Shqipërisë që po shkretohet nga banorët e saj më shumë se kurrë ndonjëherë në ekzistencën e vet.

Edi Rama ka paratë, ka mediat, ka krimit, por ai nuk ka diçka që asnjë pushtet nuk e blen dot.

Nuk ka dinjitetin e qytetarëve.

Nuk ka dashurinë e tyre për vendin.

Ndaj dhe 8 maji, kryengritja paqësore do të dridhë tokën, themelet e narkoshtetit dhe nuk do ndalet deri në fitoren e qytetarëve.

Rroshi ju.

Rroftë opozita.

Rroftë Shqipëria.

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale