Berisha: 8 maji ishte kryelajm i medieve botërore! Uragani i lirisë tronditi narkoregjimin e Edi Ramës, Lubi Ballukut dhe Lindave të tij. Në atë bulevard përfaqësohej mbarë kombi shqiptar

KONFERENCA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA ME GAZETARËT

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi gjatë konferencës me gazetarët të mbajtur ditën e sotme se, protesta e 8 majit pati një jehonë të jashtëzakonshme në mediet botërore. Ai e cilësoi protestën si ‘uragan lirie’ që tronditi themelet e qeverisë. ‘Uragani i lirisë i datës 8 maj tronditi në themele narkoregjimin e Edi Ramës, Lubi Ballukut dhe Lindave të tij,’ tha Berisha.

Kryedemokrati u shpreh se, protesta u pasqyrua nga agjencitë më prestigjioze ndërkombëtare si Reuters, Getty Images, Deutsche Ëelle dhe Anadolu Agency, duke i prezantuar dhe me tituj nga mediat ndërkombëtare, të cilat shkruanin se, ajo ishte një kryengritje paqësore kundër korrupsionit, ndërsa qëndrimi i policisë ndaj protestuesve u përshkrua si ‘shtazor dhe barbar’. ‘8 maji ishte kryelajmi i medieve botërore. Nuk gjen një lajm tjetër të transmetuar me kaq vlerësim sa ç’u transmetua kryengritja paqësore në bulevardin e Tiranës,’ theksoi ai.

Lideri i opozitës Sali Berisha kërkoi gjithashtu edhe organizim më të mirë të protestës.  ‘A duhet të organizohen më mirë? Plotësisht dakord. Jo vetëm me deputetët, por në tërësi PD ose organizatorët e protestës duhet të bëjnë punë më të studiuar,’ pranoi ai, duke shtuar se vlerëson që gazetarja ishte vetë e pranishme në protestë. Ai u shpreh se, PD gjithmonë ka organizuar protesta paqësore: ‘Ne kemi qenë, jemi dhe do jemi për protestë paqësore. E teta ishte kjo,  asnjë polic të dëmtuar, asnjë polic të plagosur.’

Duke folur për Edi Ramën, kreu i PD-së Sali Berisha u shpreh, se krijimi i kompanisë shtetërore Albania Digital Solutions, është një mjet i ri për përvetësim të parave publike. ‘Do krijojë KAYO-n e dytë, do krijojë kompani të gjitha personale për të vjedhur. Është bërë i çmendur, i papërmbajtur në vjedhjen e pasurive dhe pronave publike,’ deklaroi ai.

I pyetur nga gazetarët në lidhje me akuzat e Edi Ramës se opozita po bllokon procesin e integrimit europian, kryetari i PD-së, Sali Berisha ktheu akuzën duke thënë se pengesën e vërtetë e përbëjnë ata që falsifikojnë zgjedhjet dhe lidhen me krimin e organizuar. ‘Rrugën për në BE ia mbyllin Shqipërisë ata që mbrojnë vjedhjet e qytetarëve shqiptarë dhe shndërrojnë zgjedhjet në farsë. ‘Edi Rama e shndërron këtë në një proces okult, të mbyllur, sikur e ka pronë të veten,’ tha kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha.

FJALA E PLOTE:

Uragani i lirisë i datës 8 maj tronditi në themele narkoregjimin e Edi Ramës, Lubi Ballukut dhe Lindave të tij.

Ky uragan pati një jehonë të jashtëzakonshme në mediet botërore.

Kauza e drejtë e protestës së dhjetëra mijëra qytetarëve që në një ditë shiu të plotë, me guxim të jashtëzakonshëm kundrejt një terrori shtetëror dhe mediatik të paparë, mbushën anekënd bulevardin e komnit për të shprehur revoltën e tyre ndaj qeverisë së paligjshme të Tiranës.

Ndaj Edi Ramës që shndërroi zgjedhjet në farsë elektorale.

Ndaj një njeriu që nuk ka legjitimitet. Nuk ka legjitimitet sepse përdori 83 mandatet e krimit për të mbrojtur vjedhjet e tij dhe të Lubi Ballukut.

Për të mbrojtur Lindat e tij në AKSHI-n, kopshtin privat të familjes Rama.

Ky uragan, të cilin mediat e qeverisë e paraqitën si një grumbullim 100 vetësh apo pak mijëra ato më zemërgjerat, tronditi jo vetëm regjimin, por ushtoi në mbarë botën.

Ushtoi në mbarë botën për këto arsye.

Së pari, këta protestues guximtarë kanë një kauzë të drejtë, luftojnë një regjim që i ka vjedhur dhe mbron vjedhjet e tij.

Dhe kjo është arsyeja se pse mediat e botës së qytetëruar kanë përshëndetur këtë protestë, këtë revoltë, këtë kryengritje paqësore.

Së dyti, qëndrimi shtazor, barbar, primitiv i narkopolicisë për çfarë shpërfaqi para botës fytyrën e vërtetë të narkoshtetit të Edi Ramës.

Të gjitha këto bënë që 8 maji ishte kryelajmi i medieve botërore.

Nuk gjen një lajm tjetër në mediat botërore të transmetuar me kaq vlerësim sa ç’u transmetua kryengritja paqësore në bulevardin e Tiranës.

Dhe egërsia e policisë së narkoshtetit.

E solla këtu në radhë të parë edhe si një vlerësim i jashtëzakonshëm për ata dhjetëra mijëra shqiptarë që mbushën bulevardin në emër të përgjegjësisë qytetare, në emër të shtetit ligjor, në emër të të ardhmes evropiane të Shqipërisë.

Ndaj dhe kërkoj të ndjekim së bashku sekuenca të shkurtra.

NOVA News: ‘Shqipëria, tensione gjatë protestës së opozitës në Tiranë’. Edhe policia hedh vetë tani lëndë piroteknike.

Reuters, Getty Images, e keni parasysh çfarë është, agjencia më prestigjioze e fotografive në botë.

T’ua lexoj pak këto.

‘Protestuesit u mblodhën para ndërtesës së kryeministrit dhe kërkojnë dorëheqjen e tij. Partia kryesore e opozitës e akuzoi qeverinë për korrupsion’.

Zëri i protestuesve.

Radio-televizioni Deutsche Welle: ‘Protestat kundër qeverisë në Shqipëri shndërrohen në dhunë’. I shndërroi policia.

Vazhdo. ‘Hetimet për korrupsion shkaktojnë kryengritje paqësore’.

‘Protestuesit përleshen me forcat e policisë’.

Heronj të vërtetë. Elita e guximit e kombit.

‘Vazhdojnë protestat kundër qeverisë’. Kjo ëshët foto e Reuters. Kjo e 100 vetëve në bulevard.

Kjo një tjetër foto e agjencisë Anadolu. E ka marrë nga Reuters.

‘Korrupsioni shkakton konflikt në Tiranë’. Urdhëroni, betejë. Shihni vetë pamjet.

Janë frymëzuese.

Është frymëzues guximi i protestuesve.

Famëzeza Balluku, ja ku e keni, citohet në të gjithë botën.

Urdhëro çfarë thotë: ‘Protesta të dhunshme nga policia për hetimet për korrupsionin’.

Ja, shikoni egërsinë ndaj protestuesve paqësorë.

Shiheni.

Ta dëgjojmë pak!

Këta janë shqiptarë që nuk pajtohen me vjedhjen.

Nderim!

Vazhdojmë, Reuters është prapë.

ANI, një agjenci tjetër kjo.

Shikoni barbarinë e kriminelëve që mbrojnë kriminelët.

E kanë marrë disa agjenci këtë të Reuters-it.

E patë pra se çfarë jehone të jashtëzakonshme.

E patë se si disa dhjetëra mijëra qytetarë guximtarë, qytetarë shembullorë, qytetarë të përgjegjshëm, elitë e guximit të kombit, dërguan mesazhet më të fuqishme në mbarë botën se ata nuk pajtohen me vjedhjet e qeverisë së Edi Ramës dhe Edi Ramës.

Se ata nuk pajtohen me dhunimin e votës.

Se ata nuk pajtohen me një pushtet të paligjshëm.

E vërteta është se në atë bulevard dhe tek ata qytetarë përfaqësohej mbarë kombi shqiptar.

Njerëzit e ndershëm që jetojnë me djersën e tyre, që duan këtë vend dhe të ardhmen e tyre evropiane.

PYETJE PERGJIGJE ME GAZETARET

Daniela Maloku, REPORT TV: Më lindi pyetja teksa ju po prezantonit në fakt imazhe dhe lajme nga media ndërkombëtare. Unë vetë personalisht nuk kam pasur nevojë t’i shoh nga mediat ndërkombëtare sepse ndjek çdo protestë tuajën dhe jam aty në vetë të parë, e përjetoj protestën, shifrat, etj. Edhe pse në mendimin tim personal kjo protestë kishte shifra shumë të ulëta pjesëmarrësish, por ky është vetëm vendimi im personal, a mendoni se demokratët duhet të bëjnë më shumë për sa i takon frymëzimit që duhet të sjellin tek shqiptarët këto protesta? Fjala bie, në të gjitha protestat që kam ndjekur të PD, nuk shoh deputetët që të jenë me familjarët e tyre në protesta, që të jenë me fëmijët për dore mbase. Pra a duhet të punojë pak më tepër edhe në këtë këndvështrim PD?

Sali Berisha: Së pari, unë vlerësoj që ju jeni qenë në protestë dhe keni ndjekur protestën. Absolutisht e vlerësoj plotësisht.

Së dyti, të siguroj që deputetët në tërësi, nuk mund të them secili, në parim secili, por në tërësi kanë qenë të gjithë në protestë. Por çështja se ku duhet të qëndrojnë është një çështje e diskutueshme.

Për disa ata duhet të qëndrojnë në krye të protestës, për të tjerë kërkojnë që të qëndrojnë me grupet e qytetarëve nga zonat e tyre. Dhe kjo akoma nuk ka marrë një përgjigje.

Të them unë, aty ku isha unë, nja tre metra më tutje ishte një deputet. Një bashkëqytetar i tij më shkruante ‘unë nuk e pashë kund atë njeri’, po ai ishte aty në fakt. Unë i thashë që ai ka qenë.

Por a duhet të organizohen më mirë? Plotësisht dakord.

Jo vetëm me deputetët, por në tërësi PD ose organizatorët e protestës duhet të bëjnë punë më të studiuar e asaj mase të madhe njerëzish që janë aty.

Tani, kjo është protestë paqësore.

Në qoftë se ne, ndryshojmë këtë protestë nga paqësore në një formë tjetër, të garantoj se ajo masë njerëzish nuk mund të përballohet nga asnjë polici. Është e faktuar ajo.

Në qoftë se ne do t’u bënim thirrje atyre, që në protesta të vini me çdo mjet, nuk ka polici që përballon dot një protestë qoftë dhe 4-5 mijë qytetarësh. Jo, është e njohur kjo.

Por ne kemi qenë, jemi dhe do jemi për protestë paqësore.

Shiko, e teta ishte kjo, asnjë polic të dëmtuar, asnjë polic të plagosur.

Ka një numër të konsiderueshëm protestuesish të dëmtuar dhe deputetësh të goditur dhe dëmtuar.

Por ky është përcaktimi ynë.

Ne besojmë në këtë platformë.

Edhe njëherë, ata sillen si kafshë aty.

Se ç’po bënin ata? Ju keni qenë aty.

Ne po marshonim dhe ky kriminel në krye të policisë, i vendosur nga Balluku, kujton se do mbrojë Ballukun, e pa se çfarë i bën bota Ballukut, kujton se mbron Ballukun, ky bllokon rrugën, ky është një kriminel, me urdhër të Edi Ramës.

Pra, paraqita këto se të vërtetat askush nuk mund t’i fshehë më.

Nuk mund të fshihen.

Ne do vazhdojmë dhe jemi në rrugën e duhur.

U siguroj që Edi Rama është i plagosur politikisht për vdekjen. Nuk e merr më veten.

Natyrisht ne do vazhdojmë me protestë paqësore.

Marsi Korreshi, SYRI TV: Zoti Berisha, teksa ju keni denoncuar rrezikun që i kanoset procesit të integrimit, kreu i qeverisë vijon me tryezat e tij për të folur për ecurinë e negociatave deri më tani, duke u ndalur sot në kapitullin e pestë që lidhet me prokurimet publike. Në këtë takim ai ka njoftuar se do të krijohet një kompani tërësisht shtetërore që do ndihmojë vendin të ecë përpara në rrugën e integrimit. Bëhet fjalë për kompaninë Albania Digital Solutions, që do jetë simotër e AKSHI-t, por që do veprojë ndarasi, por do jetë tërësisht shtetërore…

Sali Berisha: Do krijojë KAYO-n e dytë, do krijojë kompanitë të gjitha personale për të vjedhur. Është bërë i çmendur, i papërmbajtur në vjedhjen e pasurive dhe pronave publike.

Tani, siç kishte AKSHI-n, që u zbulua dhe u damkos, ka krijuar kompaninë e prokurimeve ushtarake dhe prodhimeve ushtarake, e cila sa për dijeni, me të dhënat e para, po blen mallra me pesëfishin e çmimeve të zakonshme të tregut, dhe kjo vetëm e vetëm për llogari të miliarderit Edi Rama.

Apo për të krijuar zhurmë siç bëri me Diellën, që po luftojmë korrupsionin, ndërkohë që korrupsioni u rrokullis 11 vende më vonë.

Apo siç bëri me Diellën e medieve. A e patë se ç’tha dje?

Dje tha se mediat japin 60 përqind opozitës dhe 40 përqind Edi Ramës.

I fryëmzuar nga dy Diellat dal vivo të AMA-s, Desada dhe Armela, që u bënë famoze kur informuan zyrtarisht se Berisha kishte zënë 70 përqind të lajmeve dhe kjo ishte në lajmet e gushtit, kur në gusht nuk kishte asnjë njeri dhe detyroheshin të jepnin vetëm konferencat e mia se nuk kishte njeri.

Dhe tani për të vazhduar me këtë mashtrim të turpshëm, ka krijuar një start-up me dashboard të kontrolluar tërësisht nga qeveria, të ushqyer nga qeveria për të mashtruar shqiptarët dhe komunitetin ndërkombëtar se si atë po e censurojnë mediat, të cilat i shpall investitorë strategjikë dhe vjedh nga paratë e taksapaguesve dhe u jep atyre dhjetëra e dhjetëra milionë euro për të mashtruar shqiptarët.

Këto janë të gjitha përpëlitjet dhe përpjekjet e një njeriu që nuk ngopet me vjedhjet e popullit të tij. Por i ka të kota.

Marsi Korreshi, SYRI TV: A keni një përgjigje për deklaratën e tij se opozita është një specie unike që po bllokon procesin e integrimit?

Sali Berisha: Opozita po ndihmon procesin e integrimit në mënyrën më serioze.

Opozita ka pasur një betejë shumë të fortë. Ka zhvilluar një betejë shumë të fortë dhe është krenare se ia ka dalë të përmbysë mashtrimet e qeverisë dhe lobingjeve korruptive dhe të tregojë të vërtetën e realitetit shqiptar si rruga e vetme për një proces integrimi.

Në rast se e lexuat rekomandimet e Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian, një proces integrimi të bazuar në meritën.

Vetëm këtë ka bërë dhe bën opozita.

Rrugën për në BE ia mbyllin Shqipërisë ata që mbrojnë vjedhjet e qytetarëve shqiptarë.

Ata që shndërrojnë zgjedhjet në farsë, duke shkrirë në një institucionet e shtetit me strukturat e partisë. Duke angazhuar bandat dhe kartelet e drogës.

Ata janë faktorët që pengojnë dhe vështirësojnë integrimin e Shqipërisë në BE.

Janë ata, të cilët bëjnë çdo gjë për ta shndërruar procesin më themelor të shoqërisë shqiptare sot në një proces okult.

Të mbyllur.

Ju duhet ta dini se ka pesë muaj që në një forum në Bruksel që quhet COELA, forum shumë serioz, që vizitoi edhe Shqipërinë para 4 muajsh. Erdhën 27 përfaqësues të vendeve anëtare, diplomatë, erdhën në Shqipëri, i panë gjërat në vend dhe ka kaq muaj që ata mblidhen me përgjegjësinë më të madhe, raportin për Shqipërinë e shqyrtojnë dhe shtojnë vazhdimisht kërkesa mbi të.

Dhe përfaqësuesi i Shqipërisë është në ato diskutime.

Edi Rama fsheh çdo rekomandim të tyre.

Fsheh çdo sugjerim të tyre.

Çdo kritikë të tyre.

Edi Rama e shndërron këtë në një proces okult, të mbyllur, sikur e ka pronë të veten dhe jo një proces që duhet të ketë, siç thotë Parlamenti Evropian, epiqendër rolin e parlamentit, opinionin publik, shoqërinë civile, mediat e me radhë.

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale