Berisha: 47% e shqiptarëve janë larguar për shkak të politikës çnjerëzore të Edi Ramës! Protestat tona janë bërë zëri i Shqipërisë në mbarë kombin dhe botën

FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË FOLTOREN E DEGËS 5, TIRANË

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, zhvilloi mbrëmjen e sotme një takim me qytetarët dhe mbështetësit e Degës 5 në Tiranë, ku akuzoi me tone të ashpra qeverinë aktuale si përgjegjëse për shkretimin më të madh që ka përjetuar Shqipëria në dekadat e fundit.

Në fjalën e tij, Berisha deklaroi se largimi masiv i shqiptarëve nga vendi është rezultat i një politike çnjerëzore, që ka detyruar qytetarët të braktisin Shqipërinë për shkak të varfërisë, mungesës së shpresës dhe korrupsionit. Ai tha se nga viti 2015 deri në vitin 2024 janë larguar mbi 1 milion shqiptarë vetëm drejt vendeve të hapësirës Shengen, ndërsa në total vendi ka humbur rreth 47% të popullsisë në një dekadë.

Berisha krahasoi situatën aktuale me projektet historike të shpopullimit të shqiptarëve, duke theksuar se qeveria po përdor të njëjtat metoda përmes mungesës së shërbimeve, papunësisë dhe pamundësisë ekonomike për qytetarët.

Lideri demokrat u ndal edhe te gjendja ekonomike në vend, duke deklaruar se shqiptarët sot janë më të keqpaguarit në rajon, ndërsa çmimet e ushqimeve, ilaçeve dhe banesave janë rritur ndjeshëm. Sipas tij, të rinjtë po largohen pasi nuk arrijnë të ndërtojnë jetën e tyre në Shqipëri dhe nuk kanë mundësi të blejnë një apartament në Tiranë, të cilën e cilësoi si një nga qytetet me çmimet më të larta të banesave në Europë.

Në fjalimin e tij, Berisha akuzoi qeverinë se favorizon oligarkët dhe grupet kriminale, duke theksuar se paratë e drogës dhe korrupsionit po investohen në ndërtimin e kullave në kryeqytet, ndërsa qytetarët e zakonshëm përballen me varfëri dhe pasiguri ekonomike.

Një pjesë e rëndësishme e deklaratës së liderit demokrat iu kushtua sistemit të drejtësisë dhe trajtimit të kundërshtarëve politikë të Ramës. Berisha iu referua rastit të ish-presidentit, Ilir Meta, duke akuzuar Ramën për rikthimin e praktikave të diktaturës në sallat e gjyqit. Ai tha se “kafazi” i përdorur ndaj Metës është simbol i frikësimit të qytetarëve dhe i tentativës për të eliminuar opozitën.

Kryedemokrati vlerësoi protestat e opozitës, duke deklaruar se ato janë bërë zëri i Shqipërisë në botë dhe se falë tyrendërkombëtarët janë ndërgjegjësuar për situatën politike në vend. Berisha përmendi raportin e fundit të Parlamentit Europian, për të cilin tha se ka gozhduar Edi Ramën në çdo rresht, duke shtuar se dokumenti është miratuar nga i gjithë spektri politik europian.

Ai deklaroi se opozita ka kaluar periudhën më të vështirë në historinë e saj, por falë qëndresës së mbështetësve, Partia Demokratike është kthyer në një forcë politike të mbështetur ndërkombëtarisht.

Berisha akuzoi me tone të ashpra gjithashtu mediat pranë qeverisë, duke theksuar se kontrollohen nga pushteti dhe se pronarët e tyre përfitojnë favore ekonomike nga qeveria. Ai i quajti disa prej tyre supermafiozë të fjalës së lirë, ndërsa akuzoi analistë dhe drejtues mediash për lidhje me korrupsionin dhe interesa politike.

Në fund të takimit, kryetari i PD u bëri thirrje qytetarëve të marrin pjesë në protestën e opozitës më 8 maj, duke e cilësuar atë si një moment të rëndësishëm për përballjen me qeverinë.

FJALA E PLOTË

Mirëmbrëma dhe një mirënjohje të pakufijshme ndaj jush demokrateve dhe demokratëve, qytetarëve dhe qytetareve të kësaj lagje dhe të gjithë atyre që në këto kohëra ndër më kritiket për Shqipërinë, në këto kohëra në të cilat kombi ynë në Shqipëri përjeton shkretimin më të madh në tërë historinë e tij nga vitet 1300, vitet e Murtajës së Zezë.
Kohëra në të cilën në një 10-vjeçar, jo nga një luftë rajonale, as nga një luftë botërore, as dhe nga një epidemi shfarosëse, por nga një politikë çnjerëzore, nga një politikë që shkelmon ditë e natë interesat e qytetarëve, shqiptarët u larguan nga ky vend si asnjë komb tjetër në Europë nga vendi i tyre.
Në 10 vite, nga viti 2015 deri në vitin 2024, vetëm në hapësirën Shengen me regjistër të Eurostatit janë larguar 1 milion e 99 mijë shqiptarë.
Në qoftë se ne shtojmë këtu ata që janë në larguar për në zona të tjera të globit, Kanada, SHBA, Australi, Lindje të Mesme, Afrikë dhe kudo, ne kemi humbur në 10 vite 47% të materies tonë kombëtare.
Vaso Çubrilloviç, me qëllim të konsolidimit përfundimtar të etnisë pushtuese serbe në Kosovë, bëri projektin e shpopullimit të Kosovës.
Ai shpopullim nuk ishte pa sukses.
Rreth 300-400 mijë shqiptarë u larguan.
I cili konsistonte në mosofrim të shërbimeve, në infrastrukturë të rrënuar, në shkolla, shërbim shëndetësor të keq.
Në shpunësime dhe pamundësi pune.
Në falimentim të fermave.
Nuk i nxirrte pra të gjithë para vrasjes, por teknikat e largimit të shqiptarëve ishin absolutisht identike me këto që ka përdorur Edi Rama në Shqipëri.
Urdhëroni, po e fillojmë që këtu.
Këtu jemi në një sallë teatri, a mund të imagjinoni se ku e katandisën këta kulturën e kombit?
Ne kishim një teatër kombëtar dhe sot nuk ka, përveç teatrit të operës, asnjë institucion kombëtar në Tiranë.
I shkatërroi korrupsioni.
I hëngri korrupsioni.
Të shkojmë pak më tutje.
E dëgjoni çdo ditë flet rritja ekonomike kaq e aq. Po a e dini se çfarë është ajo?
Ajo është pasurimi i një grupi shumë të vogël njerëzish dhe një varfërim masiv i shqiptarëve.
Çdo njeri, që ka konceptin e buxhetit familjar, të rrogës dhe çmimeve, e ka të qartë se në rast se çmimet më shumë se rrogat, vështirësia ekonomike bëhet gjithnjë e më e madhe në Shqipëri.
Ne ishim në vitin 2013, qytetarët më të mirëpaguar në rajon, jo vetëm në këto 6 vendet e Ballkanit Perëndimor, e vërteta më të paguar edhe se rumunët dhe bullgarët që ishin anëtarë të BE.
Ku jemi sot?
Sot jemi më të keqpaguarit.
Po. Më të keqpaguarit, po çmimet si janë?
Çmimet e ushqimeve dhe mallrave bazë janë rritur pothuajse 100 përqind ose më shumë.
Çmimet e ilaçeve janë stratosferike dhe janë krejt pa vlerë.
Ndaj dhe dalim tek ajo fjalë që një i ri shqiptar i tha para një jave Niko Peleshit në Dublin, ne marrim rrugët se vidhni ju. Ne ikim ju se vidhni ju, dhe jo vetëm vidhni, por ju mbroni vjedhjet tuaja, siç e mbrojtët në rastin e Lubi Ballukut.
Dhe çfarë ndodhi?
Të gjitha mediat e censuruan zërin e këtij të riu guximtar që përfaqësonte 720 mijë të rinj që janë larguar nga Shqipëria.

Çdo i ri ka ëndërr, çdo i ri kudo që jeton ka ëndërr ta ndërtojë ëndrrën në Tiranë, në kryeqytetin e vendit të vet. Ose të ndërtojë biznesin aty ku është, të begatohet.
Por ëndrra për të rinjtë bëhet krejtësisht e pamundur.
Së pari, i pret mesatarja, e cila e pret si me kosë, i largon që në gjimnaz nga Shqipëria.
Së dyti, mbarojnë, nuk gjejnë punë.
Së treti, nuk mund të blejnë shtëpi. Ky vend, ky kryeqytet i bekuar ka çmimet më të larta në Europë të apartamenteve. I duhet të punojë një shekull një i ri që të blejë një apartament.
Jo, merr rrugët e dheut, e merr ëndrrën e tij të bukur, e merr projektin e tij të mrekullueshëm për Shqipërinë e nesërme dhe merr rrugët.
Të gjitha këto, sepse një organizatë kriminale e drejtuar nga Edi Rama mendon vetëm e vetëm për plaçkitjen, vjedhjen e pasurive, fondeve të qytetarëve shqiptarë.
Të gjitha këto vetëm e vetëm se miliarderët e drogës, kriminelët e damkosur sjellin miliardat në kullat e krimit dhe korrupsionit, kullat e drogës.
Blejnë kate e kate të tëra. Atëherë për të riun nuk mbetet asgjë, mbeten vetëm rrugët e botës.
Ndaj dhe qëndrimi juaj, që nuk u nënshtruat, nuk u mposhtët, është një qëndrim i bekuar, është një qëndrim për të cilin çdo shqiptar do t’u jetë gjithmonë mirënjohës.
Çfarë është ky qëndrim?
Ky qëndrim para së gjithash është qëndrimi i shqiptarit, qëndrimi i qytetarit që ndjen përgjegjësi për familjen e tij, për qytetin e tij, për vendin e tij.
Nuk ka forcë më të madhe se sa përgjegjësia e qytetarit për qytetin.
Se sa përgjegjësia e shqiptarit për vendin e tij.
Në këtë kontekst, ju pa asnjë dyshim jeni elita e vërtetë e këtij kombi.
Po, elita më eprore e kombit.
Këtë ta ketë të qartë çdo shqiptar se ju nuk pajtoheni me të keqen, se ju ngriheni kundër të keqes, se ju doni të ndahet vendi nga e keqja.
Dhe e bëni këtë në kushte shumë të vështira.
Ju, me qëndrimin tuaj, në momente kritike, kur projekti Shqipëria pa opozitë nga Edi Rama, që ka trashëguar moralin të etërve të tij vrasës, dhe që këtë moral e ka shndërruar në moralin e qeverisjes së tij tani, plotësisht, e patë ju vetë Ilir Metën, ish-president, ish-kryeministër, ish-kryetar parlamenti. Si çdo njeri tjetër, me plus minuset e veta.
Por ka një gjë. Ne u ndamë nga koha e kundërshtarëve në kafaz. Ajo ishte koha e Enver Hoxhës, diktatorit më brutal.
Ai i sillte në kafaz kundërshtarët politikë në sallën e gjyqit.
E riktheu Edi Rama kafazin në sallën e gjyqit, ndërkohë që vrasës serialë po në atë burg festojnë çdo natë me pije, kokainë dhe orgji të tjera.
Po pse kafazi?
Sigurisht, ai e urren Ilir Metën, por ai urren qytetarët në radhë të parë. Ai do që qytetarët të tremben sa më shumë.
Kurse ju nuk trembeni.
Ju nuk jeni trembur.
Ju u ngritët në kohëra kritike për të mbajtur në Shqipëri opozitën, për të pasur Shqipëria një opozitë jo të kontrolluar nga qeveria, jo fasadë por një opozitë të vërtetë si zëri i ndërgjegjes dhe moralit të këtij kombi.

Jemi në prag të një proteste jashtëzakonisht të rëndësishme.
Jemi të lodhur, po, pa diskutim.
Jemi të rraskapitur, po, nuk them se jo.
Shtrojmë pyetjen: këto protesta çfarë po sjellin?
Ah, këtu qëndrojmë. Këto protesta u bënë zëri i Shqipërisë në mbarë kombin dhe në mbarë botën.
Në qoftë se ne, nuk do kishim qëndruar, sot nuk do ishim opozitë.
Në rast se ne nuk do të kishim qëndruar, pushteti absolut i Edi Ramës do të mbillte terror në të katërta anët e vendit.
Në rast se ne nuk do kishim qëndruar, do flitej ashtu siç folën lobistë racistë antishqiptarë para një muaji, të paguar nga Edi Rama, sipas të cilëve, AKSHI, ndërmarrje shtetërore ku merren peng biznesmenë që paraqesin oferta, qenka kulturë shqiptare kjo.
Se ne shqiptarët e paskemi kulturë t’i zgjidhim problemet duke marrë peng njëri-tjetrin.
Nuk ka akuzë më raciste.
Pse bëhej kjo akuzë nga ky person?
Kjo akuzë bëhej për të mbrojtur Edi Ramën, për t’i thënë asaj audience të mbyllur, të rëndësishme se lëre, nuk ka faj Edi këtu, këtu e kanë kulturë, nuk ka çfarë u bën ai, është çështje kulturore e shqiptarëve.
Por kjo mbetej në një rreth të mbyllur dhe aty nuk e besonte njeri këtë dogmë sepse ne ishim në këmbë.
Ne po protestonim dhe ishim zëri i vërtetë i shqiptarëve.
I moralit. I të drejtës. Por edhe i besimit tek Shqipëria dhe tek e ardhmja.
Po në atë mbledhje, imuniteti i Ballukut. Lobisti i korruptuar i Edi Ramës, po, qëndrimi ndaj Ballukut është interpretimi shqiptar i imunitetit. Pra, ne kështu e kemi, ne imunitetin nuk e heqim në këto raste.
Paçka se na ndaj Ilir Metës e kishim hequr me datën 14 dhjetor në vitin 2011. Dhe e dha vetë dorëheqjen dhe imunitetin, sepse Edi Rama fabrikoi një regjistrim të faktuar me falsifikim në 28 vende.
Por kishte një moral, kishte një etikë ajo qeveri, një përgjegjësi para jush.
Duhet të jepte dorëheqjen, të sqaroheshin problemet.
Imuniteti i është hequr dy herë ish-kryetarit të partisë, Lulzim Basha, në atë kohë ishte ministër.
Iu është hequr ministrave të tjera.
Nuk na ka shkuar kurrë në mendje që të mos heqim imunitet ministrash. Jo.
Dhe atë, pavarësisht nga çmimi që do paguante, drejtësia do bëhej.
Kurse këtu thoshte se këta shqiptarët kanë këtë interpretim për imunitetin.
Por ishit ju që u ngritët, që protestuat. Dhe sot, falë qëndresës tuaj, protestës tuaj, në fakt jeni zëri më i fuqishëm që ka pasur Shqipëria. Zëri më i dëgjuar i Shqipërisë dhe shqiptarëve, avoketërit më të pamposhtur të dinjitetit kombëtar. Të dinjitetit individual.

Kjo qëndresë, ky shpirt i pamposhtur i juaji, bëri që opozita shqiptare të kalojë kaluarin më të vështirë që një forcë politike mund të ketë kaluar ndoshta në 100 vitet e fundit në Europë.
Kjo qëndresë e juaja bëri që PD nga forca politike më e izoluar në planet, të shndërrohet jo me deus ex machina, por me qëndresën dhe guximin tuaj, të shndërrohet në forcën politike më të mbështetur në tërë historinë e saj, në forcën politike më të mbështetur në Europë.
Ndaj dhe ky është një shpërblim për lodhjen tuaj.
Një shpërblim për sakrificën tuaj.
Një shpërblim i padiskutueshëm për shpirtin tuaj të pamposhtur.
Miq, 8 rezoluta në të cilat u sanksionuan narkoshteti i Edi Ramës, vjedhjet e Edi Ramës, pushteti i tij absolut, farsa e tij elektorale, qëndrimet e tij antikushtetuese njëra pas tjetrës të votuara nga të gjitha partitë e qendrës së djathtë dhe të djathta në botë.
Çfarë thoshte propaganda?
Janë rezoluta partiake.
Edhe partiake, ato kishin një vlerë të jashtëzakonshme se ato parti që firmosën ato rezoluta, qeverisin botën sot.
Por, prisni, zëri juaj u dëgjua. Qëndresa juaj u dëgjua sepse vetëm dy tre muaj më parë, këtu erdhën për të parë në vend ngjarjet, zhvillimet, dy misione faktmbledhëse ndër më të rëndësishmet në historinë e vendit.
Edhe do u rrëfej një gjë, ta dini.
Një nga vështirësitë tona ka qenë dhe vazhdon edhe sot të jetë, se ndodhitë në Shqipëri janë të pabesueshme.
Dhe jo një, por po u them, gjatë këtyre viteve, me dhjetëra miq, personalitete, në fund të bisedës më thonë: Sali këto janë gjëra të pabesueshme.
Dhe ç’ndodhi?
Prandaj dhe erdhën edhe dy misione faktmbledhëse. I panë këtu.
Njëri përbëhej nga përfaqësuesit e 30 partive politike të Europës, i kryesuar nga Sekretari i Përgjithshëm i PPE. Tjetri, misioni faktmbledhës i Komisionit të Jashtëm të Parlamentit, i cili ka në gjirin e vet 180 parlamentarë europianë, erdhi i kryesuar nga kryetari i një komisioni.
Qëndruan.
Takuan qytetarë.
Takuan forca politike.
Takuan mediat.
Takuan shoqërinë civile.
Dhe, dje u votua raporti.
Ai raport, u them unë ju, është si një pikë e ujit e ndarë në dysh me të gjitha rezolutat e miratuara gjer sot nga forcat politike.
Por ai raport nuk është më i partive të qendrës së djathtë dhe të djathtë, por ai raport është i votuar nga i gjithë spektri politik evropian në Parlamentin Evropian.
Madje, për ta ditur jo, raporteri është socialist, anëtar shumë i rëndësishëm në grupin parlamentar socialist në PE.
Dhe aty, pas një pune intensive, raporti ka gozhduar Edi Ramën në çdo rresht.
Raporti ka gozhduar Lubi Ballukun.
U ka mbrojtur ju, ka mbrojtur qytetarët shqiptarë, ka mbrojtur procesin e integrimit, ka mbrojtur të ardhmen e shqiptarëve.
Ja pra, në qoftë se ju nuk do protestonit, mund të imagjinoni se do ishte ky raport? Kurrë.
Në qoftë se ju nuk do të protestonit, do kishin ardhur misionet faktmbledhëse? Jo.
Kurrë ndonjëherë zëri juaj nuk është dëgjuar më shumë dhe ju e keni bërë këtë në kushtet më të vështira. Të një terrori psikologjik, të një terrori ekonomik, të një terrori të gjithanshëm.
Dhe thoshte një student një ditë, zoti Berisha, unë jam në universitet, unë shprehem, nuk duroj dot, pavarësisht se ç’mund t’u bëjnë prindërve të mi, por unë e marr parasysh, unë dua të flas, të them të vërtetën.
Por ka shokë të mi që nuk e bëjnë këtë, preferojnë heshtjen.
Çfarë është kjo heshtje?
Kjo është e keqja banale.
Hannah Arendt, një filozofe e shquar e shekullit të kaluar, shkon në gjyqin e Eichmann. Eichmann ishte një oficer i lartë nazist, nëpër duart e të cilit kishin kaluar dokumentet për miliona hebrenj në furrat e kampeve të përqendrimit.
Dhe ky ulur.
Dhe kjo shkon se do të shohë monstrën e njerëzimit aty.
Shkon aty, ndjek gjyqin, ai ishte njeri i zakonshëm.
Ai ishte njeri që i thoshte gjykatësit, zoti gjykatës, unë zbatova urdhrin, ky urdhër me erdhi nga filani.
Me një fjalë, ai ndjehej një nëpunës. Por ai kishte humbur çdo aftësi njeri për të protestuar, për të kundërshtuar urdhrin.
Ndaj dhe heshtja është e keqe banale.
Sepse qytetari nuk hesht kurrë para këtij shkatërrimi të kombit.
Sepse qytetari nuk hesht kurrë kur sheh që u larguan 720 mijë të rinj nga Shqipëria.
Sepse qytetari nuk hesht kurrë kur sheh që varfëria po bëhet e lemerishme çdo muaj e më shumë.
Sepse qytetari nuk hesht kurrë kur sheh spitale të shkatërruara, shërbime të shkatërruara. Kur sheh pasiguri të madhe kudo.
Pra ne, ndaj e nisa me ju, elita e vërtetë e kombit ju jeni.
Po, po, absolutisht.
Dhe ne do vazhdojmë këtë mision se ky mision është fati ynë i madh për t’i shërbyer vetes, familjes dhe vendit tonë.
Dhe ne do e fitojmë këtë betejë.
Edi Rama është i plagosur për vdekje. Edi Rama nuk e merr më veten. Jo.

Kemi probleme.
Problem shumë serioz janë mediat e kapura.
Do t’u them të vërtetën.
Më shumë se çdo gjë tjetër, unë në veten time vlerësoj fjalën e lirë, lirinë e mendimit.
Ajo ishte ëndrra jonë në diktaturë, që të ishim të lirë.
Ajo ishte sinonimi i dinjitetit tonë, sepse nuk e kishim.
Po sot, 90 përqind e medieve kontrollohen nga qeveria.
Imagjinoni çfarë ndodh?
Pronarët bëhen investitorë strategjikë.
Pronarët, me porosi të Lubisë, i patë dosjet ju, merrnin dhjetëra milionë nga rrugët. Prandaj kushtonin rrugët. Taksat tuaja, 20 milionë kilometri sepse ndahej midis ministrit, pronarit të medieve, midis këtij e atij, dhe merrnin paratë tuaja.
Pronarët shpallen investitorë strategjikë. Marrin favore të jashtëzakonshme.
Pronarët, diku këtu afër, marrin 4500 metër katrorë tokë me 1 euro siç merr Bolino, tokë e dhuruar nga fisnikë tiranas, familje tiranase, për gjimnaz sepse komuniteti nuk kishte gjimnaz aty. Ato i jepen pronarit të medieve.
Dhe më pastaj më thonë mua, nuk janë mafiozë këta?
Këta janë supermafiozë dhe këta janë mafiozët më të rrezikshëm sepse janë mafiozët e fjalës së lirë.
Fjala është e para.
Këta riprodhojnë në seri lajmin, e jep ERTV, e marrin që të gjithë dhe e përsërisin.
Çfarë ndodh?
Edhe në qoftë se nuk e beson qytetari i thjeshtë, neveritet.
Por çfarë do të thotë kjo?
Kjo do të thotë se ai mpihet.
Ai humbet ndjeshmërinë ndaj kësaj që ndodh.
Dhe qeveria këtë do. Dhe tani sulm se po na thotë… asnjë gazetar nuk është adresuar kurrë nga unë dhe nuk do agresohen.
Por të marrësh analistë kriminelë të damkosur si Idajet Beqiri, a ka fyerje më të madhe?
Valët janë të qytetarëve.
Një njeri i damkosur i dënuar në disa procese gjyqësore nga përdhunime, vjedhje, terrorizëm, etj, dhe ai në studio…
Ti nuk e sheh atë, kthen kokën, por ai kthimi i kokës do të thotë humbje e interesit për të vërtetën.
Këtë do qeveria.
Do që qytetarët të fitojnë indiferencën.
Nxjerr analist Bolinon, një hajdut me çizme që merr 4500 metër katrorë tokë me 1 euro për të mashtruar nga mëngjesi në darkë për llogari të Edi Ramës.
Si thoni ju? Të mos qëndrojmë ndaj tyre?
Do qëndroj deri në minutën e fundit të jetës time.
Ne jemi për lirinë e medias, jemi dhe do jemi.
Ne jemi për pavarësinë e gazetarëve dhe e respektojmë plotësisht.

Por të nxjerrësh nëpër studio delinkuentë. Çfarë është Adriatik Doçi?
Adriatik Doçi është një gjobëvënës, i telekomanduar nga Linda Rama, që shkon çdo javë në Surrel, merr udhëzimet, i thuhet këtë javë veshju këtij kundërshtari.
Është i regjistruar si gjobëvënës.
Ka ligj për të? Jo, nuk preket se Linda kontrollon edhe drejtësinë.
Është i regjistruar. Ka dosje ku ai përdor portalin për të vënë gjoba.
Dhe ai shëtit nga një studio në studion tjetër.
Një kriminel ordiner.
Po Sokol Balluku?
Prisni, ka nja televizion ai.
Nuk është mirë kur detyrohesh të mbyllësh televizorin. Dhjetëra milionë nga Lubia, paratë tuaja.
Ai fillon nga mëngjesi gjer në darkë sulme, sulme ndaj opozitës.
Bëjnë gjithçka në të gjitha format për të mbrojtur qeverinë, por edhe ata bashkë me kreun e Meduzës, kreun e organizatës kriminale, Edi Ramën, do marrin fund.
Shqipëria do ketë media të lira që do informojnë me vërtetësi qytetarët. Do respektojnë valët dhe hapësirën mediatike.
Përndryshe ne në këmbë jemi, nuk na impresionon asgjë, do mbrojmë siç kemi mbrojtur interesin publik, interesin e qytetarëve shqiptarë.
Edhe njëherë u falënderoj shumë dhe u ftoj të ngrihemi viganë me datën 8, t’u japim mesazhin më të fortë dhe të fuqishëm shqiptarëve në Shqipëri dhe miqve tanë në mbarë botën.

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale