FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË TUBIMIN QYTETAR
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë fjalës së mbajtur në tubimin qytetar është ndalur te raporti i UNICEF mbi varfërinë në Shqipëri, ku sipas tij 47% e fëmijëve vuajnë për kafshatën e gojës. Në fjalën e tij në tubimin qytetar poshtë banesës, Berisha theksoi se ‘Narkoshteti i Ramës renditet më keq se Ruanda’.
Lideri i opozitës, foli për varfërinë ekstreme që ka përfshirë Shqipërinë gjatë qeverisjes së Edi Ramës. ‘A mund të tolerohet më Edi Rama që me vjedhjet e tij iu merr kafshatën e gojës fëmijëve të këtij vendi?’, theksoi Berisha në protestën maratonë që zhvillohet te ‘Rruga e Shpresës’.
Gjatë fjalës në tubimin qytetar, kryedemokrati Sali Berisha foli edhe për vendimin e BE për të ndërprerë fondet IPARD për bujqësinë, si pasojë e korrupsionit qeveritar të hetuara nga organizmat e drejtësisë europiane. ‘BE ndërpreu 140 milionë euro për fermerët shqiptarë sepse Edi Rama e Erion Veliaj vodhën paratë e taksapaguesve europianë’, u shpreh Berisha në fjalën e tij gjatë tubimit qytetar te ‘Rruga e Shpresës’.
Kryetari i PD-së, Sali Berisha ka vijuar akuzat në drejtim të kreut të SPAK, Altin Dumanit, në lidhje me nënshtrimin e tij ndaj provave skandaloze të korrupsionit galopant të Edi Ramës. ‘Mercenari Altin Zamani nuk guxon të hetojë pallatin pesëkatësh të Linda Ramës dhe sarajet e Surrelit’, theksoi Berisha në protestën maratonë te ‘Rruga e Shpresës’.
FJALA E PLOTE
Të dashur demokrate dhe demokratë, qëndrestare dhe qëndrestarë të pamposhtur, misionarë të kauzës sonë të drejtë, të dinjitetit, shpresës dhe lirisë së shqiptarëve.
Ju përshëndes dhe përulem me nderimin tim më të madh, mirënjohje të pakufishme ndaj jush.
Për oratorët e parlamentit të lirisë, që u thonë shqiptarëve të vërtetat nga ky parlament.
Të dashur miq!
Në historinë e njerëzimit në çdo barbari, në çdo fatkeqësi natyrore, në çdo pushtim, në çdo diktaturë, viktimat më të para, viktimat më të pafajshme janë fëmijët dhe para së gjithash fëmijët.
Së fundmi, organizata botërore për kujdesin e fëmijëve publikoi statistikën më tronditëse, statistikë që nuk është njohur kurrë në historinë e këtij kombi, sipas të cilës 47 përqind e fëmijëve në Shqipëri vuajnë në shkallë të ndryshme nga e rënda te e moderuara, për kafshatën e gojës, për ushqim.
Ky tregues është aktakuza më e tmerrshme pas shpopullimit të Shqipërisë ndaj Edi Ramës dhe klikës së hajdutëve të tij.
Të dashur miq!
Në këtë studim që përfshin 130 vende, Shqipëria vjen sot e varur në shtyllën e turpit të botës.
Shqipëria e Edi Ramës vjen sot në pozicionin më të zi, më çnjerëzor, më të turpshëm pas diktaturës së Taxhikistanit.
Shqipëria e narkoshtetit të Edi Ramës renditet 13 vende më keq se Ruanda që kaloi luftën e egër civile.
Muaj më parë, kur qeveria britanike kërkoi të depozitojë, të sjellë në Shqipëri refugjatë si në Ruandë, Edi Rama u shpreh se ne nuk jemi Ruanda.
Tragjike miq, Ruanda për ushqimin e fëmijëve, vogëlusheve të saj, qëndron 13 shkallë më lart se Shqipëria.
Shumë herë më lart qëndron Iraku. Qëndron Çadi, qëndrojnë pra vendet të cilat kanë kaluar luftëra të egra.
Kjo e dhënë është vajtuese për çdo shqiptar.
Por në qoftë se studioni më me hollësi publikimin e UNICEF-it, aty do gjeni se 18 përqind e fëmijëve në Shqipëri, fëmijëve të Tiranës së këtyre kullave monumente të drogës dhe korrupsionit, të Tiranës, kryeministri i të cilës udhëton, bën 141 udhëtime në dy vite më avion taksi, të Tiranës ku zhduken pa nam dhe pa nishan për djegësin e saj 136 milionë euro.
Po të shohësh, 18 përqind nuk kanë më shumë se një ose dy vakte ushqim.
Kjo përqindje është 18 herët më e ulët në Serbi.
Është 16 herë më e ulët në Maqedoninë e Veriut.
Kjo përqindje është e njëjtë me Taxhikistanin. Ky është një krim.
Ky është në fakt infanticid ndaj fëmijëve shqiptarë sepse çdo fëmijë i vogël, çdo vogëlush që nuk mund të ketë më shumë se një vakt ose dy në ditë, është si lulja që vyshket.
Është i dëmtueshëm nga çdo sëmundje.
Është viktima e parë e çdo infeksioni.
Miq, a mund të tolerohet më ky regjim? A mund të tolerohet më Edi Rama?
A mund të tolerohet më Edi Rama që me vjedhjet e tij iu merr kafshatën e gojës fëmijëve të këtij vendi?
Që me vjedhjet e ministrave të tij, ua merr vaktin e ushqimit fëmijëve shqiptarë?
Që me vjedhjet e zyrtarëve të tij, i bën fëmijët e këtij vendi, pre e gjahut të mikrobeve dhe sëmundjeve të egra?
Nëna, baballarë, prindër, këto sirena janë sirena zie për mbarë kombin.
Janë sirena mjerimi të shkaktuara që të gjitha nga kjo lukuni hajnash të pangopur!
Miqtë e mi!
Këta vjedhin çdo gjë.
A nuk njoftoi BE se ndërpreu 140 milionë euro për fermerët shqiptarë sepse Edi Rama, këshilltarët e tij, Erion Veliaj me djegësat e tij kishin vjedhur paratë e taksapaguesve të BE.
Ndaj vendi të ndërpresë çdo ndihmë për një program jetik për fermerët shqiptarë.
Pra, çfarë të keqe mund të bëjë më të madhe Edi Rama se sa të zhysë në këtë lloj varfërie fëmijët e këtij vendi, nga të cilët 18 fëmijë në 100 të mos kenë më shumë se një apo dy vakte në 24 orë?
Çfarë emri më të shëmtuar mund të ketë ky krim?
A nuk është ky një lloj vrasje me dashje, me vjedhje, me vjedhje e fëmijëve tanë?
Miqtë e mi!
Edi Rama nuk ka shpirt, nuk ka ndjenja, nuk ka moral.
Urdhëroni ku e ka katandisur Shqipërinë, aty ku asnjërit nuk ia priste mendja.
Por kjo vjen gjithashtu se Dumani i tij, se Zamani apo mercenari i tij me grupin e strukturuar kriminal në Skrap, mbron, amniston vjedhjet e Edi Ramës, Olsi Ramës, sojit të Ramës, qeverisë së Ramës, zyrtarëve të tij, Erion Veliajt, familjarëve të Erion Veliajt, zyrtarëve të tij.
Altin Zamani, ky mercenar në krye të grupit të strukturuar kriminal, thërret në Skrap blerësin e tretë të një banesë që dikur i përkiste ish-armikut Ilir Meta.
Por nuk guxon ky horr të hetojë pallatin pesëkatësh të Linda Ramës që nuk ka asnjë faturë, ndërtimore, bankare apo të çfarëdo lloji.
Nuk guxon ky horr që duan t’ia shesin shqiptarëve, të hetojë sarajet e Surrelit me 5 mijë metra katrorë kopsht, 57 metër katror themele, në një kohë kur Edi Rama kishte të deklaruara gjithsej 3800 euro dhe 400 mijë lekë.
Ju o dumanistë që nuk keni fytyrë të mbroni mëkatet tuaja se u ka marrë peng ai, thojuni shqiptarëve a duhet të hetohen sarajet e Edi Ramës, të ndërtuara mbi vjedhjen dhe krimin, apo duhet të thirret Batoni i Edi Ramës që ka blerë nga një blerës një shtëpi të blerë dikur nga Ilir Meta.
A e shihni ju tellallë që kaloni nga studio në studio për të mbrojtur krimet tuaja, se u ka marrë peng Dumani, përpiqeni të shisni kallp-sondazhe se paska opinion për të.
Se qenka i preferuar një hajdut i marrë peng, që ka larë paratë e vjedhura me apartamente.
Këto janë pra të vërtetat e tmerrshme.
Sepse unë u them se në rast se 47 përqind e fëmijëve në këtë vend vuajnë për kafshatën e gojës, kjo është një gjë e tmerrshme miq.
Ky është një kushtrim për çdo njeri që ka zemër, që ka dashuri për fëmijët, që ka ndjenja prindërore ndaj fëmijëve, të ngrihemi t’i japim këtij banditi, këtij krimineli dërrmën, atë që meriton.
Edhe njëherë, thirrja ime, të vazhdojmë mosbindjen civile, betejën pa kthim për qeveri teknike, për votën e lirë.
T’i urojmë suksese dhe fitore sonte ekipit tonë kuqezi kombëtar.
Rrofshi ju, rroftë Shqipëria.
Fitore, fitore, fitore!