FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË TAKIMIN ME BASHKËATDHETARËT NË MILANO
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha në takimin madhështor me bashkëatdhetarët shqiptarë në Milano falënderoi shqiptarët dhe italianët për mbështetjen historike. Berisha akuzoi qeverinë Rama, duke e quajtur Shqipërinë nën “narkodiktaturë” dhe theksoi se Italia ka hapur gjithmonë dyert për shqiptarët, sidomos në periudhat më të vështira të historisë.
Berisha vlerësoi marrëdhëniet e ngushta dhe miqësinë e gjatë mes Shqipërisë dhe Italisë, duke shprehur mirënjohje të thellë për këtë mbështetje.
Në fjalimin e tij para shqiptarëve, lideri demokrat, Sali Berisha theksoi se në tre muajt e fundit janë arritur ndryshime të mëdha dhe fitorja është shumë afër. Berisha theksoi se entuziazmi i shqiptarëve të jashtëm ka ringjallur shpresën dhe besimin tek Shqipëria.
Kryedemokrati, Sali Berisha foli gjithashtu për vështirësitë që kanë kaluar shqiptarët dhe e lidhi këtë me lirinë dhe drejtësinë që ata shijojnë jashtë Shqipërisë, ku nuk ka persekutim politik dhe korrupsion masiv.
Berisha theksoi ndryshimet që kanë ndodhur, duke përfshirë mbështetjen e Donald Trump dhe të partive të qendrës së djathtë për opozitën, si dhe shpalljen non grata të Antony Blinken në SHBA, duke e quajtur një ngjarje të pabesueshme vetëm disa muaj më parë.
Kryetari i PD, Sali Berisha u shpreh se kryestrategu LaCivita, ka ardhur për të mbështetur projektin e tij për “Shqipërinë Madhështore.” Berisha u shpreh vendosur për të realizuar këtë program dhe siguroi shqiptarët se vota e tyre do të sjellë transformime të mëdha për ndërtimin e një Shqipërie më të fuqishme dhe më të zhvilluar. Berisha theksoi se ky program është një detyrim ndaj çdo shqiptari dhe është gati për t’u realizuar.
Kryetari i PD, Sali Berisha paraqiti para shqiptarëve në Milano planin e tij për “Shqipërinë Madhështore”, duke e fokusuar atë në zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien e qytetarëve. Berisha theksoi se Shqipëria do të ofrojë një sistem ku qytetarët do të jetojnë me dinjitet dhe do të kenë mundësi për një jetë pa varfëri ekstreme. Programi përfshin një paketë emergjence për të luftuar varfërinë dhe do të mbështesë qytetarët me ulje taksash dhe stimulime për ata që kthehen të investojnë në Shqipëri.
Berisha tha se Shqipëria do të bëhet një vend prodhues, ku markat shqiptare do të mbushin tregjet dhe dyqanet. Ai solli në rikujtesë sukseset e periudhës 2005-2013, kur eksportet dhe prodhimi rritën ndjeshëm, dhe e kritikon qeverinë aktuale për uljen e eksporteve. Berisha gjithashtu u shpreh kundër iniciativës së “Ballkanit të Hapur”, duke e cilësuar atë si një projekt që dëmton interesat ekonomike të shqiptarëve.
Lideri historik i PD, Sali Berisha theksoI se një nga shtyllat kryesore të programit të tij është pastrimi i Shqipërisë nga krimi dhe korrupsioni. Ai premton një audit të përgjithshëm për të hetuar ku janë shpenzuar 57 miliardë euro dhe do të veprojë me forcë kundër krimit të organizuar. Berisha gjithashtu kërkoi mbylljen e Fondacionit Xhorxh Soros në Shqipëri dhe shpalljen non grata të tij, duke e cilësuar atë si një hajdut të kursimeve të qytetarëve italianë dhe shqiptarë. Berisha u shpreh se ligji anti-Soros do të jetë pjesë e pastrimit të “shtëpisë” dhe kthimit të parave për qytetarët.
Kryetari i PD, Sali Berisha premtoi se Shqipëria do të bëhet një lider në teknologji të lartë brenda mandatit të tij të parë. Ai tha se Shqipëria do të investojë në teknologji si blockchain, kriptomonedha, inteligjenca artificiale, dhe datacentera, duke u bërë një epiqendër për digjitalizimin në rajon dhe Europë. Berisha u shoreh se Shqipëria ka arritur sukses me digjitalizimin, duke e krahasuar me Estoninë, dhe premtoi se do të vazhdojë të investojë në këtë drejtim për të përshpejtuar zhvillimin e vendit.
Lideri opozitar, Sali Berisha i bëri thirrje diasporës që të bëjë çdo përpjekje për t’u regjistruar për të votuar, duke theksuar se Edi Rama ka frikë nga vota e shqiptarëve jashtë vendit.
FJALA E PLOTË
Të dashur bashkëatdhetare dhe bashkëatdhetarë! Falenderime të përzemërta, mirënjohjen më të thellë për këtë pritje madhështore. Entuziazmi, energjia, dashuria juaj për vendin, njerëz të lirë, atdhetarë të flaktë po shkrijnë sot ngricën e dimrit të narkodiktaturës në Shqipëri, dhe po sjellin pranverën e bekuar të demokracisë.
Mirënjohje të pakufijshme për këtë pritje kaq të zjarrtë. Pritje të cilat po kthehen në himnin më të bukur të rikthimit të PD, të fitores së opozitës shqiptare.
Është kënaqësi e madhe ky takim sot me ju, një takim në Milano, qytetin e mikut italian më të shquar të shqiptarëve, e mikut të pavdekshëm të Shqipërisë dhe Sali Berishës, Silvio Berluskoni.
Ky takim në Itali, në vendin mik të sprovuar në kohërat më të vështira për shqiptarët. Prandaj dhe, një falënderim i veçantë shkon për miqtë tuaj në këtë vend, për kombin e madh italian, për gjithçka kanë bërë për Shqipërinë, për shqiptarët.
Miqtë e mi, marrëdhëniet e Shqipërisë me Italinë janë marrëdhënie qindra vjeçare, por ne shqiptarët kemi një fjalë: miku i mirë në ditë të vështirë. Dhe italianët iu janë gjetur shqiptarëve në ditët më të vështira të tyre, bashkëpushtimit otoman, qindra mijëra shqiptarë gjetën strehën në këtë vend të bekuar. Pas rrëzimit të diktaturës komuniste, Itali ishte vendi i parë që u mësy nga shqiptarët si toka e premtuar për të shpëtuar nga dhimbjet e tmerrshme të skamjes së diktaturës.
Këto vite të narkodiktaturës, përsëri ky komb, ky vend mik, hapi dyert dhe zemrat për shqiptarët e përzënë nga narkodiktatura e Edi Ramës. Ndaj dhe, le të shprehim bashkë një mirënjohje të pakufijshme për miqtë tanë italianë dhe Italinë mike.
Miqtë e mi!
Shqipëria, këto vite, nuk them se u bë vend i mallkuar, por u bë vendi nga i cili shqiptarët largoheshin dhe vetëm largoheshin. U bë vendi nga i cili në 10 vite u larguan më shumë shqiptarë se kurrë në historinë e kombit, 45% e tyre.
U bë vendi në të cilin, shqiptarët u vidhisën nga biset e varfërisë dhe mjerimit të paparë, që nga kohërat e diktaturës së egër staliniste.
Por, çdo gjë e ka një fund, diktaturat nuk jetojnë dot. Viti 2025 erdhi. Vitin 2025, e shpall sot para jush vitin e bekuar të diasporës shqiptare. Vitin e shqiptarëve të lirë që kudo në botë ngritën lart emrin e Shqipërisë dhe shqiptarëve. Vitin e shqiptarëve që përsërisin me vete se, do t’i dalin zot Shqipërisë. Vitin tuaj, njerëz të suksesit, që erdhët drejt të së panjohurës, dhe me mundin, djerësën, gjeninë tuaj krijuese u shndërruat në punëtorë të ndershëm, fituat respekt dhe dinjitet në këtë vend, u bëtë mjekë, inxhinierë, studiues, akademikë, biznesmenë të shkëlqyer.
Jeni pra, komuniteti më i integruar në këtë vend.
Viti 2025, është viti i diasporës shqiptare, sepse këtë vit ju i bëni Shqipërisë, i bëni kombit, i bëni familjeve tuaja ndër dhuratat më të bukura, më të çmuara që keni bërë në jetën tuaj. Këtë vit, ju me votën tuaj, me vullnetin tuaj të palëkundur firmosni fitoren e PD dhe opozitës shqiptare, firmosni rotacionin, firmosni fundin e narko diktaturës.
Vota juaj, nuk është votë vetëm për një parti, nuk është votë vetëm për ndryshimin e pushtetit, është votë për ndryshimin e dheut tuaj, për shpëtimin e kombit nga një katastrofë të cilën e zhyti narkodiktatura.
Miq, historia edhe përsëritet. Në vitin 1992, shqiptarët me votën e tyre u ndanë nga diktatura oruelliane-staliniste, më e keqja që kishte parë Europa pas luftës së Dytë Botërore. Në atë lëvizje ishin studentët liberatorë, ata që u bënë promotorët e fitores.
Në vitin 2025, jeni ju shqiptarët e diasporës, njerëz të lirë, atdhetarë të flaktë që po bëheni promotorë të fitores së 11 majit! Zoti ju bekoftë.
Ky është viti i diasporës, dhe mbi të gjitha i juaji. Sepse, para zgjedhjeve, ju i keni bërë Shqipërisë dhuratë tjetër po kaq të çmuar.
Unë ju them ju, se kjo dashuri që dëshmoni ju, se kjo energji që dëshmoni ju, se ky entuziazëm po ngroh zemrat e çdo shqiptari, po zgjon shpresat e çdo shqiptari, po rikthen besimin tek Shqipëria, tek çdo shqiptar.
Kjo dashuri, ky mall, ky pasion është kthyer në eliksirin e fitores të shqiptarëve për Shqipërinë!
Miq, e keni patur një vështirësi të veçantë. Kur shoh këtë entuziazëm të jashtëzakonshëm, rri edhe mendoj: problemi se terrori, se varfëria, se burgosjet politike, se plaçkitja masive i ka topitur shqiptarët. Pse ju jeni kaq në këmbë? Kaq entuziastë, kaq shpërthyes?
Sepse, jetoni në një vend të lirë dhe e dini se, nuk burgosen kundërshtarët politikë për të marrë mandate. Dhe e dini se, nuk ndërtohet me çmime 10-fish rrugët dhe shkollat për të vjedhur qytetarët.
Dhe e dini se, nuk grabiten dhe plaçkiten pasuritë e shqiptarëve për t’u pasuruar një grusht hajdutësh në krye të shtetit dhe qeverisë. Ndaj dhe, kjo është arsyeja që jeni në këmbë. Kurrë ndonjëherë ndërgjegja kombëtare nuk ka qenë, ndofta që nga pavarësia gjer sot, më e përqendruar tek shqiptarët jashtë atdheut se sa është sot.
Miqtë e mi, fitorja është e jona. Ne ia kemi dalë. Vetëm po merrni 3 muajt e fundit ndryshimet e mëdha që kanë ndodhur. Le t’i bëjmë një pyetje bashkërisht vetes: Sikur Sali Berisha të deklaronte nga dritarja e katit të tetë tri muaj më parë se, në Shqipëri do zbarkojë për të drejtuar fushatën e PD-së kryestrategu i planetit, kryestrategu i rikthimit më të jashtëzakonshëm në histori, rikthimit të Donald Trump, a nuk do thoshit, askush nuk do ta besonte.
Sikur, 3 muaj më parë të deklaroja nga ajo dritare se, të gjitha partitë politikë të qendrës së djathtë, qindra prej tyre, në 3 rezoluta do të dënonin regjimin e Edi Ramës, narkodiktaturën, do mbështesnin shqiptarët dhe të drejtat e tyre.
Miq, po ndalem në disa raste.
Po, sikur të kisha thënë se, Antony Blinken, njeriu që nën diktatin e Xhorxh Sorosit mori përsipër të shkatërrojë opozitën ëpr hir të Edi Ramës. T’iu thosha shqiptarëve se, Antony Blinken do të shpallet non grata në vendin e tij, kush do ta besonte?
Sot, siç e dini, nuk i lejohet të futet në asnjë ndërtesë federale të SHBA-ve.
Pse u ndala unë në këto raste? U ndala, jo pa qëllim. Për t’u zotuar këtu para jush se programin e Shqipërisë madhështore do ta bëjmë realitet. Se programi ynë, se vota juaj, do jetë një votë për transformime të atilla me të cilat do të ndërtojmë Shqipërinë madhështore.
Kryetari i komitetit kombëtar republikan, Chris LaCivita, iu deklaroi shqiptarëve: kam ardhur këtu tek ju për të mbështetur Sali Berishën në projektin e tij për Shqipërinë madhështore. Po miq, e kemi gati programin. E kemi detyrim ndaj jush, ndaj çdo shqiptari.
Po cili është programi ynë?
Shqipëria madhështore fillon njëherë në radhë të parë, me një Shqipëri ku qytetarët jetojnë si njerëz. Ku qytetarët të mos përballen me varfërinë ekstreme.
Shqipëria madhështore, Shqipëria e jetueshme, Shqipëria e shpresës realizohet në 3 muaj. Një paketë emergjence, e cila nxjerr çdo shqiptar në territorin e Shqipërisë jashtë varfërisë ekstreme.
Kjo, në fakt do u lehtësojë edhe ju shumë. Sepse, unë e di. Jo vetëm familjarëve të afërt, po edhe të tjerëve u kërkojnë nga mospasja, t’iu dërgoni ilaçe, t’iu dërgoni gjëra të ndryshme. Sepse, ndodh prore që një pension nuk mjafton as për 2 javë ilaçe. Ndodh prore që një pension është afërsit sa qeraja e banesës. Këto marrin fund!
Shqipëria madhështore, do të jetë Shqipëria ku qytetarët jetojnë me dinjitet, paguhen me dinjitet. Por jo vetëm kaq. Shqipëria madhështore, do të jetë Shqipëria në të cilën ju, miqtë tuaj italianë, qyetarët shqiptarë do vendosin ëndrrat e tyre, kur sfidat e tyre, bizneset e tyre. Po, po, Shqipëria vendi më miqësor për investimet është zotimi ynë. I taksave të ulëta.
Për çdo shqiptar që kthehet në Shqipëri, 5 vjet pa asnjë taksë, dhe përsëri stimuj të tjerë.
Shqipëria madhështore, do të jetë Shqipëria e krenarisë sonë. Shqipëria nuk mund të jetë kurrë madhështore pa ‘Made in Albania’. Shqipëria madhështore do të jetë ‘Made in Albania’.
Mendoni për një moment qytetet, fshtrat, brigjet nga keni ardhur, pasuritë përrallore që ka Shqipëria, nuk i ka vend tjetër në 28 mijë km2 në Europë e as në botë.
Pra, do bëhet gjithçka në moton: ekonomia, ekonomia, ekonomia!
Shqipëri prodhuese, Shqipëri prodhuese. Markat shqiptare do mbushin dyqanet, markat shqiptare do vërshojnë.
Miq, mund të ketë njerëz që e dëgjojnë me skepticizëm, por u thëm një gjë. Merrni pak regjistrat e viteve 2005-2013.
320% u rritën eksportet, u rrit prodhimi, u rrit ‘made in Albania’. Kurse sot, ka 3 vite që Shqipëria, zbret prodhimi, zbret, zbret, zbret dhe në vitin 2024 eksportet në Shqipëri ishin 32% më pak se në 2023.
Jo, ne do bëjmë gjithçka që ato pasuri që ia ka fal Zoti Shqipërisë t’i kthejmë në të mira për qytetarët shqiptarë, për ju që do të vini të investoni, për miqtë tuaj që do të vijnë me ju të investojnë në Shqipëri.
Ballkani i Hapur, Stop! Në kosh do të hidhet. Argati i Vuçiçit do përgjigjet për krimin e tmerrshëm ekonomik që ka kryer ndaj shqiptarëve.
Miq, programi ynë ka edhe një shtyllë tjetër, një premtim tjetër: pastrimin e shtëpisë. Shtëpia do pastrohet!
E kam thënë edhe njëherë, po ua shpjegoj, dhe e them prap.
Im atë ka qenë besimtar. Falej, i lutej Zotit dhe unë e respektoja shumë. Aty, nga vitet ’70, ai filloi të mos falej më. Nuk falej, dhe kishte hall se po më prish punë mua. I them: Bab’, unë dëshiroj të të shoh duke u falur, duke u lutur.
Jo, më thotë bir, nuk falem se në këtë mjedis të tillë, as Zoti vet nuk të dëgjon.
Më vonë lexova në libra të shenjtë, çfarë thonë. Librat e shenjtë shkruajnë: që Zoti të hyjë në shtëpinë tënde, pastrojë përpara shtëpinë. Po, shtëpinë e kanë në dorë hajdutërit më të mëdhenj të kohërave. Shtëpinë e ka në dorë, sot kryeministër është Toto Rino, kryeministri i Shqipërisë është një Eskobar, një Toto Rino.
Sot, prona, buxheti plaçkiten mbi 24 orë. Sot, kartelet e drogës janë vendimarrësit kryesorë. Atëherë, pastrimi i shtëpisë është shtyllë kryesore. Ju jap ju fjalën e nderit se, ligji do veprojë me forcën më të madhe.
Së pari, zero tolerancë ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Së dyti, audit i përgjithshëm. Ku shkuan 57 miliardë euro të këtyre viteve, ku i depozituan, në çfarë i shndërruan? Do t’i merren, do iu kthehen qytetarëve. Por edhe një ligj tjetër special.
Mbyllja e fondacionit Xhorxh Soros në Shqipëri dhe shpallja non grata e Xhorxh Sorosit.
Dhe do t’u lutem shumë t’ia thoni këtë çdo miku italian që njihni. Se e bëj këtë, edhe për shqiptarët, por për italianët. Sepse, për qytetarët italianë Xhorxh Soros është, që nga Roma e lashtë e gjer sot, hajduti më i madh i kursimeve të tyre.
Po, po. 20 miliardë ka vjedhur në një bixhoz. Do i nxjerrim të gjitha, ndaj dhe ligji anti-Soros do të jetë ligji i pastrimit të shtëpisë.
Miqtë e mi, Shqipëria madhështore duhet të jetë Shqipëria e ëndrrës më të bukur, dhe ëndrra më e bukur e kohës sot është Shqipëria e teknologjisë së lartë. Kohërat kanë patur vitet që kanë përcaktuar sisteme. Revolucioni industrial qendroi në themel të sistemit. Kombet që investuan në atë kohë në këtë revolucion dolën në krye të zhvillimit. Sot, është koha e teknologjisë së lartë.
Ata që do të investojnë do të dalin në krye. Shqipëria do të investojë, do të dalë në krye!
Ndaj dhe, ju jap fjalën ju se Shqipëria do shndërrohet në një epiqendër të fuqishme të teknologjive të larta në rajon dhe Europë. Shqipëria do të jetë vendi i digjitalizimit më të thellë, do jetë vendi i internetit 3, do jetë vendi i blockchain dhe kriptomonedhave, do jetë vendi i inteligjencës artificiale, do jetë vendi i datacenterave.
Cilido që mund të mendojë se janë pak si të largëta, ku unë kam deklaruar vite më parë se Shqipëria digjitale është ëndrra dhe projekti im, gazetarët, opozita më përqeshën, u tallën. Por ajo u bë realitet. Erdhi një kohë që Shqipëria përdorimin e internetit e kishte më të gjerë se disa vende të zhvilluar. Unë sot nuk pretendoj të ndjek se do bëhet Silicon Valley i SHBA-ve, apo Shangai i Kinës, por ka një vend që atëherë u frymëzova prej tij, që shkova u regjistrova. Pashë, u ktheva dhe realizova, dhe ky vend quhet Estoni.
Estonia e vogël qendron në krye edhe sot. Shqipëria e vogël do të dalë në krye brenda mandatit të parë.
Miqtë e mi, edhe njëherë u bëj thirrje të bëni çdo përpjekje këto ditë që kanë mbetur për t’u regjistruar. Edi Rama ka tmerr nga vota juaj, nuk pranon të zgjasë afatin.
Ndaj edhe, të gjithë çdo përpjekje që të regjistroheni sa më shumë. Kombet janë si individi. Edhe njeriu gjatë jetës ka vitet më të lumtura, ka vite të zakonshme, ka vite të trishtuara.
Ne, shqiptarët vitet i kemi patur jo dhe aq të favorshme për ne. Shpesh të shkon mendja se, Shqipëria për shqiptarët, historia ka qenë një njerkë e keqe për shqiptarët. Shqiptarët kanë patur gjithnjë Zotin me vete. Zotin me vete e kishte Skënderbeu kur u përball me superfuqinë më të madhe të kohës dhe fitoi.
Zotin me vete e kishte Ismail Qemali kur u përball me kurthe dhe stërkurthe dhe shpalli pavarësinë e Shqipërisë. Zotin me vete e kanë sot shqiptarët të përmbysin diktaturën e Edi Ramës, siç përmbysën diktaturën e Enver Hoxhës. Viti 2025, është viti i diasporës, viti i mrekullisë shqiptare, viti i mrekullisë kombëtare. Misioni juaj është misioni i shpëtimit të Shqipërisë, misioni i shpëtimit të demokracisë.
Rrofshi ju, rroftë Shqipëria!
Fitore, fitore, fitore!