KONFERENCA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA ME GAZETARËT
EKSTRAKT
Në konferencën e fundit për 2024 me gazetarët, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u shpreh se, ky është viti i ngritjes së fuqishme të opozitës shqiptare e cila mbështetjen më të madhe ndërkombëtare për të. Gjatë bisedës me gazetarët, Berisha u shpreh se, narkomazhoranca e Edi Ramës është drejt shkërmoqjes së plotë. Para gazetarëve Berisha u shpreh se, kjo mazhorancë nuk dihet a do të ketë nam e nishan në zgjedhjet e 11 majit.
Gjatë konferencës kryedemokrati Sali Berisha ka publikuar biletën e avionit me të cilin ka udhëtuar kryebashkiaku I Tiranës, Erion Veliaj. Bileta tregonte se kthimin nga SHBA e kishte më 18 janar të vitit të ardhshëm, ndërsa hodhi akuzë në adresë të tij, se po përpiqet të mbushë komunitetin ndërkombëtar me shpifje, me qëllim, marrjen e azilit, tha Berisha.
I pyetur nga gazetarët në lidhje ankiminin që ka bërë SPAK, që kundërshton vendimin e Gjykatës së Posaçme, kryetari i PD-së Sali Berisha u shpreh se, ka ardhur për të qëndruar kundër narkodiktaturës. Kryetari i PD-së, Sali Berisha duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve, u shpreh se SPAK gjeti një çështje pa Edi Ramën kundër Veliajt dhe vendosi që ta akuzojë atë.
I pyetur edhe nëse ka kohë për primaret në PD, Berisha u shpreh se, për votën e lirë ka kohë gjithmonë.
Duke folur për punët e para që do të bëjë PD në vitin 2025, kryedemokrati Sali Berisha u shpreh se, lokomotivë e fushatës sonë elektorale do të jetë programi ekonomik. Berisha foli edhe për programin ekonomik të PD ku u shpreh se, pensionistët e kanë e kanë pëlqyer shumë premtimin tonë për 200 euro minimumin jetik për çdo shqiptar dhe llogaritjen e pensioneve mbi këtë bazë.
Në fund të konferencës për mediat, kryetari i PD-së Sali Berisha, u shpreh se, opozita për herë të parë që prej vitit 2001 ka mundur të mbrojë votën. Sipas Berishës, këtë fakt e kanë vërtetuar edhe tre rezoluta ndërkombëtare që janë miratuar në mbështetje të Partisë Demokratike.
FJALA E PLOTE:
Së pari, edhe njëherë një urim të përzemërt për vitin që vjen dhe duhet të theksoj se viti 2024 ishte viti i zhvillimeve shumë të rëndësishme për Shqipërinë dhe shqiptarët.
Para së gjithash ky ishte viti i ngritjes së fuqishme të opozitës shqiptare, dështimit të plotë dhe përfundimtar të grushtit shqiptar për eliminimin e opozitës dhe realizimin e projektit ‘Shqipëria pa opozitë’, Shqipëria e regjimit të Edi Ramës.
Por ky vit, krahas qëndresës të pamposhtur të opozitës, u karakterizua gjithashtu si viti i mbështetjes ndërkombëtare më të fuqishme për opozitën dhe denoncimit tashmë publik nga të gjitha forcat politike të qendrës së djathtë në botë i regjimit të Edi Ramës si narkodiktaturë apo si konglomerat i shtetit me krimin.
Si regjim ku zgjedhjet janë shndërruar në fasadë, ku korrupsioni ka kufi vetëm qiellin.
Po të kemi parasysh situatën ku ndodhej Shqipëria, mund t’u them se këto janë arritje epokale, arritje jashtëzakonisht të mëdha për opozitën.
Natyrisht ky ishte viti i burgosjeve politike, dëshmi e asaj që bastardi i xhelatit Kristaq Rama ndan të njëjtin botëkuptim për pluralizmin dhe kundërshtarët politikë njëlloj me të atin që i varte ata në litar.
Por ky ishte viti, se viti ishte i opozitës, të themi atë që është, ky ishte viti në të cilin opozita faktoi me dokumente në mënyrë të pakundërshtueshme aferat më të mëdha korruptive të Edi Ramës dhe organizatës së tij kriminale, djegësave, sterilizatorëve dhe në mënyrë të veçantë aferën e Portit të Durrësit.
Ky ishte viti në të cilin opozita ia doli, sado që hasi rezistencë të madhe, të paraqesë para
shqiptarëve dhe botës, Skrapin e partisë si një organizatë kriminale të drejtuar nga Altin Dumani.
Ky ishte viti në të cilin shqiptarët u larguan masivisht nga Shqipëria dhe numri i shqiptarëve në BE arriti në total nga viti 2014 gjer sot në 1 milion e 99 mijë shqiptarë.
Viti, në të cilin varfëria u thellua me kate, kurse pasurimi i qeveritarëve u shtua me pallate.
Pra, ky ishte viti në të cilin po të ktheni sytë mbrapa, përveç pllakave të shtruara në disa sheshe të qytetit dhe një ure të përfunduar nga privatët në Kukës, nuk shihni një vepër publike të përfunduar.
Vazhdon vjedhja e parave në tunelin e Llogarasë, vazhdojnë punimet në bajpasin e Vlorës, vazhdon tërkuza te tuneli i Murrizit, është zhdukur rruga Qukës-Qafë Pllocë, pra nuk ka një vepër në 12 vite.
Janë shpenzuar 57 miliardë euro buxhetet së bashku dhe urdhëroni se ku janë, që të gjitha të shndërruara në pasuri.
Por, natyrisht damkosja dhe vërtetimi i vjedhjeve monstruoze të Erion Veliajt janë dhe këto një zhvillim madhor për vitin.
Hapja e negociatave 4 vite pas marrjes së vendimit, unik në botë, shkuarja tek kapitujt është tërësisht për arsye gjeostrategjike pasi Shqipëria nuk plotëson asnjë kriter për kapitujt dhe negociatat.
Pak a shumë, se mund ta shohësh në shumë këndvështrime këtë, mund t’i quajmë këto zhvillime për opozitën, e sollën në prag të fitores dhe opozita ecën e sigurt drejt 11 majit në një fitore të vërtetë.
Pseudomazhoranca apo narkomazhoranca po shkon drejt një shkërmoqje të plotë dhe me 11 maj nuk dihet nëse do ketë nam apo nishan.
E mbyll këtë ekspoze të shkurtër për viti me një urim të përzemërt për të gjithë shqiptarët që ndjekin këtë konferencë dhe një fitore e cila nuk do jetë vetëm fitore e opozitës, por do jetë e mbarë shqiptarëve më 11 maj të vitit 2025.
Tani, natyrisht nuk mund të mos ndalemi tek problemi i ditës.
Unë kam këtu, u kam sjellë këtu, është bileta e Erion Veliajt, i cili thotë se është nisur me datën 28 dhe e ka kthimin me datën 18 janar.
Tani, çfarë komenti kam unë.
Komenti është ky: skema e përdorur, cilido që ka ABC-në e kodeve dhe ligjeve, ishte mbathja se të arrestuam.
Prokuroria në mënyrë bizare, deklaron se i kemi të vërtetuara, unë e di që kanë të vërtetuara, se kanë dokumentet dhe llogaritë bankare të fshehta të tij, i kanë pasuritë, i kanë mashtrimet, se ai thotë më tradhtuan, keni bërë deklarata nën presion, aludon për vjehrrën, Velicën, nuk e di për kë aludon, e vërteta është se në seancën 5-orëshe në prokurori ka rrëzuar çdo gjë që ka mashtruar në seancën 8-orëshe para disa muajsh.
Dhe tani kërkon të fajësojë Velicën dhe vjehrrën, ky i ka bërë vetë, sepse del që kanë renditur aty, thuhet se kanë renditur të paktën minimumi 60 mashtrime, duke krahasuar dëshminë e parë me dëshminë e dytë të tij. Mohimet e dëshmisë së parë dhe faktimet e dëshmisë së dytë.
Pastaj thotë ma bënë me hile, më thanë je person për dijeni dhe nuk më thanë se je person në hetim. Ku ka hile kur shkon e mashtron aty, thua nuk kam llogari bankare, nuk kam këtë, nuk kam atë, çfarë hile ka aty.
Ligësia e tij ekstreme është se ai po mbush komunitetin ndërkombëtar se po persekutohem nga Sali Berisha, e tëra kjo vetëm e vetëm që të marrë statusin e azilantit politik.
E ka kërkuar apo nuk e ka kërkuar, këtë nuk mund ta them, biletën ja ku e keni.
Në deklaratë tha se do kthehet sot, për dy ditë. Si do shkonte për uikend ai? A ka marrë ai kontakte me vendet e Amerikës Latine apo vendet nordike, ato nuk i di se nuk merrem me gjërat që qarkullojnë.
Por merrem se nuk më ka pëlqyer fare skema që ka përdorur, ik, mbathja i thonë, kurse Ilir Metën e merr dhe e zvarrit në mes të rrugës pa asnjë akuzë konkrete.
Kurse këtij me 4 akuza që rëndojnë nga 25 gjer 40 vjet burg, gjersa ti nuk përcakton masë sigurie dhe nuk e di sepse thonë se nuk janë lejuar, por një gjë është e sigurt se ky është pas Edi Ramës, hajduti më i madh i Shqipërisë, Ballkanit dhe më gjerë.
Tani ka deklaruar se për dy ditë jam në Tiranë, sikundër iu bëj thirrje organeve ligjzbatuese në SHBA të bëjnë gjithçka për rikthimin e tij në Tiranë në qoftë se ai tenton të kërkojë në këtë vend apo në atë vend azil politik.
Nuk mund të përdorë SHBA për akte të tilla fugjitive.
Kë do takojë ai atje?
Këtu në bashki ka deklaruar se unë po shkoj se këtu nuk e zgjidha dot, ta zgjidh atje. Çfarë do zgjidh ai atje? Duke kompromentuar kështu edhe mbrojtës.
Departamenti i Shtetit kishte këtu një zëvendësndihmëssekretar, erdhi kastile për çështje të korrupsionit. Çfarë don ky që shkon atje?
Ndaj dhe thirrja ime është për organet ligjzbatuese të SHBA, të marrin çdo masë për rikthimin e tij në Shqipëri nëse ai tenton të devijojë fluturimin apo të zgjasë kohën e qëndrimit.
PYETJE PERGJIGJE ME GAZETARET:
Anisa Kadesha, RTSH: Si sot një vit më parë ndaj jush u mor masa e arrestit të shtëpisë, në 30 dhjetorin e vitit të shkuar. A i druheni një rikthimi të kësaj mase pas kërkesës së SPAK, në seancën gjyqësore që pritet të zhvillohet në fillim të Janarit.
Sali Berisha: SPAK ka bërë dhe bën çdo përpjekje për të zbatuar urdhërin e Edi Ramës, por unë jam këtu për të qëndruar kundër narkodiktaturës me gjithë potencialin tim.
Mariglen Kume: Javën që shkoi në dy ditë dolët me dy deklarata pak kontradiktore me njëra-tjetrën. E para ishte që, pas Nesti Andonit qëndron Edi Rama, pra e ka bërë ai dosjen ndaj Veliajt. Dhe ditën tjetër thatë që vetë Rama e ka dërguar Veliajn në Amerikë, ose jashtë shtetit. A mund të qëndrojnë këto të dyja me njëra-tjetrën dhe si lidhen.
Sali Berisha: Ke shumë të drejtë për pyetjen, por lidhja është në krim. Erion Veliaj e paraqiti veten kudo si pasardhësin e Edi Ramës, gjë e cila tmerroi Ramën dhe Linda Ramën, që ti themi gjërat siç janë. Dhe kjo nuk mund të pranohej. Në raste se kujtoheni ju, dy vjet më parë, Edi Rama dërgoi Belindën si të deleguar të PS-së për Tiranën, por çfarë ndodhi? E tërhoqi, po, po.
Tani për të mos e zgjatur shumë, lexo pak çfarë i tha Rama Zërit të Amerikës. Zërit të Amerikës i tha se, çdo njeri mund të hetohet. E bëri si çdo njeri atë, e shumëzoi me afër zero. E bëri me gjysëm hiçi. Por jo çdo njeri që hetohet, fajësohet. E lëshoi komplet.
Tani, Rama i bëri. Është i rrezikshëm ai. Rama e mbrojti atë. Tani të themi atë që është, gjëja më e tmerrshme është djegësi që nuk ekziston, dhe që ai nuk ka një akuzë. Nuk guxuan ti bëjnë një akuzë të vetme. Ka 13 akuza, 13 herë citohet Arben Ahmetaj, për djegësin, përgjegjësi të gjitha të Erion Veliajt dhe ja veshën atij.
Po kështu ‘5D’. Pra kësaj i thonë, ‘bukën e kripën e kemi bashkë, duhanin ndamas’. I gjetën një çështje që s’ka lidhje me Ramën dhe e kllaposën, ik tani. Pra nuk ka asnjë kundërshti këtu. Rama me çështjet që i ka ngritur së fundmi, nuk ka lidhje, se i ka pasur të fshehta ky. Se unë nuk mund të them se, dinte Rama se blinte Velica, 800 mijë apo 1 mln euro fustane. Mos shkojmë gjer në gjëra të tilla. Nuk i dinte Rama këto.
Mariglen Kume, MCNTV: A ka më kohë për primare PD?
Sali Berisha: Ka kohë gjithmonë, për votën e lirë ka kohë gjithmonë.
Ardit Hoxha, EuroNews: Vetëm pak më parë Rama gjatë konferencës ka folur për plane dhe projekte dhe ka folur për 2027 si një vit i rëndësishëm që në Shqipëri do të zhvillohet samiti i NATO-s dhe mes shumë liderëve botëror do të vijë dhe Donald Trump. Duke qenë se para se të shkojmë në 2024 kemi 11 majin e 2025, projeksionet tuaja si janë, në 2027 Donald Trumpin e pret Sali Berisha apo Edi Rama.
Sali Berisha: Projeksionet janë jo vetëm të miat, por të mbarë aleancës, që në vitin 2027, samitin e organizon ai që anëtarësoi Shqipërinë në NATO dhe jo ai që bëri protesta kundër NATO-s. Shumë evidente kjo.
Ermal Rizaj, SYRI TV: Ju 2024 e cilësuat si vitin e opozitës shqiptare. Cili është hapi i parë që do të bëjë Sali Berisha në muajin janar, për të çuar opozitën në fitoren e zgjedhjeve të 11 majit.
Sali Berisha: Nga janari dhe gjer ditën e fitores ka një përkushtim të plotë dhe total në paraqitjen e programit të PD për shqiptarët dhe ekspozimin e figurave, të të rinjve. Lokomotivë e fushatës sonë elektorale do të jetë programi ekonomik. Por, lokomotivë e fushatës sonë elektorale do të jetë programi ekonomik i saj. Kjo do jetë, programi ekonomik i PD.
Ermal Rizaj, SYRI TV: Duke iu referuar konferencës së Ramës, se kush e ka qeverisur Shqipërinë e shkatërroi sistemin demokratik të pensioneve, e trajtoi pensionin si lëmoshë dhe ka sabotuar të gjithë sistemin e sigurimeve shoqërore me një pension tavan 240 mijë lek. Rama e ka konsideruar qeverisjen tuaj, si një qeveri që ka shkatërruar sistemin e pensioneve.
Sali Berisha: Së pari, ai me pensionistët shqiptarë ai ka kryer një krim masiv. Në qoftë se qeverisja e mëparshme, dyfishoi pensionet, mbi dyfishoi pensionin minimal, dyfishoi pensionin mesatar dhe rriti me 60-70 përqind pensionin e lartë, shko pyet sot pensionistët se ku janë sot pensionet. Asnjë të vërtetë nuk thotë ai lidhur me pensionet, as me sistemin. Të vetmen gjë që bëri ky me pensionistët, i mashtroi për indeksimin dhe u zgjati moshën e pensionit dhe kërkon ta zgjasë prapë moshën e pensionit me pretendimin se është rritur jetëgjatësia, në një kohë kur jetëgjatësia nga zgjatja e fundit nuk është rritur as edhe një muaj.
Është një gënjeshtër, një tallje cinike që ai bën. Ne e kemi paraqitur, dhe pensionistët e kanë pëlqyer shumë premtimin tonë për 200 euro minimumin jetik për çdo shqiptar dhe llogaritjen e pensioneve mbi këtë bazë. E kanë pëlqyer shumë pensionistët premtimin tonë që në krye të mandatit do jenë pensionistët më të paguar në rajon. Dhe ata e dinë se ne bëjmë atë që premtojmë.
Kurse ai thotë sa më shumë vjedhim, aq më shumë na votojnë. E dëgjuat çfarë i tha gazetarit, do marrim vota sa nuk kemi marrë kurrë, pra, vidh, vidh se do na votojnë më shumë. Erion Veliaj në gjysmë arrati, se duhet të presim edhe dy-tre ditë kthimin apo jo, por në gjysmë arrati se të ngrihesh në mesnatë pasi të marrësh atë akuzë dhe të nisesh të shkosh në Rinas dhe t’ia mbathësh. Po ku i kishe ato takime, publikoje pak atë agjendë, kush të ka ftuar, etj. Edhe atje, shqiptarët i kanë sytë katër për të po nuk po flas më mirë.
Osman Stafa, News24: Prej disa muajsh keni nisur mosbindjen civile e cila disa herë që është zhvilluar zgjat 3 orë dhe përfundon, me kërkesën për qeveri teknike. Edi Rama në asnjë rast nuk e diskuton dhe as e marrin parasysh kërkesën e PD për qeveri teknike. Keni deklaruar se, zgjedhje të lira me Ramën kryeministër nuk ka, por dhe nuk i bojkotoni zgjedhjet. A mund të jetë kjo, nëse PD i humb zgjedhjet një alibi për mosfitorjen e zgjedhjeve.
Sali Berisha: PD do fitojë zgjedhjet, por beteja për qeverinë teknike vazhdon, nuk është ndërprerë. Do vazhdojë me intensitet. Mosbindja civile do marrë forma të ndryshme, vazhdon ajo, nuk heqim dorë nga mosbindja civile kurrë. E kam theksuar, gjer ditën e zgjedhjeve, nuk heqim dorë nga mosbindja civile. Do i shohim cilat do të nxjerrim tani.
Osman Stafa, News24: Pas zgjedhjeve lokale të vitit 2023, për muaj të tërë ju nisët atë që e konsideruat si vjedhjen e atyre zgjedhjeve duke publikuar foto, video dhe një libër me shumë faqe që ua dërguat dhe ndërkombëtarëve. Më pas deklaruat se do të nisnit dhe analizën e brendshme nëse PD pati përgjegjësi në humbjen e atyre zgjedhjeve apo jo. Dhe unë po ju pyes sot teksa jemi në fund të 2024, a keni bërë ju një analizë të brendshme të shkaqeve për humbjen në zgjedhjet lokale 2023.
Sali Berisha: Tani, së pari njëherë ajo pati një efekt të jashtëzakonshëm. Për herë të parë që nga viti 2001, opozita arrin të mbrojë votën. Janë 3 rezoluta që shpallin zgjedhjet fasadë, farsë. Kjo ishte mbrojtja e votës. Kjo është mbrojtja më e fuqishme që i bëhet votës, me rrugë paqësore. Rruga tjetër është me armë, por ne nuk jemi për konflikt civil.
Ne realizuam një gjë të jashtëzakonshme, nuk ishte realizuar që nga viti 2001 është hera e parë. Sigurisht që ka analiza dhe do ketë analiza. Nuk mund të them se kanë qenë në thellësinë e vazhdueshme për shkak të gjendjes së vazhdueshme të protestave. Por mbi bazën e analizave të bëra, sado të pjesshme, do ketë dhe qëndrimet përkatëse.