Berisha: 17 nëntori shënon zëvendësimin e një pushtimi të huaj, me një pushtim barbar. Çështjet themelore të të përndjekurve politikë, do të jenë çështje kryesore të programit të PD

FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË 80 VJETORIN E VRASJES SË 39 INTELEKTUALËVE TË TIRANËS

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë fjalës së mbajtur në ceremoninë e përkujtimit të 39 intelektualëve të Tiranës, të vrarë nga terrori komunist në nëntor 1944, është shprehur se, 17 nëntori i 80 viteve më parë, shënoi zëvendësimin e pushtuesit të huaj, me një pushtim barabar, të drejtuar nga Enver Hoxha.

Kryedemokrati Berisha tha se, ne sot duhet të përulemi dhe përulemi me nderimin më të madh para veprës së viktimave të kësaj masakre, familjeve të tyre. ‘Detyrimi ynë sot dhe nderimi më i madh që mund ti bëjmë sakrificës së martirëve të masakrës së tetor-nëntorit, është të ngrihemi kundër kësaj diktature bandash’, theksoi Berisha gjatë fjalës së mbajtur.

Në fund të fjalës përshëndetëse, kryetari i PD-së, Sali Berisha theksoi faktin se, çështjet themelore të shtresës së nderuar të të përndjekurve politikë, do të jenë një nga çështjet kryesore të programit politik të PD-së për zgjedhjet e vitit 2025.

FJALA E PLOTE:

Mirëdita dhe përshëndetje të përzemërta, ju zoti Nredgjoni, drejtues i Unionit të të Përndjekurve politikë në Shqipëri dhe një falënderim për organizmin e këtij përkujtimi.

Një përshëndetje familjarëve të viktimave të terrorit të kuq, përfaqësuesve dhe drejtuesve të partive politike dhe të gjithë të pranishmëve.

Zonja dhe zotërinj!

17 nëntori shënon zëvendësimin e një pushtimi të huaj, me një pushtim të egër, barbar, të brendshëm që do të zgjaste, jo 1 apo 2 vite, por do të zgjaste 46 vite.

Me 17 nëntor banda terroriste e Enver Hoxhës, e shndërruar totalisht në vegël të Beogradit, do të vendoste në Tiranë pushtetin e saj, pasi kishte shndërruar luftën e shqiptarëve për liri dhe dinjitet kombëtar, në një luftë vëllavrasëse antikombëtare.

Ne sot, nderojmë 39 viktima të masakrës tetor-nëntor. Në fakt ato janë mbi 100.

Nderojmë një nga masakrat, aktet terroriste më të shëmtuara të regjimit, e projektuar nga të dërguarit e Beogradit, dhe përfaqësuesi i tyre në Shqipëri, Enver Hoxha. E ekzekutuar nga terroristët Kristo Themelko, Beqir Balluku dhe banda të tjera.

Heronjtë e kësaj masakre ishin atdhetarë, të cilët kishin luftuar kundër pushtuesve, ose kishin ndërgjegje të pastër, të qetë, dhe asnjë motiv për tu larguar dhe për të mos i shërbyer vendit dhe kombit të tyre.

Natyrisht ata ishin të papajtueshëm me ideologjinë çnjerëzore, komuniste. Ata ishin pasardhës të familjeve që kishin firmosur pavarësi, që kishin luftuar dhe dhënë kontribut thelbësor në ndërtimin e shtetit shqiptar.

U vra në mënyrën më tinëzare, më mizore, më barbare. Në pragun e derës së shtëpisë së vet. Të mbledhur në Bristol dhe të ekzekutuar në një bodrum, të hedhur në Priskë në lum, masakra e tetor-nëntorit është një masakër makabre, të cilën vetë ata që e kryen e shpallën akt terrorist, por qyteti u përgjak. Vazhduan për 46 vite me radhë ekzekutimin e armiqve të tyre, qëndrestarëve, heronjve të fjalës së lirë, besimit tek Zoti dhe besimit tek Shqipëria.

Ndaj ne sot duhet të përulemi dhe përulemi me nderimin më të madh para veprës së viktimave të kësaj masakre, familjeve të tyre.

Por sot shpirti i tyre, sakrifica e tyre ka një mesazh. Mesazhi për çdo shqiptar është të zgjohemi, të mos besojmë tek ai që nuk duhet besuar kurrë.

Të dashur miq!

Enver Hoxha urdhëroi ekzekutimin e tyre, sepse ai e dinte se nuk mund të pajtoheshin dhe nuk do të pajtoheshin kurrë me ideologjinë e tij.

Por sot, pas 80 vite e vërteta është se Shqipëria, përjeton një diktaturë të re, e cila nuk ka të shpallur si ideologji udhëheqëse, ideologjinë marksiste-leliniste, por e cila përdor të gjitha metodat terroriste të saj, për të mbajtur pushtetin, për të kontrolluar vullnetin e shqiptarëve, për të kontrolluar ekonominë e tyre, mediat, shoqërinë civile.

Pra sot jemi në një diktaturë të re, e cila ka në krye bastardët e atyre që ekzekutuan si në vitin 1944, ashtu si në vitin 1988, të shekullit që shkoi, kundërshtarët politikë, Edi Rama, Belinda Balluku, etj.

Por historia është histori. Detyrimi ynë sot dhe nderimi më i madh që mund ti bëjmë sakrificës së martirëve të masakrës së tetor-nëntorit, por edhe mbi 6 mijë shqiptarëve të tjerë që ranë për tu bërë të pavdekshëm nga terrori i kuq komunist në burgjet dhe kampet e tij, dhe dhjetëra mijëra të tjerë, që u burgosën u persekutuan, është të ngrihemi kundër kësaj diktature.

Diktaturë bandash, në të cilën të gjithë pushtetet janë në duart e një njeriu.

Në të cilën të gjitha mediat kontrollohen nga kabineti i tij.

Në të cilën ekonomia kontrollohet prej tij.

Në të cilën burgosen pak muaj para zgjedhjeve, drejtuesit e partive opozitare.

Për ti thënë popullit opozitar se nuk ke asnjë shans, por largohu nga Shqipëria se këtu jemi ne.

Pra, mendoj se nderimi më i madh që ne u bëjmë sot, martirëve të fjalës së lirë, martirëve të interesit kombëtar, të besimit tek Zoti, është të bashkohemi dhe të bëjmë gjithçka për të shpëtuar Shqipërinë nga kjo e keqe e madhe.

Kjo diktaturë për fatin më të keq të këtij kombi, u vendos me bekimin e vendit të madh të lirisë, SHBA-së.

Mafia shqiptaro-amerikane, Edi Rama-Xhorxh Soros, zgjodhi për të goditur opozitën shqiptare, në një akt që përbën grusht shteti në raport me sovranitetin e Shqipërisë.

Në fakt, fantazma e komunizmit, për fatin më të keq, u zgjua në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ajo njësoj si në doktrinën e Marksit, ndërmori një agresion të pashembullt në historinë e

njerëzimit, kundër identitetit biologjik dhe psikologjik të individit, dinjitetit të tij, lirisë së fjalës.

Familjes, themel i shoqërisë njerëzore.

Por kombi i madh amerikan bëri mrekullinë, është kombi i mrekullive.

Me datën 5 nëntor, hodhi në koshin e plehrave të historisë të gjithë atë platformë me inspirim marksist-lelinist të qartë, dhe votoi lirinë, votoi Amerikën e traditës së vet më të mirë.

Amerikën e kushtetutës, të njerëzve të lirë.

Kjo sigurisht nuk është një arritje vetëm për qytetarët e SHBA-së.

Fitorja e presidentit Donald Trump është një arritje për njerëzit e lirë, një mrekulli për njerëzit e lirë në mbarë botën.

Kjo fitore duhet të frymëzojë çdo shqiptar, me guxim dhe përkushtim, të angazhohet në këtë betejë shpëtimtare, për Shqipërinë, për shqiptarët.

Çdo atdhetarë shqiptar që ndjen dashurinë më minimale, për këtë tokë dhe këtë vend, duhet të mendojë për një çast se në cilin pushtim të egër që kemi njohur ne, shqiptarët kanë braktisur vendin në një hark kohor 8 vjeçar, në masën 40 për qind të tyre? Kurrë ndonjëherë.

Përveç kësaj, shqiptarët kanë në krye njëlloj si në ’44, që vegla e terroristit Dusha Mugosha dhe Miladin Popoviç mori të gjitha pushtetet, sot një argat i shpifur i Aleksandër Vuçiç kontrollon të gjitha pushtet në Shqipëri.

Dhe mbahet në pushtet dhe lavdërohet vetëm e vetëm se është një armik i egër i Kosovës, i pavarësisë së saj, i gjakut të derdhur për lirinë e saj, i qeverisë së saj.

Besoj se, edhe në këtë kontekst, si shqiptar me një dashuri minimale të themi për Shqipërinë, kemi detyrim të shumëfishojmë forcat kundër kësaj diktature bandash, droge dhe krimi, për shpëtimin e Shqipërisë.

Për ta mbyllur, dhe njëherë me nderimin tim më të thellë për martirët e masakrës tetor-nëntor 1944, për martirët që ranë për tu bërë të pavdekshëm në diktaturën më të egër që Europa njohu gjatë 46 viteve, familjet e tyre, të përndjekurit politikë, dhe ti garantoj se PD ndihet pafundësisht e detyruar ndaj kontributit të tyre, edhe në vetë ekzistencën e kësaj partie në momente të saj kritike.

Dhe se, çështjet themelore të kësaj shtrese të nderuar, do të jenë çështje kryesore të programit të saj.

Nderim përjetë kujtimit të martirëve të masakrës së tetor-nëntorit të terrorit të kuq në Tiranë.

Faleminderit!

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale