Berisha: 12 miliardë euro për infrastrukturën u kthyen në vjedhje, PD do të përcaktojë prioritete të reja

FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË TAKIMIN ME EKSPERTËT E DEP. TË INFRASTRUKTURËS

EKSTRAKT

Kryetari i PD, Prof. Dr. Sali Berisha gjatë një takimi me ekspertë të Departamentit të Infrastrukturës në Partinë Demokratike, theksoi se opozita ka nisur një proces të gjerë diskutimi për hartimin e programit qeverisës, me fokus të veçantë te infrastruktura dhe transporti.

Berisha deklaroi se Shqipëria përballet me probleme të thella ekonomike dhe sociale, të cilat janë pasojë e korrupsionit të lartë dhe keqmenaxhimit të qeverisë së kryeministrit Rama. Ai e cilësoi mandatin aktual të qeverisë një mandat krimi, duke theksuar se zgjedhjet nuk kanë legjitimitet.

Sipas liderit demokrat, në 12 vitet e fundit janë investuar mbi 12 miliardë euro në infrastrukturë, por rezultatet janë minimale për shkak të abuzimeve dhe kostove të fryra të projekteve publike. Ai përmendi disa projekte infrastrukturore, si rruga Qukës–Qafë Plloçë, Rruga e Arbrit dhe Tuneli i Llogarasë, për të cilat tha se janë shoqëruar me kosto të larta dhe probleme në zbatim.

Berisha theksoi se qeveria ka dështuar të adresojë problemet kryesore të transportit dhe fluksin e madh të automjeteve që hyjnë në vend nga veriu, ndërsa investimet janë orientuar në mënyrë joefikase dhe shpesh me qëllim përfitimi korruptiv.

Në këtë kuadër, ai u shpreh se Partia Demokratike do të hartojë një plan të ri për zhvillimin e infrastrukturës dhe urbanistikës, duke përcaktuar ndërhyrjet prioritare që në muajt e parë të qeverisjes. Berisha theksoi gjithashtu rëndësinë e zhvillimit të transportit hekurudhor dhe projektit për hekurudhën Durrës–Prishtinë, të cilën e konsideroi një element të rëndësishëm për integrimin rajonal dhe europian.

Në përfundim, kryetari i PD, Sali Berisha tha se infrastruktura moderne mbetet një kusht themelor për zhvillimin ekonomik të vendit dhe premtoi se projektet e ardhshme do të realizohen me kosto reale dhe standarde europiane.

FJALA E PLOTË

Mirëmbrëma dhe përshëndetje të përzemërta secilit prej jush këtu.
Ne, sonte së bashku çelim tiparin e një diskutimi të gjerë intensiv të programit tonë, me të cilin ne duhet t’u japim përgjigjen më të plotë problemeve të mëdha me të cilat përballet sot Shqipëria.
Probleme të krijuara nga shkalla më e lartë e korrupsionit që mund të përfytyrohet, nga vjedhjet 100% të fondeve siç është djegësi i Tiranës, tek vjedhjet 90% të veprave të tjera publike, nga rrënimi i familjeve shqiptare për shkak të rritjes së madhe të çmimeve dhe pothuaj në raport me çmimet një mosrritje kurrkund e rrogave dhe pensioneve, çka ka bërë që 49% e shqiptarëve të jenë në varfëri ose rrezik varfërie.
Shërbimet në këtë vend kanë pësuar një metamorfozë asgjësuese për rregullin dhe cilësinë që duhet të kenë.
Pra, problemetika është shumë e thellë.
Ndërkohë mandati, që e quan kreu i organizatës kriminale Edi Rama, është mandati kryekëput i krimit.
Nuk po e them këtë për t’i vënë një epitet, por e them këtë sepse ky mandat ka zero legjitimitet.
Pra, Edi Rama me farsën elektorale nuk ka asnjë ditë legjitime në pushtet.
Por, një faktor tjetër tani, të cilin opozita e ka denoncuar çdo ditë, por edhe mediat, duhet të jemi realistë, një faktor tjetër është bërë faktor famëzi jo vetëm në Shqipëri, por edhe në botë, është faktori korrupsion, në të cilin kryeministri vetë njëherë me emër Belinda Balluku, njëherë tjetër me emër Ergys Agasi, është protagonist i aferave korruptive më të mëdha.
Dhe përveç kësaj, reagimi i tij, reagim tipik i hajdutit që për të shpëtuar lëkurën është i aftë të marrë çdo vendim dhe veprim, ishte mbyllja e dyerve hetimit dhe sistemit të drejtësisë.
Njeriu që në një paranojë injorance, sepse ai është një injorant i shpëlarë nga konceptet, sepse u garantoj ju dhe shqiptarët se nuk ka pasur kurrë në atë post një zyrtar më injorant dhe më të shpëlarë nga konceptet se ai. Kurrë!
Ndiqjani fjalorin, në fjalorin e tij nuk gjeni dot një fjalë të vetme të qeveritarit që qeveris. Gjen vetëm gjuhën e një ordineri rrugësh, i cili për hir të së vërtetës me qëndrimin e tij ndaj korrupsionit, humbet çdo legjitimitet, edhe sikur zgjedhjet e 11 majit të kishin qenë zgjedhjet e standardeve më të mira botërore. Zhvillimet e këtyre 3 muajve, vendimet që mori ai me Partizan Sadushin, duke i dhënë një goditje për vdekje ndjekjes penale, përgjegjësisë penale, institucionit të akuzës, e nxjerrin Edi Ramës jashtë çdo legjitimiteti.
Ai është bërë personazh kryesor i flamurit të zi të korrupsionit në Europë dhe bindja ime më e madhe është se opozita dhe shqiptarët do i japin shpejt vendin që meriton.
Por këto zhvillime kërkojnë që PD dhe opozita të përgatiten në mënyrën më serioze për problematikat e mëdha të krijuara nga një regjim 12-vjeçar.
Ne e filluam këtë debat dhe përgatitjen e programit tonë me infrastrukturën.
Pse e filluam me infrastrukturën?
Në infrastrukturën dhe punët publike të këtij vendi janë bërë vjedhjet më të paimagjinueshme.
Në infrastrukturë dhe punë publike, në 12 vite janë investuar mbi 12 miliardë euro.
Po të hidhni sytë se çfarë mbetet, përveç rasave të gurit në sheshin Skënderbej, që Rilindja Urbane të bën të mundur të pjekësh kafen në korrik nga vapa dhe në ndonjë shesh tjetër, infrastruktura dhe Rilindja Urbane janë dëshmia më flagrante e shpërdorimit, vjedhjes absolute të pandodhur ndonjëherë.
E thashë, që nga djegësi 130 milonë euro që nuk ekziston, tek rruga që shembet çdo javë e çdo ditë Qukës-Qafë Pllocë që ka kushtuar rreth 370 milionë euro, tek Rruga e Arbrit, në të cilën 27 kilometra të mbetura për ndërtuar, kilometri 11 metra i gjerë kushtoi sa ç’kushtoi kilometri e më shumë, tek çdo rrugë, tek shkollat e ndërtuara që nuk kanë asnjë nxënës sepse nuk kishte nxënës aty dhe që dihej, por duhej të vidhej, tek sistemet e ujësjellësve që janë investuar qindra milionë pa shtuar një litër ujë për banorët, tek sistemi i vaditjes që në mënyrë absolute nuk janë ndërtuar 10 kilometra kanal, por janë mbushur ato që ishin, tek kanalet e ujërave të bardha, etj, etj, pra po ta merrni këtë periudhë, ka qenë periudha e batërdisë, e rrënimit masiv të infrastrukturës dhe veprave publike.
Kanë të paktën 10 vite që nuk flasin për hekurudhën Tiranë-Durrës, por tren nuk ka, karrocë ka, pavarësisht se paguhen 700-800 punëtorë.
Pra, shqiptarët paguan nga taksat e tyre, rrogat e tyre, pensionet e tyre shuma përrallore për infrastrukturën, dhe u rikujtoj këtu qytetarëve se me një të tretën e kësaj shume, janë ndërtuar 11.300 kilometra rrugë.
Por aty ku rruga ndërtohej me 700 mijë euro, kaloi në 5 milionë euro dhe për t’u shembur.
Aty ku shkolla ndërtohej me 700 mijë euro, me 1 milionë euro, e përmasave shumë të mëdha, kaloi në 8 dhe 10 milionë euro për të mbetur në disa raste edhe pa nxënës fare.

Pra, nuk ka pasur, nuk ka krime më të mëdha ekonomike se sa krimet që u kryen në infrastrukturë.
Të etshëm, të papërmbajtur në vjedhje, këta copëtuan çdo vepër publike, çdo rrugë në lote dhe ndërro kërkesat nga një lot në tjetër sikur njëri të ishte në Alpe dhe tjetri në shkretëtirë, pacaka se ishin në vazhdimësi në të njëjtin terren.
Kjo ka bërë që pas 12 vitesh, sot është tmerrësisht e dhimbshme se përveç 27 kilometrave të Rrugës së Arbrit, që edhe ato herë shemben, herë funksionon, të pyesësh ku kanë shkuar, ku janë.
Asnjë nga problemet madhore të transportit nuk mori asnjë përgjigje.
Asnjë përgjigje!
Përkundrazi, u injoruan në një dënim të vërtetë për qytetarët.
Edhe inspektori më i thjeshtë i policisë shqiptare e di se fluksi më i madh i automjeteve në Shqipëri hyn nga veriu. Hyn nga Muriqani, Hani i Hotit dhe Morina dhe kjo ka vite kështu.
Dhe, nga Lezha dhe në çdo drejtim nuk është ndërtuar për të lehtësuar këtë fluks qoftë edhe një kilometër rrugë. Jo.
Edhe një rrugë që u ndërtua Shëngjin-Velipojë, edhe ajo u shemb. Por ajo nuk ka të bëjë me këtë fluks, ka karakter turistik, por projekti ka qenë i yni.
Pra, Shkodra me Tiranën do tre dhe katër orë.
U investua në mënyrën më antiekonomike 220 milionë në tunelin e Llogarasë, shkurton gjithsej 13 minuta.
Dhe përjashton njërën nga panoramat më të bukura të të gjithë bregut dhe të të gjithë Shqipërisë, që është panorama që hapet në Qafën e Llogarasë.
Dhe u mor vesh pse u ndërtua, për të futur në xhep 50 milionë euro me një të rënë të lapsit.
Shembin rrugën Elbasan-Librazhd në Përrenjas dhe nuk ndërtojnë bajpasin e Elbasanit.
Bajpasi i Elbasanit përbën një emergjencë, një qytet që tuneli e bashkoi me Tiranën, tani është ferr të kalosh.
Dhe këta e shkojnë e ndërtojnë përtej Elbasanit, ndërtojnë në Dragostunjë dhe e shembin edhe atje rrugën.
Unë nuk jam kundër Korridorit 8, unë kam qenë gjithmonë për ta ndërtuar atë, por ti e fillove nga Tirana, shkove në Elbasan, bëje bajpasin dhe dil përtej Elbasanit.
Nuk ka një objekt, ta themi edhe këtë tani, ta dinë shqiptarët, se rrugët mbi 11 mijë kilometra rrugë që u ndërtuan, kryesoret u ndërtuan nga kompani të mëdha evropiane.
Po, që të gjitha.
Nga Kakavija gjer tek Hani i Hotit.
Kurse këta kanë ndërtuar rrugë si të vjedhin më shumë se si të ndajnë paratë më shumë me ndërtues shqiptarë.
Unë nuk jam kundër ndërtuesve shqiptarë, por me këto vepra qëkanë lënë mbrapa, i kanë nxirë faqen vetes në mënyrën më të jashtëzakonshme.
Dhe shikoni, asnjë prej tyre nuk bëhet përgjegjës sot.
Ka ndodhur një hata në të gjitha rrugët, por njeri që të mbajë një përgjegjësi të vetme nuk ka se janë ministrat që kanë ndarë paratë me Edi Ramën, nuk mund të kapen.
Ndaj dhe ky departament është në misionin e tij për të hartuar planin më të mirë për ndërtimin e urbanistikës më moderne, për të përcaktuar përparësitë e mëdha me të cilat do fillojë që muajt e parë.
Kruja nuk është një qytet kaq i madh, po Kruja është një qendër shumë e madhe historike dhe turistike.
Të shkosh në Krujë, mos e pyet. Për sa? Për 15 kilometra rrugë që ka, me projekt e çdo gjë aty është.
Nuk ia ndërton njeri, vetëm mashtrime.

Pra, ne do përcaktojmë përparësitë tonë, ndërhyrjet me urgjencë, sigurisht do mbajnë përgjegjësi të plotë ata që krijuan këtë katastrofë infrastrukturore në Shqipëri, me në krye Edi Ramën.
Por qytetarët duan përgjigje.
Duke përcaktuar përparësitë tona, ne gjithashtu duhet t’i japim një peshë të rëndësishme, të madhe transportit hekurudhor me Kosovën.
Hekurudha Durrës-Prishtinë si ide ishte ide e Austro-Hungarisë, por si përpjekje është një përpjekje e jona.
Tani shoh që ky ka filluar ta lakojë.
E di si e lakon ky?
Njëlloj si abetaren.
E inauguruan në Prizren botimin e abetares së parë të përbashkët me autor dhe me të gjitha të tjerat.
Tani zotohet se do të inaugurojmë botimin e abetares së parë.
Edhe njëherë, nuk ka pasur Shqipëria një njeri më të rrënuar nga pikëpamja e koncepteve se sa ç’është ky.
Sigurisht që projektet ekzistuese kërkojnë ndërhyrje të forta sepse këto ishin projekte që ne i lamë në vazhdim që të gjitha.
U ngrit njëherë në parlament dhe më thotë se ja, po merremi me rrugët tua, po lëri ato, i thashë, në qoftë se i quan se nuk kanë vlerë, mos i ndërto.
Ai ndërtoi për të vjedhur se ato janë të domosdoshme.
Pra, është jetike që të përgatisim, të zhvillojmë rrjetin rrugor më të mirë që ka pasur Shqipëria ndonjëherë.
Por krahas rrjetit rrugor, rrjeti hekurudhor duhet të njohë zhvillimin e vet dhe shumë të rëndësishëm.
Ne pavarësisht se ky i mbylli sot dyert e Europës, por ne rrugë tjetër përveçse drejt Europës, nuk kemi.
Dhe objektivi ynë absolut, ylli ynë polar është integrimi në BE.
Hekurudha jonë duhet të jetë një hekurudhë, një faktor i rëndësishëm integrimi me hekurudhën evropiane dhe BE-në.
Në këtë kuadër, ekzistojnë studimet, por edhe të tjera po të jetë e nevojshme për shtrirjen dhe mirëfunksionimin e saj.
Pra, detyrat janë të rëndësishme.
Ne zotohemi t’i përmbushim ato.
Dhe t’i përmbushim në mënyrë absolute kurrë ndonjëherë me çmime të tilla stratosferike të paimagjinueshme, me çmime evropiane.
Greqia po ndërton hekurudhën Janinë-Kakavijë 4 milionë euro kilometri. Por kostoja e ndërtimit në Greqi për një seri rrethanash është më e lartë se në Shqipëri se rrogat dhe pagesat i kanë më të mëdha.
Dhe 4 milionë.
Këtu 20 milionë.
Ndaj dhe për ne, infrastruktura moderne mbetet kushti themelor i zhvillimit të këtij vendi dhe ne i qëndrojmë plotësisht.

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale