Berisha: 11 korriku është dita kundër krimeve kundër njerëzimit të kryera mbi shqiptarët nga Edi Rama. Mjekët të bëhen pjesë e protetës

FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË TUBIMIN QYTETAR

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka akuzuar drejtëpërdrejtë kryeministrin Edi Rama si personi përgjegjës që ka shkaktuar krime kundër njerëzimit në lidhje me skandalet në shëndetësi. ‘Rama u përpoq të mbulojë krimet kundër njerëzimit që ka shkaktuar ai personalisht me sistemin e falimentuar të shëndetësisë’, theksoi Berisha gjatë fjalës së tij në protestën maratonë te ‘Rruga e Shpresës’.

Lideri i opozitës, Sali Berisha e ka quajtur kryeministrin Edi Rama si krye-Tirja e shëndetësisë. ‘Ka Tire në shëndetësi, por krye-Tirja e shëndetësisë je ti! Ke kryer krime kundër njerëzimit me vdekjet nga Covidi’, theksoi Berisha në protestën maratonë te ‘Rruga e Shpresës’.

Kryedemokrati Sali Berisha ka vijuar me akuzat në drejtim të kryeministrit Edi Rama përsa i përket gjendjes skandaloze të shëndetësisë në Shqipëri. ‘Po a nuk është krim kundër njerëzimit t’u mungojnë vogëlushëve ilaçet, kurse ti blen për oborrin tënd instalimin 4 milionë?’, u shpreh Berisha gjatë fjalës së tij në tubimin qytetar që zhvillohet te ‘Rruga e Shpresës’.

Kreu i PD, Sali Berisha në fjalën e tij përpra protestuesve është shprehur se 11 korriku është dita kundër krimeve kundër njerëzimit të kryera mbi shqiptarët nga Edi Rama. Berisha ka theksuar se 11 korriku është dita të luftojmë për qindra-mijëra njerëz që vdiqën në kthetrat e një mjekësie të pashpirt, të shndërruar nga Edi Rama, ministrat e tij në një bursë vdekje.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha i ka bërë thirrje mjekëve që të marrin pjesë në protestën e 11 korrikut. ‘U bëj thirrje bluzave të bardha, në emër të misionit të tyre, të marrin pjesë në protestën e 11 korrikut’, u shpreh Berisha në protestën te ‘Rruga e Shpresës’.

FJALA E PLOTE:

Mirëmbrëma të dashur qytetare dhe qytetarë, qëndrestare dhe qëndrestarë të pamposhtur, misionarë të kauzës së drejtë të shqiptarëve.

Një përshëndetje të përzemërt ju, një përshëndetje të përzemërt oratorëve të kësaj platforme, që me fjalën e tyre u thonë shqiptarëve të vërtetat që fsheh me censurën regjimi i drogës, vjedhjes dhe krimit, regjimi i Edi Ramës.

Të dashur miq!

Të dashur qytetarë dhe qytetare, sot kreu i narkoshtetit shkoi në një takim me elitën mjekësore të vendit.

I damkosur para shqiptarëve për sistemin e shëndetësisë që ndërtoi, sistemin më korruptiv të planetit, ai para mjekëve, drejtuesve të klinikave, foli për krime kundër njerëzimit.

Të dashur miq!

Kurrë ndonjëherë nuk kam qenë më dakord se sot me Edi Ramën kur foli për krime kundër njerëzimit.

Dua ta kemi të qartë se ai është autori më i madh i krimeve kundër njerëzimit dhe i gjenocidit kundër shqiptarëve me krijimin e kushteve për shpopullimin e tyre.

Por meqenëse ai, krimet kundër njerëzimit me të drejtë i lidhi dhe me krimin ndaj një njeriu, të një mjeku apo personeli mjekësor, i them se në këtë aspekt ai u përpoq të mbulojë krimet e shëmtuara kundër njerëzimit që ka shkaktuar ai personalisht, ministrat e tij ndaj të sëmurëve, ndaj shqiptarëve në sistemin e korruptuar dhe të falimentuar të shëndetësisë shqiptare.

Është e vërtetë që një mjek, një infermier që pasurohet në dëm të jetës së një të sëmuri, kryen një krim të shëmtuar.

Por ky krim është 600 herë më i madh kur drejtori i tij, ministra e tij lënë për tre vite pa mjekim radioterapeutik me brankoterapi 600 gra dhe vajza shqiptare që vuajnë nga sëmundje neoplazike.

Dhe që i lënë për tre vite në mëshirë të vdekjes, në mëshirë të sëmundjes.

Mos do të mbulosh ti me sulmin me një rast të veçantë, krimin makabër që kryen duke lënë pa mjekim për tre vite me radhë 600 të sëmura.

Me mjekimin që mund të ndryshonte rrënjësisht prognozën dhe jetën e tyre.

Miqtë e mi!

Krim kundër njerëzimit është kur ti nuk merr masa për t’u përballur me sëmundjet vrasëse ndaj qytetarëve të tu.

Shqipëria ka 4 mijë mjekë, por për vrasësin e tretë më madhor të shqiptarëve, që janë sëmundjet neoplazike, në të gjithë Shqipërinë e Edi Ramës ka gjithsej 55 mjekë që merren me onkologji.

Po kush e ka fajin, kush ka përgjegjësi përveç teje o i pashpirt dhe Ogertës dhe Beqës tënd?

Po a ka krim më të shëmtuar se ky?

Po ke gojë ti të flasësh për Tiren, në një kohë kur me Tiret tua politike fshihje vdekjet nga Covidi?

Ai është makabritet, ai është krim kundër njerëzimit?

Fshihje tre-katër herë numrin real të të vdekurve nga Covidi. Dhe atë Tiren e bëje deputete. E përdorje për të plaçkitur votat dhe pastaj e ktheje…

Ka Tire në shëndetësi, por krye-Tirja e shëndetësisë je ti.

Ka edhe mjekë dhe infermierë që nuk janë kurrë personifikimi i vërtetë i mjekut dhe infermierit shqiptar që vërtet mund të kryejnë krim me veprimet e tyre.

Por asnjë nuk të afrohet ty kurrkund me krimet tua.

A nuk është krim i yti, Odetës, Beqës, ish-kunatës tënde dhe Jotit tënd, lënia për vite e oto-voltazhit jashtë funksionit dhe privimi i qindra të sëmurëve nga mjekimi me këtë metodë?

A nuk është krim kundër njerëzimit kur Joti yt me Korbën e Covidit firmosnin kontratën sekrete për 50 respiratorë dhe silleshin vetëm 5?

Ti je i zhveshur nga çdo normë morale të njeriut?

Po si mund të flasësh ti mor? Po ku janë respiratorët? Po sa vdiqën për këta respiratorë? Po kush e pësoi nga këta respiratorë që nuk erdhën?

Ti shkon aty dhe gjen njerëz pa kurajo, që rrinë kokulur para teje, në vend që të të përzënë nga salla.

Përgëzoj qytetarin që i tha maskara, as këtu nuk ndjen përgjegjësi.

Bëri atë që duhej ta bënte çdo mjek në atë sallë.

Po a nuk është krim kundër njerëzimit t’u mungojnë vogëlushëve preparatet për të mjekuar sëmundjet e rënda, kurse ti blen për oborrin tënd me paratë e shqiptarëve 4 milionë instalimin në oborr?

O kriminel, po krimi nuk mund të jetë tjetër veçse ky!

A nuk është krim kundër njerëzimit të marrësh kobaltin e dalë jashtë kohe dhe ta përplasësh në korridore për të sëmurur të sëmurë, personel, qytetarë që kalojnë aty afër dhe të mos çajë kokën asnjë njeri.

Të mos çajë menderen ministrja jote, kriminele, Korba e Covidit.

O qytetarë, ajo arrogancë dhe pafytyrësi që tregoi ishte vetëm t’u mashtronte ju, t’u thoshte se këta janë fajtorët në një kohë kur vetë është kryefajtori.

A nuk është krim kundër njerëzimit të mungojnë ilaçet për vite dhe muaj, të cilat stopojnë agresionin e sëmundjes? Vetëm e vetëm se ti shpenzon në dy vite 21 milionë euro me avion-taksi në 141 udhëtime.

Kujt i thua ti krim kundër njerëzimit? Po nëse ka krim kundër njerëzimit, më të madh se kjo nuk ka.

A nuk është krim kundër njerëzimit të mbledhësh ilaçet bërllog nga depot e botës, jashtë të gjitha kritereve, pasi ndryshove ligjin, dhe të mjekohen shqiptarët me ilaçe kallp?

Po jo Tire mo, po ti je padrino, je kryekrimineli i këtij vendi, kurrë në histori vendi nuk ka pasur një kryekriminel të tillë.

Dhe unë u them ju, asnjë diktator, asnjë pushtues, nuk ka mbajtur një qëndrim të tillë ndaj shtetit të shqiptarëve.

A nuk është krim kundër njerëzimit t’u premtosh shqiptarëve shëndetësinë falas dhe t’u vendosësh atyre sistemin e vjedhjes dhe korrupsionit në të cilin ata detyrohen të paguajnë 60 përqind të kostos së shërbimit.

Kurse ata që nuk kanë, detyrohen të përpëliten në krahët e vdekjes pa asnjë shpresë.

Shqiptarë, të cilët fatmirësisht jeni pa asnjë sëmundje dhe të shëndoshë, është koha e fundit të mendoni për të sëmruët e këtij vendi, se sot jeni të shëndoshë, por nesër mund të pësoni fatin e tjetrit.

Nuk duhet kurrë të heshtësh, nuk duhet kurrë të pranosh këtë shkatërrim, këtë korrupsion, këtë pashpirtësi të Edi Ramës, Manastirliut, Beqës dhe kësaj tjetrës që ka marrë tani në ministri.

O miq, kjo nuk është vetëm në shëndetësi, po kjo është në çdo fushë.

A nuk është krim kundër njerëzimit që 18 përqind e fëmijëve të mos mund të ushqehen me një ose dy vakte në ditë?

Uria është torturë, dhe ti torturon 18 përqind të fëmijëve në Shqipëri sepse vjedh, vjedh dhe vetëm vjedh me sojin tënd.

A nuk janë këto motive për një betejë për jetë dhe vdekje kundër këtij armiku?

A mund të durohet më tej?

Edhe njëherë miq, një president në Kenia u zgjodh duke u premtuar kenianëve se do u lehtësojë varfërinë dhe pas një viti u rriti taksat.

Kenianët i vunë kufirin te thana. Vërtet u vranë, por triumfuan, por fituan, i dhanë shembull se si luftohet kundër atyre që të poshtërojnë, kundër atyre që të mashtrojnë.

Ndaj dhe 11 korriku po vjen, 11 korriku është dita kundër krimeve kundër njerëzimit të kryera mbi shqiptarët nga Edi Rama.

11 korriku është dita të luftojmë për qindra-mijëra njerëz që vdiqën në kthetrat e një mjekësie të pashpirt, të shndërruar nga Edi Rama, ministrat e tij në një bursë vdekje.

Por gjithashtu, u bëj thirrje mjekëve, u bëj thirrje bluzëbardhëve të respektojnë çdo normë të kodit etik dhe moral të bluzëbardhit.

Të bëjnë gjithçka, siç e bëjnë në tërësi, duke iu përmbajtur betimit të tyre për të lehtësuar të sëmurët, për të shëruar të sëmurët.

Por u bëj thirrje, mos u përkulni në atë mënyrë.

Përkulja juaj u akuzon, përkulja juaj nuk u nderon.

Nuk do e harroj kurrë një skenë te Spitali Infektiv, kur me bluza dolën dhe duartrokitën mizorin që fshehte vdekjet, që vidhte paratë e të sëmurëve që vdisnin me tendera sekrete.

Në një kohë kur kolegët tuaj në Belgjikë, i kthenin prapanicën homologut të tij.

Mos harroni, keni detyrë të mbroni të sëmurin me çdo mjet, me çdo mënyrë dhe jo t’u nënshtroheni injorantëve, t’u nënshtroheni hajdutëve, t’u nënshtroheni kazmëvënësve të sistemit shëndetësor se kjo nuk u nderon.

Dhe për ta përfunduar, u bëj thirrje bluzave të bardha, në emër të misionit të tyre, në emër të të sëmurëve të tyre, moralit, humanizmit të tyre, të marrin pjesë në protestën e 11 korrikut.

Të ngrihen së bashku me qytetarët, për vete dhe të sëmurët e tyre, për kauzën e tyre të drejtë.

Edhe njëherë me mirënjohje u falënderoj dhe ftoj çdo shqiptar më 11 korrik, ditën e fitores, ditën e ngadhënjimit në Tiranë për qeveri teknike, zgjedhje të lira, fitore të opozitës.

Rrofshi ju, rroftë Shqipëria.

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale