Berisha: 11 korriku është dita e betimit të madh të shqiptarëve për t’u ndarë nga e keqja më shkatërrimtare në histori

FJALA E KRYETARIT TE PD-së, SALI BERISHA NË TUBIMIN QYTETAR

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha duke folur në tubimin qytetar, është ndalur te protesta kombëtare e thirrur nga opozita në 11 korrik ora 20:00 përpara Kryeministrisë. ‘11 korriku është dita e betimit të madh të shqiptarëve për t’u ndarë nga e keqja më shkatërrimtare në histori’, theksoi Berisha gjatë fjalës së tij në protestën maratonë që zhvillohet te ‘Rruga e Shpresës’.

Kryedemokrati Sali Berisha vijoi akuzat në drejtim të qeverisë dhe drejtësisë së kontrolluar prej saj. ‘Ky narkoshtet shndërroi Shqipërinë në vendin e drejtësisë së kontrolluar me synim zhdukjen e opozitës’, u shpreh Berisha në protestën te ‘Rruga e Shpresës’.

Lideri i opozitës, Sali Berisha theksoi se në 11 korrik ora 20:00, shqiptarët do t’i japin përgjigje sojit të Edi Ramës. ‘Shqiptarët betohen t’i japin përgjigje sojit të Edi Ramës, familjarëve të tij që si shushunja u thithin gjakun’, tha Berisha në fjalën e tij gjatë tubimit qytetar te ‘Rruga e Shpresës’.

Kryetari i PD-së, Sali Berisha ka paralajmëruar Edi Ramën se në 11 korrik është dita e betimit të atdhetarëve se do t’i japin verdiktin për gjenocidin ndaj shqiptarëve. ‘Dita e 11 korrikut është dita e besës së madhe mes shqiptarëve’, theksoi Berisha.

FJALA E PLOTE:

Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta, mirënjohje të pakufishme ndaj jush misionaret dhe misionarët e kauzës së drejtë të çdo shqiptari.

E kauzës së lirive dhe dinjitetit njerëzor dhe kombëtar.

E kauzës të interesit kombëtar të Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Miqtë e mi!

48 orë na ndajnë nga momenti i madhërishëm i popullit opozitar.

11 korriku, ditë në të cilën shqiptarët do të bashkohen si kurrë më parë në sheshin dhe rrugët e Tiranës.

Ditë në të cilën shqiptarët do t’i provojnë vetes dhe njëri-tjetrit se ata janë të gatshëm, janë të vendosur.

Se ata do betohen më 11 korrik për fitoren.

Se ata do betohen për t’u rikthyer shqiptarëve votën e lirë.

Do betohen për krijimin e qeverisë teknike.

Do betohen se me Edi Ramën nuk ka zgjedhje.

Do betohen se jetën e japin, por votën nuk e falin.

11 korriku është pra dita e betimit të madh të shqiptarëve.

E betimit të tyre për t’u ndarë nga e keqja më shkatërrimtare e kombit shqiptar në tërë historinë.

Një e keqe, e cila në 8 vite largoi nga ky vend rreth 40 përqind të kombit shqiptar.

Një e keqe në të cilën shqiptarët u varfëruan më shpejt, më papritmas, më befasishëm se kurrë ndonjëherë në jetën e tyre.

Komunizmi ishte tirania e mjerimit, por iu deshën dekada që të triumfonte mbi shpirtin punëtor të shqiptarëve.

Kurse narkoshteti i Edi Ramës arriti brenda 8 viteve, 10 viteve të zhysë në uri, në një apo dy vakte ushqim në ditë, mbi 18 përqind të fëmijëve shqiptarë.

Narkoshteti i pamëshirë i Edi Ramës ia doli që të zhysë me shpejtësi në uri 47 përqind të fëmijëve shqiptarë.

Ky narkoshtet barbar dhe i pamëshirë ndaj qenies së shqiptarëve, zbrazi dhe boshatisi Shqipërinë në 8 vite sa asnjë pushtim tjetër në historinë e saj.

Ky narkoshtet iu mohoi shqiptarëve, iu rrëmbeu shqiptarëve drejtësinë.

Ky narkoshtet shndërroi Shqipërinë në vendin e drejtësisë së kontrolluar.

Në vendin e kriminelëve si Damani, Kraja e kompani.

Hajdutë që tresin pasuritë e vjedhura, lajnë paratë e pista në pasuritë e tyre dhe si hanxhar marrin peng viktima, vërsulen si langonj të Edi Ramës kundër opozitës në projektin e tij Shqipëria pa opozitë.

Miqtë e mi, shqiptarët me 11 korrik do betohen për të përmbysur këtë regjim hajnash, që për 40 përqind të shqiptarëve ofron rrugët e botës, kurse për vete me vjedhjet që bën, me paratë e qytetarëve ndërton parajsën, me depozita qindra milionëshe në kontot e fshehta offshore, me hotele luksoze, me saraje përrallore, më pallate, me tendera të vjedhur 100 përqind në prokurime publike.

Ndërton parajsën duke zhdukur 130 milionë euro pa nam dhe nishan të djegësit të Tiranës Edi Rama dhe Erion Veliaj.

Ndërton parajsën duke vjedhur në dhjetëra e qindra prokurime 100 përqind paratë e tenderave me kompanitë e veta.

Ndërton parajsën e krimit duke ndarë me njëri-tjetrin, familjarët e vet pasuritë publike dhe fondet publike të shqiptarëve.

Ndërton parajsën duke vjedhur 930 milionë euro në 9 muaj sipas KLSH.

Duke ndërtuar rrugë me 30 milionë euro kilometrin.

Duke ndërtuar tunele me çmime stratosferike dhe investuar në to 45 mijë euro për banor.

Miqtë e mi!

Tuneli i Llogarasë, iu them unë, njeriu që më shumë se çdo gjë në infrastrukturën e këtij vendi ka bërë rrugë dhe tunele dhe që për çdo kilometër rrugë dhe çdo metër tunel, përulem me nderim.

Por kurrë nuk përulem për kilometrin e rrugës që kushton 30 milionë euro, sepse është 30 milionë vjedhje.

Jo, jo kurrë nuk përulem për kilometrin e tunelit që kushton 2.2 herë më shtrenjtë se tuneli i Kërrabës dhe që pa gjetur një investim 45 mijë euro për banor, në një kohë kur tuneli i Kërrabës u shërben 2 milionë banorëve dhe jo 3 mijë banorëve.

Miqtë e mi, krimet e këtyre monstrave të kleptokracisë kanë kufi vetëm qiellin.

Urrejtja e tyre për qytetarët është urrejtja e kriminelit për viktimën.

11 korriku është betimi i shqiptarëve kundër kriminelëve në pushtet dhe bandave të tyre.

11 korriku është dita e shqiptarëve kundër armikut më të egër që ata kanë pasur Edvin Kristaq Rama, i cili mori pushtetin, i akuzuar në raportet e OSBE-së se ka fshehur në kontot offshore 200 milionë euro.

I cili ndërtoi sarajet e Surrelit 57 metra të gjata, në një kohë kur kishte të deklaruara gjithsej 3800 euro dhe 400 mijë lekë.

I cili ndërtoi sarajet me një kopsht 5 mijë metër katrorë, duke deklaruar se ma ka dhuruar Linda se e kishte blerë me 2 dollarë, në një kohë kur toka aty kushtonte minimumi 25-40 dollarë.

Edi Rama është armik i qenies së shqiptarëve.

Shqiptarët betohen të japin përgjigje sojit të tyre, familjarëve të tij, që si shushunja u thithin gjakun shqiptarëve.

Vëllait të tij, Olsi Rama, që me firmë të vëllaçko Edit, përvetëson 38 mijë metër katrorë tokë. Ky peshkaqen i pangopur, farë e keqe si kjo nuk ka pasur Shqipëria.

Thjeshtra, e cila shkel çdo kod dhe rregull dhe ka shkatërruar tregun e studiove urbanistike dhe arkitekturore të vendit.

Edi Rama mbrohet se ajo nuk është vajzë e shtëpisë, paçka se është fiks vajza e Lindës së tij.

Miqtë e mi!

11 korriku është dita e betimit të atdhetarëve shqiptarë se Edi Ramës do t’i japin verdiktin për gjenocidin ndaj shqiptarëve.

Për krimet e tmerrshme kundër njerëzimit që ka kryer ndaj shqiptarëve, duke lërë qindra e mijëra të sëmurë të vdesin nga Covidi në shtëpinë e tyre, si në asnjë vend tjetër të Europës.

Krime të shëmtuara me të sëmurët rëndë, duke lënë të sëmurët me neurplazira, vite pa ilaçe, vite pa aparatura.

Me soj-sorollopin e tij ministra, të pashpirt, makutër.

Dita e 11 korrikut është dita e besës së madhe mes shqiptarëve.

Shqiptarët lidhin besën.

Është ditë besëlidhje.

Është ditë fitoreje.

Është ditë në të cilën, Edi Rama që sot është në Uashington si turpi i Shqipërisë, si hajduti i Shqipërisë, si krimineli shqiptar, do të marrë përgjigjen që meriton.

Ndaj dhe thirrje vëllazërore, thirrje nga zemra, thirrje nga shpirti për çdo qytetar shqiptar kudo që ndodhet, në Shqipëri, emigracion, diasporë, kudo që është, Shqipëria të thërret, Tirana të pret.

Të gjithë në protestë. Të gjithë në fitore.

Rrofshi ju, rroftë Shqipëria.

Fitore, fitore, fitore!

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale