Berisha: 11 korriku, dita në të cilën ne shqiptarët ngrihemi dhe ju tregojmë kombi dhe botës se jemi shumica, se ne jemi për qeveri teknike dhe zgjedhje të lira

FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË TUBIMIN QYTETAR

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha duke folur në protestën qytetare, është ndalur te protesta kombëtare e thirrur nga opozita në 11 korrik në orën 20:00 përpara Kryeministrisë. ‘11 korriku është dita në të cilën ne shqiptarët ngrihemi dhe ju tregojmë botës se jemi shumica e tij, jemi për qeveri teknike dhe zgjedhje të lira’, theksoi Berisha gjatë fjalës së tij në protestën maratonë që zhvillohet te ‘Rruga e Shpresës’.

Kryedemokrati Sali Berisha ka vijuar me akuzat në drejtim të kreut të SPAK, Altin Dumani, duke theksuar se mbyll dosjet elektorale ku janë të përfshirë ministra, deputetë dhe vetë Edi Rama të kapur në blerje votash dhe nga ana tjetër sulmon opozitën. ‘Çdo ditë Zamani, ky mercenar tallet me cinizëm me shqiptarët, duke mbyllur dosjet elektorale dhe duke sulmuar opozitën’, u shpreh Berisha gjatë tubimit qytetar në mbështetje të tij që zhvillohet te ‘Rruga e Shpresës’.

Lideri i opozitës, Sali Berisha denoncoi skandalin e drejtuesit të SPAK, Altin Dumani, të cilit i prapësuan 19 mandate arresti për kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj dhe bandën e tij në bashki. ‘Dumanit i nxorën kartonin e kuq, i prapësuan 19 mandate arresti për Veliajn dhe bandën e tij, i thanë se nuk mund të arrestosh pa lejen tonë’, u shpreh Berisha në protestën maratonë te ‘Rruga e shpresës’.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka bërë një denoncim të rëndë në lidhje me ish-zyrtarin e inteligjencës rumune, Coldea të cilin kryeministri Edi Rama e kishte kontraktuar si këshilltarë të tij. ‘Coldea me Vlora Hysenin kanë shndërruar Shërbimin Informativ në një institucion krimesh, trafiqesh, që ndjekin nga mëngjesi në darkë, opozitën’, tha Berisha gjatë fjalës së tij te ‘Rruga e Shpresës’.

Kryedemokrati Sali Berisha u ndal edhe te inaugurimit të tunelit të Llogarasë, një tjetër vepër korruptive e qeverisë së Edi Ramës, që i ka kushtuar shqiptarëve më shumë se 170 milionë euro. ‘Inauguruan tunelin e vetëm në botë, që kushton 45 mijë euro për banor. Sot radha ishte 1 orë, sepse njërin tub e vodhën dhe hapën vetëm një tub’, denoncoi Berisha gjatë fjalës së tij te ‘Rruga e Shpresës’.

FJALA E PLOTE:

Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta, ju qëndrestareve e qëndrestarëve, misionarëve të pamposhtur të kauzës së drejtë, kauzës së dinjitetit, lirisë, shpresës dhe të ardhmes së shqiptarëve.

Ju përshëndes me mirënjohje të pakufishme ju oratorë të kësaj platforme që përcillni çdo natë te shqiptarët të vërtetat që përpiqet të ua fsheh censura qeveritare.

Të dashur miq!

Në historinë e lëvizjes demokratike të PD-së dhe opozitës shqiptare, 11 korriku shënon një datë të një rëndësie të jashtëzakonshme. Me 11 korrik shqiptarët e zemëruar, shqiptarët e revoltuar dalin në shesh për dinjitetin e tyre.

Dalin në shesh për atdhetarinë e tyre.

Dalin në shesh për tu përballur me regjimin më armiqësor që kanë pasur ndonjëherë përballë.

Dalin në shesh për tu përballë me armikun më të rrezikshëm, më të pashpirtë të kombit shqiptar, që po boshatis, po zbras Shqipërinë nga shqiptarët, si asnjë pushtues në histori.

Dalin në shesh si shpresa e fundit për Shqipërinë dhe shqiptarët, si shpresa e fundit për një komb që po pakësohet çdo ditë e më shumë.

Dalin në shesh për një komb që po vidhet, si asnjë komb tjetër në Europë dhe botë.

Dalin në shesh kundër një diktature të bazuar në aleancën e krimit, me krimin, drogën dhe vjedhjen e qytetarëve, e cila ka konfiskuar votën e tyre, ka konfiskuar lirinë e tyre.

Dalin në shesh përballë një njeriu, Edi Ramës, i cili me firmat e tij fap, fap, fap, e paf, paf, paf, ju vodhi shqiptarëve jo qindramilionë, por të kemi parasysh dhe portin e Durrësit, miliarda e miliarda euro.

Ndërtoi në Shqipëri një sistem në të cilin, zyrtarë dhe qeveritarë në të gjitha nivelet, ndajnë paratë publike të vjedhura me familjarët e tyre.

Ndajnë pasuritë publike njëri me tjetrin, kurse shqiptarëve u lënë rrugët e botës.

Ndaj dhe 11 korriku është dita në të cilën ne shqiptarët ngrihemi dhe ju tregojmë kombit dhe botës se jemi shumica e tij. Se jemi shpresa e tij. Se jemi të vendosur në një betejë pa kthim për qeveri teknike, zgjedhje të lira, fitore të opozitës.

Ndaj dhe me 11 korrik në sheshet dhe rrugët e Tiranës, do të jetë çdo shqiptar që i thotë votës së lirë, votë e lirë, që i thotë lirisë, liri, pa të cilën nuk ka dinjitet njerëzor.

Pa të cilën nuk ka dinjitet kombëtar, shpresë dhe të ardhme për qytetarin dhe vendin.

Në 11 korrik çdo shqiptar që i dhemb shpirti dhe zemra për zbrazjen e Shqipërisë, boshatisjen e këtij vendi sikur të ishte vend i mallkuar, ngrihet, përballet dhëmb për dhëmb me armiqtë e egër të saj.

Me 11 korrik çdo shqiptar që beson se nuk ka liri dhe dinjitet pa drejtësi të pavarur, se nuk ka liri dhe dinjitet me narkodrejtësi, me dumanër dhe zamanër, ngrihet për të përmbysur regjimin dhe rikthyer në Shqipëri, kushtetutën, ligjin dhe të drejtat e shqiptarëve.

Çdo ditë Zamani, ky mercenar me grupin e tij të strukturuar kriminal, tallet me cinizëm me shqiptarët.

Çdo ditë duke mbyllur dosjet elektorale, duke sulmuar opozitën, dëshmon se nuk është gjë tjetër veç se një mercenar i regjimit që meriton largimin e menjëhershëm, dhe ndëshkimin ligjor më të fuqishëm, për krimet që ka kryer.

Altin Zamani kjo vegël e verbër në duart e Edi Ramës ka shndërruar skrapin e partisë, në mburojën më kriminale, më të shëmtuar të megaaferave dhe vjedhjeve të Edi Ramës dhe qeveritarëve.

Të dashur miq!

Këto ditë jeni dëshmitar se si u prapësuan nga Altin Dumani dhe Edi Rama 19 mandate arresti për Erion Veliajn dhe bandën e tij.

Pasi lajmi u publikua në të gjitha mediat e qeverisë, nga mjeroja, Bolino e me radhë, u zhduk. Nuk ndodhi asgjë, sepse Dumanit i nxorrën kartonin e kuq.

O hajdut i thanë, po kë mund të arrestosh ti pa lejen tonë.

Shpresa e fundit jeni ju.

Pa drejtësi nuk ka liri.

Pa drejtësi një kombi i vritet besimi dhe e ardhmja. Ndaj dhe me 11 korrik mbarë kombi në këmbë, si kurrë me parë për drejtësi sociale, për dinjitet, për shpresë dhe të ardhme.

Miqtë e mi!

Prej kohësh opozita ka depozituar në skrapin e partisë jo se ajo nuk e di, që dosjet e saj që të gjitha mbyllen, por në respekt të kushtetutës së saj, që përcakton se shteti ligjor është dhe mbetet themeli i shoqërisë së lirë, me dhjetëra e dhjetëra dosje.

Ku janë ato? Që të gjitha janë të stamposura me një gërmë ‘A’, dosje nga armiku. Dhe unë i them armikut Edi Rama se në qiell e në tokë po të shkosh atyre dosjeve nuk u shpëton dot ti, ministrat tu, Altin Zamani yt dhe të gjithë ata mercenarë, avoketër të krimit që ke bashkuar një e nga një, në skrapin e partisë.

11 korriku është dita në të cilën shqiptarët protestojnë për drejtësinë. Është dita në të cilën shqiptarët marrin në dorë fatin e tyre. Ata nuk pranojnë dhe nuk do të pranojnë diktate të mafias shqiptare ndërkombëtare.

Ata do të nxjerrin Shqipërinë dhe shqiptarët nga kthetrat e kësaj mafie, të Edi Ramës, Xhorxh Sorosi, McGonigalit, Coldeas.

A e morët vesh ju miqtë e mi, që ish drejtuesi i Securitates është këshilltari kryesor i Vlora Hysenit e përjashtuar nga shërbimet në Kosovë, për lidhje të dyshimta dhe që mori detyrën duke bërë vizitën e parë në Beograd.

Coldea ka bërë zyrat e Shërbimit inteligjent, njëlloj sikur të ishin zyrat e Securiates. Coldea me Vlora Hysenin kanë shndërruar Shërbimin Informativ në një institucion krimesh, trafiqesh, që ndjekin nga mëngjesi në darkë, opozitën.

Ndaj dhe 11 korriku është dita e shqiptarëve, është dita e shqiptarit që merr fatin në duart e tij.

Është dita e shqiptarit që lemeritë këtë racë të poshtër hajdutërish, që me pasurimin e tyre, vjedhin kafshatën e fëmijëve të vegjël shqiptarë me një ose dy vakte në ditë.

Vjedhin ilaçet e të sëmurëve rëndë të këtij vendi, vjedhin kafshatën, ilaçet e pensionistëve.

Nuk ka patur kurrë një vend, hajdutë më të pamëshirë se sa grupi i Edi Ramës me shokë.

Miq!

Dje inauguruan me dajre dhe daulle tunelin e vetëm në botë, që kushton 45 mijë euro për banor.

45 mijë euro për banor sepse Edi Rama duhet të mbushte valixhet me euro.

Sepse Edi Rama duhet të afronte pronat e tij.

Sepse për Edi Ramën qytetarët nuk ekzistojnë.

Gjysmën e Shqipërisë, nga Miloti në Vermosh e lë gjithsej me 60 mln euro investime në 10 vite. Kurse në tunelin e Llogarasë duke investuar 45 mijë euro për banor, nga Palasa në Himarë, sepse banorët e Qeparoit, Borshit dhe fshatrave të tjera, kanë rrugën e lumit të Vlorës, tre herë më të përshtatshme se sa rrugën e bregut.

Dje inauguruan, kurse sot radha tek tuneli tejkaloi dhe 1 orë. Nuk ka rëndësi se sa funksional është, sepse njërin tub e vodhën dhe e futën në xhep dhe hapën vetëm një tub.

Nuk ka rëndësi se kushtoi 2.5 herë më shtrenjtë se Elbasani.

Rëndësi ka që u mbushën baulet e Edi Ramës.

Rëndësi ka që u afrua ai me pronat e veta, dhe bëri ndaj shqiptarëve atë që as Spiro Koleka nuk ua bëri dot kurrë. Ti gjobisë ata në një mënyrë të tillë, siç i gjobiti Edi Rama.

11 korriku është dita e drejtësisë, dita e të vërtetës, është dita e betejës.

Shqiptarët në 11 korrik të gjithë në Tiranë, nga mbarë Shqipëria dhe kudo që ndodhen.

O sot o kurrë.

Fitore, fitore, fitore!

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale