Balluku në SPAK/ Berisha: Skrapi i partisë ka në dosje dy shkresa të saj për Erion Veliajn, por vepron si mercenar

FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË TUBIMIN QYTETAR

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha duke folur në tubimin e përnatshëm qytetar, është shprehur se kombi ndodhet në rrezik. ‘Kombi ndodhet në një rrezik që nuk e ka përjetuar në këtë shkallë në tërë historinë e tij në të gjitha mynxyrat dhe pushtimet që ka njohur në shekuj’, tha Berisha gjatë fjalës së tij.

Kryedemokrati Sali Berisha akuzoi Edi Ramën se që kur ka ardhur në pushtet, vetëm i ka futur thika pas shpine Kosovës.

Sipas tij, shqiptarët nuk mund të pranojnë për kryeministër një antishqiptar si Edi Rama.

Në fjalën e përnatshme në tubimin qytetar, lideri i opozitës ka përmendur edhe dëshminë e Belinda Ballukut për inceneratorin e Tiranës. Berisha tha SPAK ka në dosje dy shkresa të Ballukut për Erion Veliajn, por po vepron si mercenar.

Gjatë fjalës në tubim, kryedemokrati Sali Berisha theksoi se, shpresa e vetme e Shqipërisë është kalimi në fazën e re të betejës çdo ditë, çdo natë, gjer në fitoren përfundimtare.

FJALA E PLOTE:

Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta, nderimin tim më të madh, mirënjohjen më të pakufishme ndaj jush, misionarëve të vërtetë të guximit, shpresës dhe të vërtetave të mëdha të shqiptarëve.

Të dashur miq!

Kjo betejë që po bëni është një betejë, e cila ka mision kryesor shpëtimin e kombit nga tirania e vjedhjes, krimit dhe drogës.

Çdo qytetare dhe qytetar kudo që ndodhet duhet ta dijë se askush nuk po lufton vetëm për veten e tij.

Se çdo njëri prej jush po sakrifikoni, po ndesheni, po luftoni për çdo shqiptar të ndershëm kudo që ndodhet, në Shqipëri, jashtë saj dhe pavarësisht nga bindjet e tij politike.

Kombi ndodhet në një rrezik që nuk e ka përjetuar në këtë shkallë në tërë historinë e tij në të gjitha mynxyrat dhe pushtimet që ka njohur në shekuj.

Fara e keqe e Rilindjes me vjedhjet, krimet e saj, po shkatërron shqiptarët.

De facto po i përzë ata nga Shqipëri, po shpopullon Shqipërinë më shumë se çdo luftë, më shumë se çdo murtajë, më shumë se çdo diktaturë tjetër që ka njohur në histori.

Miqtë e mi!

Pra kjo betejë nuk është betejë për paratë që vjedhin qeveritarët.

Është betejë për paratë e qytetarëve që vjedhin qeveritarët.

Betejë për paratë e qytetarëve që vidhen dhe me të cilat mund të dy dhe trefishohen rrogat.

Me të cilat mund të kreditohet, subvencionohet çdo fermer në Shqipëri.

Me të cilat mund të dy dhe trefishohet pensionet e shqiptarëve.

Me të cilat mund të ndërtohet dhe rindërtohet infrastruktura më moderne në të katër anët e vendit.

Qytetarë, mos harroni kurrë se prapa 130 milionë eurove të zhdukura për djegësin e Tiranës, prapa vjedhjes 100 përqind në tenderat e bashkisë, prapa vjedhjeve të 1.1 miliard eurove me çmimet të pesëfishta të ndërtimit të rrugëve në vit, me çmime të dhjetëfishta të ndërtimit të rrugëve në vit, me çmime të dhjetëfishta në ndërtimin e shkollave dhe të çdo pune publike, qëndron bllokimi i rritjes së rrogave tuaja.

Qëndron bllokimi i rritjes së pensioneve tuaja.

Qëndron ndërprerja e subvencioneve për fermerët.

Qëndrojnë tarifat e larta për studentët.

Qëndron shumëfishimi i taksave për profesionet e lira.

Qëndrojnë pra të gjitha të zezat që solli Rilindja për qytetarin shqiptar, më të cilat ai e rrokullisi nga qytetari më i mirëpaguar, në qytetarin më të keqpaguar të Ballkanit.

Miqtë e mi, duhet të ngrihemi në një betim solemn, tiranitë i kanë përmbysur vetëm ata që i kanë kënduar këngën ‘O sot o kurrë;.

Që kanë kënduar këngën ‘Bashkohuni me ne’.

Që kanë kënduar këngën ‘Një betejë, ja të vdesim ja të rrojmë për liri’.

Nuk përmbysen tiranitë ndryshe.

Përkundrazi, ato çdo ditë fusin më thellë kthetrat e tyre të zeza në mishin e trupit të kombit tonë.

A mundet të ecet në këtë mënyrë?

Jo, kurrë.

A mundet Shqipëria të ketë në krye një hajdut që për karrigen e tij rekruton McGonigalin për ta përdorur kundër opozitës dhe McGonigalë të tjerë?

A mundet Shqipëria të qeveriset nga një armik i kombit, që kënaqet se shqiptarët ikin nga Shqipëria, vetëm e vetëm se nuk do e votojnë atë.

A mundet të pranojmë më tutje një antishqiptar, i cili që kur ka ardhur në pushtet, i fut Kosovës vetëm thika pas shpine.

Lobon për mosdhënien e vizave, lobon për çdo gjë të keqe për Kosovën?

A mund të pranohet kryeministër njeriu që për pangopësinë e tij, për pronat e mafies së tij në Himarë, shkatërron marrëdhëniet me një fqinj shekullor?

A mundet të ecim më tutje me Edi Ramën, që ndërron për interesat e pasurimit të tij, mbyll portin shekullin të shqiptarëve, gjobit shqiptarët me 800 milionë euro për portin e ri. Për vetë ndërton Dubai City-n.

A mundet të durojmë ne më tutje këtë mynxyrë që ka pllakosur vendin?

Këtë shpurë hajdutësh?

Kurrën e kurrës!

Të dashur miq!

Sot Skrapi i partisë thirri Belinda Ballukun.

E thirri, ua them unë, shikoni taktikën e mercenarit. Arreston hajdutë të vegjël dhe u thotë qeveritarëve, i thotë Erion Veliajt, se po arrestoj hajdutët që të kanë vjedhur ty.

Po ka hajdut në botë si Erion Veliaj? Ai nuk e meriton të rrijë asnjë sekondë në bashki.

Ndaj dhe e marta duhet të jetë dita e fundit të tij.

E thirrën Belindën sot në një kohë kur kanë në dosje dy shkresa në të cilat i thotë Erion Veliajt se ke detyrë të mbikëqyrësh dhe të raportosh për çdo punim të bërë në djegësin e Tiranës.

Të mbikëqyrësh njësinë e mbikëqyrjes.

Të raportosh situacionet, shpenzimet dhe çdo gjë.

Po pse Erion Veliaj nuk e vuri një ditë të vetme në punë njësinë  e mbikëqyrjes?

Sepse paratë nuk duhet të mbikëqyreshin, por të vidheshin.

Sepse nuk duhej të bëhej punë, por duhej që paratë të vidheshin.

A ka hipokrizi më të madhe se kjo që bën Skrapi i partisë, afërmendshi i Edi Ramës?

Të dashur miq!

Shpresa e vetme e Shqipërisë jeni ju.

Shpresa e vetme e Shqipërisë është guximi juaj.

Shpresa e vetme e Shqipërisë është beteja pa kthim.

Shpresa e vetme e Shqipërisë është mosbindja civile.

Shpresa e vetme e Shqipërisë është kalimi në fazën e re të betejës çdo ditë, çdo natë, gjer në fitoren përfundimtare të opozitës.

Të shqiptarëve.

Të kombit dhe të Shqipërisë.

Rrofshi ju.

Rroftë Shqipëria.

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale