‘Ballukizimi është fundi juaj’/ Berisha: 83 mandate krimi për të mbrojtur vjedhjet dhe për të goditur drejtësinë, policia është bërë zap nga të fortët e partisë

REPLIKË E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË KUVEND

Kryetari i PD, Sali Berisha, gjatë replikës së tij në foltoren e Kuvendit akuzoi deputetët e Partisë Socialiste se janë “të gjithë të ballukizuar”, duke iu referuar vjedhjeve të Belinda Ballukut. Sipas tij, mazhoranca po përdor 83 mandatet e saj “si thika krimi” për të mbrojtur “vjedhjet e Lubi Ballukut”. Ai e cilësoi këtë si një hipokrizi ekstreme, veçanërisht kur qeveria flet për sukseset e reformës në drejtësi. Duke iu përgjigjur retorikës së qeverisë, ai deklaroi se të fortët nuk janë tjetër veçse patronazhistët e poshtër që terrorizojnë qytetarët për pushtetin e krimit.
Lideri demokrat, Sali Berisha shtoi se nuk është policia që nuk i përballon dot të fortët, por është policia e bërë zap nga të fortët e partisë. Në fund të fjalës së tij, Berisha iu drejtua drejtpërdrejt Edi Ramës, duke e pyetur pse ka marrë dhe po shqyrton një dosje të SPAK-ut. “Kur t’ia mbathë një ditë, çfarë do të thoni ju? Prapë do bëni avokatinë e tij?”, pyeti Berisha deputetët e mazhorancës, duke paralajmëruar se “ballukizimi” i tyre do të jetë fundi i tyre.

REPLIKA E PLOTË:

Më vjen keq që të citoj veten time, po unë sapo thashë që jeni ballukizuar të gjithë. Po të dalësh këtu dhe të flasësh për reformë në drejtësi dhe sukseset e saj, në një kohë kur përdorni mandatet, 83 mandate si thika krimi, për të mbrojtur vjedhjet e Lubi Ballukut, nuk ka hipokrizi më ekstreme se kjo. Nuk ka hipokrizi më ekstreme se kjo!Nuk ka hipokrizi se të bësh teorira se të fortit. Po të kujt janë të fortit, mor? Po të fortit janë patronazhistë të poshtër, që terrorizojnë qytetarët për pushtetin e krimit. Të fortit janë patronazhistë! Ai duhej arrestuar 10 herë, po nuk desha të zgjatem në këtë pikë. Dhe s’u arrestua asnjëherë. Se ishte terroristi i votave. Nuk ka të fortë që s’i bën dot zap policia, po ka polici të bërë zap nga të fortit e partisë. Kjo është e vërteta! Ndaj dhe gjërat duhet t’i themi siç janë. Ballukizimi juaj është fundi juaj! Edi Rama, pse e ka marrë dosjen e SKAP-it dhe po e shqyrton? Kur t’ia mbathë një ditë, çfarë do të thoni ju? Prapë do të do bëni avokatinë e tij? Ndaj dhe nuk e zgjidhin fjalët problemin, e zgjidhin aktet, veprimet. Ju faktikisht i dhatë goditjen më fatale drejtësisë. Ishit në zyrë me të.

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale