Balliu takon protestuesit e arrestuar: Ishin më të motivuar se kurrë për të mos u ndalur, aktet kriminale të policisë do të marrin përgjigjen e merituar

Deputeti i Partisë Demokratike Klevis Balliu ka takuar në ambientet e Komisariatit numër 3 në Tiranë, protestuesit e arrestuar dhunshëm nga policia, gjatë protestës së 2 korrikut tek parlamenti.

Në një deklaratë për mediat, Balliu u shpreh se, protestuesit ishin të motivuar që të mos ndalen në misionin e tyre, ndërsa deklaroi se, aktet kriminale të policisë do të marrin përgjigjen e merituar.

Deklarata e deputetit Klevis Balliu:

Sot pata mundësinë të takoj qytetarët që u arrestuan padrejtësisht.

Ata ishin më të motivuar se kurrë dhe shumë falënderues ndaj të gjithë shqiptarëve, veçanërisht ndaj miqve të tyre, të cilët qëndruan pranë tyre përballë dhomave të paraburgimit deri në orët e vona të natës.

Ndërsa aktet kriminale të policisë së pushtetit do të marrin përgjigjen e merituar, Partia Demokratike do ta thërrasë drejtorin e Policisë që të japë llogari.

Është e turpshme të akuzosh këta qytetarë për dhunë, kur ata, edhe kur ishin 200 mijë protestues, nuk kryen asnjë akt dhune.

Është turp që sot në burg janë këta heronj, ndërsa Parlamenti dhe institucionet e shtetit janë uzurpuar nga hajdutët e narkopushtetit.

Por këta qëndrestarë ishin të qartë se nuk do të ndalen.

Turpi do t’i mbulojë të gjithë ata që heshtin përballë kësaj padrejtësie.

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale