Balliu: Rama urdhëroi dhunën barbare ndaj studentëve për të mbrojtur pushtetin, u fsheh pas uniformës së Dhimitraq Ziut! Kërkojmë hetimin e kryeministrit dhe të gjithë zinxhirit komandues të Policisë

DEKLARATË PËR MEDIA DEPUTETI I PD, KLEVIS BALLIU

Edi Rama urdhëroi dhunën ndaj studentëve dhe sot nxori Dhimitraq Ziun të lexojë deklaratën e tij për të kriminalizuar rininë shqiptare!

Edi Rama nxori sot Dhimitraq Ziun, Drejtorin e Departamentit për Sigurinë Publike, për të lexuar deklaratën e përgatitur nga vetë ai, me qëllim sulmin ndaj studentëve dhe kriminalizimin e të rinjve që po protestojnë kundër pushtetit të tij. Në vend që të japë llogari për dhunën barbare të ushtruar ndaj studentëve, Edi Rama përdor drejtuesit e Policisë për të justifikuar krimet e policisë së tij dhe për të mbuluar përgjegjësinë e vet.

Urdhrat për këtë dhunë vijnë nga Edi Rama. Përgjegjësia politike dhe institucionale për atë që po ndodh bie mbi të dhe mbi zinxhirin komandues që zbaton urdhrat e tij. Studentët po dhunohen për të mbrojtur pushtetin e një kryeministri që kërkon të shpëtojë nga përgjegjësia për krimet dhe korrupsionin e qeverisjes së tij.

Në deklaratën e lexuar nga Dhimitraq Ziu mungonte e vërteta më e rëndë: studentët dhe të rinjtë shqiptarë janë tërhequr zvarrë, janë goditur me shkelma, grushte dhe shkopa gome. Mungonin aktet barbare të dhunës në komisariatet e policisë, ku fëmijë 14- dhe 15-vjeçarë janë dhunuar nga policët e këtij pushteti.

Mungonte çdo fjalë për torturën kolektive ndaj fëmijëve shqiptarë, të cilët janë shtrirë përtokë dhe janë dhunuar në mënyrë kolektive. Këto janë akte kriminale që nuk mund të mbulohen me konferenca shtypi dhe as të justifikohen me asnjë urdhër politik.

Mungonte e vërteta për eksponentët kriminalë dhe ushtarët e bandës së Suel Çelës, të cilët janë shndërruar në civilë për të sulmuar të rinjtë dhe fëmijët shqiptarë në mënyrën më kafshërore. Këta banditë shfaqen të armatosur në protesta dhe ushtrojnë presion ndaj qytetarëve, ndërsa pushteti i Edi Ramës përdor Policinë për të goditur studentët.

Mungonte edhe fakti se përfaqësues të bizneseve kanë deklaruar se bizneset nuk janë sulmuar nga studentët, por nga civilë të pushtetit. Edi Rama dhe drejtuesit e Policisë duhet të japin përgjigje për këto ngjarje dhe për personat që kanë ushtruar dhunë ndaj qytetarëve.

Sa herë goditet një grup kriminal, dalin në pah lidhjet e tij me drejtues të Policisë dhe segmente të institucioneve shtetërore. Kjo është skema e një shteti të kapur, ku pushteti politik, krimi dhe segmente të strukturave të sigurisë veprojnë në funksion të mbrojtjes së interesave të njëri-tjetrit.

Sot, fëmijët e shqiptarëve po dhunohen për të mbrojtur Edi Ramën nga përgjegjësia. Sot, gjaku i të rinjve po derdhet në rrugët e Shqipërisë për të mbrojtur pushtetin, korrupsionin dhe paratë e Edi Ramës.

Në cilësinë e nënkryetarit të Komisionit për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes, kërkoj nisjen urgjente të hetimit për Edi Ramën dhe të gjithë zinxhirin komandues të Policisë së Shtetit, për urdhrat e dhënë dhe aktet e dhunës të kryera kundër studentëve dhe të miturve shqiptarë. Duhet të hetohet kush i dha urdhrat, kush i zbatoi dhe kush mban përgjegjësi për dhunën në rrugë dhe në komisariate. Asnjë urdhër politik nuk mund të justifikojë shkeljen e ligjit dhe dhunën ndaj fëmijëve.

Partia Demokratike është partia e themeluar nga studentët e Dhjetorit 1990. Ajo lindi nga guximi i të rinjve që u ngritën kundër diktaturës për liri dhe demokraci. Për këtë arsye, Partia Demokratike është e lidhur përjetësisht me kërkesat, aspiratat dhe vullnetin e studentëve shqiptarë.

Sot, më shumë se kurrë, të gjithë duhet të jemi në krah të tyre. Ky pushtet nuk do të arrijë t’i nënshtrojë dhe t’i rrëmbejë fëmijët tanë përmes dhunës dhe terrorit policor. Të gjithë të bashkuar kundër pushtetit të Edi Ramës!

I bëj thirrje Policisë së Shtetit të distancohet urgjentisht nga aktet e dhunës ndaj studentëve dhe të mos pranojë të përdoret si instrument politik për mbrojtjen e Edi Ramës. Çdo punonjës policie ka detyrimin të zbatojë ligjin, jo urdhrat e paligjshëm të pushtetit.

Edi Rama nuk mund të fshihet pas uniformës së policisë. Dhimitraq Ziu nuk mund ta mbulojë dhunën duke lexuar deklaratat e përgatitura nga kryeministri. Përgjegjësia nis nga ai që jep urdhrat dhe shkon deri te çdo person që i zbaton ato në kundërshtim me ligjin.

Partia Demokratike do të kërkojë vënien para përgjegjësisë ligjore të të gjithë atyre që kanë ushtruar dhunë ndaj studentëve dhe të miturve shqiptarë. Askush nuk do të jetë mbi ligjin dhe askush nuk do të shpëtojë nga përgjegjësia!

Të gjithë në krah të studentëve! Të gjithë të bashkuar kundër dhunës dhe pushtetit të Edi Ramës!

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale