DEKLARATË PËR MEDIA KOORDINATORI RAJONAL PËR TIRANËN, KLEVIS BALLIU
Zëdhënësi i bandave të Durrësit e ka kthyer edhe policinë në bandë dhe sa herë del në publik e bën sikur jep konferenca shtypi, nuk e ndihmon por e dëmton imazhin e këtij institucioni.
Ervin Hoxha për të disatën herë kërcënon opozitën dhe deputetët e saj, në zellin për t’i shërbyer atij që e mori nga dyert e bandave dhe e vuri në krye të ministrisë së Brendshme. Pasi përcaktoi si ‘lëndë helmuese’ parfumin e deputetes Elda Hoti, ai urdhëroi Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë për të ndërhyrë në mjediset e Kuvendit, një perimetër që nuk i takon, duke shkelur ligjin me të dyja këmbët.
Sot, në vend që të dilte e të kërkonte ndjese publike për dhunën e FNSH kundër deputetëve dhe për shkeljen e ligjit, ai u krekos në konferencë shtypi, me siguri për t’i pëlqyer Edi Ramës dhe bandave që i mbështesin të dy.
Ai e konsideroi si dhunë të deputetëve kërkesën e tyre legjitime për t’u futur në oborrin e Kuvendit, në punën e tyre, në rolin ku i ka zgjedhur populli. Ai harron se deputetët janë të mandatuar nga populli dhe ai është pupac i emëruar i Edi Ramës, që votat e popullit i vjedh sa herë ka zgjedhje. Ai harron se deputetët kanë mandat, edhe kur janë të përjashtuar nga punimet. Ai harron se deputeti është i paprekshëm, dhe çdo nismë kundër tij bëhet vetëm me miratim të Kuvendit.
Në vend që të kërkonte ndjesë dhe të shpallte nisjen e hetimeve, apo marrjen e masave për policin Altin Meço, që i nxori armën deputetëve të opozitës, Ervin Hoxha thotë se deputetët kishin mjete shkatërruese e djegëse. Me dembelizëm mendor ose agjendë partiake, ai ngatërron aktet dhe vendet ku ndodhën këto akte. Me të vetmin qëllim: fshehjen e së vërtetës.
Ervin Hoxha mund të luajë ushtarin e bindur të Ramës, por për çdo shkelje të ligjit, për çdo dhunë në shpërpjestim me aksionin e opozitës do të përgjigjet një më një.
Hoxhës junior i kujtojmë fatin e paraardhësve të tij, të cilët Rama pasi i përdori i hodhi si prezervativë politikë. Të njëjtin zell kundër opozitës tregonte edhe Sandër Lleshaj dhe Rama e flaku sapo nuk iu desh më.
Ministrin e përkohshëm Hoxha e këshillojmë që të vazhdojë ta mbajë mirë me bandat në mënyrë që të paktën të jetë i sigurt se do ta mbrojnë kur të bjerë në burg.
Prokurorisë së Posaçme, SPAK, i bëjmë thirrje të nisë menjëherë hetimet për kërcënimin e hapësirës parlamentare dhe jetës së deputetëve dhe shkeljen e ligjit nga Ministria e Brendshme.