Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, ka reaguar pas ngjarjes së rëndë në Palasë, ku breshëritë e armëve të ardhura nga një jaht kanë alarmuar pushuesit.
Duke e cilësuar atë si dëshmi të degradimit të rendit dhe sigurisë në vend, sipas Balliut ë shtënat me armë në kulmin e sezonit turistik tregojnë se krimi vepron me pandëshkueshmëri, ndërsa qeveria përpiqet të fshehë realitetin duke fajësuar protestat qytetare për dëmtimin e imazhit të Shqipërisë.
Reagimi i deputetit të PD, Klevis Balliu:
Kapja e shtetit nga interesat kriminale ka rrënuar çdo kufi që dikur ndante politikën, biznesin dhe botën e krimit. Shqipëria po përjeton pasojat e një modeli qeverisës ku pandëshkueshmëria është shndërruar në normë, ndërsa siguria publike po zëvendësohet nga ligji i forcës.
Është tronditëse që në kulmin e sezonit turistik, përballë mijëra pushuesve vendas dhe të huaj, të dëgjohen të shtëna me armë zjarri, duke krijuar skena që i përkasin vendeve ku autoriteti i shtetit është zëvendësuar nga autoriteti i grupeve kriminale. Kjo është panorama e vërtetë e Shqipërisë që ka ndërtuar Edi Rama: një realitet ku individë me lidhje me botën e krimit veprojnë me sigurinë se ligji nuk do t’i prekë.
Paradoksi arrin kulmin kur Edi Rama përpiqet të fajësojë protestat qytetare për dëmtimin e turizmit. E vërteta është krejt tjetër. Turizmin nuk e dëmtojnë qytetarët që protestojnë kundër korrupsionit dhe kapjes së shtetit. Turizmin e dëmtojnë krismat e armëve në mes të zonave turistike, pasiguria publike dhe perceptimi ndërkombëtar se Shqipëria po shndërrohet në një territor ku krimi vepron me arrogancën e të paprekshmit.
Vetëm në një narkoshtet mund të konsiderohet normale që armët të shkrepin në mes të sezonit turistik, ndërsa autorët të sillen sikur janë mbi ligjin. Kjo ndjenjë paprekshmërie nuk lind rastësisht; ajo është produkt i një sistemi që për vite me radhë ka toleruar, ka mbrojtur dhe ka fuqizuar elementë të botës së krimit, duke minuar autoritetin e institucioneve dhe besimin e qytetarëve te shteti.
Në vend që të sulmojë protestuesit dhe të kërkojë fajtorë te qytetarët, Edi Rama duhet të japë shpjegime për klimën e pasigurisë që ka mbjellë qeverisja e tij. Sot, imazhi i Shqipërisë nuk dëmtohet nga ata që kërkojnë drejtësi dhe llogaridhënie, por nga kronikat e përditshme që e lidhin vendin me dhunën, krimin e organizuar dhe mungesën e shtetit ligjor.
Partia Demokratike dënon me ashpërsinë më të madhe këtë akt kriminal dhe i kërkon organeve ligjzbatuese të veprojnë me shpejtësi, profesionalizëm dhe pa asnjë ndikim politik, duke identifikuar dhe vënë përpara përgjegjësisë autorët e kësaj ngjarjeje. Shqipëria nuk mund të pranojë që siguria e qytetarëve dhe e vizitorëve të sakrifikohet për shkak të pandëshkueshmërisë së atyre që besojnë se qëndrojnë mbi ligjin.


