Deklarata e deputetit të PD, Klevis Balliu:
Sipas disa burimeve mediatike, Elvis Hitaj, vëllai i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hitaj, është emëruar në një pozicion drejtues në Doganën e Kakavijës. Kemi të bëjmë kështu me një rast që ngre pikëpyetje serioze mbi konfliktin e interesit, transparencën dhe sigurinë kombëtare.
Dogana e Kakavijës është një nga pikat kufitare më problematike të vendit. Vetë autoritetet doganore kanë raportuar të paktën 11 raste kontrabande, ku janë sekuestruar para, lëndë narkotike, armë, ilaçe dhe mallra të tjera. Këto janë vetëm rastet që janë zbuluar falë operacioneve të suksesshme. Ndërkohë, prania e vazhdueshme e mallrave kontrabandë në tregun shqiptar, nga cigaret dhe ilaçet deri te lëndët narkotike, dëshmon se aktiviteti kriminal në këtë pikë kufitare mbetet një problem serioz.
Në këto kushte lind një pyetje themelore: si mund të emërohet në një pozicion kaq të ndjeshëm vëllai i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë? Kush do të garantojë një hetim të paanshëm nëse lindin dyshime apo indicie për veprimtari të paligjshme?
Si mund të ushtrojë Policia e Shtetit kontroll dhe mbikëqyrje efektive kur bëhet fjalë për një familjar të drejtuesit të saj?
Për Partinë Demokratike, ky është një konflikt i pastër interesi që minon besimin e publikut te institucionet ligjzbatuese. Ai forcon perceptimin se Policia e Shtetit nuk po funksionon si një institucion në shërbim të ligjit, por si një mekanizëm për mbrojtjen e interesave të pushtetit dhe të njerëzve të lidhur me të.
Nuk mund të anashkalohet as fakti se doganat kanë qenë për vite me radhë sektor nën përgjegjësinë politike të Belinda Ballukut, ndërsa edhe sot ky sektor mbetet nën drejtimin e një ministri të emëruar prej saj. Për këtë arsye, çdo emërim që krijon dyshime për favorizim apo konflikt interesi duhet të marrë përgjigje publike dhe institucionale.
Partia Demokratike kërkon transparencë të plotë mbi këtë emërim, sqarimin e procedurës së ndjekur dhe verifikimin e çdo elementi që mund të përbëjë konflikt interesi. Shqipëria nuk mund të ndërtojë një shtet të së drejtës kur kufiri midis politikës, institucioneve ligjzbatuese dhe interesave të ngushta personale bëhet gjithnjë e më i paqartë.
Kur institucionet përdoren për të mbrojtur pushtetin në vend të ligjit, humbësi i vetëm është qytetari shqiptar.


