Deklarata e deputetit të PD, Klevis Balliu:
Afera e AKSHI-t nuk është thjesht një çështje korrupsioni administrativ. Ajo përfaqëson një provë serioze për drejtësinë shqiptare dhe për aftësinë e saj për të hetuar deri në fund një skemë të keqpërdorimit të hapur të fondeve publike, favorizimin e klientëve të pushtetit dhe transferimin e përfitimeve jashtë vendit.
Në këtë kontekst, dalin në pah të dhëna që kërkojnë një hetim të menjëhershëm dhe të gjithanshëm mbi aktivitetin e Ermal Beqirit dhe kompanisë Al Soft. Në Shqipëri, Al Soft është themeluar në vitin 2010, dhe po në të njëjtin vit ka hyrë në procedurë likuidimi. Megjithatë, rezulton se në qytetin e Nîmes, në Francë, është regjistruar një subjekt me të njëjtin emër, AL Soft, me objekt veprimtarie në hoteleri, akomodim dhe teknologji informacioni, ku promovohet edhe aktiviteti i Al Soft në Shqipëri si një histori suksesi.
Po ashtu, rezulton se subjekte me të njëjtin emër janë regjistruar edhe në Belgjikë dhe në Qipro.
Këta elementë nuk mund të kalohen në heshtje. Përkundrazi, ngrenë pikëpyetje serioze që kërkojnë përgjigje nga organet ligjzbatuese.
A është verifikuar burimi i kapitalit me të cilin janë krijuar dhe financuar këto aktivitete?
A janë analizuar flukset financiare, pronësia përfituese dhe çdo lidhje e mundshme me fondet publike të administruara në kuadër të aferës së AKSHI-t?
A është kryer një hetim pasuror i plotë dhe nëse po, cilat janë rezultatet e tij?
SPAK ka detyrimin ligjor të mos kufizohet vetëm në hetimin e procedurave administrative apo të kontratave publike, por të ndjekë edhe rrjedhën e pasurive dhe të kapitalit, brenda dhe jashtë territorit të Shqipërisë.
Nëse ekzistojnë dyshime të arsyeshme se përfitime të mundshme nga fondet publike janë investuar në aktivitete ekonomike jashtë vendit, atëherë është detyrë e prokurorisë të bashkëpunojë me autoritetet franceze, belge dhe qipriote për të kryer verifikimet përkatëse.
Afera e AKSHI-t është një nga dosjet që ka ngritur shqetësime të mëdha publike mbi raportin mes pushtetit politik, administrimit të fondeve publike dhe interesave private. Pikërisht për këtë arsye, çdo person që rezulton i përfshirë në këtë dosje duhet të jetë subjekt i një hetimi të plotë financiar dhe pasuror, pa përjashtime dhe pa standarde të dyfishta.
Qytetarët shqiptarë kanë të drejtë të dinë nëse pasuritë, bizneset dhe investimet e personave të lidhur me këtë çështje janë verifikuar në mënyrë të plotë dhe nëse janë përdorur të gjitha instrumentet ligjore për të identifikuar, sekuestruar apo konfiskuar çdo pasuri që mund të rezultojë produkt i veprimtarive të paligjshme.
Është kjo një prej arsyeve që ata dalin, prej më shumë se dy muajsh, cdo natë në protestë të pandërprerë. Mesazhi është i thjeshte: si hajdutët, si ata që nuk i hetojnë dhe dënojnë, duhen ndëshkuar.
Heshtje mbi vjedhje të shkallës industriale nuk mund të ketë. Transparenca, hetimi i plotë dhe zbatimi i barabartë i ligjit janë e vetmja mënyrë për të rikthyer besimin e publikut tek drejtësia dhe për të garantuar se askush, pavarësisht lidhjeve politike apo ekonomike, nuk qëndron mbi ligjin.


