FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË TUBIMIN QYTETAR
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë fjalës së mbajtur në tubimin qytetar, është ndalur te atentati ndaj ish-presidentit të ShBA, Donald Trump. ‘Atentati ndaj presidentit Trump përbën një atentat jo vetëm ndaj sigurisë së SHBA, por edhe ndaj vendeve dhe njerëzve të lirë’, theksoi Berisha gjatë protestës maratonë që zhvillohet te ‘Rruga e Shpresës’.
Gjatë fjalës së tij, lideri i opozitës shqiptare Sali Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama se edhe ai organizoi atentat ndaj liderit të opozitës në Tiranë. ‘Edhe Edi Rama organizoi një atentat ndaj liderit të opozitës në Tiranë, jo me armë por me agjentin e policisë kriminale ‘leva’, u shpreh Berisha në tubimin në mbështetje të tij që zhvillohet te ‘Rruga e Shpresës’.
Por nuk ka munguar edhe kritika në fjalën e kryedemokratit Sali Berisha, në lidhje me përpjekje të pjesëtarëve të institucioneve amerikane, ambasadorë, apo drejtues të Shërbimeve të kundërzbulimit të FBI-së që kanë dashur të dëmtojnë dhe shkatërrojnë opozitën në Shqipëri. ‘Oozita e një vendi të lirë nuk mund të kontrollohet nga një vend tjetër dhe të gjitha këto, në një mënyrë apo në një tjetër, karma kthehet’, theksoi gjatë fjalës së tij, kryetari i PD-së, Sali Berisha.
FJALA E PLOTE:
Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta, mirënjohjen e pakufishme dhe nderimin më të madh për ju, misionarë të vërtetë të shpresës, dinjitetit, kauzës së drejtë të shqiptarëve.
Të dashur miq!
Ajo që ndodhi mbrëmë në Butler të Pensilvanisë është një akt terrorist, është një atentat jo vetëm ndaj Presidentit Donald Trump, por ndaj çdo njeriu të lirë, në çdo vend të lirë.
Në këtë kontekst, çdo njeri që beson tek liria dhe vota e lirë e ka ndjerë veten mbrëmë një me presidentin Donald Trump, sikundër do ta ndjenim një me çdo kandidat presidencial, kryeministër apo president të vendeve të lira, nëse do të tentohej të vritej, siç u tentua në mënyrën më të urryer ndaj presidentit Trump në fushatë elektorale.
Ajo çka ndodhi mbrëmë në Butler, Pensilvani të SHBA, në vendin udhëheqës të sigurisë së vendve të lira, në një kohë ballafaqimesh globale, një ditë pas samitit të NATO-s dhe vetëm dy ditë para konventës republikane në të cilën presidenti Donald Trump do të kurorozëhet si kandidat i Partisë Republikane për zgjedhjet presidenciale në SHBA.
Në një mënyrë apo si një tjetër, përbën një atentat jo vetëm ndaj sigurisë së SHBA, por edhe ndaj vendeve dhe njerëzve të lirë.
Miqtë e mi!
Si një politikan i cili pak kohë më parë provoi një atentat, jo me plumba por me hekura të organizuar nga Edi Rama, Taulant Balla, Ardi Veliu, me agjentin e policisë kriminale ‘leva’ vetëm e vetëm se Edi Rama donte të kremtonte samitin e lidervë europian në Tiranë, duke i mbyllur gojën opozitës së mallkuar, liderit të saj.
Natyrisht pasi kishte dështuar me të gjitha mjetet e tjera, ndërmorri një akt inextremis.
Pra e ndjej pak më shumë se të tjerët, aktin e urryer terrorist që u ndërmorr mbrëmë për vrasjen e presidentit Donald Trump në aktivitetin elektoral në Pensilvani.
Në këtë rast, unë dua të them dy fjalë se mbjellja e urrejtjes ndaj opozitës dhe vendosja e saj në persekutim, proceset politike të pafundme, janë virusi i akteve terroriste.
Janë shpërthimi, apo organizimi i akteve me të cilat synohet të mposhtet vullneti i qytetarëve, të mposhtet vota e qytetarëve dhe të vendoset me metoda të tjera, mesjetare antidemokratike.
Në këtë kontekst, unë kam besim se hetimi do të nxjerrë të gjithë përgjegjësitë e këtij atentati terrorist që ka tronditur botën, në Pensilvani.
Por përsëri s’do mund të ju tradhëtoja ju kurrë dhe më duhet të them se, kur ndërmerr shkatërrimin e opozitës në një vend mik, duhet të kontrollosh veten se ke probleme madhore.
Se ke probleme madhore, se opozita është morali i një kombi, i madh apo i vogël qoftë ai.
Se opozita është pushteti morali i një vendi, i madh apo i vogël qoftë ai.
Se opozita e një vendi të lirë nuk mund të kontrollohet nga një vend tjetër dhe të gjitha këto, në një mënyrë apo në një tjetër, karma kthehet.
Ndaj dhe uroj nga zemra shërim të shpejtë dhe të plotë të presidentit Donald Trump.
Uroj që akte të tilla të mos përsëriten kurrë në vende të lira.
Uroj fushatë elektorale dinjitoze, frymëzuese, shembullore në zgjedhjet presidenciale dhe jo kurrë me atentate ndaj kandidatëve kryesorë.
Shpreh me këtë rast edhe njëherë në emrin tuaj, solidaritetin tim të plotë me presidentin Donald Trump, familjen Trump, Partinë Republikane dhe mbarë qytetarët e SHBA dhe të gjithë ata që dënojnë aktin e mbrëmshëm si një akt terrorist ndaj demokracisë, kushtetutës, ligjit në vendin udhëheqës të botës së lirë.
Faleminderit.
E mbyll sot me fjalët e presidentit i cili u ngrit si luan: luftoni, luftoni dhe vetëm luftoni.
Do të luftojmë, luftojmë dhe vetëm do të luftojmë.
Do të luftojmë dhe do të fitojmë.
Fitore, fitore, fitore!