Ardian Turku: Reforma Territoriale shkatërroi efiçencën, autonominë vendore dhe shërbimet në Bashkinë e Elbasanit, mësime nga eksperimenti i 2015-ës

FJALA E ISH-KRYETARIT TË BASHKISË ELBASAN, ARDIAN TURKU NË TRYEZËN NË KUADËR TË REFORMËS TERRITORIALE

I nderuar doktor Berisha, kryetar bashkish, të pranishëm të tjerë. Si edhe të gjithë ju të tjerët këtu, të gjithë jemi të ngacmuar nga ky moment, kur në Shqipëri diskutohet përsëri ndarja administrative territoriale. Në mënyrë të veçantë ne që kemi punuar në vitet e kaluara, e dimë shumë më tepër sesa të tjerët se sa e rëndësishme është kjo lloj gjëje. Në 2015-ën është bërë një eksperiment shumë i madh. Një eksperiment që kaloi përmasat dhe ka sjellë disa pasoja drastike. Plot 308 komuna kanë qenë, u zhdukën të gjitha me magji. 65 bashki, komunat si njësi administrative iu bashkuan bashkive dhe u katandisën në 61. Kryetarë bashkish të papërgatitur për të drejtuar, qeverisja qendrore me tendencën e jashtëzakonshme për të përthithur çdo pushtet, çdo vendimmarrje, për të kontrolluar çdo gjë në territor, tek njerëzit dhe kudo. Konstatoj që nga periudha e atëhershme, edhe në këtë periudhë që po parapërgatitet terreni për të mbërritur në një hartë të re territoriale, sigurisht edhe me dokumentacionin përkatës që do të shoqërojë reformën, edhe me bazën ligjore pastaj, ka të përbashkëta katër gjëra.

Janë parimet, po i lë parimet, por edhe si objektiva. Janë efiçenca ekonomike që u ngrit me të madhe në 2015-ën, që vazhdon të ngrihet edhe sot e kësaj dite. Afrimi i shërbimeve më të mira, përmirësimi i shërbimeve ndaj qytetarëve. Decentralizimi real, prapë këto terma përdoren, dhe pastaj përqasja me BE-në. Shumë shkurt, sepse s’dua të bie në përsëritje, jemi të detyruar të përsërisim elementë të veçantë sepse problematikat po ato janë. Efektiviteti ekonomik. Mjafton të kujtoj Bashkinë e Elbasanit dhe kështu besoj janë të gjithë qarqet. Unë e kam dorëzuar detyrën e kryetarit të Bashkisë në 2007-ën, diku në maj të 2007-ës. 319 punonjës, 20 policë bashkiakë. Bashkë me 12 komuna që iu bashkuan në 2015-ën Bashkisë së re, shkonim gjithsej 600 punonjës. Në vitin 2020 u bënë 1900 e ca. Ku është efiçenca ekonomike? Ndërkohë që për arsye të funksioneve, mund të shkonte te 1000 numri i punonjësve, mund të shkonte te 1200. 700 rroga menjëherë duhet të përballonte tashmë ky pushtet lokal mbi bazën e kësaj reforme që do të sillte efiçencë ekonomike. Kualiteti i të punësuarve, për tokë, më keq. Militantë, jo profesionistë, për mos me thënë kleptokratë. Pjesa tjetër e korrupsionit. Të kapim shërbimet më të mira. S’besoj se është nevoja që të bëjmë komente. Vetë shpopullimi i zonave të largëta, i ish-komunave, dëshmon për këtë. Kam shumë ish-studentë të mitë që sot vijnë me fëmijë dhe blejnë shtëpi në Elbasan. Dhe kur i pyes, pse erdhe? S’kam shëndetësi. M’u bë fëmija për të hyrë në klasë të parë. S’kam shkolla dhe shkolla cilësore. Vuajmë për ujin e pijshëm, rruga me gropa, distanca e fëmijëve nga shkolla.

Një mori shërbimesh që tashmë kanë vdekur. Për çdo gjë duhet të vijnë këtu. Administratori nuk e di, e di bashkia, e di kryetari i bashkisë. Ato punë që dikur e bënte kryetari i komunës. Pra mbaruam dhe me shërbimet. Decentralizimi real dhe autonomia e pushtetit vendor. Mund të kujtoj ndoshta Ylli është kryetar më i vjetër nga unë këtu. Para 2003-it keni qenë Ylli? Mund të kujtoj që ka qenë një shoqatë bashkie. Ka qenë me kryetarë të majtë dhe të djathtë, pa përjashtim, dhe po kështu dhe komunat. Kujtoj që kam qenë dhe anëtar kryesie, çdo muaj bënim mbledhje të rregullt. Madje i bënim edhe nëpër bashki të ndryshme, jo vetëm në Tiranë.

Kujtoj që ishim të majtë dhe të djathtë bashkë. Kujtoj që pas çdo mbledhje dilnim me pika të caktuara që ia adresonim qeverisë qendrore, të majtë dhe të djathtë bashkë firmosnim. Dhe u krijua shoqata e autonomisë vendore në 2009-ën, nëse ju kujtohet, e vetëm të majtëve. E shkatërroi Rama. Edhe shoqatën e bashkive, dhe atë çikë autonomi, dhe ato qarje të përbashkët të problemeve. Iku, mori fund. Tashi ka vetëm kryetarë bashkish të majta, që i thërret Rama kur i teket, edhe fillon e i shan të gjithë, ty do të bëj kështu, ty do të bëj kështu. Ato s’janë më të zgjedhur vendorë. Administratorët nuk llogariten më. Pra ka mbaruar edhe demokracia lokale, më falni, autonomia vendore. Pa folur për demokracinë lokale, shikoni këshillat bashkiake ku janë dhe sa përfaqësohen komunitetet e ish-komunave.

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale