FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË TUBIMIN QYTETAR
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë fjalës në tubimin qytetar, foli për protestat e banorëve të Thumanës, që sipas tij janë guximtarë të cilët prej të disatën herë po përballen me narko-policinë. Rruga Thumanë-Kashar, është rruga e poshtërimit të 500 mijë banorëve nga Fushë-Kruja në Vermosh, theksoi ai.
Gjatë fjalës së tij, kryedemokrati Berisha është shprehur sot se aksi Thumanë-Kashar është rruga me të cilën Edi Rama, bashkë me lubi Ballukun taksojnë për të hyrë në Tiranë, 510 mijë banorë të veriut. Berisha ka rënditur një sërë rrugësh të ndërtuara nga Shqipëria e mesme drejt jugut dhe juglindjes së vendit, ku asnjë qytetar, apo banor i këtyre zonave nuk paguan asnjë qindarkë për të kaluar në to.
Lideri demokrat Sali Berisha, i’u drejtua mbështetësve të tij duke denoncuar rrugën Thumanë-Kashar si rruga që diskriminon me padrejtësi të hapur banorët e veriut të Shqipërisë nga qeveria aktuale. Kryedemokrati Berisha kritikoi ashpër tarifat e vendosura në disa segmente rrugore, duke argumentuar se qytetarët e veriut paguajnë më shumë për të përdorur rrugët kombëtare.
Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, në tubimin qytetar foli edhe për anijet me mbetje toksike të nisura nga Shqipëria dhe që tani po enden në det të hapur. Berisha e konsideron heshtjen e Ramës për anijet me mbetje toksike, si një akuzë ndaj tij, pasi duket qartë sipas Berishës se është biznesi dirket i kryeministrit.
Për kryedemokratin Berisha, Rama përmes biznesit të mbetjeve po luan me shëndetin dhe jetën e shqiptarëve. ‘Edi Rama, kujt i përkasin helmet e eksportuara nga Shqipëria, kush ta ka mbyllur gojën ty dhe institucioneve të krimit që heshtin’, pyeti kryedemokrati Sali Berisha gjatë fjalës së tij në tubimin qytetar.
FJALA E PLOTE:
Të dashur qëndrestare dhe qëndrestarë, guximtare dhe guximtarë, mbrojtës të pamposhtur të kauzës së drejtë të shqiptarëve, Shqipërisë dhe kombit shqiptar.
Një mirënjohje të pakufishme ndaj jush, përshëndetje të përzemërta për të gjithë ju, oratorët e kësaj platforme që me qëndresën tuaj, jeni bërë simbol frymëzimi i qëndresës së shqiptarëve ndaj diktaturës së bandave, diktaturës së një regjimi që sundon në aleancë me krimin, drogën dhe vjedhjen e shqiptarëve.
Të dashur miq!
Le tu çojmë ne sonte përshëndetjen më të përzemërt protestuesve guximtar të Thumanës, të cilët prej disa orësh përballen dhëmb për dhëmb me narko policinë në mbrojtje të të drejtave të tyre më themelore.
Ata janë ngritur kundër ndëshkimit të pashembull që binomi Rama-lubiBalluku ju bëri me 20 kilometrat e para autostradë që ka ndërtuar në 11 vite nga Fushë Kruja gjer në Vermosh dhe Valbonë.
Të dashur miq!
Në Shqipëri u ndërtuan para vitit 2013, mbi 11 mijë kilometra rrugë. Por ato në asnjë rast, në asnjë vend nga Kakavija në Han të Hotit, nga Vlora në Morin, nuk u shndërruan në ndëshkim për qytetarët, përkundrazi u shndërruan vetëm e vetëm në mirësi për ata, në mundësi për ata.
Një nga funksionet më themelore në të gjitha kohërat, nga lashtësia gjer sot të një rruge, ka qenë funksioni i tregut.
Aty ku kalonte rruga, aty gëlonte, aty lulëzonte tregu, tregtia, prodhimi.
20 kilometrat rrugë të Kashar-Thumanë janë segmenti i parë ndëshkues për qytetarët. Është rruga antitreg, rruga e falimentimit në vend që të ishte rruga e lulzimit, e falimentimit të qindra e qindra bizneseve. Është rruga e diskriminimit, poshtërimit të 80 mijë banorëve të rrethit të Krujës.
Është rruga e diskriminimit, është rruga e poshtërimit, për aq sa është dhe sa ç’ka qenë në çdo kohë, diskriminimi, poshtërim. Është rruga e poshtërimit të mbi 500 mijë banorëve që jetojnë nga Fushë Kruja në Vermosh dhe Valbonë.
Është rruga me të cilën Edi Rama, ky urrejtës i shpifur i banorëve të Veriut, me lubiBallukun taksojnë për të hyrë në Tiranë, 510 mijë banorë të veriut.
Taksojnë banorët më të varfër të Shqipërisë, taksojnë banorët më të diskriminuar të Shqipërisë. Bëjnë kështu një akt poshtërimi për çdo banor, sepse diskriminimi është poshtërim, poshtërim dhe vetëm poshtërim.
Miqtë e mi!
Nga mëngjesi gjer në darkë, tellallët e narkoqeverisë qeverisin si papagaj, që është A2. Tani të ju them unë ju, A2 është e gjithë Rruga e Kombit, A2 është rruga Thumanë-Milot, A2 është rruga Levan-Vlorë, A2 është rruga Tiranë-Elbasan.
Por tani për ndonjërin që thotë se unë po mbjell përçarje, i them je i verbër. Nuk po mbjell përçarje, por po ngrej fuqishëm zërin tim kundër diskriminimit, kundër ndëshkimit të pamerituar të 500 mijë banorëve që jetojnë nga Fushë Kruja në Vermosh dhe Valbonë.
Më thoni ju lutem, sa paguajnë qytetarët e Tiranës, Elbasanit, Korçës, Pogradecit, Kolonjës, Bilishtit që kalojnë 27 kilometrat e autostradës Tiranë-Elbasan dhe tunelin rreth 5 kilometër.
Nuk paguajnë asnjë qindarkë dhe nuk do të paguajnë asnjë qindarkë.
Sa paguajnë qytetarët e qytetit më të pasur të Shqipërisë që është Tirana për të shkuar në Durrës, me një autostradë, sa paguajnë qytetarët e Tiranë-Durrësit për të shkuar në Fier, në autostradë.
Asnjë qindarkë.
Kurse malësorët e Malësisë së Madhe, pukjanët, tropojasit, hasjanët, kuksianët, duhet të paguajnë një ditë pune për të ardhur dhe për të dalë nga Tirana.
A mund të pranohet ky diskriminim i ulët, racist, antishqiptar i atyre që marrin më pak në Shqipëri.
Unë u them banorëve të veriut se ju, çfarë do pune që bëni, apo të papunë, si qytetarë paguani të njëjtat taksa si individë me qytetarin e Tiranës, Durrësit, Elbasanit, Korçës.
Paguani të njëtën TVSH, të njëjtat sigurime.
Paguani më shumë se këta taksën Edvin dhe lubiBalluku, se ju urrejnë ju.
Sepse ju ata u duan vetëm të ju sundojnë me kriminelë, mafiozë, me Arben Ndokër, me Durim Bamër me Rraja, me Bajrë dhe klane të tjera.
Rrugën Edi Rama nuk do të mund ta përdorësh kurrë për ndëshkim ndaj veriut. Ka ikur kohë kur ti mund të ndëshkojë veriun me urrejtjen e etërve të tu mizorë.
Ndaj rikthe projektin dhe hiç barrierat. Asnjë qindarkë nuk duhet të paguhet.
Asnjë qindarkë, sepse asnjë qindarkë nuk paguan vlonjati për të ardhur në Tiranë.
Asnjë qindarkë nuk paguan gjirokastriti, beratasi për të ardhur në Tiranë.
Asnjë qindarkë nuk paguan, korçari, elbasanlliu për të ardhur në Tiranë.
E pse duhet të paguajnë pukjanët, e pse duhet të paguajnë malësorët e Malësisë së Madhe, Tropojës, Hasit, Kukësit, Shkodrës. Pse ata, çfarë janë ata, të kujt janë ata, të një vendi armik, të një shteti armik.
Edi Rama, thirri mendjes.
Ajo betejë nuk lëshohet kurrë dhe mësoje këtu, mësoje sonte se demokratet dhe demokratët nuk do të lënë kurrë një betejë në mes.
Ata vetëm do të fitojnë, do të fitojnë, do të fitojnë.
Ndaj dhe ti përshëndesim dhe njëherë guximtarët e Thumanës për qëndrimin e tyre të pamposhtur të pathyer, për kauzën që po mbrojnë për 80 mijë banorë të Krujës, Kurbinit, Lezhës. Për 500 mijë banorët e të gjitha rretheve të veriut.
E drejta e tyre do të triumfojë.
Së dyti miq, përsëri do të kthehem tek anijet fantazmë me helme që u larguan nga Shqipëria dhe që tani enden në detra se askush nuk i pret dhe Shqipëria, vendi që i nisi hesht si varr, hesht si fija e barit.
Kjo heshtje fsheh krime miqtë e mi.
Kjo heshtje e qeverisë së drogës dhe krimit të Edi Ramës, fsheh krime monstruoze mbi shqiptarët.
Kjo heshtje e akuzon Edi Ramë se ky është direkt biznes i tij. Se ky është biznes me helmet, me shëndetin dhe jetën e shqiptarëve.
A nuk je ti, a nuk je ti që për karrigen tënde more përsipër të shkatërrohen në Shqipëri armët e Asadit, akt me të cilin tregove se je i aftë të marrësh çdo vendim, të shkatërrosh çdo jetë në këtë vend, vetëm e vetëm për karrigen tënde, për pasurimin tënd.
Tani pse nuk flet o kriminel. Pse nuk flet? Çfarë janë anijet dhe mbetjet e rrezikshme.
Kujt i përkasin helmet e eksportuara nga Shqipëria, kush ta ka mbyllur ty gojën, kush ua ka mbyllur gojën doganave të vendit, autoritetit portual, inspektoriatit të mjedisit, inspektoriatit të punës, tatimeve, policisë, SHISH.
Institucioneve të krimit që heshtin si fije bari, në një kohë kur nga Shqipëria eksportohen helm dhe vdekje dhe askush nuk flet prej tyre.
Edi Rama nxirre kokën ku e ke futur se nga ky spiral nuk del dot.
Cili është biznesi yt me helme, thuajua shqiptarëve.
Me kë e kryen ti këtë biznes.
Çfarë lëndësh helmuese toksike prodhon apo dezaktivizon në Shqipëri.
Shqiptarët duhet të dinë se çfarë kërcënimi kanë bërë dhe bëjnë këto për fëmijët e tyre dhe jetët e tyre.
Kjo nuk kalon, fshihu sa të duash.
Posto çtë duash, mashtro çtë duash, por këto të vërteta do të dalin në dritën e diellit dhe ti do të marrësh ndëshkimet që meriton.
Duke ju falenderuar me mirënjohje të pakufishme dhe njëherë, ju ftoj të vazhdojmë këtë betejë kundër këtij regjimi.
Betejë të pandalshme, betejë pa kthim, betejë drejt fitores.
Rrofshi ju, rroftë opozita shqiptare, rroftë Shqipëria.
Fitore, fitore, fitore!