FJALA NË KONGRESIN E PPE, PREZANTIMI I REZOLUTËS
Autokracia po rishfaqet sërish si një kërcënim ndaj lirisë dhe demokracisë. Dhe sërish, jemi thirrur për t’u përballur me çdo kusht.
- 333 ditë arrest shtëpie politik sakrifikoi nga liria e tij Sali Berisha – për të mbrojtur opozitën dhe pluralizmin në Shqipëri.
- 1 vit burg po vuan deputeti i ri, Ervin Salianji, për të mbrojtur lirinë e fjalës dhe të drejtat themelore.
- Të gjithë liderët e opozitës po kërcënohen me procese gjyqësore dhe kallëzime penale në prokurori, deri në kërcënime për jetën.
Por historia na ka mësuar një të vërtetë të hidhur: Kompromiset me autokratët, në emër të “stabilitetit”, janë një iluzion i rrezikshëm, herët a vonë, këto regjime sjellin destabilitet, konflikt dhe kaos përtej kufijve të tyre.
Prandaj sot, është koha të vendosim një vijë të kuqe. Duhet të kundërshtojmë me vendosmëri çdo abuzim me pushtetin, çdo manipulim të zgjedhjeve, çdo shkelje të vullnetit të qytetarëve.
Qytetarëve shqiptarë u është mohuar sistematikisht, në dekadën e fundit, e drejta më themelore — e drejta për të votuar lirshëm, ndershmërisht dhe pa frikë.
Këtu, me vete, kam me qindra raste të shkeljeve ligjore të kryera nga Partia Socialiste gjatë muajve të fundit. Shumë nuk arrita t’i merrja dot. Sot në Shqipëri, nuk ka ndarje mes shtetit dhe partisë, ka shpërdorim të burimeve publike, lidhje të eksponentëve të mazhorancës me krimin e organizuar, blerje votash, kërcënime dhe intimidim të zgjedhësve, të gjitha të dokumentuara qartë në raportet më të fundit të OSBE/ODIHR dhe të misioneve vëzhguese të Këshillit të Evropës.
Por ende, çdo ditë, në çdo cep të Shqipërisë, socialistët vazhdojnë me arrogancë të shkelin ligjin — sepse mendojnë se kontrollojnë të gjitha…
Por, nëse nuk ke të drejtën për të votuar lirshëm, çdo e drejtë tjetër është një iluzion.
Sot, unë ngre zërin jo vetëm për partinë time apo për opozitën, por për çdo qytetar shqiptar që ende beson në demokraci.
Kjo nuk është një betejë partiake. Është një emergjencë për demokraci.
Nëse ne, PPE, heshtim tani, rrezikojmë të shohim demokracinë në Ballkan të rrëshqasë drejt një rënieje të pakthyeshme. Duhet të veprojmë së bashku për të dërguar një mesazh të qartë drejt regjimit të korruptuar në Shqipëri dhe çdo regjimi tjetër të korruptuar:
Demokracia nuk është e negociueshme!
Nuk duhet kurrë të tregtojmë demokracinë për të ashtuquajturin “stabilitet”! Nuk duhet të lejojmë që interesat e qytetarëve të sakrifikohen për përfitime personale politike!
Ajo që kërkojmë sot, përmes kësaj rezolute, është mbështetje për t’i siguruar qytetarëve shqiptarë të drejtën më themelore, të drejtën për të votuar! Në mënyrë që çdo qytetar shqiptar, në zgjedhjet e ardhshme, të mund të votojë lirshëm, në mënyrë të fshehtë, të drejtpërdrejtë dhe të sigurt. Që të jenë ata, dhe vetëm ata, që do të vendosin për të ardhmen e tyre.
Le të qëndrojmë të bashkuar!
Le të mbrojmë demokracinë, duke u nisur nga e drejta për të votuar!