FJALA E DEPUTETES, ALBANA VOKSHI:
Përshëndetje vëllezër dhe motra.
Të dashur zonja, zotërinj, të dashur gra dhe burra qëndrestarë që këtë rrugë, rrugën e Sali Berishës, Rrugën e Shpresës e keni kthyer në foltoren e mendimit të lirë, në tribunën e fjalës së lirë.
Falenderime pa fund për çdo burrë dhe grua.
Falënderime pa fund për çdo të ri dhe të re që nuk kanë munguar në 29 ditë të kësaj proteste sublime.
Një falënderim për çdo zonjë, për çdo nënë, për çdo grua, sepse ju keni sakrifikuar më shumë se burrat.
Shpesh herë keni marrë fëmijët me vete sepse nuk keni pasur ku t’i leni.
Shpesh herë keni sakrifikuar kohë nga përkujdesjet për fëmijët, burra apo familjarët.
Keni vrapuar për të kapur urbanin në trafikun e çmendur të Tiranës apo të ecni me orë të tëra.
Kam mirënjohjen më të thellë për secilën prej jush. E keni bërë këtë sakrificë jo vetëm për të shprehur mbështetjen e pakufizuar për liderin historik të PD, profesor doktor Sali Berishën, por ju të dashura gra dhe nëna keni dhënë një leksion shumë të çmuar për fëmijët tuaj. U keni treguar se ç’do të thotë të luftosh për të drejtat e tua.
Jemi në regjim, kushdo që mendon se jemi në demokraci, e ka shumë gabim.
Edi Rama ka instaluar një neodiktaturë. Sot po kalojmë ditë të vështira për Shqipërinë, për demokracinë dhe pluralizmin.
Sot po kalojmë ditë të vështira për Kushtetutën dhe parlamentarizmin.
Edi Rama po mundohet të eliminojë parlamentarizmin si institucioni më i rëndësishëm.
E keni marrë vesh që Edi Rama ka përjashtuar 19 deputetë të opozitës, që përfaqësojnë mbi 200 mijë votues.
E ka bërë këtë vetëm pse ne protestuam dhe nuk pranuam farsën e një marrëveshje kulte Rama-Basha, një marrëveshje që ka nisur në resortet e jugut dhe ka vazhduar me takimet e fshehta Basha-Balla dhe tani i njëjti çift po mundohet që të kapë komisionin ad-hoc të reformës zgjedhore. Dhe kërkon që ne ta pranojmë.
Po a mendoni se deputetët e opozitës reale do pranojnë një farsë-reformë elektorale?
Do lejojmë që edhe njëherë zgjedhjet të dhunohen dhe të vidhen. Sepse ky është qëllimi i tyre, që të legjitimojnë vjedhjen e zgjedhjeve të ardhshme.
Por grupi parlamentar i opozitës së vërtetë është i vendosur të vazhdojë aksionin opozitar për të përfaqësuar interesat tuaja.
Ndaj jemi të gjithë këtu sot në këtë foltore, që në fakt është foltorja e qyetarëve të lirë, e qëndrestarëve të guximshëm.
Për vite të tëra, nëpërmjet abuzimit me taksat tuaja, nëpërmjet lobimeve brenda dhe jashtë vendit, korruptimit edhe të agjentëve të FBI, Edi Rama u mundua ta eliminonte opozitën.
Ia arriti deri diku me ish-kryetarin, për fatin tonë të keq, të PD, Lulzim Basha. E dobësoi PD-në, hoqi institucionin e vlerave dhe të votës.
Por një gjë e kishin bërë gabim, rikthimin më të fuqishëm se kurrë të Sali Berishës.
Nuk e kishin llogaritur Sali Berishën, i cili jo vetëm e rithemeloi PD-në, jo vetëm riktheu sistemin e votës, por riktheu shpresën që PD dhe çdo forcë tjetër opozitare reale mund të bëhet forcë fituse, forcë qeverisëse.
Kjo është arsyeja pse të gjitha pushtet që kontrollon sot Edi Rama, edhe ai i drejtësisë, kanë pasur një betejë kundër Sali Berishës.
Sot kemi liderin e opozitës në arrest shtëpie pa akuzë. Në cilin vend të botës ndodh kjo? Vetëm në regjimin e Edi Ramës.
Pse mbahet i arrestuar Sali Berisha? Sepse Edi Rama është i tmerruar nga Sali Berisha. Sepse Edi Rama është i tmerruar nga institucioni i të vërtetave që ngriti Sali Berisha.
Ndaj sot, Sali Berisha është i arrestuar pa akuzë sepse Edi Rama kërkon që ta izolojë atë nga ne? Po a mund të ndodhë kjo? Shih sa shumë jemi këtu, por edhe qindra e mijëra të tjerë që na ndjekin, por ndoshta nuk kanë guximin të vijnë këtu.
Jemi në një regjim dhe sot për fat të keq, për kryeministër kemi të birin e atij që ka firmosur për varjen e një poeti vetëm pse i shkruajti lirisë, të drejtave.
Jemi në një regjim sepse për fat të keq janë rikthyer të njëjtët apo bijtë e tyre me të njëjtat metoda si të Sigurimit të Shtetit.
Kanë futur edhe sistemin monstruoz të patronazhimit, jam e sigurt se edhe këtu kemi patronazhistë, por i kanë bërë llogaritë gabim sepse ju jeni qëndrestarët e fjalës së lirë.
Sot kemi një qeveri një lukuni të babëziturish. Edi Rama ka instaluar një regjim dhe nuk do të ndalet.
Por do e ndalim ne, jemi më të fortë se kurrë për të ndalur këtë regjim që na shkel të drejtat.
Sot jemi shumë, nesër do jemi akoma më shumë.
O sot, o kurrë!
Zoti ju bekoftë!