DEKLARATË PËR MEDIA ANËTARJA E KËSHILLIT BASHKIAK PËR PD, ALBA KEPI
Gënjeshtari që shtiret si kryebashkiak i Tiranës, Erjon Veliaj, vijoi të bënte dy gjërat që di të bëjë më mirë: të betonojë duke tjetërsuar e shkatërruar çdo hapsirë të hapur, të gjelbërt dhe sportive që i kishte mbetur Tiranës, dhe të mashtrojë qytetarët që me presion, me para dhe me gënjeshtra, iu mori votat vetëm pak muaj më parë.
Nëpërmjet dy Vendimeve, atij nr. 10601 të datës 8 mars 2021 “Për miratimin e fazës I të planit të detajuar vendor të njësisë strukturore TR/390”, dhe nr. 10918, të datës. 10 mars 2021, “Për miratimin e fazës II të planit të detajuar vendor të njësisë strukturore TR/390-1”, ndryshoi përdorimin e terrenit të Kompleksit Sportiv Dajti nga sportive në një njësi me përdorim banimi”.
Megjithëse i kishte marrë këto Vendime në fshehtësi të plotë për shkatërrimin e këtij oazi sportiv, ndër të paktët të mbetur në Tiranë ai gënjeu qytetarët e Tiranës në fushatën e prillit të vitit të kaluar dhe deklaroi se Kompleksi do të mbetej sportiv, bile akuzoi kundështarin e tij për dezinformim publik.
Në kundështim të plotë me Planin e Përgjithshëm Territorial të Bashkisë Tiranë dhe Planit të Detajuar Vendor për këtë njësi – të cilat përcaktonin një lartësi deri në 9 kate, në Mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Territorit (KKT), të datës 18 tetor 2023, Edi Rama miratoi Leje Zhvillimi, dhe në Mbledhjen e KKT, të datës 26 dhjetor 2023, Leje Ndërtimi për objektin: “Godinë banimi, shërbimi dhe hotelerie 6, 13, 20, 27, 34 dhe 41 kat dhe 5 kate parkim nëntokë”, në terrenin e Kompleksit Sportiv Dajti.
Sikurse prezantohet nga studio portugeze e projektimit, godina e emërtuar Hora Vertikale është një projekt me sipërfaqe mbitokësore prej 55,000 m2 dhe lartësi 140 m, faza e parë e ndërtimit ka marrë lejen e ndërtimit dhe është planifikuar të hapet në pranverën e ardhshme.
Ky është Veliaj dhe ky është Edi Rama, që vetë firmosi për kalimin e kompleksit Partizani nga sportiv në rezidencial, dhe po vetë urdhëroi SPAK që të arrestojë liderin e opozitës, Sali Berisha. Tani, po dora dhe firma e tij lejon që kompleksi Dajti të prishet dhe aty të ngrihet një tjetër seri kullash dhe biznesesh për sistemin e patronazhistëve të Rilindjes.