KRYETARI I PARTISË DEMOKRATIKE, SALI BERISHA KONFERENCË ME GAZETARËT
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, në konferencën me gazetarët ditëne sotme, ngriti pikëpyetje të forta mbi mënyrën dhe rrethanat e arrestimit të Ergys Agasit. Berisha deklaroi se elementët e operacionit krijojnë dyshimin për një “arrestim të negociuar” dhe kërkoi që hetimi të ndiqet me vëmendje të veçantë nga institucionet ndërkombëtare.
Berisha theksoi se Agasi ka pasur për vite me radhë një ndikim të gjerë në administratën shtetërore dhe në struktura të rëndësishme të sigurisë, ndërsa ngriti dyshime edhe për aksesin e tij në të dhëna sensitive dhe sistemet digjitale shtetërore. Ai e cilësoi Agasin si një person me pushtet de facto dhe shtoi ndër të tjera se zyra e tij në Tiranë ka shërbyer si pikë takimi për zyrtarë të lartë të shtetit, përfshirë ministra, deputetë, gjyqtarë, prokurorë dhe drejtues të policisë.
Kryedemokrati, Sali Berisha kërkoi që autoritetet të sqarojnë të gjitha rrethanat dhe që procesi të monitorohet nga Europol, Eurojust dhe institucionet ligjzbatuese të vendeve partnere.
Lideri demokrat, Sali Berisha theksoi gjithashtu se hetimi duhet të verifikojë informacionet mbi lëvizjet dhe kontaktet e Agasit, përfshirë një takim me Taulant Ballën. Berisha e cilësoi këtë si informacion të ardhur nga një burim policor, por theksoi se duhet verifikuar nga hetuesit.
Gjatë sesionit të pyetje-përgjigjeve me gazetarët, Berisha u pyet nëse pas arrestimit të Agasit qëndron një vendimmarrje e kryeministrit Edi Rama dhe nëse mund të ketë pasur ndërhyrje nga aktorë të tjerë brenda qeverisë.
Berisha u përgjigj se, nëse arrestimi rezulton të jetë i negociuar, përgjegjësia politike shkon te Edi Rama. Ai ngriti gjithashtu mundësinë që përplasjet e brendshme në mazhorancë, përfshirë raportet me Belinda Ballukun, të kenë ndikuar në zhvillimet rreth çështjes, por pa e përjashtuar tezën e një marrëveshjeje të drejtpërdrejtë.
I pyetur për rolin e Taulant Ballës, Berisha përsëriti informacionin për një takim me Agasin dhe tha se duhet të hetohet nëse Balla ka pasur rol në ndonjë negociim për dorëzimin e tij.
Një tjetër pyetje lidhej me faktin nëse arrestimi i Agasit ndryshon realisht situatën politike. Berisha argumentoi se, problemi kryesor mbetet pushteti i Edi Ramës, pasi një person tjetër mund të marrë të njëjtin rol dhe të njëjtin ndikim nëse sistemi politik mbetet i pandryshuar.
Kryetari i PD, Sali Berisha u pyet edhe për reformën territoriale dhe qëndrimin e PD-së në parlament. Ai deklaroi se opozita nuk tërhiqet nga kundërshtimi i reformës së propozuar nga qeveria dhe se qëndrimi i mëtejshëm do të përcaktohet nga strukturat e partisë. Ai paralajmëroi vijimin e aksionit opozitar, protestave, modernizimit të PD-së dhe përgatitjeve për zgjedhjet e ardhshme.
Pyetjet e gazetarëve u ndalën edhe te videot e regjistruara në zyrën e Ergys Agasit dhe përmbajtja e tyre. Berisha i cilësoi këto materiale si “galeria më e zezë e shtetit shqiptar”, duke theksuar se ato janë nën kontrollin e kryeministrit Rama. Lideri demokrat e sfidoi hapur Ramën që të dalë publikisht dhe të deklarojë nëse është apo jo pjesë e personazheve të regjistruara në këto video.
Berisha e mbylli konferencën duke e vendosur çështjen Agasi në një kuadër më të gjerë politik: hetimi nuk duhet të ndalet te arrestimi i një personi, por duhet të zbardhë të gjithë mekanizmin e pushtetit, kontaktet dhe përgjegjësitë që mund të dalin prej tij, ndërsa përsëriti thirrjen për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

FJALA HYRËSE
Ergys Agasi, koordinatori i Edi Ramës për të gjitha organizatat kriminale dhe kartelet e drogës, njeriu që nëpërmjet AKSHI-t të Lindave, Lindës së Surrelit apo patronazhistes së AKSHI-t dhe Lindës drejtoreshë, ai kontrolloi çdo të dhënë në internet të shtetesve shqiptarë dhe shtetasve të huaj në territorin e Shqipërisë.
Ergys Agasi ishte dhe është personi, që sipas pohimeve verbale, ndryshonte, emëronte, çemëronte ministrat e Brendshëm dhe kishte një kontroll fjollë mbi SHIK-un, tashmë të denoncuar nga unë prej vitesh në mënyrë të përsëritur.
Miqësia e kryetares së SHIK-ut, drejtoreshës së SHIK-ut, me Agasin është denoncuar në mënyrë të përsëritur nga kjo platformë.
Kemi paralajmëruar se shtrirja e kontrollit dhe influencës së këtij mafiozi mbi shërbimin informativ kombëtar nëpërmjet miqësisë që kishte me Hysenin, e njohur tashmë si agjente e përbashkët e Ramës dhe Vuçiçit, lë dyshimet më të mëdha për infektimin e këtij institucioni.
Ergys Agasi ka pasur de facto, jo de jure, si arkitekt të interiorit, Edi Ramën për vilën e tij të ndërtuar pikërisht në zonën e ndërtesave qeveritare në Durrës.
I kemi denoncuar me kohë vizitat e tij, angazhimin e tij gjer në detaje në arredimin e vilës së supermafiozit Ergys Agasi.
Ergys Agasi ka disponuar në zonën më qendrore të Tiranës, një zyrë, studio apo ta quajmë ç’të doni, më e veçanta në llojin e saj në Shqipëri dhe mbase në Evropë.
Zyra e Ergys Agasit bënte regjistrime në figurë dhe zë, sapo të hapje derën dhe sapo të dilje nga ajo derë.
Maniak. Ishte maniak, se maniakët bëjnë akte që thua ti pse i bëjnë, i bënte ai.
Mirëpo regjistrimet e tij, duhet ta dinë shqiptarët, herë-herë provojnë se ajo zyrë ishte një kuplara e vërtetë në mes të Tiranës.
Në atë zyrë janë paraqitur pa asnjë motiv zyrtar ministra, ministre, drejtorë të përgjithshëm, drejtoresha të përgjithshme, deputetë, deputete.
Janë paraqitur gjykatës, prokurorë, zyrtarë të lartë të policisë, etj, etj.
Pra, zyra e Agasit në Bllok është zyra e një mafiozi ku përdoreshin të gjitha mjetet për arritjen e qëllimeve.
Këto fotot, zërat, videot, të gjitha i disponon prokuroria.
Ata po fshijnë ministrat, sipas disa burimeve.
Ata po fshijnë deputetët, po fshijnë zyrtarët më të lartë.
Por i garantoj se hetimi i tyre nuk do ndalet ndonjëherë.
Nuk ndalet ndonjëherë ai hetim.
Ergys Agasi u arrestua dje, pasi lëvizi 8 muaj lirshëm. Në Xhafzotaj tek shtëpia e vet, në Manzë dhe pika tjetër e trekëndëshit në Surrel.
Se pse shkonte në Surrel, atë ta hetojnë, por udhëtimet e tij në Surrel janë denoncuar disa herë në këtë platformë.
Pra, Agasi në aparencë ishte në kërkim, por de facto ishte i lirë. Lëvizte kudo, natyrisht me shoqërues lëvizte, duhet ta theksoj këtë.
Tani vijmë tek momenti i arrestimit afër shtëpisë së tij me pantallona të shkurtra, me nallane dhe një polic në timon.
Çfarë ishte ky arrestim?
Nallanet, pantallonat e shkurtra, polici në timon, të gjitha këto flasin për një arrestim të negociuar.
A ju kujtohet ju kur u dorëzua famozi Balili? U kujtohet apo jo? Nxirruani qytetarëve. Cilin pati shofer famëzi Balili? Ardi Veliun.
Edhe ky Shpatarakun. Ai Veliun.
Nuk mund të them me siguri, por qytetarët dixhitalë më kanë informuar se sipas burimeve të tyre policore, e theksoj, ditën e diel në një lokal të kontrolluar nga karteli në Elbasan, Taulant Balla ka zhvilluar një takim jo të shkurtër me Gys Agasin.
Vetë qytetari digjital thotë që është mirë të hetohet, por burimi është mjaft serioz dhe i sigurtë.
A mori përsipër Taulant Balla negociatat me të në emër të Ramës dhe me porosi të Ramës, nuk mund të them, por qytetari dixhital thotë se është takuar me të.
Agasi është pronar i makinave të blinduara, i makinave më luksoze.
Shkoi dhe u gjet në një makinë krejtësisht koti, me shofer policin.
Edhe kjo, pra.
Janë disa elementë pra, që po t’i lidhësh bashkë, flasin për një arrestim të negociuar.
Por arrestimi i tij është një zhvillim pozitiv në mënyrë të padiskutueshme.
Ajo çka PD kërkon, i bën thirrje Europolit, Eurojustit, vendeve partnere të monitorojnë me seriozitetin më të madh këtë proces.
Ata kanë legjitimitet të plotë sepse veprimet e Ergys Agasit janë bërë edhe në dëmtim të shtetasve të tyre në territorin e Shqipërisë.
Ai kontrollonte çdo person që hynte dhe të gjitha komunikimet.
Në këtë kuadër, procesi Agasi mund të tejkalojë çdo proces të zhvilluar gjer sot ndaj bosëve të mafies në Itali, SHBA dhe gjetiu pasi informacionet që ka disponuar Agasi në internet kanë qenë të pakufishme.
Agasi ka qenë një rrezik për NATO-n.
Agasi të gjitha të dhënat e sistemit TIMS, ua ka dhënë armiqve të NATO-s dhe kartelit të Troplinëve, midis të tjerash.
Ndaj, edhe njëherë thirrja ime për organizatat ndërkombëtare, Europolin, Eurojustin, por edhe agjencitë e zbatimit të ligjit të vendeve partnere, të angazhohen në monitorimin dhe ridimensionimin e e hetimit për Ergys Agasin që është vetë Edi Rama, që ka vepruar në emër të Edi Ramës, që ka në kontroll të plotë Edi Ramën.
Dhe e mbyll këtë me thirrjen për dorëheqje urgjente të Edi Ramës, pasi nuk është gjë tjetër, veçse një Agas në karrigen e kryeministrit.
SESIONI PYETJE-PËRGJIGJE ME GAZETARËT
Ambrozia Meta, SYRI TV: Ju e përmendet edhe pak më parë se çështja e arrestimit të Ergys Agasit ka ngritur pikëpyetje për mënyrën se si u bë. Është ekzekutuar nga Policia e Shtetit, çka do të thotë se për arrestimin është dhënë edhe miratimi i kryeministrit Edi Rama. Pse do ta dorëzonte Edi Rama, Ergys Agasin në këtë momente? Dhe a keni ju informacione nëse kanë qenë të përfshirë në operacion ose është kërkuar kjo gjë nga ambasadat? Dhe raporti me Belinda Ballukun, mund të ketë gisht ish-zëvendëskryeministrja në këtë arrestim?
Sali Berisha: Pyetje e drejtë. Në rast se ky është një arrestim i negociuar, nuk ka diskutim që është një arrestim i negociuar nga Edi Rama. Dhe pastaj bëhet një proces si në rastin e Ilir Beqajt, që i thonë ke ngrënë një drekë me paratë e evropianëve në restorantin tënd dhe dënohesh me kaq, paçka se në anën tjetër janë 300 milionë koncesionet e shëndetësisë dhe nuk thuhet një fjalë. Madje edhe ai zëvendësministri, që e kishte si kushëri ky, u lirua fare.
Pra, kemi të bëjmë me një rast ku Edi Rama arrin nëpërmjet kontrollit që ka me SPAK-un ta ripërsërisë… apo të bëjë siç bënë me Alqi Bllakon. A e di ku është sot Alqi Bllako? Është këshilltar i Haram Begajt, i dënuar me burg për vjedhjet që ka bërë në djegësat, tani është këshilltar i Bajramit.
Kush paguan më shumë, shkon më lart. Nuk ka këtu.
Prit ti, Oltion Bistri, kur ta shohësh ndonjë ditë në funksionet më të rëndësishme.
Nuk kanë këta asnjë lloj kriteri moral apo zyrtarë të vërtetë.
Në këtë kuadër, thashë këto elementë që rendita flasin që është një arrestim i negociuar.
Pse?
U bënë përpjekje që ta paraqesin të zhdukur si Vis Martinin dhe tentativa të forta në këtë drejtim.
Menduan se duke nxjerrë opozita një tezë të tillë, do ta bënin më të besueshme.
Por opozita nuk ra në kurthe të tilla.
Arrestimi i Ermal Beqirit në Francë e la këtë krejtësisht të zbuluar dhe ne e denoncuam.
Ky lëvizte, ky shkonte në Surrrel.
U bë pra tepër vulgare dhe akuzuese për Edi Ramën prania e tij e lirë.
Kështu që ka shumë mundësi që Rama bëri një marrëveshje me të për ta mbyllur siç mbylli dosjet e tjera ku është vetë i implikuar gjer në palcë. Tek djegësi i Tiranës që ka dhënë tetë muaj përpara bonusin për kompaninë që nuk ekzistonte. Apo të tjera me radhë.
Në këtë kuadër, a ka mundësi të jetë një ndërhyrje e Ballukut kundër Ramës? Nuk përjashtohet, por ç’është e vërteta ajo që më prish punë në të gjithë këtë, nallanet dhe pantallonat e shkurtra flasin më shumë për tezën e parë.
Mundet pa diskutim që ndikimi i Lubisë tek drejtori aktual i përgjithshëm është patologjik dhe të kenë vepruar.
Çfarë do t’i sillte Lubisë kjo tani në qoftë se ka bërë? Kjo shtrinte lakun e saj jo vetëm në fytin e Edi Ramës, por edhe në fytin e Linda Ramës.
Kështu që, një siguri ia jepte edhe më të madhe Lubisë që në qoftë se ti nuk heq dorë ose në qoftë se ti lëkundesh në mbrojtje ndaj saj, ndaj Lubisë, atëherë nuk do jesh vetëm ti që do shkosh me Lubinë, por do jetë edhe Linda, patronazhistja e AKSHI-t që do të ndjekë nga mbrapa.
Në pallatet e krimit nuk ka intrigë që nuk mund të përfytyrohet.
Ambrozia Meta, SYRI TV: Ju përmendet faktin që ka qenë Taulant Balla njeriu që ka negociuar, le të themi, dorëzimin e Ergys Agasit sipas informacioneve që vijnë nga qytetari dixhital. Pse do negocionte Taulant Balla arrestimin e njeriut që e hoqi nga detyra le të themi, ose e shkarkoi?
Sali Berisha: Ke të drejtë. Taulanti ka thënë, jo vetëm Taulanti, janë 3 ministra që kanë thënë se ne na shkarkuar Ergys Agasi.
Tani, po të shohësh hartën ose kompozimin politik, kush ka pasur protagonizëm në këtë verë të nxehtë për Edi Ramën?
I pari, ka qenë Taulanti, Blendi Gonxhja, Zeqineja dhe Sara Mila.
Të tjerët kanë heshtur si fija e varrit.
Tani Taulanti, e vërteta është që, ka bërë protagonizëm në mbrojtje të Edi Ramës.
Thuhet se, do shpërblehet me postin e kryetarit të parlamentit, nuk e di, por këtë e kam deklaruar edhe këtu, para dy tre javësh më kanë thënë se ai është i projektuar.
Në këtë aspekt, duke e parë veten në rrethin më të ngushtë të Ramës, mundet që Rama ta ketë ngarkuar Taulantin, duke pasur parasysh lidhjet e tij si mishi me thoin me kartelin e Elbasanit.
Mundet e gjitha kjo.
Tani, burimi thotë, këto i kam nga një burim serioz policie.
Por verifikim duhet.
Prandaj po të duan hetuesit, ta hetojnë.
Ambrozia Meta, SYRI TV: Fakti që është arrestuar Ergys Agasi në thelb nuk i ndryshon shumë gjërat për sa kohë është Edi Rama ai që përcakton se kush do ketë pushtet, çfarë do të thotë se mund të ngrejë një tjetër person, i cili ashtu siç erdhi Ergys Agasi nga një person i zakonshëm në administratë, u bë një nga njerëzit më të fuqishëm dhe Rama këtë pushtet mund t’ia japë dikujt tjetër. Në thelb të të gjithës, është në njëfarë mënyre lufta me kryeministrin Edi Rama. Si do sillet opozita në sesionin e ri parlamentar? Dhe në këtë pikë që kanë arritur gjërat, a ka kuptim që ju të qëndroni në tryezën e reformës zgjedhore për sa kohë që Edi Rama shkoi dhe bëri një propozim të njëanshëm për reformën territoriale?
Sali Berisha: Tani, për reformën territoriale ne sot kemi një mbledhje të Këshillit Kombëtar dhe një nga pikat e rendit të ditës është reforma territoriale ku do marrim vendimet tona.
Pa diskutim që ne do i përgjigjemi bojkotit të njëanshëm që Edi Rama i bëri reformës territoriale.
Ne kemi vazhduar punën. Përfaqësuesit tanë kanë shkuar në të gjitha dëgjesat publike dhe në të gjitha protestat e organizuara për shkak të reformës.
Kanë pasur një konsultë shumë të mirë me Kongresin e Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës.
Kanë takuar përfaqësues të ambasadave të vendeve të mëdha në Tiranë.
Këto gjëra tani.
Qëndrimi ynë tjetër do përcaktohet sot për hapat që do ndërmarrim.
Ne nuk tërhiqemi nga refuzimi kategorik i reformës të Edi Ramës.
Dhe po shfrytëzojmë çdo lloj hapësire që mund të gjejmë për ta kundërshtuar atë.
Ambrozia Meta, SYRI TV: A do të lejoni zhvillimin e seancave plenare në Parlament në këtë situatë, meqë keni thënë se bojkoti nuk do të ndodhë?
Sali Berisha: Ne, në këtë seancë, dy çështje kemi, dhe këto lidhen me të drejtat tona themelore kushtetuese. Deputetët tanë, nga java e dytë, ose e tretë e majit kanë pregtitur amendamentet për t’iu përgjigjur të gjitha kërkesave me shkrim të përfaqësisë së protestës, për ndryshimin e ligjeve dhe në shkelje flagrante me Kushtetutën. Kryesia e parlamentit i ka mbajtur në sirtar dhe nuk i ka sjellë në seancën plenare, gjë e cila, bëri që ne të mos paraqitemi në 2 seanca plenare.
Lidhur me ligjin për Reformën Territoriale, se kanë një ligj ata. Sigurisht që, ne qendrojmë fuqishëm kundër këtij. Një nen kemi ne në statut, për shkak të përvëlimit që patëm me ato bojkotet e zgjedhjeve lokale, etj., që ne nuk bojkotojmë. Kjo është. Dhe kjo, sigurisht, ndonjëherë ka edhe pasoja jo të dëshiruara, por do t’i përmbahesh sepse, nuk është se bojkoti sjell ndonjë gjë. Përshembull, ne vërtetë patëm kërkesa të shumta që të marrim pjesë në Reformën Territoriale, edhe me përfaqësi nga komunitetet, ndonëse ishim të bindur që, Edi Rama në mënyrë absolute ndjek vetëm interesin e pushtetit të tij. Ne morëm pjesë. Morëm pjesë, e kam shpjeguar, edhe për faktin se, ishte një nga dy kërkesat themelore të Komisionit Europian në raport të tetorit për Shqipërinë. Kështu që, qendrimet do përcaktohen, por natyrisht ne do të vazhdojmë. E shpall dhe sot, pushtetin e fuqishëm për protestën, pjesëmarrje sa më masive në atë protestë dhe pastaj të gjithë veprimtarinë tonë për modernizimin e partisë, për Reformën Territoriale, pregatitjen e kandidaturave për zgjedhjet e ardhshme, e të gjitha në disa plane.
Anisa Kadesha, RTSH: A dini ju informacion, në lidhje me përmbajtjen e videove në zyrën e Agasit, pasi në mjedisin mediatik qarkullojnë informacione, se aty është diskutuar dhe për çështje të caktuara gjyqësore, sikundër edhe për zgjedhjet e 11 majit.
Sali Berisha: Ajo është galeria më e zezë e shtetit shqiptar. Por, ajo është në kontroll të plotë të Edi Ramës, pasi unë kam konstatuar, që aty është dhe vetë Edi Rama, sa për dijeni. I them Edi Ramës, e sfidoj, të dalë, të zotohet, që nuk është edhe ai personazh aty. Të dalë! Të bëjë be! Të zotohet, që nuk ka qenë. Se është sipas disa burimeve. Ka qenë, dhe është keq fare.
A ju thashë? Është një galeri e zezë, e ka nën kontroll Edi Rama.


