Afera e aeroportit të Vlorës/ Nikola Kedhi: Shqiptarët rrezikojnë të paguajnë sërish qindra milionë euro në arbitrazh, si shkak i pazareve të Edi Ramës

Deklarata e nënkryetarit të PD, Nikola Kedhi:

Mirëdita!

Aeroporti i Vlorës, që Edi Rama ua prezantoi shqiptarëve si një nga historitë e suksesit të qeverisë së tij, sot po shkon nga ‘aeroport ndërkombëtar’ në Arbitrazh ndërkombëtar.

Partia Demokratike ka muaj që paralajmëron se, pas fasadës propagandistike të Aeroportit të Vlorës fshihet një kontratë problematike, një strukturë pronësie me pikëpyetje dhe një risk financiar që në fund do t’u mbetej qytetarëve shqiptarë.

Le të kthehemi pas e të kujtojmë disa fakte.

Konsorciumi e fitoi koncesionin me një kompani turke, që sillte eksperiencën teknike aeroportuale. Pak më vonë, kjo kompani u largua dhe 40 për qind e aksioneve të saj kaluan për vetëm 4,450 euro, me miratimin e Ministrisë së Infrastrukturës.

Partia Demokratike asokohe ngriti shqetësime publikisht për këtë fakt duke denoncuar gjithashtu garancinë që shteti shqiptar i ka dhënë këtij projekti. Një hetim i pavarur i BIRN dokumentoi 138 milionë euro të ardhura të garantuara nga taksapaguesit në dhjetë vitet e para. Nëse shteti i garanton privatit 130% të vlerës që ka investuar, i bie që koncesionari ka zero rreziqe të marra përsipër, dhe kjo thyen totalisht konceptin e PPP.

Më pas, një projekt strategjik i Republikës u kthye për muaj me radhë në arenën e një konflikti mes ortakëve. Ndërsa sot, shteti shqiptar ka nisur procedurën për zgjidhjen e kontratës.

Behgjet Pacolli, investitori kryesor, deklaron se kompania e tij ka një ekspozim financiar mbi 320 milionë euro dhe paralajmëron arbitrazh ndërkombëtar kundër Republikës së Shqipërisë. Sipas dokumenteve, në rast të zgjidhjes së parakohshme të kontratës, buxheti i shtetit mund të ekspozohet të paktën edhe ndaj një kredie prej 56 milionë eurosh të marrë nga kompania koncesionare.

Edi Rama duhet t’u thotë shqiptarëve sot: Sa është ekspozimi real financiar i Republikës së Shqipërisë? Sa mund t’i kushtojë qytetarëve shqiptarë prishja e kësaj kontrate?

Çfarë pretendimesh financiare mund të ngrihen ndaj Shqipërisë në arbitrazh?

Dhe kush do të mbajë përgjegjësi për vendimet që na sollën këtu?

Në të njëjtën kohë, i bëjmë thirrje SPAK-ut të nisë hetimet dhe të verifikojë menjëherë të gjithë zinxhirin e vendimmarrjes për këtë koncesion, ndryshimet në strukturën e pronësisë dhe çdo veprim apo mosveprim që mund t’i ketë shkaktuar dëm financiar shtetit shqiptar.

Ky është një rast i përsëritur, ku për shkak të korrupsionit galopant, të modelit autokratik e mobokratik të qeverisjes, të kontrollit të çdo vendimi nga një njeri i vetëm, asetet strategjike të shqiptarëve jepen, shpërdorohen, bëhen mall tregtie për interesat e kryeministrit, dhe në fund faturën e paguajnë shqiptarët.

Shqiptarët, siç po dëshmojnë me protestat mbi 2 mujore, duan një model të shtetit të së drejtës, balancë të pushteteve, investimet të huaja serioze që mund të konkurrojnë e jo klientët e qeverisë, dhe ku askush nuk është mbi ligjin.

Partia Demokratike dhe qytetarët shqiptarë janë të vendosur të rindërtojnë një shtet serioz me kontrata transparente, konkurrencë reale, siguri juridike dhe përgjegjësi për çdo para që qytetarët nxjerrin nga xhepi.

Nuk mund të vazhdojë ky model ku fitimin merr Edi Rama, ndërsa dështimin dhe faturën e paguajnë shqiptarët.

Dhe nuk është hera e parë: 110 milion euro u ka kushtuar shqiptarëve një tekë e Edi Ramës për të mbyllur televizionin e Agon Channel vetëm se ishte një media kundër qeverisë.

Për këtë arsye shqiptarët janë të shumtë çdo natë në Bulevard, duke kërkuar si kusht të panegociueshëm dorëheqjen e kryeministrit.

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale