Adriana Kalaja: Kompania ‘Tirana DC’ e bashkisë Tiranë, ende nën administrimin e Mariglen Qatos, pse SPAK nuk bën sekuestron e kësaj ndërmarrje bashkiake

DEKLARATA E KRYETARES SË KOMISIONIT TË APELIT NË PD, ADRIANA KALAJA:

Pse të gjitha shoqëritë që vjedhin 100% taksat e qytetarëve të Tiranës janë ideuar dhe kanë ortak faktik Erion Veliaj?

Pse themi ne se çdo gjë fillon me iniciativë e Veliajt e të gjitha lidhen me pastrimin e parave të krimit dhe korrupsionit?

Ashtu si me Ligjin Special dhe shumë ligje apo vendime të tjera, akti mafioz i radhës gjendet në vendimin nr 134 te 30 shtatorit 2020 te Këshillit Bashkiak, e krijimit të shoqërisë së ndërtimit ‘Tirana DC’ sh.a, me kapital 50 milionë lekë të reja dhe, ku zotëruese me 100% të aksioneve është Bashkia Tiranë.

AMT kallëzoi në SPAK Veliaj dhe bashkëpunëtorët e tij, ata që sot janë pas hekurave nga Redi Molla e Maringlen Qato për veprat penale të:

‘Shpërdorimi i detyrës’, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, ‘Shkelja e barazisë se pjesëmarrësve ne tendera apo ankande publike’, parashikuar nga neni 258 i Kodit Penal, ‘Korrupsioni pasiv i personave qe ushtrojnë funksione publike’ parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal, ‘Korrupsioni pasiv i funksionareve te lartë shtetërorë ose i te zgjedhurve vendore’, parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal, ‘Pastrimi i produkteve të veprës penale’, parashikuar nga neni 287 i Kodt Penal, në bashkëpunim parashikuar nga neni 25 i Kodit Penal.

Po kështu, kërkuam edhe urdhërimin e vendosjes së sekuestros preventive mbi aksionet e shoqërisë ‘Tirana DC’ sh.a, deri në zgjidhjen përfundimtare të çështjes në Gjykatën Kundër Korrupsionit dhe Krimit te Organizuar parashikuar nga neni 174 i Kodit të Procedurës Penale, si një masë eminente dhe parandaluese për dëmin që do i shkaktohej Tiranës dhe qytetarëve të saj, kërkesë e cila jo vetëm nuk u mor në konsideratë atëherë nga SPAK, por edhe sot kur dy nga administratorët e saj janë pas hekurave.

‘Çuditërisht’, ish-administratori dhe eksperti kontabël (në kundërshtim të plotë më ligjin) Molla dhe administratori aktual i shoqërisë Tirana DC Qato, jo vetëm që janë të lidhur edhe me aferën që po hetohet nga SPAK ‘5D’, por janë edhe me masën e sigurisë prej muajsh ‘arrest me burg’, ndërkohë që ekstrakti i QKB që paraqesim sot figuron me administrator Qaton.

E veçanta e kësaj shoqërie është se aktorët janë po ato të shoqërisë ‘5D’, dhe janë po ato që lëvizin nga njëra drejtori në tjetrën apo ato të varësisë të Bashkisë Tiranë, dhe që duke përfituar tendera në kundërshtim me ligjin, kanë vjedhur 100 % taksat e qytetarëve të Tiranës.

Edhe kur i kërkuam SPAK të bashkojë këtë dosje me atë të ‘5D’, përgjigja e shërbëtorit të rilindjes Kondili, ishte refuzuese, ndërkohë që sipas provave që paraqesim sot demi i shkaktuar shtetit me një shoqëri efektivisht inekzistente është mbi 3.5 milionë euro.

Qëllimi kryesor i krijimit të kësaj shoqërie, nuk është përzgjedhja e fituesit siç duan ta shesin ata që i shërbejnë mafies pasi, Erion Veliaj asnjëherë në këto vite nuk e ka patur problem fituesin.

Mafia rilindase e kishte hallin gjetiu.

Si te shmangte kontrollin e PARASË.

Dhe si mund të bëhej kjo?

Duke shmangur tenderimin si kusht ligjor në garë dhe auditimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Vetëm kështu arrihet pastrimi i produkteve të veprës penale.

Së pari, nëse shihet objekti i aktivitetit sipas VKB Nr.134, ‘projektim, rindërtim, ndërtim, zbatim, kolaudim të ndërtimeve të të gjitha llojeve’, në krahasim me atë të regjistruar në QKB, (gati 2 faqe) do e kishin zili dhe kompanitë më të fuqishme.

Së dyti, fillimisht, eksperti kontabël i kësaj shoqërie ka qenë vetë administrator (03.10.2020-15.02.2021), ndryshe Redi Molla i cili do kontrollonte veten dhe i cili sot është pas hekurave, dhe që u largua nga kjo detyrë, pasi vodhi dhe bleu votat më 14 maj 2023, më datë 14.09.2023, duke u zëvendësuar nga një bandit tjetër si Maringlen Qato.

Së treti, anëtarë të bordit të administrimit janë:

1. Arbjan Mazniku, sot ministër shteti.

2. Laura Deliu, e denoncuar/kallëzuar për aferat korruptive të Tirana DC, 5 D dhe të tregut të fruta perimeve.

3. Maringlen Qato, i cili sot është pas hekurave.

Në një analizë të Pasqyrave Financiare të vitit kësaj shoqërie për vitin 2022 dhe duke i krahasuar me vitin 2021 evidentohet se:

1. Të ardhurat janë 0 lekë.

2. Shpenzimet e tjera janë rritur me 74 % (nga 3.4 milion euro në 4.1 milionë euro).

3. Si mund të shpenzohen 4.1 milionë euro për zërin paga ndërkohë që Të Ardhurat janë 0?

E gjitha kjo në fakt nuk e shqetëson Velian përsa kohë ka garanci se Qato e Molla nuk do flasin.

Edhe fakti se SPAK nuk po reagon ashtu siç e parashikon ligji e Kushtetuta.

SPAK me veprime hetimore duhet tu japë përgjigjeve pyetjeve si:

1. A është i detyruar SPAK të ndërmarrë veprime për këtë shoqëri që administrator i saj ndodhet pas hekurave?

2. Kush është aktiviteti i kësaj shoqërie dhe si janë kanalizuar shpenzimet e saj për paga (prej 4.1 milion euro)?

3. A ka blerë apo marrë prona për zhvillim kjo shoqëri dhe si janë evidentuar?

4. Kush janë pronat shtetërore dhe private që bashkia Tiranë është investuar më këtë shoqëri me kontrata bashkëpunimi?

5. Sa është dëmi që ka krijuar kjo shoqëri Buxhetit të Bashkisë Tiranë?

Pavarësisht, pasivitetit apo bërjes palë të SPAK me ‘kolegun’ e tyre Veliaj, ne do e çojmë deri në fund kauzën tonë për pastrimin e Bashkisë Tiranë nga banditë si Veliaj dhe bashkëpunëtorë të tij që e kanë shkatërruar dhe përçudnuar Tiranën me paratë e pista të krimit e korrupsionit.

Ndaj, Ju ftojmë të na bashkoheni nesër ora 11.00 para bashkisë Tiranë, për t`ja kthyer këtë bashki qytetarëve të saj të vjedhur deri në100 % të taksave të tyre.

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale