FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË TAKIMIN ME GRATË DHE VAJZAT
EKSTRAKT
Me rastin e 8 Marsit-Ditës Ndërkombëtare të Gruas, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, mori pjesë në takimin me gratë dhe vajzat demokrate të organizuar nga Lidhja Demokratike e Gruas dhe Departamenti BrainGain në PD. Duke përshëndetur këtë takim, Berisha vlerësoi rolin e vajzave dhe grave në politikë, në shoqëri dhe në familje, duke e konsideruar kontributin e tyre si thelbësor për opozitën dhe për të ardhmen e vendit. Në fjalën e tij, ai theksoi se gratë shqiptare janë një nga shtyllat më të rëndësishme të rezistencës politike dhe shoqërore, duke i përshkruar ato si “fibra kryesore e opozitës shqiptare dhe e Partisë Demokratike”.
Kryedemokrati Sali Berisha shprehu respektin dhe mirënjohjen për të gjitha gratë dhe vajzat shqiptare, duke theksuar se 8 Marsi është një simbol i vlerësimit që ato meritojnë çdo ditë. “Ju uroj gëzuar këtë ditë, e cila në fakt nuk është gjë tjetër veçse njëra nga ditët e vitit në të cilën ju meritoni nderim të përditshëm, të përorëshëm,” u shpreh ai, duke shtuar se kontributi i grave në shoqëri është shumë më i madh sesa shpeshherë pranohet publikisht.
Sipas tij, gratë jo vetëm kontribuojnë në profesionet e tyre, por edhe mbajnë peshën kryesore të organizimit dhe mirëqenies së familjes. “Kontributi i gruas shqiptare është i shumëfishtë krahasuar me kontributin e burrave,” tha ai, duke shtuar se ato përballen çdo ditë “me punën në profesionet e tyre, por edhe me punën në familje, e cila është një kontribut real për të gjithë shoqërinë”.
Gjatë fjalës së mbajtur, lideri i opozitës shqiptare Sali Berisha e vuri theksin në luftën për barazinë dhe të drejtat e grave. Ai e përshkroi patriarkinë si një pengesë historike për zhvillimin e shoqërisë dhe për realizimin e plotë të të drejtave të grave. “Muri i patriarkisë është dhunuesi më kryesor i të drejtave të njeriut kudo në botë,” deklaroi ai, duke theksuar se rrëzimi i këtij muri është një betejë e gjatë dhe e rëndësishme për barazinë dhe dinjitetin njerëzor.
Kryetari i Parisë Demokratike Sali Berisha u ndal edhe tek sfidat që, sipas tij, përballen gratë shqiptare në realitetin aktual social dhe politik të vendit. Ai theksoi se nënat dhe gratë janë shpesh ato që përballen më drejtpërdrejt me vështirësitë ekonomike, sociale dhe institucionale. Gjatë fjalës përshëndetëse, kryedemokrati Sali Berisha u bëri thirrje grave dhe vajzave që të vazhdojnë të jenë aktive në jetën politike dhe shoqërore, duke theksuar se momenti aktual kërkon energji, guxim dhe vendosmëri. “Në kilometrin e fundit kërkohet forca, energjia, guximi dhe vendosmëria e grave,” tha ai, duke i ftuar ato të vazhdojnë angazhimin në atë që ai e quajti një betejë për demokracinë, familjen dhe të ardhmen e Shqipërisë.







FJALA E PLOTE:
Mirdita dhe përshëndetjet e mia më të përzemërta, nderimet më të mëdha për ju, zonja dhe zonjusha të pranishme në këtë sallë, për demokratët dhe demokratët, për demokratët kudo që ndodhen sot, por dhe për të gjitha gratë shqiptare.
Ju uroj gëzuar këtë ditë, e cila në fakt, tek Albana e tha bukur, nuk është gjë tjetër veçse njëra nga ditët e vitit në të cilën ju meritoni nderim të përditshëm, të për orëshëm. Dua të shpreh një mirënjohje të pakufishme ndaj jush, ndaj të gjitha grave dhe motrave, vajzave demokrate, të cilat me ndihmesën, me guximin, me qëndresën e tyre, janë fibra kryesore e opozitës shqiptare dhe e Partisë Demokratike.
Kontributi i juaj, kontributi i gruas shqiptare është i shumëfishtë krahasuar me kontributin e burrave, djemve dhe ky është një realitet sot.
Sot, në Shqipëri dhe mbarë botën, epërsia intelektuale e vajzave dhe e grave është definitivisht e konfirmuar. Sot në Shqipëri dhe në mbarë botën, eficenca e tyre është definitivisht e konfirmuar.
Sot, dhe kjo ka qenë gjithnjë, kontributi i tyre në zhvillimin e një shoqërie ka qenë rreth dy herë më i madh sesa i burrave, sepse ju përballeni në 24 orë me punën në profesionet tuaja, por përballeni dhe me punën në familjet tuaja, e cila është një kontribut real për të gjithë shoqërinë dhe një kontribut thelbësor në nga atë çka një shoqëri krijon, të mirat që krijon.
Në këtë kuadër, detyrimet ndaj jush janë të pakufishme. Përsëri, nuk dua të harrojmë se muri i patriarkisë është dhunuesi më kryesor i të drejtave të njeriut kudo në botë, në Shqipëri, por kudo në botë.
Beteja kundër këtij muri është beteja më fisnike, është beteja më e rëndësishme e njeriut për barazi, për dinjitet, për të drejta njeriu. Ky mur 5000 vjeçar nuk shembet në dekada. Ky mur duhet shembur dhe gratë, vajzat, të gjithë ata të cilët besojnë se në forcën e jashtëzakonshme dhe rolin e tyre të jashtëzakonshëm në familje dhe shoqëri, duhet të bëjnë gjithçka që këtë mur ta zvogëlojnë çdo ditë e më shumë.
Ju garantoj se beteja me këtë mur ka qenë dhe mbetet një objektiv shumë i rëndësishëm, ndër objektivat më kryesorë të Partisë Demokratike.
Pa vendosur barazinë midis burrit dhe gruas, vëllait dhe motrës, nënës dhe babait, shoqëria s’mund të jetë kurrë një shoqëri e drejtë, një shoqëri e parimeve dhe e idealeve të larta njerëzore.
Por, në Shqipëri sot, ajo që përballet më shumë me të gjitha të këqijat e këtij regjimi është nëna, motra, gruaja dhe vajza. Ky është realiteti i trishtë për të gjithë ne.
Para syve tanë, kombi që nënat tona e sollën në shekuj dhe mijëvjeçarë si komb shqiptar, po tretet, po shkon drejt shuarjes të pashmangshme.
Dje ne kishim një takim për arsimin. Nga 801 mijë nxënës që kemi patur në arsimin parauniversitar në vitin 2013, në vitin 2025 kemi gjithsej 405 mijë fëmijë. Pra, në një hark kohor 11 vjeçar, ka një rënie prej 49.4%.
Së bashku me këto, këta janë parauniversitarë, në tërësi dhe familjet shqiptare po kaq janë larguar. Pra ka një shuarje. Përpjekja e njeriut për një jetë më të mirë është një përpjekje fisnike, dhe asgjë më shumë sesa jeta e keqe nuk i largon shqiptarët nga Shqipëria.
Zonja paraqiti rrugën e Librazhdit. Edhe më e dhimbshme, më katastrofë. Si ajo rrugë janë spitalet. Si ajo rrugë dhe më keq janë spitalet, janë shkollat, janë shërbimet. Të gjitha këto bien mbi shpatullat, mbi supet e nënave dhe motrave tona më shumë se tek të gjithë të tjerët. Shqipëria është e famshme, famëzezë, për vrasjen e grave, që nuk ka qenë, e përmendi, nuk e vetme, kanuni ka patur kufizimet e tij të mëdha, por gruas i jepte garanci të plotë jete.
Gratë dhe fëmijët i përjashtonte në mënyrë absolute nga çdo lloj hakmarrje. Kurse këtu, numri i grave që vriten barbarisht nga mizorë, nga njerëz mizorë, është dy herë më i lartë sesa të gjithë Europën marrë së bashku.
Sepse ky është regjimi i mizogjenisë. Ky është regjimi i banditëve, të cilët nuk kanë norma. Ju e patë çfarë ndodhi dje në parlament. Dhe unë duhet të dënoj me forcën më të madhe, t’i shpreh solidaritetin tim më të madh Albanës, e cila u agresua në atë mënyrë në parlament vetëm e vetëm se ka përfaqësuar me dinjitet ju.
Ajo, ajo në të gjitha tryezat kombëtare e ndërkombëtare ka qenë zëri juaj, zëri juaj i
guximshëm. Do t’ju tregoj vetëm një episod. Takon këtu dy përfaqësues të lartë të një vendi. Ata kishin përkthyesen e ambasadës së tyre. Dhe përkthyesja i thotë, “Unë nuk t’i përkthej këto fjalë që thua ti kundër qeverisë”.
Ai e kuptoi, bashkëbiseduesi i Albanës e kuptoi dhe domethënë, por dua të them, në këtë kaq urrejtje dhe kaq paturpësira, por ajo është e pamposhtur, siç jeni ju të pamposhtura, siç keni faktuar vetë ju në qindra herë që jeni të pamposhtura.
Dhe ata të cilët i lejojnë vetes sjellje të tilla dëshmojnë se ka një degradim të plotë moral dhe absolutisht në historinë e këtij vendi, kryeministër më mizogjen, as Shqipëria, as Europa nuk ka patur se Edi Rama. Këtë ta kemi shumë të qartë.
Ai është simbol i mizogjenizmit.
Partia Demokratike është pafundësisht mirënjohëse, mirënjohëse ndaj jush dhe ju garanton që me përkushtim të madh, do bëjë gjithçka. Së pari, për barazinë.
Së dyti, për të krijuar hapësira dhe mundësitë që ju të shpalosni të gjitha dhuntitë tuaja, të gjithë guximin, të gjithë fuqinë, të gjithë forcën krijuese tuaj. Ne jemi në një moment kritik, duhet ta pranojmë.
Jemi në një moment kritik ku nuk ku regjimi ka shpalosur para nesh duke sfiduar çdo qytetar shqiptar, egërsinë e pushtetit të tij. Ka vendosur të mbrojë vjedhjen e qytetarëve.
Ka vendosur ta dekriminalizojë vjedhjen e qytetarëve nga pushtetarët. Ajo që shihni ju si në aparencë si betejë midis Lubi Ballukut dhe gjyqësorit, jo. Është midis Edi Ramës, ju garantoj unë ju. Ajo është mëkatare, shumë, sepse ka 25 vite që i shërben si asistente në vjedhje e tij, edhe në bashki dhe kudo.
Po vjedhjet e mëdha i ka bërë Edi Rama.
Ligjet po i ndryshon për vete. Ndaj dhe në kilometrin e fundit kërkohet forca e grave, energjia e tyre, guximi i tyre, vendosmëria e tyre. Ne jemi në një provë të vërtetë.
Ne kemi patur dallgën jo në anën tonë, por ne jemi vetë dallga. Ne u provuam se ne jemi dallga dhe si e tillë ne, ne do t’u tregojmë, do t’i tregojmë vendin dhe këtij regjimi. Nuk ka të ardhme.
Ndaj dhe ju ftoj të vazhdojmë këtë betejë, këtë kryengritje paqësore me të cilën ne kemi, do të dënojmë për në kalendat e historisë, regjimin më të keq që kanë patur shqiptarët në tërë historinë e tyre.
Trashëgimia më e shkëlqyer e jonë, trashëgimia shpëtimtare e jona, ka qenë familja. Familja shqiptare. Edi Rama kundër familjes ka votuar ligjin më të keq që ekziston mbi tokë.
Ka vende që kanë ligje të ngjashme, por absolutisht, asnjë vend nuk ka ligjin kundër familjes si ky që u votua nga Edi Rama.
Edhe në këtë kontekst, kjo betejë e jona kundër tij është betejë për familjen shqiptare, e cila ka qenë shpëtimtare për kombin shqiptar dhe unë jam i bindur që këtë mision, vajzat dhe gratë shqiptare do ta përmbushin me dinjitet.
Edhe njëherë gëzuar! Gëzuar! Dhe një fitore të shpejtë e të sigurt.
Faleminderit shumë!


