DEKLARATA E ZEDHENESES SE PD, FLORIANA GARO:
Të dashur qytetarë,
Ndërsa Edi Rama na përshëndeste dje me foto në rrjetet sociale me krerët politikë europianë, një agjenci europiane, që nuk merr parasysh politikën, por shifrat dhe faktet, po dje, i dërgonte Shqipërisë dhe shqiptarëve një ‘kartolinë të zezë’ të gjendjes reale të vendit, përtej propagandës luksoze qeveritare.
Eurostat, Agjencia Europiane e Statistikave, në një studim të publikuar dje, zbulon se mbi 46 për qind e popullsisë në Shqipëri është në rrezik të varfërisë ose përjashtimit social.
Nëse varfëria është një term dhe gjendje lehtësisht e kuptueshme, me përjashtim, social sipas Eurostat, duhet kuptuar diferenca ndërmjet individëve që nuk mund ta përballojnë një mall, shërbim apo aktivitet të caktuar social.
Pra, thuajse gjysma e popullatës shqiptare nuk e ka këtë kapacitet.
Vlerësimi për Shqipërinë në raportin e publikuar dje mbi rrezikun e varfërisë dhe përjashtimin social në kontinentin europian, bazohet te të dhënat e vitit 2021. Në këtë periudhë në rajonin jugor të vendit 46.5% e popullsisë ishte në rrezik varfërie dhe përjashtimi social, në rajonin qendror 46.6% dhe në rajonin verior 46.7%.
Edhe pse ka një ndryshim të lehtë mes veriut të vendit dhe jugut e Shqipërisë së mesme, mund të thuhet se gjysma e popullsisë shqiptare është në rrezik përjashtimi social dhe varfërie.
Ajo çka e bën edhe më të rëndë këtë statistikë është fakti se, sipas Eurostat, treguesit për Shqipërinë janë dukshëm më të lartë krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Mali i Zi ka 34.1% të popullsisë në rrezik varfërie, Maqedonia e Veriut 32.6%, Serbia 30% ndërsa për Bosnjë-Hercegovinën dhe Kosovën nuk ka të dhëna.
Shqipëria është rreth 15 pikë më lart krahasuar me mesataren e rajonit dhe 25 më shumë krahasuar me mesataren e Bashkimit Europian.
Nëse shikohet grafiku shoqërues i të dhënave të Eurostat, harta e Shqipërisë është e shënuar me të zezë.
Nëse u referohemi shifrave të vetë INSTAT-it dhe censusit të fundit qeveritar, ku reklamohen 2.4 milionë shqiptarë, del që mbi 1.1 milion janë në kufirin e varfërisë dhe të përjashtimit social.
Partia Demokratike e sheh me alarm dhe keqardhje të thellë këtë degradim të Shqipërisë përgjatë dekadës së qeverisjes së Edi Ramës. Dy janë ‘arritjet’ e mëdha të Rilindjes: shpopullimi i vendit dhe varfërimi i gjysmës së popullatës së mbetur në Shqipëri.
Boritë e propagandës me miliona turistë dhe me suksese globale, sicc del nga shifrat e Eurostat nuk fusin gjë në xhepin dhe as llogaritë e shqiptarëve, por vetëm sa pasurojnë një grusht me ‘strategjikë’ në oborrin e Ramës.
Mosbindja civile, një qeveri teknike asnjanëse, që siguron zgjedhje të lira, një Komision parlamentar i të Vërtetës që zbulon lidhjet e krimit me politikën, dhe rotacioni janë e vetmja zgjidhje për Shqipërinë.
Çdo ditë me Edi Ramën është një ditë më shumë drejt varfërisë dhe shpopullimit!