FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË CEREMONINË E 35-VJETORIT TË GREVËS SË BSPSH
EKSTRAKT
Kryetari i PD, Prof. Dr. Sali Berisha, në 35-vjetorin e grevës së BSPSH, vlerësoi rolin vendimtar të sindikatave në rrëzimin e diktaturës dhe vendosjen e pluralizmit politik në Shqipëri. Ai theksoi se greva e udhëhequr nga Gëzim Kalaja dhe mbështetur nga qindra mijëra punëtorë ishte një moment historik që detyroi regjimin komunist të tërhiqej dhe hapi rrugën për ndryshime demokratike.
Berisha e cilësoi BSPSH si një nga lëvizjet më të qëndrueshme sindikale në Europën postkomuniste, duke nënvizuar kontributin e saj në mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve ndër vite.
Në fjalën e tij, lideri demokrat, Sali Berisha akuzoi Edi Ramën për vendosje të një “diktature autoritare”, duke kritikuar politikat ekonomike, shpopullimin dhe qëndrimet ndaj Kosovës. Gjithashtu, ai reagoi ashpër ndaj dekorimit të të atit të Ramës, duke e lidhur atë me krime të regjimit komunist.
Kryetari i PD, Sali Berisha bëri thirrje për mobilizim qytetar, duke e cilësuar situatën aktuale si një “kohë beteje” dhe duke shprehur bindjen se kjo betejë do të fitohet.

FJALA E PLOTË
I dashur z. Gëzim Kalaja, kryetar i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë.
Të dashur drejtues të BSPSH, të dashur të pranishëm, një përshëndetje kam për të gjithë ju, por edhe për miqtë tanë, vëllezërit tanë nga Kosova, nga Mali i Zi, që janë këtu të pranishëm për të nderuar një ngjarje të madhe në historinë e lirisë së shqiptarëve.
Një ngjarje epike, e cila shënoi për Shqipërinë kthesën e madhe, dhe kjo ngjarje ishte pikërisht greva e përgjithshme e BSPSH.
Shqipëria e vitit 1990 ishte vendi më i indoktrinuar në Evropë.
Ishte vendi më i mjeruar në Evropë.
Vendi ku diktatura vazhdonte e vriste në kufi të rinjtë pasi kishte hequr veprën penale të tradhtisë për largim nga Shqipëria.
I ekzekutonte për shkelje të rregullores së kufirit.
I ekzekutonte dhe i zvarriste trupat e tyre të njomë qyteteve për të terrorizuar.
Me 11 dhjetor, në një plenum për të shmangur skenarin rumun, siç thotë vetë, Ramiz Alia shpall pranimin e pluralizmit politik.
Por vetëm pak ditë më vonë, 3-4 ditë më vonë, mblidhen këtu tek teatri i estradës në një mbledhje sekrete dhe u deklaron zyrtarëve të tij se që nga Lufta e Dytë Botërore gjer sot, këta që themeluan PD-në janë armiqtë më të rrezikshëm të Shqipërisë.
Por, ndonëse në hapat më të para politike, dy vendime kanë qenë epike, them unë, të asaj kohe.
Njëra ishte, më 18 dhjetor, themelimi i gazetës opozitare Rilindja Demokratike dhe themelimi i Sindikatave, të cilat u shndërruan në mburojë, me shpejtësi të rrufeshme, në mburojën më të fuqishme, më të pamposhtur të foshnjës që lindi më 11 dhjetor, pluralizmit politik shqiptar.
Ishin sindikatat, të cilat u krijuan si një ortek dhe u kundërvunë me forcë e vendosmëri skenarit të Ramiz Alisë, i cili kishte përcaktuar zgjedhjet tre muaj më parë se të pranonte pluralizmin.
Kishte përcaktuar shkurtin si muajin e zgjedhjeve, në një kohë kur PD që do merrte pjesë, nuk ishte krijuar akoma përtej Tiranës dhe pak qyteteve.
Por sindikatat nuk e pranuan këtë skenar të Ramiz Alisë dhe për hir të të vërtetës, Valiasi i shndërrua në kryekështjellën e qëndresës, e shpresës, e rezistencës së shqiptarëve.
E detyruan diktatorin të shtyjë datën e zgjedhjeve dhe të plotësojë kërkesat.
E vunë në panik të plotësojë kërkesat.
Beteja vazhdoi.
Regjimi i Tiranës bashkërendoi me intensitet të gjithë veprimtarinë me regjimin e Beogradit.
Sllobodani dhe Ramizi shkrinë në një shërbimet e fshehta, me çdo kusht të mbanin njëri-tjetrin.
Por këto nuk ishin planet e PD dhe BSPSH.
Zgjedhjet e 11 marsit, partia shtet i festoi me gjakun e të rinjve në Shkodër, me gjakun e katër martirëve dhe plagosjen e 87 qytetarëve rrugëve të Shkodrës në një masakër që Shkodra nuk e ka njohur as në pushtime të egra.
Në Tiranë u vendos i njëjti kryeministër i dalë nga grushti i shtetit të Këshillit Presidencial, Fatos Nano si sfidë absolute ndaj forcave demokratike.
Por BSPSH kishte axhendën e tij, dhe pikërisht në momentin kur diktatura komuniste mendoi se do përdorte zgjedhjet tashmë pluraliste për të konsoliduar pushtetin e saj, Sindikata u hodh në sulm, u hodh në betejë.
BSPSH, i udhëhequr nga Gëzim Kalaja dhe bashkëpunëtorët e tij, shpallën grevën e përgjithshme, më të madhe në historinë e kombit.
300 mijë punëtorë në të gjitha skajet e vendit mbështetën grevën.
Dhe për t’i prirë grevës presidenti, me një grup bashkëpunëtorësh të afërt, zgjodhi grevën e urisë. U ndry në grevë urie në mos gabohem pak ditë më vonë.
Miq, unë e kam takuar me qindra e qindra herë Gëzim Kalanë, por unë edhe tani që e kam këtu përpara, dhe sa herë e takoj dhe sa herë më kujtohet, kam para syve të mi në memorien të pashlyer përjetë Gëzim Kalanë e galerisë qindra e qindra metër thellë në grevë urie me ballë të lidhur, tek luftonte si luan, si hero i vërtetë me 17 bashkëpunëtorë, 17 heronj, për të gjunjëzuar.
Ishte një betejë e papërsëritshme.
Një betejë heronjsh.
Betejë që u fitua.
Triumfi i kësaj greve ishte edhe fundi i planeve të Ramiz Alisë për të konsoliduar një demokraturë, një diktaturë autoritare.
Qeveria që erdhi nga Këshilli Presidencial puçist, u përmbys.
Një qeveri tjetër u krijua, e cila u quajt qeveri e stabilitetit, por e vërteta është se ajo qeveri, që vendosi provizorisht një qetësi, ishte qeveri jetëshkurtër dhe PD përsëri në konsultim të vazhdueshëm me Sindikatat, u largua nga ajo qeveri në një akt jashtëzakonisht të rëndësishëm.
Një akt që bëri të mundur fitoren plebishitare mbi diktaturën në zgjedhjet e 22 marsit.
Por, bashkimi juaj i sindikatave është lëvizja kombative më jetëgjatë ndoshta në Evropën postkomuniste, por edhe më gjërë.
Nga 11 janari i vitit 1991, gjer ditët e sotme, në qindra e qindra herë, BSPSH u bë zëri i ndërgjegjes së minatorëve shqiptarëve, zëri i ndërgjegjes së qytetarëve shqiptarë.
Ndikoi në mënyrë thelbësore në reformat e vendit, në mbrojtjen e të drejtave të minatorëve dhe të punëtorëve, fitoi një reputacion të madh ndërkombëtar.
U shndërrua në një organizatë të respektuar, jo vetëm një organizatë antikomuniste siç u themelua në fillim, por në një organizatë të fuqishme të sindikalizmit të vërtetë, të mbrojtjes të të drejtave të punëtorëve.
Ndaj dhe ajo u bë një organizatë e respektuar në rajon, në Evropë dhe në botë.
Fitoi nam për veprat e saj, për rezistencën e saj, për qëndresën e saj.
35 vite kam kënaqësi që kam parasysh këtu heronj si Gëzim Kalaja, Sami Karriqi dhe shumë të tjerë.
Por nuk mund të mos ndalemi të shohim të sotmen, ku jemi.
Sot, në Shqipëri, është vendosur një diktaturë autoritare, e cila në rrafshin kombëtar është po aq armiqësore sa ç’ishte diktatura hoxhiste.
Çdo shqiptar është i lutur të mendojë për një moment aktet antishqiptare të Edi Ramës ndaj Kosovës.
Nuk e harroj, ishte data 10 gusht dhe Ramiz Alia organizoi një takim me 40 intelektualë.
I them unë, që heqja e bustit të Stalinit është e domosdoshme se ai është një armik i kombit. Se ai i tha Titos gllabërojeni Shqipërinë.
Po, tha, Sali se unë dhe ti je nga pak kosovar. Unë jam, i thashë, për ty nuk e di.
Dhe filloi tani të sulmojë Kosovën dhe kosovarët pse kishin qëndrime antikomuniste.
Pra, një qëndrim siç kishin mbajtur, bëmë mirë thoshte Enver Hoxha që e lamë me Jugosllavinë, Kosovën.
Erdhi tani kryeministri aktual. Po të krahasoni qëndrimet publike të Edi Ramës dhe Aleksandër Vuçiçit janë armiqësore në palcë dhe identike.
Njëri vjen dhe thotë në Zubin Patok se Serbia do bëhet më e madhe. Tjetri thotë se veriu i Kosovës është toka e askujt.
Njëri thotë se me këta shqiptarët e Tiranës merrem vesh, me skiptarët e Kosovës, ata janë dru me pre.
Dhe pastaj ulen dhe bëjnë planin për të ndarë Kosovën.
Edi Rama është autori i projektit për asociacionin, të marrë në sirtarët e Vuçiçit.
I vuri sanksione Kosovës, i pari.
E hoqi nga harta Kosovën.
Bëri mini-Jugosllavinë.
Por duhet të dimë një gjë, kombi është një dhe i pandarë.
Kurrë nuk je i lirë në qoftë se gjysma e kombit tënd është e pushtuar.
E vërteta është se Kosovës ai vërtet i ka bërë dëme, por fatmirësisht Kosova është e pavarur, ka qeverinë e vet.
Por dëmet më të tmerrshme, më shkatërrimtare ia ka bërë Shqipërisë.
Shqipërinë, ky e shpopulloi dy herë më shumë se pushtimi serb Kosovën.
Shqipërinë e shpopulloi me një shpejtësi të paparë duke përdorur dy armë, varfërinë dhe frikën.
Sot, qytetarët shqiptarë janë më të keqpaguarit në rajon dhe në Europë.
Por në mënyrë absolute në të gjithë kontinent nuk ekzistojnë 28 mijë kilometra katrorë më të pasura. Askund nuk gjenden pasuri të tilla përrallore.
Të gjitha sot shfrytëzohen si në një sistem tërësisht kolonial.
Qeveritarë hajdutë, kriminelë, organizata kriminale, kartele droge, të cilët plaçkisin dhe i shndërrojnë në pasuri për vete pasuritë e shqiptarëve.
Ndaj dhe minatorët nuk marrin atë që meritojnë.
Dy ditë më parë, Edi Rama nderoi me mirënjohje të atin e tij xhelat.
Skulptori Kristaq Rama ka qenë një xhelat i vërtetë i diktaturës. Është anëtar i nomenklaturës komuniste që ka kryer gjenocid ndaj shqiptarëve.
Flasim ne për gjenocid serb në Kosovë dhe ka qenë, por një gjë nuk duhet ta harrojmë, gjenocidi komunist në Shqipëri është i sanksionuar në të gjitha dokumentet, vendimet dhe ligjet e këtij shteti.
Dhe ky gjenocid u krye nga shqiptari ndaj shqiptarëve për qëllime klasore.
Pardje dekoroi të atin, i cili ka firmosur, ky pseudo-intelektual ka firmosur krahas Ramiz Alisë, ngjitur mke firmën e tij, varjen në litar të Havzi Nelës.
Çfarë ishte Havzi Nela?
Një poet i apasionuar. Pesë mijë vargje për Kosovën.
Një atdhetar i flaktë që nuk mund të pranonte kurrë pushtimin serb.
Por nuk mund të pranonte as diktaturën në Shqipëri.
Dhe ai më 10 gusht 1988 firmos varjen në litar të poetit. Ajo është vetëm njëra firmë.
Por ky xhelat ka një seri firmash të tjera.
Edhe fshatari i thjeshtë në Vithkuq, Sigurimi i Shtetit i duhej për kurthet që bënte, vret një njeri. Vret dhe i thonë e vrave ti. Pasi e shtrojnë javë të tëra në dru, i pranon. Armën ma solli zbulimi grek, ma la tek një pishë, e mora dhe e vrava.
Tani çfarë ndodh? Shkon në gjykatë dhe i thotë, unë jam familje e persekutuar, në jetën time nuk kam pasur pushkë të vërtetë në duar, kam pasur vetëm pushkë druri. Dhe unë, jo që nuk kam vrarë kurrë njeri, por nuk kam kapur kurrë pushkë zjarri në dorë.
I kthehet diktatori, e kanë shtruar në dru në prokurori, prandaj i ka thënë ato.
Prisni tani, në vend që t’i falej jeta të paktën, që të dy, Ramizi dhe Kristaqi firmosin që të ekzekutohet.
Dhe fshatari ekzekutohet.
Ka shumë episode të tjera, por ky zgjedh të nderojë xhelatin në vend se të nderojë aktet makabre të atit të tij.
Dhe zgjedh edhe më keq, përdor pafajësinë e fëmijës, mendon se do mund ta maskojë.
I them këtu se jo pafajësia e fëmijëve, por as hyjnia e engjëjve nuk të shpëton dot ty që nuk dënon krimin makabër të babait tënd.
Koha është kohë beteje.
Në vitin 1990, Shqipëria fitoi se këta burra qëndruan të pamposhtur.
Qëndruan të pamposhtur me besim të madh se mbrojnë një kauzë të drejtë.
Dhe me qëndresën e tyre, në fakt shënuan kthesën e madhe në historinë tonë.
Sot jemi në kushte shkatërrimi kombëtar në rrafshin demografik si kurrë më parë.
Sot kombi ynë ka atë numër lindjesh që kishte 100 vite më parë.
Sot nuk ka krah pune sepse ikin, ikin, ikin.
Të tjerë vijnë dhe Shqipëria është shndërruar në një trampolinë, nga të gjitha kontinentet vijnë punojnë dy-tre muaj dhe ikin në Evropë.
Tallet me pensionistët.
Ka një ligj që e detyron qeverinë të indeksojë pensionet. Jo, nuk e zbaton kurrë.
Ka gjetur bonuset e turpshme, në një kohë kur kostoja e jetesës nga viti 2022 gjer sot është rritur 60 përqind.
Pensionistët herën e fundit morën bonusin për dy kile domate, 8 euro. Cinizëm, pashpirtësi.
Kohë kushtrimi.
Kohë e cila fton çdo shqiptar të ngrihemi, të vazhdojmë të pamposhtur këtë betejë.
Kauza jonë është e drejtë siç ishte kauza e juaj në vitin 1991.
Beteja jonë është e vështirë, por është absolutisht e fitueshme.
Gjë në botë që të mposhtë të pamposhturit, nuk ka.
Ne do fitojmë!


