32 vjetori i themelimit të PD në Durrës/ Berisha: Diplomatë të korruptuar, u vërsulën për të shkatërruar PD-në, por sot jemi më të fortë se kurrë!

Të dashur demokrate dhe demokratë, qytetare dhe qytetarë të Durrësit të pranishëm në këtë takim.

Të nderuar drejtues të PD të Durrësit, z.Bylykbashi, znj.Kadiu. I dashur z.Igli Cara, kandidati ynë për qytetar të parë të Durrësit.

Zonja dhe zotërinj!

Është një kënaqësi e madhe për mua, t’u përshëndes sot ju këtu. Të përshëndes çdo qytetar dhe qytetare të këtij qyteti të bekuar, të këtij qyteti të mrekullueshëm, të këtij qyteti që ka ndër kontributet më thelbësore të këtij kombi, dhe ekzistencën e këtij vendi.

Unë gjithashtu, sot kam ardhur të përulem me nderimin më të madh, me mirënjohjen më të pakufijshme ndaj veprës së Minush Jeros, Vasil Llapës, Bardhyl Balzës, Artan Hoxhës, Fatmir Belulit, Shyqyri Carës, Bersard Duçkollarit, Shkëlqim Shtyllës, Hektor Gjirit, Halil Myrtës, Krenar Koçit, Dashamir Myftiut, Bahri Hoxhës, dhe dhjetëra e qindra qytetarëve edhe qytetareve të këtij qyteti që themeluan në 26 dhjetor të vitit 1990 degën e PD të Durrësit.

Të përulem me nderimin më të madh para veprs së tyre, para veprës së mijëra e mijëra demokratëve dhe demokrateve, qytetarëve dhe qytetareve të Durrësit dhe rrethinave të tij, për kontributin historik në njërin nga revolucionet më të pashembullta, më mahnitëse, më të fuqishme, që kanë njohur shqiptarët nbë tërë historinë e tyre.

Themelimi i PD, dhe vendosja e saj në krye, në udhëheqje të lë vizjes anti-komuniste ishte një zhvillim i jashtëzakonshëm për Shqipërinë dhe shqiptarët. Cilido që rikthehet në atë kohë në memorien e tij. Cilido që lexon sot për atë kohë, do të gjente se Shqipëria ishte përcaktuar të mbetej Kuba e Adriatikut, të mbetej fener ndriçues i socializmit shkatërrimtar në Adriatik dhe në Europë.

Në 2 korrik, mijëra të rinj të Tiranës, por edhe nga mbarë Shqipëria më guxim epik rrëzuan Murin e Berlinit në Tiranë, por në atë kryengritje paqësore njeriu që luajti rol më kryesor ishte diplomati që kryente funksionet e ambasadorit gjerman, Verner Dol. Çfarë shkruan ai? Ai shkruan se qeveritë nuk ishin dakord, Shqipëria si të thuash, ishte parashikuar të mbetej siç ishte.

Natyrisht ai nuk dëgjoi qeveritë, ai ishte një diplomat i madh, që bëri gjithçka që shqiptarët t’i mbështesë në atë kryengritje.

Ju solla këtë episod për të treguar se në çfarë shkalle të tmerrshme ishte izolimi i shqiptarëve dhe se çfarë rëndësie jetike pati revolucioni i udhëhequr nga PD.

Mos harrojmë! Ky revolucioni ishte i fundit në revolucionet e vendeve komuniste që filluan në ‘89, por përsëri u zhvillua në kushtet e asnjë lloj mbështetje ndërkombëtare. Në dhjetor të vitit 1990, ambasadat ishin të mbyllura se po meremetoheshin nga korriku. Kshte vetëm një ambasador, ai i Hungarisë. Në vendet tjera disidencat, udhëheqjet e revolucioneve kalonin nga një vend në tjetrin, për të inkurajuar, për të frymëzuar, për të mbështetur. Kurse ne kishim vetëm idealet tona demokratike, vuajtjet e tmerrshme të të përndjekurve dhe të burgosurve politikë. Por këto nuk penguan që të ngriheshim fuqishëm ndaj një regjimi i cili padiskutim ishte i dobësuar, por përsëri siç mund ta dini shumë prej jush, vriste pa mëshirë çdo javë të rinjtë në kufinjtë e Shqipërisë.

Jo vetëm i vriste, por u kthye në praktikat e viteve ’50, ku zvarriste kufomat e të ekzekutuarvepër të ushtruar terror te qytetarët. E bënte këtë në Sarandë, në Korçë, në Shkodër, Gjirokastër, dhe kudo për të dëshmuar fytyrën e vërtetë të tij.

Por revolucioni ynë nuk ndalet. Me një vendosmëri absolute, demokratët e Durrësit dhe të Shqipërisë, vazhduan betejën e tyre, derisa përzunë me votën e lirë, diktaturën më staliniste të Europës. Regjimin më çnjerëzor. Regjimin që kishte vendosur mbi shqiptarët një diktaturë të katërfishtë. Diktaturën e luftës së klasave diktaturën e tira\nisë së mjerimit, diktaturën e izolimit, diktaturën e indoktrinimit të tmerrshëm.

Sado që duket paradoks, por më 20 shkurt, kur për përmbysëm shtatoren e diktatorit, me mijëra shqiptarë rrëmbyen armët për të arhdur drejt Tiranës dhe për të rivendosur satanin në piedestalin që mbeti bosh. Ky ishte indoktrinimi i asaj kohe.

U ndala në këto momente, për të theksuar kushtet ku u zhvillua revolucioni demokratik. Kundër kujt u zhvillua ai revolucion? Kundër një sistemi monist. Një sistem i cili nuk pranonte pluralitetin. Po sot, ku jemi? Sot Durrësi dhe Shqipëria janë 32 vite larg nga ajo periudhë, por përsëri jemi nën një monizëm absolutisht më të fuqishëm sesa monizmi i vitit 1991. Kjo është e vërteta. Sot jemi në një monizëm, i cili ushtron mbi qytetarët shqiptarë të gjitha llojet e dhunës, përfshi edhe dhunën e teknologjive më moderne. Sot jemi në një monizëm që vret çdo ditë shpresën e të rinjve. Në qoftë se në vitin 1991, shqiptarët u dyndën drejt gjëmive, u dyndën sepse gdhiheshin dhe ngryseshin me dhimbjet e urisë dhe mjerimit. Kjo nuk është e vërtetë. Sot shqiptarët janë njerëzit më shpresë-vrarë, se e drejta nuk ekziston për ta, se ligji nuk ekziston, se pasuritë publike janë një mallkim, se fondet dhe taksat e tyre vidhen e vidhen. Se trajtohen në mënyrën më depersonalizuese.

E dëgjoni ju këto ditë si bërtet Edi Rama për pensionistët. Do ketë një bonus të madh. Por në prill, kur t’ua marrë atyre borgjezëve atë taksën e jashtëzakonshme, do t’i lumturojë sërish pensionistët. Dje i tha në sy kryeministri i Malit të Zi, shqiptar edhe ai, se e rrita rrogën mesatare në katër vite nga 500 euro në 720 euro. Në nëntë vite jo vetëm nuk e rriti, por po të krahasohet me inflacionin, e uli me të paktën 25-30 përqind rrogën mesatare. Pensionistët nuk kanë nevojë për mëshirë. Mos vidh. Hiqe dhomën e gjumit nga avioni yt personal. Udhëto si kryeministrat e tjerë me linja tregtare, dhe do shohësh se do mbeten dhjetëra miliona euro. Mos vidh që zyrtarët e tu të mbushin dyshekët, frigoriferat, dhe tubat e aspirimit me taksat e qytetarëve. Mos vidh që ti të ndërtosh parajsën në Surrel, dhe të tjerët t’i përzesh nga vendi. Mos i fshih vjedhjet!

Çfarë ndodhi me vjedhjen e fundit? U përpoq prap që të fshihte, siç ka fshehur vjedhjen e Damianit, siç ka fshehur vjedhjet e ministrave të tjerë. Gjithçka bazohet në një përçmim ndaj qytetarëve. Gjithçka bazohet në vjedhjen e qytetarëve. Kjo që po bën kjo qeveri është absolutisht gjenocid ndaj shqiptarëve, në krijimin e kushteve të kalkulueshme për largimin nga vendi. Këtë cilëson një nga nenet e OKB për gjenocidin.

A nuk janë kushte të kalkulueshme këto kur rrit çmimet në borde dhe jo me treg? Kur u vjedh nga xhepat qytetarëve u merr vetëm me çmime mbi gjysmë miliardë euro, dhe kur u thua se do i lumturojë se do t’ju shpërndajë 80 milionë, kurse 500 të tjera i shpërndan dhe i vjedh me klientelën e tij.

Miqtë e mi, kjo është situata!

Kjo është përpjekje e paimagjinueshme për të asgjësuar PD-në, por beteja me idealet është një betejë donkishoteske. Cilat do të jenë armët, mjetet, ato s’ngadhënjejnë kurrë mbi idelaet. Dhe kjo është historia e sotme e PD. U përpoqën me çdo gjë që ta asgjësonin. Sot jemi më të fortë se kurrë. Më të fuqishëm se kurrë, më të sigurt se kurrë në fitoren tonë.

Kaluam një vit të pashembullt për një forcë politike. Nuk kishim asgjë. Nuk kishim para, nuk kishim pushtet. Nuk dispononim asgjë përveç idealeve tona, përveç atyre që besonim. Ne jemi e para parti kundër të cilës korrupsioni ndërkombëtar përdoret për ta shtypur atë. Diplomatë të korruptuar, të paguar, u vërsulën për të shkatërruar PD-në. Ja ku jemi, më krenarë se kurrë.

Jemi në një revolucion të dytë, ku armë dhe platformë kemi idealet dhe liritë tona. Por jemi në një mision, dhe si misionarë, ne jemi të pamposhtur. Të vetmit që i hyjnë detit në këmbë dhe e kalojnë janë misionarët, dhe ne të tillë jemi. Sot na duhet më shumë se kurrë, të jemi në protestë, të jemi në fushatë, të jemi kudo. Të vazhdojmë betejën tonë për të shkërmoqur, për të përmbysur këtë monizëm të urryer të Edi Ramës. Asgjë nuk na ndalon ne. Ne u ngritëm, atëherë kur besuan se na asgjësuan. Sot ne jemi më të fuqishëm se kurrë.

Ndaj sot ju ftoj. Ftoj çdo qytetar të Durrësit dhe të Shqipërisë, që të vazhdojmë këtë betejë të një rëndësie të jashtëzakonshme për kombin dhe vendin. Për Durrësin, Tiranën dhe mbarë Shqipërinë. Të punojmë së bashku për fitoren e Igli Carës, për fitoren e Durrësit.

Mbyllini sytë për një moment të gjithë, çfarë na del përpara, beton dhe vetëm beton, mafie dhe vetëm mafie. Po kush do fitojë, ajo apo ne? Ne do fitojmë. Dëgjoj shpesh, ja po ikin. Edhe në 1991 ikën, ikën, por ne që qendruam, ne fituam. Ndaj edhe të mos kemi dëshpërim. Një misionar ka forcë sa dhjetë të tjerë. Aq më tepër që këta që i kemi përpara kanë tani frikë nga dyshekët e tyre, kanë frikë nga kuzhinat e tyre, kanë frikë nga çdo gjë. Se janë të mbushur në krim, se notojnë në krim, se flenë mbi krim. Mbi krimin që kanë kryer ndaj jush. Ndaj qytetarëve shqiptarë, ndaj atyre që ikin.

Sot e vetmja shpresë jemi ne dhe kjo është gjë e jashtëzakonshme. Kjo na mbush me frymëzim, na mbush me fuqi, na shumëfishon forcën për të justifikuar këtë besim të jashtëzakonshëm. Ndaj edhe të bashkohemi dhe të vazhdojmë betejën tonë. Të bashkohemi me njëri-tjetrin, të bashkohemi me qytetarët. T’i lëmë ata që s’duan. Që kanë vënë veten në shërbim të Edi Ramës, të shkelmojnë mbi veten e tyre dhe mbi dinjitetin e tyre. Zgjedhje fatale!

PD sërish është ngritur dhe shkon e sigurt drejt fitores.

Miqtë e mi, Igli Cara ja ku është këtu, Belind Këlliçi në Tiranë, Luçiano Boçi e kështu të gjithë me radhë. Krenari dhe kënaqësi që ata janë kandidatët tuaj. Janë njerëzit që votuat ju. Nëpërmjet tyre, pushteti juaj u vendos mbi piedestal, dhe kjo ka një rëndësi të jashtëzakonshme. Nëpërmjet tyre përfaqësimi u bë demokratik, PD u bë më e hapur së kurrë. Krahas Igli Carës, një durrësak tjetër i shquar erdhi nga Londra dhe kandidoi. Më nderoi z.Dervishi me ardhjen e tij, me besimin që shprehu. Kjo është dëshmi e hapjes së kësaj partie.

Tani kemi fazën e dytë, po këtu brenda nesh, këshilltarët. Edhe ata do t’i zgjidhni ju. Proces jo shumë i thjeshtë, sepse është shumëemëror. Por do të gjejmë mënyrën më të zhdërvjellë që përsëri ata të kenë votën tuaj, dhe jo votën tonë. Sërish ju të zgjidhni parlamenarët tuaj të qytetit dhe më pas parlamentarët tuaj në Shqipëri.

Pra, në këtë betejë kaq të vështirë ne kemi një armë të pathyeshme, dhe kjo është liria dhe vetëm liria.

Rroftë Durrësi! Rroftë Shqipëria! Fitore!

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale