Pavarësisht nëse është ditë me shi apo ditë me diell, 7 Marsi është gjithmonë një ditë e veçantë për këdo. Është në traditën tonë që të vlerësojmë mundin, sakrificën, lodhjen e madhe por edhe përkushtimin prindëror të mësuesve për të edukuar fëmijët e Shqipërisë ndër vite dhe dekada. Kështu që dua ta nis këtë takim me ju mësues, pedagog duke iu uruar gjithsecilin prej jush dhe gjithë mësueseve dhe mësuesve shqiptarë, gjithë pedagogëve shqiptarë, gëzuar 7 Marsin! Të gjithë e dimë se sa sakrificë dhe mund shkon në përgatitjen e brezit të ri, shkon në arsimimin e fëmijëve që nga cikli parashkollorë, cikli parauniversitar dhe sigurisht në universitetet e vendit. Dhe e dimë se në kushte normale, kjo është një punë shumë sfiduese, në kushtet aktuale bëhet gjithmonë e më sfiduese. Është e vërtetë se të jesh sot mësues apo pedagog në Shqipëri, është sa fisnikë aq dhe e vështirë. Nga njëra anë askush tjetër përveç prindit dhe shpeshherë në konkurrencë me prindin, qoftë në sasinë kohore që harxhon me fëmijën, qoftë me rëndësinë që ka për fëmijët, nuk ndikon në të ardhmen e fëmijëve sa mësueset. Ne jemi ata që jemi, kemi arritur atë që kemi arritur në një masë të madhe për shkak të mësuesve tanë. Dhe këtë shpeshherë e marrim si të mirëqenë, por nuk është kështu. Sepse duhet shumë mund, duhet shumë sakrificë që mësuesi të jetë në lartësinë e detyrës dhe që fëmija, nxënësi apo studenti të ketë mundësinë pastaj të përfitojë maksimumin nga ajo që i ofrohet. Dhe ajo që merret e mirëqenë po ashtu se sa shumë përgatitje duhet në mënyrë të përditshme nga mësuesit që të jenë në gjendje ta ofrojnë ditë për ditë, dijen, nxënien, edukimin e fëmijëve. Unë kam një lehtësi subjektive në këtë aspekt, sepse jam biri i një mësueseje tashmë në pension. Nëna ime ka qenë arsimtare dhe nuk më shqiten nga memoria, nga kujtesa që kur kam qenë fëmijë, koha dhe mundi që i kushtonte ditë për ditë përgatitja për t’i dhënë nxënësve më të mirën. Dhe kjo nuk kufizoi thjesht dhe vetëm përgatitjen për ditën e mësimdhënies, por edhe në kontaktin me prindërit për çdo nxënës, për t’i informuar mbi ecurinë e nxënësit, për t’i informuar mbi problematikat që duheshin ndjekur me përparësi. Pra, ishte prindi im, është prindi im, por ishte edhe prindi i çdo nxënësi për një periudhë të caktuar dhe kjo ishte një detyrë që e merrte shumë seriozisht. Të tillë faktikisht i kam njohur dhe mësuesit e mi. Në qoftë se ka diçka që nuk e harrojmë janë mësuesit tanë. Nuk besoj se ka shqiptarë, nuk besoj se ka njeri që të harrojë rolin e mësuesit gjatë gjithë jetës. Dhe disa prej tyre sigurisht i veçojmë. Nuk do të ndalem në emra sot, sepse nuk do të shfrytëzojë subjektivitetin e komunikimit publik për të veçuar mësuesit e mirë, por dua t’u them atyre një për një të gjithëve, siç jam i bindur ju thonë të gjithë, edhe ne që jemi prindër sot dhe për fat të mirë edhe ata që janë ulur në bankat e shkollave apo dhe studentët, një falënderim të thellë nga zemra për gjithçka që keni bërë dhe vazhdoni të bëni për brezin e ri. Urimin për 7 Marsin e bëra në nisje, por për fat të keq këtu nuk jemi rreth një tryeze feste. Mirë do kishte qenë të ishim rreth një tryeze feste. Fakti është që nuk mund të jemi rreth një tryeze feste për një arsye të thjeshtë: Sepse siç e thash që në fillim, situata në vend që të vij duke u përmirësuar, ka ardhur duke u përkeqësuar. NË vend që mësuesve dhe pedagogëve shqiptarë t’iu ofrohet përmes reformave të arsimit, reformave shtetërore përmes financimit, përmes modernizimit të sistemit arsimor, kushtet dhe të ngrihen në piedestalin që e meritojnë, sot ndodhemi krahasuar me mësuesit e rajonit, apo krahasuar me aty ku duhej të ishin, në pozita jashtëzakonisht të pafavorshme. Dhe kjo vihet re në çdo aspekt. Qoftë në aspektin e rimbursimit financiar ku pagat e mësuesve shqiptarë prej kohësh kanë zbritur në nivelet më të papranueshme në raport me çdo vend tjetër të rajonit, qoftë në dinjitetin dhe trajtimin e mësuesit në radhë të parë nga shteti, nga vet sistemi arsimor. Qoftë në ambientin që i ofrohet për të kryer siç duhet këtë detyrë, pra që kemi thënë që është detyra më e rëndësishme pas prindit, apo që konkurron qoftë në kohë, qoftë në rëndësinë që ka për formimin e fëmijës, apo të të riut me detyrën e prindit. Dhe janë probleme shumë të mëdha. Probleme të cilat vetëm kanë ardhur duke u rënduar gjatë viteve të fundit, për një arsye të vetme, sepse ka munguar dhe vazhdon të mungojë përputhja e fjalëve me veprat. Me fjalë, prej 8 vitesh buxheti i sistemit arsimor duhej të kishte kapur 5.5% të prodhimit të brendshëm bruto dhe padiskutim që ky do kishte qenë një lajm i mirë që pa asnjë hezitim, jo vetëm unë dhe Partia Demokratike, por nuk do të kishte shqiptarë që nuk do e kishte përkrahur. Në fakt nuk është e largët koha kur kemi dërguar edhe nga pozicioni i opozitës në parlament, amendamente që synonin pikërisht mbajtjen e këtij premtimi madhor tashmë 8-vjeçarë, për një buxhet të tillë për arsimin, çka padiskutim do të reflektonte edhe në statusin e mësuesit dhe do të kishte efekt të drejtpërdrejtë edhe tek nxënësit. Por në fakt e kundërta ka ndodhur. Edhe si përqindje e PBB-së, edhe si përqindje krahasuese me vendet e tjera të rajonit, mësuesit shqiptarë mbeten më të diskriminuarit. Dhe nuk është e çuditshme aspak që bashkohen dy faktorë jashtëzakonisht shqetësues për shoqërinë. Nga njëra anë largimin i trurit ku një pjesë e rëndësishme e zë edhe largimi i mësuesve dhe i pedagogëve në veçanti të universiteteve nga vendi. Në veçanti të atyre që çajnë rrugën e kërkimit shkencorë në të gjitha fushat, duke përfshirë në fushën e pedagogjisë dhe nga ana tjetër zbrazja e klasave, mbyllja e shkollave, përqendrimi i nxënësve në shkolla me distancë të madhe nga banesat e tyre që ka një impakt të drejtpërdrejtë në uljen e cilësisë së mësimdhënies dhe të përgatitjes së brezit të ri në një kohë kur e gjithë bota në veçanti Evropa, e konsideron investimin tek fëmijët si prioritetin kryesorë. Investimi tek dija, tek informacioni si investimin më të mirë për një të ardhme të shoqërisë. Megjithatë këto janë probleme për të cilat me siguri secili prej jush ka diçka për të thënë. Ndaj unë dua të ndalem këtu, duke theksuar edhe një herë këto tre momente kryesore: së pari, ehe një herë pavarësisht se është një ditë e vrenjtur, jo vetëm në kuptimin e motit, t’iu urojë nga zemra të gjithë mësueseve dhe mësuesve shqiptarë, të gjithë pedagogëve shqiptarë, gëzuar 7 Marsin! Së dyti t’iu them që në zemrat tona keni gjithmonë një vend të veçantë, njësoj si prindërit tanë, sepse e dimë se gjithçka e mirë që kemi arritur në jetë iu dedikohet një masë shumë të madhe ju dhe përkushtimit tuaj, se e dimë me çfarë përkushtimi punoni, në kushte jashtëzakonisht të vështira që njësoj si prindërit biologjik edhe ju bëni sakrifica të mëdha për fëmijët e shqiptarëve. Dhe se jemi të vetëdijshëm si Parti Demokratike për mungesat dhe mangësitë e jashtëzakonshme, boshllëqet e mëdha që vetëm janë thelluar në këto vite dhe do bëjmë gjithçka që të jemi në krahun tuaj deri sa jo vetëm të mbushim këto boshllëqe, por të arrijmë ta vendosim Shqipërinë aty ku i duan familjet shqiptare fëmijët shqiptarë dhe mbi të gjitha prindërit shqiptarë, që janë prindërit që paguajnë gjithçka, që futen dhe në borxh për atë që e konsiderojnë si gjënë më të shenjtë, arsimimin e fëmijëve të tyre. Kështu që me këtë urim për të nesërmen, por edhe këtë urim për të sotmen, për 7 Marsin, duke iu falënderuar për praninë, mendoj se dita e sotme është një ditë jo thjesht për të uruar, por edhe për të reflektuar dhe për t’u zotuar për atë që do të ndodh nesër në mënyrë që 7 Marsi tjetër mos të na gjej në të njëjtën situatë.