Të nderuar përfaqësues, drejtues të bordit të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Durrësit për pjesëmarrjen dhe ftesën në këtë takim që përfaqëson interesat e shumicës dërrmuese të faktorëve ekonomikë të Durrësit. Mirënjohje të shumëfishtë sepse nuk është hera e parë që takohem, madje mund të them që është një nga herët e pakëta që takohemi në prag fushate sepse për fat të mirë Dhoma e Tregtisë dhe e Industrisë së Durrësit ashtu si Dhomat  e Tregtisë dhe Industrisë të disa prej qendrave të rëndësishme ekonomike të Shqipërisë kanë treguar një gatishmëri për një dialog real me Partinë Demokratike në opozitë gjatë gjithë kësaj kohe dhe ka qenë ky dialog që na ka ndihmuar të formulojmë disa prej zgjidhjeve kryesore për gjendjen ku ndodhet ekonomia shqiptare, zgjidhje të cilat i paraqitëm në mënyrë shteruese vitin e kaluar. Sot ndodhemi këtu në prani në zotit Hoti I cili sigurisht në qytetin e tij, në ambientin e tij nuk ka nevojë për prezantim. Prezantimi I vetëm që mund të bëj është që ka marrë përsipër në një kohë veçanërisht sfiduese për Durrësin, për ekonominë e Durrësit, për familjet durrsake një sfidë  të përmasave të jashtëzakonshme. Marrja e sfidës s kandidimit për të përfaqësuar përgjegjësinë e kryebaskiakut është një vendim shumë i vështirë dhe i rëndë për këdo në çdo kontekst, në çdo demokraci. Ta marrësh këtë përgjegjësi në një moment si ky që kalojmë me të gjithë komponentët, duke përfshirë këtu edhe komponentët politikë ku po ndodh e gjithë kjo ku nuk kam ndërmend të ndalem mendoj se dëshmon kurajën jo thjesht personale dhe qytetare të zotit Hoti, por dëshmon shpirtin sipërmarrës në të gjitha kuptimet që karakterizon sipërmarrjen durrsake që nuk i bën bisht sfidave.

S’i ka bërë as para 32-vjetësh kur askush nuk e dinte në Shqipëri se çfarë ishte demokracia, çfarë ishte tregu i lirë. I njihnin si nocione gjuhësore, por nuk e dinim se çfarë ishim dhe jo t’i bëjë tani bisht kur Durrësi dhe Shqipëria ka nevojë më shumë se kurrë. Zoti Isteri në diskutimet tona të mëparshme ne jemi ndalur  në prioritetet e ekonomisë durrsake si motori i dytë më i rëndësishëm i Shqipërisë. Jemi ndalur në momentin e tërmetit kur kemi thënë që tërmeti nuk ka goditur thjesht Durrësin, familjet durrsake, ekonominë durrsake, por është një grusht I rëndë në brinjët e  Shqipërisë dhe ekonomisë shqiptare. Kemi dalë më paketën kombëtare, kemi dalë me paketën për Durrësin. Kemi qenë në mesin tuaj bashkë me Luanin, me Ferdinand Xhaferrin, me përfaqësues të tjerë politikë të Partisë Demokratike, qoftë në zonën urbane, në zonën industriale, në zonat rurale të bashkisë aktuale të Durrësit. Jo thjesht për të evidentuar dëmin, por për të kërkuar marrjen e masave të menjëhershme. Ja ku jemi pas më shumë se 2 vitesh dhe përtej propagandës e kuptojmë fare mirë se gjendja vazhdon të mbetet e rëndë. Ju e ilustruat atë me  disa nga shqetësimet kryesore siç është largimi I fuqisë punëtore, siç është pasoja në zinxhirin ekonomik qoftë e tërmetit, qoftë e Covid-it, sigurisht dritëhijet e turizmit. Nga njëra anë kur vjen sezoni sikur mezi presim atë tubin e oksigjenit për ekonominë durrsake dhe të bregdetit, por nga ana tjetër të gjithë e dimë se ka qenë poshtë pritshmërive edhe për arsye të goditjeve të njëpasnjëshme  që ka marrë ekonomia.

Por le të flasim pak për potencialin që Durrësi ka. Potencial drejt të cilit nuk janë vetëm sytë e durrsakëve, por janë sytë e të gjithë shqiptarëve, janë në fakt sytë e rajonit. Duam, s’duam le ta themi këtu që Durrësi ka qenë dhe mbetet zilia e fqinjëve tanë. E them në kuptimin pozitiv të fjalës, por s’ka qenë gjithmonë kështu. Kanë edhe këngë ”Do dalim në Durrës”, këngë të vjetra. Shpresoj që t’i përshtatim me realitetin e ri të integrimeve rajonale dhe evropiane. Pra, Durrësi është jashtëzakonisht i rëndësishëm për Shqipërinë. Për fat të keq rëndësia e Durrësit për durrsakët dhe Shqipërinë I është nënshtruar interesave afatshkurtër politike dhe gjithçka që kemi parë e në veçanti në momente të tilla ku bëhet skaneri i vërtetë i qeverisjes qoftë lokale a vendore në raport me një vend apo popullsi apo komunitet siç ishte rasti pas pandemisë dhe pas tërmetit, janë nënshtruar në një masë kaq të dhimbshme interesave afatshkurtra politike, interesave të durrsakëve saqë nuk ka pasur takim ku mos shfryrje dhe duf. Tani le të mos bëjmë sikur nuk e dimë. Këtë gjendje shpirtërore mendore, ekonomike, psikologjike siç e ka Durrësi e vuan e gjithë Shqipëria. Pasojat i dimë. Të ndalem dy minuta. Politika ka humbur fytyrën njerëzore, politika ka uzurpuar institucionet dhe institucione të uzurpuara nga politika nuk  mund t’i shërbejnë ekonomisë. Kaq!

Atëherë çfarë të bëjmë?

Përpjekja e parë është t’i kthejmë një fytyrë njerëzore politikës. Kollaj ta thuash. Gojët e politikanëve janë të mbushura me mjaltë sa herë që vjen fushata. E vështirë ta bësh se që ta bësh nganjëherë duhet të kapërcesh veten.

Ky është momenti ku ndodhemi ne sot si forcë politike. S’kemi pse ta fshehim, as në këtë tryezë kur jeni ju, faktorë ekonomik të Durrësit prej 3 dekadash, as para shqiptarëve që na ndjekin. Partia Demokratike është një moment ku po kapërcen vetveten, po tejkalon pjesë të të shkuarës për të cilat nuk i ikën përgjegjësive, por merr në zotim para shqiptarëve për të ndërtuar një kulturë të re politike. Duke filluar me dhënien e një dimensioni njerëzor, e një fytyre njerëzore politikës. Kjo nuk është thjesht shprehje, kjo do të thotë në radhë të parë të dëgjosh. Të dëgjosh pa fund përpara se të flasësh dhe këtë kemi bërë, Në takimin tonë të fundit, e kemi mbajtur në një tjetër hotel, mu në zemër të qytetit. Dhe ju e mbani mend fare mirë që përpos insistimit tuaj, kam insistuar unë që të dëgjoja dhe i kam akoma shënimet. U jam referuar mbrëmë, atyre shënimeve. Se për fat të keq, të paktën në vlerësimin tim deri më tani, nuk janë të ndryshme shumë nga situata në Durrës tani . Edhe Luan Hoti është një njeri që i njeh këto probleme, vetëm se nuk i njeh nga takimet një herë në 5 muaj me dhomën e tregtisë, siç i zhvillojmë ne, i njeh sepse është njëri prej jush. Është qytetar i Durrësit, është familjar, është faktor ekonomik, është demokrat dhe drejtues demokrat. Është një njeri që ikën sfidës dhe është një njeri i cili ka lënë shumë oportunitetet politike duke kërkuar sfidën që këto oportunitete politike t’i ktheheshin në mundësi për Partinë Demokratike dhe për shqiptarët. Ky është modeli i fytyrës njerëzore në politikë. Modeli tjetër është t’i vësh gjoksin gjithçkaje ku ka mundësi dhe t’i ikësh çdo sfide. Ai është modeli që ne duam ta lëmë prapa. Kemi filluar ta lëmë prapa, është iluzion t’iu them që ky proces ka përfunduar, është një proces në zhvillim, është një proces që nuk targeton individ, por një kulturë politike të rrënjosur në 30 vite tranzicion, në veçanti të kthyer në një sëmundje në dekadën e fundit, që politikën e shohin njësoj si biznesi. Marr një post, marr një detyrë, pastaj me atë bëj biznes. S’ka rëndësi nëse është shef sektori, është drejtor, drejtor i përgjithshëm, kryetar bashkie, deputet apo ministër. Politika si biznes, ky model ka shkatërruar Shqipërinë. Që Shqipëria dhe Durrësi të nisin apo rinisin rrugën e një ndërtimi të normalitetit, duhet të shkatërrojmë këtë model. Nuk ka rëndësi se nga cila qoshe e prodhimit të betonit vjen modeli, nuk ka rëndësi se nga cila qoshe e shitjes së hidrokarbureve apo e pseudo biznesmenëve që nuk mbijetojnë dot një ditë pa kontrata ekskluzive, pa koncesione, pa tendera. Për sa kohë që politika shikohet si një mjet përfitimi, si një mjet pushteti për pushtetarët, kemi të bëjmë me modelin e vjetër. Boll më me modelin e vjetër, 30 vite! Unë nuk jam siç e dini fare mirë mohues, që të them që  ta fillojmë në vitin zero, jo këto 30 vite ka pasur zhvillime të jashtëzakonshme për Shqipërinë. Por ama ka pasur dhe shumë defekte të cilat ka ardhur koha jo vetëm t’i pranojmë, por edhe t’i ndreqim. Një politikë me fytyrë njerëzore na ka sjell tek përzgjedhja e propozimit unik të degës së Partisë Demokratike të Durrësit, Luan Hotit në këtë proces që do te zhvillohet në këto dy javë e gjysmë. Një politikë me fytyrë njerëzore, do të thotë një Bashki e cila nuk i përket vetëm një njeriu dhe disa klaneve të lidhura me të, po e mbaj gjuhën, nuk po shkoj më andej se të gjithë e dimë që nuk bëhet fjalë për klane, bëhet fjalë për shumë më shumë se kaq, por do të kem vend tjetër ku do t’i them. E rëndësishme është që t’i them siç i kam thënë, se disa kanë harruar, kanë harruar edhe emra, edhe faktorët që e kanë mbajtur Durrësin nën vargonjtë. E mbajnë mend se sa vite, 22 vite, është e vërtetë, po harrojnë që këto 22 vite i kanë harruar emrat e atyre që e mbajnë peng Durrësin. Dhe harrojnë edhe përgjegjësitë tona se e kemi lënë peng Durrësit 22 vite në duart e tyre. Tani vijmë me një fytyrë njerëzore, me një qëllim për të çliruar institucionet dhe për t’ia kthyer ato Durrësit dhe durrsakëve, duke përfshirë këtu faktorët ekonomik. Po përdor këtu faktorët ekonomik si një paketim të përgjithshëm, por siç iu kam thënë edhe në biseda private, para se të jeni biznesmen, ju jeni punëdhënës dhe taksapagues. Ju jeni gjaku i shtetit shqiptar. Shteti shqiptar është kontrata që lidhin individët, familjet dhe shoqëria me njëri-tjetrin për rendin publik, për mbrojtjen e kufijve, për shëndetin, për politikën e jashtme, për forcat e armatosura, për policinë, ju paguani taksat. Ju dhe punëmarrësit tuaj. Në çdo vend demokratik, politika në tërësi dhe pushteti në veçanti, ulet në gjunjë para punëdhënësve, para taksapaguesve, në vend që t’i hipi në qafë. Kështu që gjëja e parë që kam parasysh me fytyrën njerëzore, është një bashki me një kryebashkiak, me një fytyrë njerëzore që ua njeh hallet si askush tjetër. Qoftë ju si punëdhënës, qoftë punëmarrësve tuaj, qytetarëve durrsak. Me një zotim i cili mbetet zotimi i Partisë Demokratike dhe do të bëhet realitet në datën e parë të ardhjes tonë në pushtet. Qeverisje me taksa të ulëta, por me miradministrim. Vetëm skandali i fundit i inceneratorëve, ka nxjerrë në pah një abuzim prej 430 milionë eurosh. Nuk ka nevojë t’iu bëj unë llogaritë se çfarë mund të ishte bërë me këto para, qoftë për tëermeti9n në Durrës, qoftë për banesat në Durrës, qoftë për infrastrukturën ekonomike të Durrësit, qoftë për forcimin e infrastrukturës logjistike që në fakt është e Durrësit, por në fakt është kombëtare, porti, hekurudha, gjithçka tjetër, apo për turizmin. Do ta ndaja në dy pjesë, sepse pjesën kryesore sigurisht kandidati ynë për kryebashkiak do ta trajtojë, jo vetëm gjatë këtij takimi, e ka trajtuara edhe përpara, siç më ka informuar edhe takime të tjera me grupe të tjera të interesit. Politikat qendrore janë shumë të rëndësishme, ato rrezatojnë në nivel lokal, por dhe politika lokale është shumë e rëndësishme, ka aftësinë që të korrigjojë politikën qendrore t’i kundërvihet kur ajo dëmton ekonominë apo ta frymëzojë ta bëjë të eci me rritme më të shpejta. Këtu dua ta nis me diçka që është bërë legjendë këtë muaj e gjysmë, projekti i portit të Durrësit. Një nga arsyet kryesore pse sharlatanët ecin përpara në politik jo vetëm në Shqipëri, është sepse përdor një teknikë që i bën njerëzit të mos mendojnë, mos të logjikojnë, mos të shohin, mos të dëgjojnë, mos të mendojnë, mos të arrijnë në përfundime të arsyetuara. I ushqejnë siç ushqehet fëmija në çerdhe, 2-vjeçari, të gjithë shumica prej nesh besoj, ka pasur fëmijë në çerdhe dhe i futet luga në gojë, merre, mere, fëmija hap gojën dhe ha dhe kaq. Nuk logjikojnë. Dhe është ngritur një gënjeshtër sikur PD dhe PS, e në veçanti unë dhe i pari i qeverisë, kemi pakt për portin e Durrësit. Kjo është një gënjeshtër e pastër. Prej ditës së parë ne kemi qëndruar fuqimisht për transparencë dhe kundër asaj që ne e konsiderojmë një aferë. Pse e konsiderojmë një aferë, pse jemi kundër zhvillimit ne? Jo! Sa thoni që do të investonin aty këta, 3 miliardë? Ne duam ta çojmë në 6 miliardë të investohen, 8 miliardë po të jetë e mundur. Por ka një ndryshim miqtë e mi dhe do ta përmbledh, më fal se kjo në fakt është dita e kandidatit. Do ta përmbledh me diçka që unë e kam përjetuar vet. PD është pro zhvillimit, zhvillimit të qëndrueshëm që krijon edhe vende pune gjatë zhvillimit, edhe perspektivë të qëndrueshme zhvillimi ekonomik të gjatë dhe nuk dëmton ato asete shekullore të Durrësit që janë logjistika portuale detare dhe hekurudhore. Që të bëhet kjo, kjo punë nuk bëhet duke sjell një sheik. Se këtë punë bënë dhe në 2017-ën, sollën një sheik, thanë do bëjë kullën “Hal Habibi” tek bulevardi. Shkoni shikojeni pak se çfarë bëhet tek bulevardi i Tiranës, ku është “Hal Habibi”. S’ka “Hal Habibi”, ka përplasje të banorëve që duan t’u prishin shtëpitë me FNSH-në, “Hal Habibi” s’ka. Ishte gënjeshtër elektorale. Tani ka ardhur ky sheiku këtu, unë se paragjykoj se kush është, por kjo nuk është tokë pa zot, pa Kushtetutë, pa ligje. Po ju e dini fare mirë që motori i zhvillimit është konkurrenca dhe projekti i zhvillimit të Durrësit duhet të kalojë përmes konkurrencës së ideve dhe projekteve, të cilat duhet të jenë të qarta, të shpalosura, të diskutuara dhe të vendosura jo thjeshtë tek Nusreti i Dubait, apo tek Zuma e Dubatit, por të jenë të vendosura këtu në Durrës. Shembulli është ky. Ju të gjithë e dini që unë kam studiuar në Holandë. Në qytetin ku kam studiuar, është një qytet shumë i vjetër, pati një ide për një projekt i cili ndërthurte dy aspekte: një zhvillim modern, shumë modern më thënë të drejtën, përfshinte ndërtime, qendra tregtare, apartamente, si me thënë zyra, komplekse zyrash për koncerte të mëdha financiare. Duke i paraprirë pak edhe brexit, Holandezët nuk ia përtojnë kur vjen puna për planifikim afatgjatë dhe ruajtjen e disa aspekteve të vjetëra kulturore të cilat qyteti i ruan prej një mijë vitesh.  Kishte një një tension! Çfarë bënë? E hodhën në referendum!

Bëhej fjalë për një projekt i cili përfundon në vitin 2025 apo 2027, në qoftë se nuk gabohem. I cili ka nisur para dhjetë vjetësh. U hodh në referendum çdo person, banor, adult, mbi 18-vjeç i qytetit, votonte për një nga tre projektet. Projektet u hartuan dhe u shpjeguan qartazi, nga autoritete jashtë konfliktit të interesit, miqtë e mi. Ju dhe vetë kur ndërtoni diçka, kërkoni mendimin e një të treti. Në pronën tuaj, me paratë tuaja, prapëseprapë kërkon një oponencë. Për paratë tuaja! Jo më për paratë e qytetarëve! U hartuan projektet, u bë oponenca, u vendosën tre variante, u vendos me votë të qytetarëve, për një zhvillim që nuk na takon vetëm ne. I takon edhe brezave të ardhshëm! Si takon vetëm durrsakëve, u takon gjithë shqiptarëve! Kurse këta, për katër muaj, “laj-thaj” me katër darka te Nussret-i , vendosi se si do të duket Durrësi për 100 vitet e ardhshme?! Jo zotëri! Ky nuk është zhvillim! Ky nuk është projekt-zhvillimor! Ky është pozicioni ynë! Larg abuzimit të njërës palë, që thotë PD-ja është kundër zhvillimit. Jo, se zhvillimet më të mëdha , i kemi promovuar dhe i promovojmë ne dhe politikat tona ekonomike dhe fiskale, do të sjellin valën më të madhe të zhvillimit për vendin, në momentin që do marrim përgjegjësitë e zhvillimit të vendit. Duke nisur me përgjegjësitë e zhvillimit të Durrësit! Dhe palën tjetër pastaj, që shikon në çdo qoshe, në fakt ata e dinë fare mirë që s’ka konspiracion, por punojnë me kulturën e vjetër të konspiracionit, si e si, për ti fryrë gajdeve të veta, s’ka rëndësi se në çfarë kosto. Jemi kundër 3D-ve që na shiten si zhvillim, dhe që fshehin, sikur asgjë tjetër, fshehin mungesë totale transparence. Ku nuk ka transparencë, nuk ka konkurrencë dhe ka korrupsion. Pikë! Jemi pro zhvillimit, por një zhvillimi i cili vjen si pjesë e një procesi gjithëpërfshirës, transparent, me konsultimin, jo thjesht të qeverisjes qendrore dhe as vetëm të qeverisjes vendore, por të të gjithë faktorëve. Të kësaj dhome të tregtisë dhe industrisë, të të gjitha rrjetit të dhomave të tregtisë dhe industrisë. Durrësi u përket gjithë Shqipërisë, sepse çfarë ndodh në Durrës, afekton edhe kolegët tuaj në Tiranë, edhe në Fier, edhe në Korçë, edhe në Prishtinë, edhe në Shkup. Dhe mbi të gjitha të mos harrojmë një parim të shenjtë të pushtetit vendor, për ne si demokratë, me konsultimin me të gjithë qytetarët e Durrësit. Po po! Me referendum lokal! Pasi ti paraqiten të gjitha të dhënat dhe pasi ti paraqiten disa variante, jo me detyrim përcaktim, kjo është, e doni apo se doni. Na jepni variantet, na jepni studimet, dhe qytetarët vendosin. Kjo është rruga për të ecur përpara! Prandaj ka 30 vjet që në këtë aspekt, e në veçanti këto 10 vitet e fundit, këto 8 vitet e fundit në veçanti, e shesin tallashin, ua shesin tallashin njerëzve, si është ajo shprehja, për ushqim. Por njerëzit nuk hanë tallash, por as nuk kanë pse të largohen, nga kjo perlë, siç është Durrësi. Nga ky vend i bekuar siç është Shqipëria! Është në dorën tonë të kërkojmë llogari, të ballafaqohemi me të vërtetat, të vendosim me votë. Të mos rrimë në shtëpi, as me 6 mars, pavarësisht se janë zgjedhje të pjesshme, pavarësisht se janë me atë mandat që janë, por vota është një instrument i rëndësishëm. E dimë të gjithë se çfarë ka ndodhur me 25 prill, e dinë të gjithë, e dinë edhe SPAK-u, edhe faktorët ndërkombëtarë, që po bën të gjitha përpjekjet, që kësaj radhë, të mos përfundojnë si 339 jo 334. Rrota është e madhe! Ndoshta ka filluar të lëvizë pak ngadalë, por kësaj radhë do të lëvizë mirë. Nuk do lëvizë deri me 6 mars ndoshta, dhe 6 marsi në këtë kuptim do jetë një test i qartë i kësaj qeverisje, nuk besoj se do ta kalojë, por prapëseprapë pavarësisht se çfarë bëjnë ata, ata aq janë, shumica janë qytetarët. Detyra jonë është ti ndërgjegjësojmë qytetarët, që e kanë në dorë. Edhe zhvillimin ekonomik të Durrësit e kanë ata në dorë, duke i dhënë politikës një fytyrë njerëzore. Që ti kthejnë institucionet Durrësit! Po i kthyem institucionet Durrësit, nuk do ta ketë të lehtë qeveria e Tiranës, të bëjë numra, siç bënë me kullën e “Habibit”, me projektin e Durrësit. Jo jo! Do detyrohet të ulet, të shtrojë versionet, në qoftë se ka, e ti shkojë deri në fund konsultimit me qytetarët. Po e them në parim, se nuk besoj se do ketë kohë t’i bëjë të gjitha këto, se besoj dhe jam i bindur që, zhvillimet do të jenë të shpejta, dhe do të jenë në drejtimin e rikthimit të Durrësit dhe Shqipërisë , tek durrsakët dhe tek shqiptarët. U zgjata pak dhe natyrisht që jam i hapur për pyetje më specifike, për çështje më specifike. Por siç e thashë, ky është momenti për të dëgjuar nga kandidati. Nga bashkëqytetari juaj, nga kolegu i shumë prej jush, nga ai të cilit i kemi besuar, në këtë moment, të paparashikuar duhet të themi, si një anomali e një anomalie, anomalisë së 30 qershorit të 2019-tës, i kemi besuar këtë mision: kthimin e fytyrës njerëzore të politikës. Një politikë me fytyrë njerëzore, që si mision ka , t’i kthejë institucionet shqiptarëve, t’i kthejë institucionet durrsakëve, si parakusht për normalitet dhe për një zhvillim ekonomik të mbarë. Ju faleminderit!