Zonja kryetare e Kuvendit, dua ta nis me një pyetje retorike sepse në fakt përgjigjja nuk ju takon ju. Si ka mundësi që në seancën e javës të ngarkuar me vendime të sjell nga vet qeveria, në një javë të mbushur me skandale dhe do të tronditin dhe madje do të rrëzonin qeveri normale në vende normale, këtu nuk ndodhet as 1/3 e kabinetit. Ku është kryeministri?
E dimë që para dy ditësh shkoi dhe erdhi me charter privat diku dhe spati as deçencën të njoftonte shqiptarët se për çfarë po i harxhonte ato 120 apo 150 mijë euro karburant që kushton një fluturim me charterin privat. Ky që e nisi qeverisjen duke premtuar se do të udhëtonte vetëm me bileta ekonomi, tani niset për në Paris, për në Mynih, shkon e vjen me një charter luksoz, ku siç e thashë, vetëm karburanti kushton 120 mijë euro minimumi dhe kur vjen puna për t’u përballur me shqiptarët, me përfaqësuesit e shqiptarëve, nuk e dimë ku është. Me siguri do vij përgjigjja misterioze, është në takime të rëndësishme. Çfarë takimesh?! Me cilin vend të Evropës, mos të them të botës, në 2022 mungon transparenca minimale për shpenzimet marramendëse qeveritare të një populli që është në varfërinë më të thellë.
Në cilin vend të botës kryeministri ka çarter privat, shkon drejt qyteteve, kryeqyteteve luksoze të Evropës, ndërkohë që qeveria e tij, pa asnjë mandat dhe në kundërshtim me ligjin, shemb çatitë e banorëve të kryeqytetit, siç ndodhi me lagjen tek “5 Maji”, banorët e të cilit një pjesë prej të cilëve po protestojnë para Kuvendit, por pjesa dërrmuese e të cilëve janë në një gjendje lufte, sikur i ka bombarduar një armik. Por jo një armik i dukshëm, me artileri, tanke dhe aviacion ushtarak, por armiku i padukshëm, por po kaq i tmerrshëm i korrupsionit qeveritar. Mjaftojnë këto fakte, për të kuptuar se pse dy ditë më parë, Transparency International, që është barometri i korrupsionit  konfirmoi në anglisht atë që në shqip e di çdo shqiptarë, e dini dhe ju. Kanë filluar ta thonë edhe ndonjë zë i izoluar brenda jush: që qeveria e masakrës zgjedhore të 25 prillit, është qeveria më e korruptuar e Evropës, më e korruptuara e Ballkanit.
Pandershmëria, paligjshmëria, në institucione në qeverisje deri në majën e qeverisjes, largimi i çdo shërbimi nga qytetarët, ç’vashja e institucioneve nga arsyeja që ekzistojnë, për t’i shërbyer qytetarëve dhe kthimit të tyre në shërbim të një grushti njerëzish që përfitojnë me çdo mjet në kurriz të mirëqenies së çdo shqiptari.
Këto nuk janë fjalë e kundërshtarit politik, këto nuk janë fjalët e opozitës, as shpikje dhe sajesa, as baltëhedhje, por janë të vërteta të pamohueshme me të cilat çdo njeri në marrëdhënie pune, çdo i papunë, kryefamiljarë, familjarë apo i ri, çdo sipërmarrës, çdo fermerë, student, pensionistë, përballet çdo ditë, korrupsioni është armiku i përditshëm dhe provat e tij nuk kanë nevojë t’i lexojmë në raportin e fundit të Transparency International. Korrupsioni ka shkatërruar institucionet, ka deformuar vendimmarrjen, ka shkatërruar dhe dëmtuar palcërisht tregun, ka penguar avancimin në rrugën drejt Bashkimit Evropian dhe nuk kemi nevojë të rrëmojmë në kujtesën e harraqit në këtë sallë.
Shikoni vetëm ngjarjet e javëve të fundit. Shfletoni vetëm ato pak media që kanë akoma guximin t’i pasqyrojnë këto të vërteta, shikoni investigimin e BIRN-it mbi korrupsionin në shëndetësi, për PPP-të. Fakt për të cilin Partia Demokratike ka depozituar një kallëzim penal, që pret të shpluroset  për Check Ap-in e famshëm që vazhdon si një hemorragji e përditshme e parave të shqiptarëve, e nuk ndalet as në kohë pandemie, as në kohë tërmeti, as në kohë fatkeqësie.
Në vend që të shkojnë për të përmirësuar shëndetësinë, që ka nevojë më shumë se kurrë për këto para. Apo shikoni raportimin e djeshëm të tenderëve të ARRSH-së, ku prapë është përzgjedhur një ofertë që do t’u kushtojë qytetarëve 2 milionë euro më shumë se oferta tjetër më e ulët. Pa asnjë shpjegim, 2 milionë euro.
Për të ardhur pastaj tek afera e shekullit, tek inceneratorët që kanë shkrumbuar dhe shkrumbojnë vetëm paratë e shqiptarëve. Ndërkohë që dje janë shpallur në kërkim ndërkombëtar dy nga prestanomet e kësaj afere, prej minimalisht 430 milionë eurosh. 1 vit më parë e kam lajmëruar disa herë që do të zhduken, do të shkojnë në arrati, në mos i gjet diçka më e keqe, se dinë shumë, dhe dinë ato që s’duan t’i dinë ata që duhet të ishin këtu. Ai që duhej të ishte këtu mbrapa. Tani janë në kërkim ndërkombëtar. Ndërkohë që ata janë në kërkim ndërkombëtar, kjo qeveri vazhdon të paguaj skenat e krimit që janë rrethuar me shirit të verdh.

Koha na dha të drejtë, ndërsa mbrojta e paprecedent që ju i bëtë kësaj afere, madje duke çuar edhe grupin parlamentar në atë landfilli që sot është një skenë krimi, është barra e përgjegjësisë që ata që i kanë bërë avokatinë mafies së plehrave kanë përballë shqiptarëve. Dhe qytetarët po shohin përherë e më qartë se kush janë abuzuesit të taksave të tyre. Nuk është ndonjë kënaqësi të themi që koha na dha të drejtë dhe që mbrojtja e paprecedentë që ju i bëtë kësaj vepre të tmerrshme penale, duke e çuar grupin parlamentar të Partisë socialiste si mburojë tek inceneratori i Elbasanit, që sot është një skenë krimi, është në fakt prova më e qartë e avokatisë që i bëni mafies së plehrave që kanë përballë shqiptarët. Është aleanca e qartë që bëni me njëri-tjetrin, për pushtet dhe para. Kështu që për shqiptarët nuk ka asnjë dyshim më se pse janë në këtë gjendje, kush janë abuzuesit me taksat e tyre. Natyra e vërtetë e kësaj qeverisjeje shpaloset në aferën skandaloze të inceneratorëve. Ju kemi kërkuar t’i ndërprisni pagesat, i vazhdoni pagesat, jo vetëm për inceneratorët, për çdo aferë që kemi denoncuar ju e bëni veshin e shurdhët. Prandaj, për këtë arsye jemi vendi me të ardhurat më të ulëta për frymë, për arsye jemi vendi me varfërinë më të madhe në rajon, për këtë arsye jemi vendi me azilkërkuesit me numrin më të lartë në rajon, për këtë arsye fermerët shqiptarë janë me zero mbështetje aq sa në media ndërkombëtare është raportuar kthimin e fermerëve shqiptarë tek parmenda. Apo s’doni t’i shihni këto.
Miliarda euro në këto vite. Miliarda euro borxh, më shumë borxh se të gjitha qeveritë e mara së bashku që nga 91-shi deri në 2013-ën, skema mafioze se ku kanë shkuar këto miliarda euro të inceneratorëve, tregon pse asgjë nuk ka kontribuar për rritjen e mirëqenies së qytetarëve. Pse  shumicës së shqiptarëve u mbetet vetëm dopjogjashta e korrupsionit së qeverisë Rama, aq më shumë këto projekte që nuk i ndalet as në kohë pandemie as në kohë tërmeti. Fatkeqësisht kjo është e vërteta. Akoma më fatkeqësisht kjo e vërtetë, që e keni shitur Shqipërinë te ofertuesi më i mire, madje tek ofertuesi më i lartë, as ju skuq, as ju bën me turp
Asnjë reagim.
Çmimin e kësaj makutërie, si përherë, e paguajnë qytetarët e këtij vendi. Ndaj dua të pyes ata pak që ndodhen në këtë sallë, kur do të vijë dita të ballafaqoheni me të vërtetën? Kur do të ballafaqoheni me fëmijët tuaj, me komshinjtë tuaj, me ata që u keni kërkuar votën dhe s’ua keni marrë përmes krimit dhe parave?
Kur do të vijë dita ta ngrini zërin? Dhe nëse jo, trupi është i juaji dhe koha është që ato institucione që janë ngritur me taksat e shqiptarëve dhe të Evropianëve, dhe të amerikanëve të bëjnë punën e tyre. Ndaj nuk do të resht që nga kjo foltore t’i kërkoj që atë që e ndalën paturpësisht në këtë parlament, hetim in për inceneratorët, atë që ka bllokuar hetimin për Bechettin, atë që e zvarrisin hetimin për masakrën zgjedhore, të mos e ndalin. Do të maten jo me konferencat për shtyp, as me arrestimin e bishtit, por me hetimin dhe vënien para përgjegjësisë penale të kokës së korrupsionit në Shqipëri, që është koka e qeverisë, koka e regjimit të masakrës zgjedhore të 25 prillit.