SHPJEGIMI I DORIAN TELITIT GJATE KONFERENCES ME GAZETARËT

Ashtu siç u shpjegua edhe paraprakisht, zotimi ynë është ulja e menjëhershme e taksave, ky nuk është objektivi, ky është një instrument për të ndihmuar ekonominë shqiptare për t’u rikthyer në shinat e zhvillimit dhe nuk është instrumenti i vetëm ku jemi angazhuar.

Megjithatë le të ilustrojmë me dy-tre shëmbuj konkret taksimin, që të jetë e prekshme për të gjithë qytetarët shqiptarë dhe të marrë fund një herë e mirë e gjithë logoria e shpifjeve të përfaqësuesve të qeverisë mbi angazhimet e Lulzim Bashës dhe PD-së.

Të flasim fillimisht për qindra mijëra të punësuar.

Ne angazhohemi që të heqim taksën progresive mbi pagat, e cila sot është nga 13 dhe 23 % dhe do të vendosim taksën e sheshtë vetëm 9% duke ruajtur, fashën ekzistuese të 300 mijë lekëve të para.

Konkretisht, marrim pagën mesatare 500 mijë lek të vjetra në muaj.

Sot një individ me taksën progresive paguan 26 mijë lek të vjetra në muaj tatim mbi pagën.

Me taksën e sheshtë me propozimin tonë, me angazhimin tonë, do të paguajë vetëm 9% e cila përkthehet në vetëm 18 mijë lek të vjetra në muaj. 300 mijë lekëshi i parë nuk tatohet. Tatohet çdo qindarkë mbi këtë 300 mijë leksh.

E thënë ndryshe me taksën e sheshtë 9%, me heqjen e taskës progresive çdo qytetar i cili paguhet sot me pagën bruto prej 500 mijë lekësh të vjetra do të ketë një kursim mujor prej 8 mijë lekësh ose e thënë ndryshe në vit, 96 mijë lek. Le të marrim një pagë tjetër. Pagën tuaj.

Një pagë mesatare të gazetarëve, afërsisht 100 mijë lek të vjetra në muaj.

Sot ju të nderuar paguani 78 mijë lek të vjetra tatim mbi pagën në taksimin progresiv.

Me taksën e sheshtë 9% do të paguani vetëm 54 mijë lek në muaj. Pra në xhepin tuaj do të keni 24 mijë lek më tepër para të cilat ju nuk do t’i paguani më për të shkuar për kontrata konçesionare, për shpenzime luksi, për shpenzime operative, absolutisht të panevojshme, para që do të ngelin në xhepin tuaj, para që do të mbeten për konsumin tuaj të përfitshëm.

Besoj se është e qartë. Ruhet fasha përjashtuese prej 300 mijë lekësh të vjetra, ulet nga 13 dhe 23 % dhe vendoset taksë e sheshtë prej vetëm 9%.

Të flasim për krahun tjetër, biznesin.

Ne jemi angazhuar që të mbështetet fuqimisht biznesi i vogël dhe çdo biznes me xhiro vjetore deri në 140 milionë lek të vjetra do të jetë pa tatim-fitim dhe pa TVSH.

Njëkohësisht në anën tjetër biznesi nuk paguan vetëm tatim fitimin dhe TVSH, por paguan edhe një lum pa fund taksash dhe tarifash lokale, disa prej tyre të përkohshme siç keni rastin e Bashkisë së Tiranës, të cilat i marrin frymën binzesit.

Angazhimi ynë është çdo biznes me xhiro deri në 140 milionë lek të vjetra është pa tatim fitim, pa TVSH dhe njëkohësisht të gjithë takast dhe tarifat lokale nuk do të kalojnë 0.5% të xhiros.

Konkretisht.

Marrim një fast food, raste konkrete në qytetin e Tiranës.

Një fast food me xhiro 110 milionë lek të vjetra, përveç faktit që s’do të paguajë TVSH, vetëm taksa lokale të deklaruara me fatura, që na i kanë dorëzuar këtu në selinë e PD-së, paguan 1 milionë e 170 mijë lek për taksë pastrimi, për taksë tabele, për tarifa të ndryshme, për taksën arsimore e kështu me rradhë.

Me propozimin tonë ky biznes dhe të gjithë bizneset e tjera nuk do të paguajnë më tepër, që janë të ngjashëm me 110 milionë lek, jo më tepër se 550 mijë lek të vjetra në vit. Praktikisht gjysmën e asaj sot.

Pra ne kemi vendosur një tavan që të gjithë taksat dhe tarifat lokale të os e tejkalojnë këtë tavan.

Është e vërtetë. Me gishtat e dorës numërohen bizneset në të gjithë Shqipërinë të cilat sot paguajë në 61 bashkitë e vendit mund të paguajnë taksa dhe tarifa lokale më të ulët se 0.5 por numërohen me gishtat e dorës, ato do të vazhdojnë të paguajnë siç paguajnë sot, 99.99% e bizneseve të vogla të Republikës së Shqipërisë, po flasim për 100 mijë biznese, nuk do të paguajnë më tepër se 0.5% të xhiros. Është tavan.

Biznesi i madh, e dëgjuat edhe sot kryeministrin në ikje i cili shprehet se Lulzim Basha angazhohet për të ulur taksat e biznesit të madh të oligarkëve. Jo. Oligarkët, pra ata që kanë shkelur rregullat e lojës të konkurencës së lirë dhe të ndershme jo thjeshtë do të paguajnë taksa por do të kthejnë çdo qindarkë në arkën e shtetit të parave të shtetit të marra në mënyrë klienteliste dhe abuzive në kurrizin e shqiptarëve, në kurrizin tonë dhe në kurrizin tuaj.

Një më një, kokërr më kokërr me anë të mekanizmit Antimafia me anë të parimit “Ndiq paranë”.

Ndërsa për të gjithë bizneset e mëdha për të cilat PD e ka në shtyllën e saj kurrizore mbështetjen tek biznesi. Çdo biznes i ndershëm i cili ka dëshirë të ushtrojë veprimtarinë e tij në Republikën e Shqipërisë do të jetë i lirë të kryejë biznes bazuar në rregullat e konkurrencës së lirë dhe të ndershme dhe nuk do të paguajë më një tatim fitim prej 15%, por do të paguajë vetëm 9%.

Për më tepër të gjitha bizneset e mëdha dhe të vogla, ato që përmenda më parë, nuk do të jenë më subjekt i sigurimeve shoqërore deri në 24.5%, por do të bëhet një ulje e ndjeshme e tyre në vetëm 18%, 9% punëdhënësi, 9% punëmarrësi. Janë para më tepër në xhepin si të konsumatorëve ashtu edhe të bizneseve.

Qartë dhe thjeshtë dhe kjo vlen të dëgjohet nga çdo qytetar shqiptar dhe të mos dëgjojnë mashtrimet që kryhen shpesh, publike, nga ana e përfaqësuesve të qeverisë që nga kryeministri dhe ministrat e tij për skemën, angazhimin që është marrë tashmë në sytë e publikut shqiptar nga Lulzim Basha, sot kryetar i opozitës, nesër Kryeministër i Shqipërisë.