• Basha: Ndërsa Rama sulmon opozitën, ambasadorët, BE-në, ne kemi kohë që punojmë për programin. Punojmë me ekspertizën më të mirë ndërkombëtare e lokale. Ne bëjmë një plan pune, ai shpërdoron kohën televizive me fjalime të mërzitshme.

• Basha: Plani ynë ekonomik, në qendër qytetarin dhe familjen shqiptare. Plani ynë, taksa të ulëta, punësim, zhvillim. Plani ynë, plan pune i përditshëm, i përjavshëm, i detajuar. Me këtë plan fiton rinia, pensionistët, mjekët, infermierët, mësuesit, pedagogët, të papunët, të varfrit. Me këtë plan fiton Shqipëria, humbet Edi Rama.

• Basha: Edi Ramës ia kuptoj mirë nervozizmin, por koha e tij ka mbaruar. Më 25 prill, Edi Rama do të humbë dhe Shqipëria do të fitojë. Në 8 vite kishte kohë të mbante premtimet, por i shkeli. Taksa progresive ka dështuar, ka prodhuar korrupsion e padrejtësi, ka larguar rininë. Taksa progresive ka pasuruar oligarkët, ka varfëruar shqiptarët. Taksa progresive ka shkatërruar klimën e biznesit, taksa e sheshtë 9% do të sjellë zhvillim.

• Basha: Rama është e shkuara, prandaj nuk merrem më me të. Koalicioni ynë, bashkë me LSI do të largojmë Ramën dhe do të nisim zbatimin e planit tonë të punës. Nuk kam premtuar mrekulli, por një program që Shqipëria të fitojë. Kurrë më në Shqipëri një njeri i vetëm nuk do të ketë të gjitha pushtetet. Koalicioni do të mbrojë dhe garantojë demokracinë dhe ndarjen e pushteteve.

• Basha: Rama e shkatërroi procesin e integrimit, kushtet na u shtuan për shkak të dështimeve të tij. Zhbllokimi i procesit të integrimit, prioritet madhor i imi. Me qindra miliona euro nga BE janë të bllokuara për shqiptarët nga ngecja në procesin e integrimit.

 

KOMUNIKIMI I KRYETARIT TË PD, LULZIM BASHA, ME GAZETARËT

 

Ju uroj mirëseardhjen!

U bë ca kohë, por siç e keni parë kemi qenë të ngarkuar me prezantimin e platformës tonë ekonomike. Ju falenderojë për interesin që e keni ndjekur dhe përcjellë tek qytetarët shqiptarë sikundër gjej rastin të falënderoj qytetarët shqiptarë për interesin e jashtëzakonshëm që kanë pasur në këtë prezantim dhe mbështetjen e jashtëzakonshme që kanë shfaqur gjatë gjithë këtyre ditëve në mënyrë publike përmes ekraneve tuaja, me mesazhe në rrjetet sociale e kudo tjetër.

Njëri prej qytetarëve është i lodhur, është i dëshpëruar dhe nuk e fsheh dot nervozizmin e tij për shkak të këtij programi dhe në fakt është i vetmi që del i humbur nga ky program. Qytetari Rama pas 8 vitesh premtimesh të pambajtura, pas 8 vitesh dështimesh nuk i ka mbetur më asgjë tjetër veçse nga mëngjesi deri në darkë të ngulet para televizorit ose para Facebook-ut dhe të vjellë nga mëngjesi deri në darkë sulme personale të cilat siç i keni parë pas shpalosjes së programit janë intensifikuar.

Ju e kuptoni pse e bën këtë apo jo? Media e kupton pse e bën këtë. Tani përmes mediave dua t’jua shpjegoj fare qartë qytetarëve pse e bën këtë. Po çfarë tjetër mund të bëjë qytetari Rama, kryeministri në ikje pas 8 vitesh premtimesh të pambajtura? 8 vite dështime. 8 vite ku ka prodhuar, papunësi, rritje taksash, rritje të kostos së jetesës, largimin më masiv të të rinjve. Pra me dy fjalë, shkatërrimin e ekonomisë dhe të vendit. Imagjinoni, nuk është e lehtë.

Gjithësecili prej jush vendoseni vetën në vendin e një njeriu që për 8 vite ka pasur çdo gjë në do të. Gjithçka, edhe arrën edhe gurin, gjithçka. Pushtetin më të pakufizuar që nga koha e Enver Hoxhës e ka pasur Edi Rama.

Shikoni tani ku e ka katandisur Shqipërinë me pushtetin që e ka pasur. Ndërkohë që ka nisur dhe intensifikon ritualet e tij çaveziane, orë të tëra fjalime, sulme ndaj opozitës, sulme ndaj medias, sulme ndaj ambasadorëve, sulme ndaj BE-së, sulme ndaj çdokujt, ne kemi bërë vite që përgatisim ofertën tonë për shqiptarët. Jo premtime.

Unë nuk bëj premtime, Partia Demokratike nuk bën premtime, ky që është shpalosur nga kjo sallë dhe vazhdon të shpaloset dhe do të vazhdojë dhe në javët në vijim, është angazhim, është plan pune konkret dhe ka marrë një kohë të gjatë për t’u përgatitur me ekspertët më të mirë tanët, të Shqipërisë dhe me ndihmën më të vyer ndërkombëtare.

Është ky plan pune në qendër të të cilit janë hallet dhe problemet që kanë shkaktuar 8 vite të keqqeverisjes të qytetarit Rama, kryeministrit në ikje, njeriut të lodhur dhe të dështuar që nuk i ka mbetur asnjë marifet tjetër përveçse sulmeve diversioneve dhe shpërdorimit të kohës televizive për fjalime të mërzitshme që s’ia beson më askush, as brenda shtëpisë së vet. Plani ynë ekonomik në tërësinë e tij ka në qendër qytetarin dhe familjen shqiptare. Objektivat e tij janë të qartë, të mundësoj brenda 4 viteve 110.000 vende të reja pune.

Taksat më të ulëta, të jap arsye dhe mundësi të rinjve që ëndërrojnë të punojnë dhe të jetojnë në vendin e tyre dhe të ul ndjeshëm papunësinë dhe koston e jetës. Prej muajsh, ky plan është detajuar sikundër edhe reformat dhe hapat që do të ndërmerren ditë pas dite, javë pas jave, muaji pas muaji në 100 ditëshin e parë për të mundur që në krye të katër viteve të dalim para shqiptarëve me një plan pune konkret të realizuar jo me premtime boshe e të pambajtura, që janë epitafi i qeverisjes 8 vjeçare të dështuar të qytetarit të mërzitur nga ky plan. Me këtë plan fitojnë shqiptarët. Me këtë plan fiton rinia.

Me këtë plan fitojnë pensionistët, fiton shtresa e mesme, fitojnë fermerët, fitojnë profesionistët, fitojnë mësuesit dhe pedagogët, personeli shëndetësor nga infermierët dhe sanitaret tek mjekët dhe tek farmacistët, fiton Shqipëria, fitojnë të gjithë, vetëm njëri nuk fiton; me këtë plan humb Edi Rama. Dhe ky është shkaku pse do të vazhdojë të harxhojë orë të tëra të programacionit tuaj me propagandë bajate, me diversione të dala boje, me sulme të lodhura ndaj meje.

Po ja them sot ta kuptojë shumë mirë nervozizmin, por koha jote ka mbaruar. Më 25 prill Edi Rama do të humb dhe Shqipëria do të fitojë. Në krahun tim, kam dy nga ekspertet që kanë punuar dhe kanë drejtuar punën e programit në tërësi dhe të ekipit ekonomik në veçanti. Dhe para se t’ju jap mundësinë për t’mu drejtuar me çfardo pyetjesh që mund të keni, më lejoni t’jua jap fjalën fillimisht zonjës Tabaku dhe pastaj zotit Teliti.

Pas gjithë bajatsirave dhe sulmeve që i bën ai apo ata që i nxjerr për të sulmuar, fsheh diku ndonjë premtim. Kur dolëm ne me pagën minimale, sulm, sharje, fyerje, gajasje bajate dhe pastaj doli dhe e morri dhe tha do ta bëj unë.

Se si do ta bëjë një Zot e di se nuk e bëri 8 vite me radhë. Ne e kemi planin se si do të shkojmë tek rritja e rogave, se kalon përmes një procesi të tërë ekonomie që ai as e ka kuptuar kurrë, as ka për ta kuptuar. Se po se kuptoi për 8 vite kryeministër, kur do e kuptojë? Në pension? Po deshi ta kuptoj në pension, ndoshta do të bëjmë dhe ndonjë skemë të subvencionojmë tarifat për pensionistët. Megjithëse nuk e besoj se ka nevojë për një subvencionim Edi Rama, dhe pak si vonë është të nxërë ekonominë.

Por çështja është fare e thjeshtë, 8 vite kishte kohë t’i mbante premtimet të cilat bëri, nuk i ka mbajtur ato premtime, shikon programin tonë që është program pune dhe pastaj fillon e premton, hap thesin se do bëjë në tre muaj atë që s’ka bërë dot në tre vite. Të njëjtën gjë bëri dhe sot.

Faktikisht sot, pas të gjithë atyre sharjeve, fyerjeve, diversioneve, tha që taksa e tij progresive ka dështuar. Ka dështuar? Sa vite ka që e themi ne? Taksa progresive jo vetëm ka dështuar, por ka mbjellur korrupsion, ka varfëruar shqiptarët, ka mbjellur papunësi, ka shkatërruar ekonominë, ka larguar të rinjtë nga Shqipëria.

Është një nga arsyet kryesore të dështimeve të njëpasnjëshme të Edi Ramës. Por në lodhjen dhe dëshpërimin që e ka kapërcyer, e fshehu në ato sulmet e bojatisura të sotme, kështu që dua t’ia theksojë unë meqë se tha vet sot; të paktën tani në ikje, fillon dhe i pranon disa nga dështimet e veta.

Sigurisht që taksa progresive ka dështuar, ka pasuruar oligarkët e tij, ka varfëruar të gjithë shqiptarët, ka shkatërruar shtresën e mesme, ka shkatërruar vendet e punës, ka shkatërruar klimën e biznesit dhe kjo është një nga arsyet se me taksën e sheshtë 9% Fiton Shqipëria, fitojnë shqiptarët, humbet vetëm dështimi i këtyre 8 viteve dhe një grusht shokësh te tij.