Partia Demokratike e Shqipërisë ka ndjekur me vëmendje dhe shqetësim të gjitha zhvillimet lidhur me ecurinë e marrëveshjes së delimitimit të hapësirave detare ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë.

Partia Demokratike shpreh shqetësimin e saj lidhur me heshtjen dhe mungesën e transparencës së qeverisë ndaj zhvillimeve të fundit, sa i përket Dekretimit të Zgjerimit të Ujrave Territoriale Greke.

Të gjendur përballë një situate, ku Republika Helenike ka deklaruar shtrirjen e ujrave të veta territoriale deri ne 12 milje, është krejt legjitime që çdo qytetar shqiptar t’i drejtojë këto pyetje Qeverisë Shqiptare:

1. Përse qeveria shqiptare nuk ka bërë asnjë transparencë në lidhje me negociatat për ndarjen e kufijve ujorë me Greqinë, megjithëse negociatat për këtë qëllim kanë rifilluar që më 2013?

2. Cilët janë elementët që janë negociuar në lidhje me çfarë është rënë dakord dhe çfarë nuk është rënë dakord?

3. A është diskutuar ndonjëherë në këto negociata ideja që qeveria greke t’i shtrijë ujrat e veta territoriale nga 6 ne 12 milje? Nëse po, cili ka qenë qëndrimi i qeverisë shqiptare në këtë pikë?

4. A e vendos Shqipërinë kjo shtrirje nga pala greke e detit territorial në 12 milje në një pozitë më pak të favorshme negociuese?

5. A ka analizuar qeveria shqiptare pasojat juridike dhe të tjera të kësaj shtrirjeje për të cilën mediat kanë raportuar prej kohësh?

6. Nese ky zgjerim e vendos Shqipërinë në një pozitë më pak të favorshme, a duhet që qeveria shqiptare të paraqesë rezervat e saj lidhur me këtë zgjerim si dhe me aspekte të tjera që përkeqësojnë pozitat e Shqipërisë?

Partia Demokratike e Shqipërisë është krejtësisht e angazhuar në respektimin e të Drejtës Detare Ndërkombëtare, të Konventës së OKB mbi të Drejtën e Detit të Montego Bay të vitit 1982, të respektimit të të drejtave të të gjitha palëve dhe mbrojtjes së të drejtave të Republikës së Shqipërisë në përfitimin e të gjitha atyre hapësirave detare që, me të drejtën ndërkombëtare, i përkasin Republikës së Shqipërisë.

Partia Demokratike i bën thirrje qeverisë të bëjë transparencë të plotë mbi çdo veprim apo mosveprim të saj në dëm të interesave të vendit dhe garanton çdo qytetar shqiptar se, nesër në pushtet, do të luftojë me forcën e ligjit, në respektim të Vendimit të Gjykatës Kushtetuese, me ekspertizën më të mirë kombëtare e ndërkombëtare, për të mbrojtur interesat legjitime të Republikës së Shqipërisë.