• Hapje e listave 100%, hap i madh i opozitës për konsensus. Bie maska e Edi Ramës. Akoma nuk e ka pranuar hapjen e plotë të listave.

 

  • Propozimi i Ramës: Rreth 100 deputetë të jenë të paracaktuar nga listat e mbyllura dhe afro 40 deputetë të jenë me lista të hapura.

 

  • Edi Rama nuk do hapjen e listave, por ndalimin e koalicioneve parazgjedhore, që të ndryshojë kushtetutën dhe të dëmtojë koalicionin opozitar.

 

  • Me ndalimin e koalicioneve, votat që qytetarët hedhin tek partitë e vogla opozitare për të larguar Edi Ramën, prodhojnë mandate për Edi Ramën.

 

  • Është mashtrim i Ramës se koalicionet parazgjedhore dhe listat e hapura nuk funksionojnë bashkë. Në 1 fletë mund të votohet për partinë dhe kandidatin e saj.

 

  • Opozita ka moralin përballë farsës së Edi Ramës. Ne nuk pranojmë që pjesa humbëse në listë t’u lihet qytetarëve dhe fituesit t’i mbajnë kryetarët.

 

  • Listat e hapura 100% janë përgjigje e shkëlqyer e opozitës për të gjithë mashtruesit që promovojnë lista gjysmë të hapura.

 

  • Për hapjen e listave 100% jemi plotësisht dakord. Jemi të gatshëm të punojmë pa ndërprerje, në çdo momenti me palën tjetër. Për çdo çështje tjetër nuk jemi të hapur.

 

  • Nuk mund të ndryshohen 8 muaj përpara zgjdhjeve dhe në mënyrë të njëanshme rregullat që janë përcaktuese të rezultatit zgjedhor: formimi i koalicioneve, mënyra e shpërndarjes së mandateve apo ndarja e zonave zgjedhore.

 

  • Veprimet e Ramës për t’i imponuar dhunshëm opozitës dhe qytetarëve rregulla të pabarabarta loje në zgjedhje janë veprime prej humbësi të madh. Lojrat e pista të Edi Ramës nuk ndalin dot rotacionin.

 

  • Ne jemi të hapur për të vijuar dialogun politik. Është momenti që maxhoranca, qeveria t’u thotë “po” listave 100% të hapura

 

  • Në parlament nuk mund të ketë disa deputetë të zgjedhur dhe disa deputetë që nuk i zgjedhin qytetarët.

 

  • Të mos humbim kohë me lojra politike, hallet e shqiptarëve janë më të mëdha se hallet e Edi Ramës për mbijetesën e tij personale politike.

 

 

KONFERENCA E PLOTË PËR SHTYP E SEKRETARIT TË PËRGJITHSHËM TË PD, GAZMENT BARDHU DHE PËRFAQËSUESVE TË OPOZITËS NË KËSHILLIN POLITIK OERD BYLYKBASHI DHE PETRIT VASILI.

 

Opozita e Bashkuar ka bërë një hap të madh përpara për të arritur konsensus mes të gjitha forcave politike për disa çështje të rëndësishme që kanë të bëjnë me zgjedhjet.

 

Opozita ka propozuar dje që palët të bien dakord për të hapur listat 100%, pa kufizime, duke mbajtur në fuqi koalicionet parazgjedhore dhe shpërndarjen e mandateve, siç është aktualisht në fuqi.

 

Ky është një qëndrimi i përhershëm i opozitës. Ne kemi qenë gjithmonë të hapur për të bërë një diskutim transparent dhe gjithëpërfshirës për gjithçka në lidhje me zgjedhjet. E kemi bërë të qartë, që nga fillimi, që prioriteti i Shqipërisë dhe shqiptarëve, dhe i Opozitës së Bashkuar është garantimi i votës së lirë të qytetarëve, garantimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

 

Ishte Edi Rama që si publikisht, ashtu edhe në Këshillin Politik, refuzonte të diskutonte këtë temë. Ishte Edi Rama që refuzonte listat e hapura dhe ishte kundër tyre. Sepse çdo lëvizje e Edi Ramës është e motivuar nga frika e zgjedhjeve dhe humbjes së pushtetit të tij. Objektivi i tij, njëlloj si këto 4 vite pa rreshtur, ishte të ndalojë Opozitën e Bashkuar të konkurojë në zgjedhje e bashkuar si koalicion.

 

Për këtë qëllim, Edi Rama paraqiti në Kuvend, në mënyrë të njëanshme, një amendament kushtetutes që heq koalicionet parazgjedhore si subjekt zgjedhor.

 

Fillimisht, ai përdori alibinë e mungesës së 84 votave për të miratuar Marrëveshjen e 5 Qershorit. Edi Rama doli publikisht në mbështetje të heqjes së koalicioneve dhe gjoja hapjes gjysmake të listave vetëm një ditë pasi 6 deputetë deklaruan votën pro Marrëveshjes së 5 Qershorit dhe realizuan kuorumin e duhur për marrëveshjen.

 

Pas kësaj, Edi Rama u fsheh pas mashtrimit se listat e hapura dhe koalicionet parazgjedhore nuk shkojnë bashkë me njëra-tjetrën.

 

Si gjoja hapja gjysmake e listave, edhe pretendimi se koalicionet parazgjedhore dhe listat e hapura nuk shkojnë bashkë, janë dy mashtrimet e trasha të Edi Ramës, për të jusitifikuar frikën e tij nga zgjedhjet dhe humbja e pushtetit.

 

Me formulën që propozon Edi Rama, 1/3 e listave, pra pjesa fituese, vazhdon të përzgjidhet nga partitë, ndërsa 2/3, pra listat humbëse, të jenë të hapura, pra zgjidhen nga qytetarët.

 

Kjo do të thotë që sipas formulës së Edi Ramës pjesën dërrmuese fituese të deputetëve ta zgjedhin partitë dhe jo votuesit. Pra, rreth 100 deputetë të jenë të paracaktuar të jenë nga listat e mbyllura dhe vetëm afro 40 deputetë të jenë me votë parapëlqyese, pra me lista të hapura.

 

Opozita e Bashkuar ka propozuar dje hapjen 100 % të listave. Por vota e qytetarëve nuk ka rëndësi për Edi Ramën. Për të rëndësi ka vetëm pushteti i tij abuziv dhe grabitqar.

 

Maska e Edi Ramës ka rënë. Të gjithë shqiptarët e kanë kuptuar nuk është hapja e listave, por ndalimi i koalicioneve parazgjedhore.

 

Me ndalimin e koalicioneve parazgjedhore Edi Rama, në praktikë, çon votat që qytetarët hedhin kundër tij dhe Qeverisë së tij për partitë e vogla të koalicionit opozitar dhe që prodhojnë mandate opozitare, si vota për Partinë Socialiste. Pra, votat që qytetarët hedhin për të larguar Edi Ramën, sipas propozimit të Edi Ramës për heqjen e koalicioneve, prodhojnë mandate për Edi Ramën.

 

Kjo është loja e Ramës.

Ky është teatri që ka luajtur me fatet tuaja gjithë këto vite:

 

NDËRKOHË QË i ka braktisur njerëzit në mëshirën e fatit.

I ka lënë mjekët dhe infermierët pa mbrojtje.

I ka lënë spitalet pa pajisje mjekësore.

I ka lënë tavolinat tuaja bosh.

I ka çuar bizneset drejt falimentit.

E ka lënë ekonominë në rënie katastrofike.

 

Po ÇFARË BËN PËRDITË?

Bën llogaritjet e tij të vogla dhe mediokre si të vjedhë dhe të zhbëjë vullnetin e shqiptarëve, vullnetin tuaj.

 

E firmosi konsenusin në 5 qershor, u përpoq gjithë korrikun ta prishë, derisa u detyrua ta kalojë. Dhe tani, si një humbës dhe frikacak i keq, po përpiqet ta zhbëjë me preteksin e hapjes së listave.

 

TANI, QË NE PROPOZUAM ZYRTARISHT NË KËSHILL HAPJEN E TYRE 100% për t’u dhënë më shumë zë dhe kontroll juve, RAMËS I IKU GJUHA DHE AKOMA NUK E KA PRANUAR HAPJEN E LISTAVE PËR TË CILËN KA DITË QE CICËRONTE SI BILBILI…

 

Ai tani doli zbuluar para juve të gjithëve, para partnereve si mashtruesi dhe frikacaku më i madh!

 

TANI E SHOHIN TË GJITHË SE EDHE HAPJA E LISTAVE PËR RAMEN ISHTE LOJË VETEM QË TË NDRYSHOJË KUSHTETUTËN DHE TË DËMTOJE KOALICIONIN OPOZITAR!!!

 

Por as ai, dhe askush tjetër nuk do ta mbaje peng vendin dhe njerëzit që duan ditë më të mira për familjen e tyre.

 

Pyetje: Z.Bylykbashi, pse koalicionet funksionojnë bashkë me listat e hapura, kur kryeministri thotë që nuk funksionojnë bashkë?

Oerd Bylykbashi: Pikërisht kjo është një nga gënjeshtrat kryesore të Edi Ramës në të gjithë këtë përpjekje, që synon të ndryshojë rregullat e lojës zgjedhore për partitë politike kundërshtare. Koalicionet dhe listat e hapura ekzistojnë, mund të funksionojnë pa asnjë problem me njëra tjetrën.  Koalicioni që përdorim ne sot, ta kemi të qartë, është një formë liste e hapur për partitë politike, ku zgjedhësi përcakton ai me votën e tij fuqinë e secilës parti. Pra, për çdo parti janë zgjedhësit që thonë se sa vlen partia. Është e njëjta  gjë që po përpiqemi të bëjmë me këtë propozim, që me lista të hapura të kandidatëve të jenë zgjedhësit të përcaktojnë me votën e tyre sa vlen secili kandidat, ai që do të marrë mandatin në parlament.

Me propozimin e tij Edi Rama përpiqet të bëjë të kundërtën, pra përpiqet që me justifikimin e hapjes së listës së kandidatëve, të mbyllë listën e partive, t’u heqë mundësinë zgjedhësve që të jenë ata të caktojnë sa është fortë një parti dhe kush janë kandidatët e asaj partie që do të hyjnë. Këto të dyja funksionojnë shumë mirë me njëra tjetrën, pa asnjë problem. Zgjedhësi ka mundësi të votojë, të caktojë partinë dhe në të njëjtën fletë votimi të caktojë se cili është kandidati i asaj partie. Këtë mund ta bëjë si për një parti që është jashtë koalicioni, njësoj mund ta bëjë me koalicionin aktual, modelin aktual mund ta bëjë me një parti që është brenda një koalicioni.  Ju e dini shumë mirë që çdo parti e koalicionit del me emër të veçantë e për rrjedhojë vota që hidhet përcaktohet qartë për ciliën parti shkon dhe më pas zgjedhësi zgjedh edhe kandidatin që ai preferon. Është teknikalitet lehtësisht i zgjidhshëm. Jju japim shembullin e Kosovës, por ka edhe vende të tjera, të cilët, të njëjtin problem, e zgjidhin lehtësisht nëpërmjet fletës së votimit.  Pra, Edi Rama në padijen e tij, por edhe në qëllimin e tij tinzar, përdor këtë lidhje jologjike vetëm me një qëllim: të zhdukë koalicionet që, si pasojë, t’u heqë mundësi zgjedhësve të përcaktojnë forcat politike dhe fuqinë ë tyre në parlamentin shqiptar. Absolutisht, teknikisht janë të zgjidhshme, është thjesht çështje e hartimit të fletës së votimit.

 

Pyetje: Z.Vasili pse insistoni që propozimi i z.Rama është mashtrim dhe ka vetëm synim heqjen e koalicioneve parazgjedhore?

Petrit Vasili: Së pari, dua të shteroj me ju faktin tashmë publik, se çdo të thotë që një farsë, një demagogji bie në tokë brenda pak sekondash, që ishte farsa gjoja e listave të hapura të Edi Ramës.  Arsyeja ishte shumë e thjeshtë. Në parim një kryeministër dhe disa të tjerë në Këshillin Politik, të cilët kanë qenë ata që i vidhnin votën qytetarëve, u bënin presion atyre, i shisnin e blinin, ju e  kuptoni fare mire që s’mund të jenë ata që të mund të flasin në emër tyre.  Po çfarë ishte në të vërtetë kjo?! Kjo ishte thjesht dhe vetëm pazar politikebrenda parlamentit. Do të bëjmë sikur në mënyrë gjysmake të hapim listat që të arrijmë atë që është qëllimi kryesor, që të heqim koalicionet. Po pse të heqim koalicionet? Sepse koalicionet dhe gjithë fronti opozitar është një fitues de facto i ditur për të gjithë shqiptarët.

Cila është tjetër arsyeja që bie maska?

Të tërë pa përjashtim, promovuesit mashtrues të listave të hapura, pasi nuk janë promovuesit të ndershëm.  U provua që nga dje që ishin një grup i madh mashtruesish politikë u përpoqën të lidhnin dy çështje pa asnjë lidhje me njëra tjetrën. Preferenca që brenda një partie politike të zgjedhësh edhe kandidatin, e cila është një normalitet politik dhe s’ka asnjë të jashtëzakonshme me organizim politik me koalicione.

Cili qytetar u shpreh për koalicionet? Cili qytetar u shqetësua për koalicionet? Cili qytetar e gjeti veten keq nga koalicionet?

Askush. Kishte një sensibilitet për lista të hapura. Këtij sensibiliteti iu përgjigjëm me zgjidhjen e plotë, jo me pazar. Dje ofruam zgjidhjen e plotë. Qytetarëve ose u jepet mundësi të zgjedhin fituesit, ose nuk iu jepet kjo mundësi.

Pjesë e farsës që humbësit u lihen qytetarëve dhe humbësit i mbajnë kryetarët e partive, ky nuk është qëndrimi i opozitës.

Një element tjetër që ka rëndësi për të gjithë ju, jo si gazetarë por si qytetarë, koalicionet parazgjedhore, të cilat janë tashmë një përcaktim dhe një mënyrë e të bërit politikë të konsoliduar janë morali përballë pazarit të Edi Ramës.

Për çfarë arsye?!

Të gjitha forcat politike që kanë afërsi programore dhe objektiva të njëjta, grupohen në koalicion dhe shkojnë përpara popullit dhe i thonë që të gjithë së bashku ne do t’ju qeverisim në këtë mënyrë.

Çfarë thotë Edi Rama?

“Jo- thotë, – ta lëmë këtë punë të dalë si të dalë, dhe një ditë pas zgjedhjeve, edhe në mos paçim punë me njëri tjetrin, të fillojmë pazarin të mbledhim votat dhe të bëjmë disa numra që të qeverisim Shqipërinë.”

Tani, ju jeni qytetarë dhe ata që na ndjekin janë qytetarë, çdo të thotë kjo?! Opozita është përballë moralit, pra së bashku marrim një përgjegjësi publike, ndërkohë që ju afrohet pazarpolitika, “shesim dhe mbledhim vota që s’kanë patur lidhje me njëra – tjetrën apo koka deputetësh për të krijuar një amalgamë, që gjithsesi, mban në këmbë Edi Ramën në mënyrë të pavërtetë dhe në mënyrë të një pazarxhiu të  rëndomtë.

Pra, përballë kemi një qëndrim parimor që respekton qytetarin, zgjedhjet dhe raportin me të dhe një qëndrim prej pazari.

Qartë dhe prerë, qytetari ka patur një ndjeshmëri për çështjen e listave të hapura. Është një ndjeshmëri që opozita shprehur kohë më parë në të gjitha llojet, format dhe mënyrat, por erdhi dita që t’i jepte përgjigje përfundimtare për t’u çjerrë maskën atyre dhe e bëri dje në mënyrë të shkëlqyer.

Por qytetarët nuk kanë patur shqetësim për koalicionet, madje duan koalicionet të vërteta që t’i dinë që përpara se të shkojnë në zgjedhje.

Në këtë mes keni shumë mirë të qartë se ç’pazarxhi kemi përballë që do edhe votën t’a japë me koncesion e ta numërojë si do ai, pasi i ra tentativa ta numëronte votën, prandaj bllokoi edhe depolizitimin, ai është fajtori kryesor për moskryerjen e depolitizimit. Sepse ose donte të numëronte me votuesit e tij ose ndryshe nuk ka depolitiziim.  Dhe kuptuam përfundimisht, çdo shqiptar e ka të qartë, që ky njeri është njeri i pazareve dhe kush është njeriu i parimeve. Opozita është atje dhe do të qëndrojë fort vetëm tek parimet.

 

Pyetje: Nëse Këshilli Politik nuk merr parasysh propozimet tuaja, a do të tentoni të kërkoni ndihmën e deputetëve brenda Parlamentit për të siguruar 28 firma që kërkesat tuaja të kthehen në nismë ligjore?

Gazment Bardhi: Ky ishte një prej qëndrimeve absurde të qeverisë dje në mbledhjen e Këshilli Politik. Siç ju e dini Këshilli Politik është një forum gjithëpërfshirës i të gjitha partive politike për të realizuar reformën zgjedhore dhe çdo diskutim i bërë në mënyrë transparente dhe i hapur në Këshillin Politik, me qëllim gjetjen e një konsensusi dhe një produkti të përbashkët i kalon më pas për votim parlamentit, siç është vepruar edhe në rastin e ndryshimeve që dakordësuam të gjithë bashkë në Kodin Zgjedhor. Qëllimi është të fusim në procedurë diçka që nuk është procedurë, por është një çështje politike.

A jemi të gjithë dakord të hapen 100% listat?

Ne kemi shprehur dje vullnetin politik në Këshillin Politik që “Po, jemi dakord të hapen 100% listat, por sigurisht pa ndryshuar pjesën tjetër të rregullave të garës mes partive politike”. Sepse është e papranueshme që 8 muaj përpara zgjedhjeve të ndryshohen rregullat, përsa i përket formimit të koalicioneve, mënyrës së shpërndarjes së mandateve apo ndarjes së zonave zgjedhore. Këto rregulla që janë përcaktuese të rezultatit zgjedhor nuk mund të ndryshohen 8 muaj përpara zgjedhjeve, aq më tepër nuk mund të ndryshohen në mënyrë të njëanshme. Rregullat e garës janë caktuar në Shqipëri të paktën këto  30 vite në mënyrë të përbashkët nga të gjitha forcat politike, sepse në garë marrin pjesë gjithë forcat politike dhe rregullat e lojës duhet të jenë të barabarta për të gjitha palët politike.

Çfarë ndodh dhe çfarë po na thuhet ne?

Ne po na thuhet që opozita do të duhet të marrë pjesë në zgjedhje sipas rregullave që i cakton Edi Rama. Pra pushteti, qeveria i cakton opozitës dhe partive politike të opozitës mënyrën se si duhet të marrë pjesë në zgjedhje.

Kjo është e papranueshme, ne e kemi bërë dje të qartë vullnetin tonë, do të duhet që edhe pala tjetër të shprehë vullnetin e vet: është për trajtimin e kësaj çështje dhe në këtë diskutim për hapjen e listave apo është për të ndryshuar në mënyrë të njëanshme rregullat e garës elektorale mes partive politike.

Për hapjen e listave 100% jemi plotësisht dakord, jemi të gatshëm të punojmë pa asnjë ndërprerje, në çfarëdolloj momenti me palën tjetër, për çdo çështje tjetër nuk jemi të hapur.  Nuk mund të ndryshohen rregullat e lojës 8 muaj para zgjedhjeve dhe e dyta sepse çështjet që shtron Edi Rama prekin dhe rihapin nga e para Marrëveshjen e dakordësuar të 5 Qershorit. Ajo marrëveshje ka qenë një produkt 6 mujor pune i Këshilli Politik, është përshëndetur nga i gjithë faktori ndërkombëtar, që na ka ndihmuar dhe na mbështetur në arritjen e kësaj dakordësie dhe ne nuk mund t’i kthehemi më çështjeve, të cilat i kemi konsideruar të mbyllura, i kemi dakordësuar dhe tashmë janë kthyer edhe në ligj.

 

Pyetje: Çfarë e bëri opozitën e bashkuar të ndryshonte qendrimin e saj, kur, vetëm afro 2 javë më parë, pikërisht nga kjo sallë z. Lulzim Basha tha se çështja e ndryshimeve kushtetuese duhet të kalojë vetëm përmes procesit të referendumit, pra duhet të jenë qytetarët që duhet të shprehen për këtë çështje.

Gazment Bardhi: Nuk ka asnjë ndryshim qëndrimi nga ana e Partisë Demokratike dhe e Opozitës së Bashkuar. Ne kemi qenë gjithmonë të hapur për t’u ulur dhe për të diskutuar të gjithë në një proces gjithëpërfshirës, transparent me qytetarët çdo çështje që ka lidhje me zgjedhjet, pa përjashtuar edhe çështjen që jemi duke trajtuar ne këtë moment. Sigurisht, që ndryshimet kushtetuese, veçanërisht kur prekin zgjedhjet, në vlerësimin tonë, do të duhet të kalojnë nëpërmjet referendumit. Pra, të jenë qytetarët ata që marrin vendimin përfundimtar mbi rregullat e lojës që përfshijnë edhe vullnetin e tyre, pra pjesëmarrjen e tyre në zgjedhje. Ne jemi plotësisht koherent në këtë qëndrim, mirëpo sa kohë që është parashtruar një çështje, ne po mbajmë një qëndrim të qartë dhe konkret. Nëse shtrohet pyetja a jemi dakord për hapjen e listave, përgjigja është po, jemi për hapjen e vërtetë të listave, 100%, jo për pjesën humbëse “po” dhe për pjesën fituese “jo” dhe këtë qëndrim e kemi ofruar në tryezë palës tjetër si formulë kompromisi për të ecur bashkërisht në një çështje të caktuar.

 

Pyetjë: Ju thoni se arsyeja se pse Partia Socialiste nuk pranon që të shkohet me këtë formulë të koalicioneve zgjedhore lidhet me faktin se kërkon që votat të shkojnë për mandatet në Partinë Socialiste, por kryeministri Edi Rama thotë se arsyeja që nuk doni ndryshim formule është se nuk e mundni dot vetëm. Keni një përgjigje për këtë?

Gazment Bardhi: Kush është fituesi dhe humbësi në zgjedhjet e ardhshme, besoj se keni, të paktën këto 2 muaj, çdo shqiptar e ka dhe më evident përpara syve të vet. Është njëriu që tentoi të rrëmbente komisionet zgjedhore për të manipuluar në tavolinë zgjedhjet. Dështoi me sukses, edhe pse e quajti atë një vijë të kuqe për kryeministrin. Doli hapur si një njeri që tentonte të vidhte dhe manipulonte zgjedhjet në tavolinë dhe, pasi dështoi me planin e parë, tani ka nisur një plan të dytë. Ky nuk është një veprim prej fituesi, ky është veprim prej humbësi të madh. Opozita e Bashkuar jo vetëm do t’i fitojë zgjedhjet e ardhshme, por do t’i fitojë thellë zgjedhjet e ardhshme. Çdo veprim që po bën Edi Rama gjatë këtyre ditëve e shfaq edhe më qartë para opinionit publik se nuk ka dhe nuk ka patur në këto 7 vite interesin e Shqipërisë dhe shqiptarëve në plan të parë. Ka patur dhe vazhdon të ketë, edhe në këtë moment ku ekonomia është e rrënuar, shëndetësia është e rrënuar, qytetarët janë të kërcënuar në jetën dhe shëndetin e tyre, janë të kërcënuar në ekonominë e tyre, Edi Rama e ka mendjen ke lojrat e vogla dhe të pista politike. Ne kemi mbajtur dhe do të vazhdojmë të mbajmë një qëndrim: jemi gjithmonë dhe do të qëndrojmë gjithmonë për interesin më të mirë të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Ne nuk përfshihemi në lojëra të vogla pushteti. Se kush është në pushtet nuk e vendos as Partia Demokratike dhe as Edi Rama, por e vendosin qytetarët dhe qytetarët e kanë marrë tashmë vendimin e tyre, Opozita e Bashkuar është fituese e zgjedhjeve të ardhshme, çdo lojë e pistë që bën Edi Rama nuk ka për ta ndryshuar këtë realitet dhe nuk ka për ta ndalur rotacionin e pashmangshëm që po vjen. Kjo është e qartë dhe nuk ka asnjë dyshim për këtë.

 

Petrit Vasili: Dua të shtoj diçka, një pyetje që ju shumë thjesht mund t’ia bëni kryeministrit. A e pyesni dot kryeministrin e Shqipërisë se përse në 30 vjet pluralizëm, në të gjitha Reformat Zgjedhore të zhvilluara, pavarësisht nga raportet se kush ka qenë në mazhorancë dhe kush ka qenë në opozitë, se ka qenë edhe vete kryetari i Partisë Socialiste në opozitë, po dhe Partia Demokratike ka qenë në opozitë, po dhe Partia Socialiste, e drejtuar jo nga Edi Rama ka qenë në opozitë. Përse gjithmonë, më mënyrë absolute, të pakuptueshme rregullat janë vendosur konsesualisht? Përse për herë të parë në 30 vjet pluralizëm, ka një imponim të njëanshëm të dhunshëm, antikushtetues dhe antidemokratik? Unë kam një përgjigje që është e padiskutueshme: Vetëm humbësit 100% sillen në këtë mënyrë dhe askush tjetër. Ndaj miqësisht, pa imponuar askënd në punët e tij, është një pyetje shumë e rëndë që në Shqipëri nuk ka përgjigje nga Edi Rama, por që duhet bërë pa u lodhur.

 

Pyetje: Më 30 korrik priten të votohen ndryshimet kushtetuese në Parlament dhe ju keni kërkuar tërheqjen e tyre. Ne rast se votohen, ju si do veproni?

Gazment Bardhi: Ky është një moment shumë i rëndësishëm për Shqipërinë. Të gjithë e dimë që Reforma Zgjedhore është kusht për nisjen e bisedimeve për anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Apeli i të gjithë partnerëve që janë vendimmarrës në atë proces ka qenë që palët të ulen në një proces gjithëpërfshirës, të shtrirë në një kohë të mjaftueshme për të bërë diskutimet për një temë kaq të rëndësishme dhe ne kemi qenë e do të jemi pjesë e tryezës së Këshillit Politik për të vijuar dialogun politik. Kemi hedhur dje hap të madh. Kemi ofruar një formulë kompromisi që palët të shkojnë përpara në çështje përkatëse, në mënyrë të përbashkët dhe do të duhet që edhe Edi Rama të mos dëmtojë procesin e integrimit, të mos ecë në akte të njëanshme antidemokratike, por t’i kthehet realitetit dhe një herë të vetme të vendosë të parin interesin e Shqipërisë dhe shqiptarëve. Ky është moment historik dhe ne nuk duhet ta humbim këtë moment. Ndaj do të ishte shumë mirë që kryeministri të mbante një qëndrim, nëse është për Shqipërinë në Europë, apo është për Shqipërinë e standardeve antidemokratike. Opozita e ka bërë zgjedhjen e vet! Ne jemi për Shqipërinë në Europë. Zgjedhjen tjetër duhet ta bëjë pala tjetër.

 

Pyetje: Në zgjedhjet e 2013-ës, që janë të fundit ku u zbatua formula e koalicioneve, PD ishte pjesë e një koalicioni me 25 parti të tjera, ndërkohë që PS-ja kishte 37 forca të tjera pjesë e koalicionit të saj opozitar. Nëse në zgjedhjet e ardhshme do të pranohen listat e hapura, cili do të ishte kompozimi i fletës së votimit me një numër kaq të lartë të partive, por edhe të kandidatëve që do të ishin pjesë e kësaj liste?

Oerd Bylykbashi: Çështja e funksionimit bashkë të listave të hapura dhe koalicioneve që kemi sot është një çështje teknike, lehtësisht e zgjidhshme nga Reforma Zgjedhore. Zgjidhet me kod dhe e kanë zgjidhur vende të tjera.

Ajo që po përpiqet të projektojë në mendjet e shqiptarëve Edi Rama është që fleta e votimit do të jetë një libër, i cili do ta bëjë të pamundur për zgjedhësin që të përzgjedhë. Ndërkohë që nuk është fare e vërtetë kjo. Nëse ato gati 60 parti do të garonin me të drejtën e tyre, individualisht, edhe sikur të ketë koalicione të çfarëdolloj forme, në mënyrë individuale ato do të ishin në fletën e votimit prezente dhe me listë të hapur, përsëri fleta e votimit e tillë do të ishte. Nëse Edi Rama mendon që mund t’ua kufizojë të drejtën partive politike për të garuar, tregon qartë se kush është qëllimi i tij në raport me parimet e demokracisë. Unë iu përmenda fletën e votimit të Kosovës, ku votohet për parti dhe zgjidhet numri i kandidatit në listën e asaj partie. Ka raste, kur partitë kanë secila fletën e saj të votimit, futet në një zarf dhe votohet. Pra kjo është pjesë teknike. Qëllimi i Edi Ramës është që duke hequr koalicionet, të zhbëjë maksimalisht vota shqiptarësh që ditën e votimit zgjohen, shkojnë te kutia e votimit mendjen të mbledhur për të votuar kundër Edi Ramës, ta hedhin për parti që mund të mos jenë parti të mëdha dhe vota e atyre partive të bëhet nul. Ky është themeli i antidemokracisë, jo i demokracisë. Koalicionet zgjedhore janë një traditë 30 vjeçare e politikës dhe e zgjedhjeve në Shqipëri. Traditë 30-vjeçare kushtetuese. Në Kushtetutën aktuale janë që në vitin 1998-të, kështu që përpjekja që po bën Edi Rama për të stigmatizuar koalicionet është qëllim specifik që tregon atë që u tha më herët: frikën e tij nga përballja me shqiptarët. Modeli aktual i koalicioneve është i sanksionuar në ligj që në vitin 2003, pesë vite përpara reformës së vitit 2008, pra modeli me listë të përbërë, është modeli i mirënjohur. Është përdorur në vende europiane dhe e kemi marrë si model nga vende europiane. E kemi marrë nga Italia, e përdor Holanda dhe vende të tjera. Ritheksoj: është një model që i jep mundësinë dhe fuqinë zgjedhësit që të përcaktojë forcën e secilës parti. Nëse kemi arritur këtë, nëse kjo ka qenë një arritje e vitit 2003, prej 17 vitesh, pra listën e hapur të partive, po i shtojmë një mundësi tjetër shqiptarëve, listën e hapur të kandidatëve të partive. Nuk kemi pse të heqim një arritje për një tjetër. Dhe të dyja janë absolutisht të zgjidhshme. Koalicionet parazgjedhore janë ofertë publike e ndershme që partitë i bëjnë elektoratit, i thonë ja ku jemi, këto janë skuadrat tona, ky është programi jonë, na votoni, caktoni dhe forcën tonë individualisht. Kurse ajo që kërkon Edi Rama është: mbylleni listën në mënyrë  që të kenë të pamundur që zgjedhësit ta bëjnë këtë zgjedhje. Ja ku është një model flete votimi si do të ishte (tregon fletën e votimit). Pra do të kishim listën e partive këtu (ana e djathtë e fletës(, dhe një pjesë me numra (krahu i majtë i fletës), që do t’i korrespondonte numrit të kandidatit në listën emërore që ka partia të publikuar. Është detyrim sot lista e kandidatëve të çdo partie, edhe e koalicionit, të publikohet. Kështu që zgjedhësi përzgjedh partinë, më pas përzgjedh me numër edhe kandidatin që ka vendosur të votojë. Ja ku është një fletë votimi e thjeshtë (tregon sërish fletën), për të njëjtin problem që shtron Edi Rama dhe që tregon që është gënjeshtër. Ky është modeli që ka Kosova, ka edhe zgjidhje të tjera.

 

Pyetje: Në 24 orët e fundit pas mbledhjes së Këshillit Politik, keni kontakte nga shumica? A do të kthehet një përgjigje nga shumica përballë propozimit tuaj, jo vetëm për listat e hapura, por edhe për çështjen e koalicioneve?

Oerd Bylykbashi: Po theksoj që kam thënë dhe dje në përfundim të mbledhjes, ne kërkuam një gjë fare qartë pas pozicionimit tonë, i kërkuam një gjë fare të qartë maxhorancës: A jeni dakord që lista të hapet 100 përqind, por pa ndryshuar formulën e koalicioneve, po ose jo? Përgjigja është politike, nuk ka fare aspekt teknik. Për dy orë rresht përfaqësuesi i maxhorancës u përpoq të thoshte “jo” me fjalë të tjera dhe, në përfundim, doli qartë që historia e listave të hapura përdoret thjesht si alibi për të vrarë mundësinë  e shqiptarëve që të votojnë koalicionet zgjedhore. Ne bëmë të qartë që ky është pozicioni, kërkuam qëndrimin e tyre, ishte një “jo” përgjatë dy orëve. Nuk ka asnjë reagim tjetër deri në këto momente dhe kjo është çështje themelore për të ecur përpara, sepse, siç kemi bërë të qartë ne, dhe siç e kërkojnë edhe partnerët ndërkombëtarë, çdo ndryshim I mëtejshëm, pjesë e reformës zgjedhore duhet të bëhet me transparencë, me gjithëpërfshirje dhe me konsensus në Këshillin Politik. Ne jemi të hapur, ne jemi aty për të vazhduar, deri më sot nuk ka asnjë reagim.

 

Pyetje: Të paktën nga komunikimi I fundit i mbrëmshëm i shumicës duket qartë që ata janë të vendosur për të vajtur në seancën e 30 korrikut dhe për t’i votuar ndryshimet kushtetuese. Sot është data 25 dhe mbeten edhe 5 ditë, a mendoni se në këto 5 ditë Këshilli Politik mund të arrijë një marrëveshje?

Oerd Bylykbashi: Vullneti politik ka qenë në të gjitha rekomandimet e OSBE-ODIHR, që ka qenë çështja kyçe pas çdo palë zgjedhjesh dhe në fillim të çdo reforme, elementi thelbësor për të qenë të suksesshëm në përmirësimin e standardeve zgjedhore. Vullnetin pozitiv politik ne e kemi treguar duke u angazhuar me marrëveshjen e 14 janarit, me 6 muaj punë konsensuale, marrëveshjen e 5 qershorit dhe gatishmërinë tonë jo vetëm për të vazhduar këtë diskutim që maxhoranca nuk donte ta bënte deri me 30 qershor, e rihapëm, jemi konstruktivë duke bërë një propozim në përputhje me atë që është pritshmëria e përgjithshme dhe ajo që shohim  është “teoria faktit të kryer”. Atë ne ua kërkuam që të heqin dorë dhe të kthejnë siç kërkon faktori ndërkombëtar, në mënyrë të përbashkët të vazhdojmë. 5 ditë janë hapësirë e mjaftueshme që qeveria të thotë: po, ne heqim dorë nga zhbërja e koalicioneve dhe ecim përpara me hapjen 100 për qind të listave. Dhe më pas mundësia për të ecur më tutje në Këshillin Politik për të dakordësuar çdo detaj, jo vetëm në Kushtetutë, por në Kodin Zgjedhor. Sigurisht që ajo që do të tregojë maxhoranca, duke pretenduar procedura parlamentare të pakthyeshme është thjesht edhe njëherë farsa që mbulon qëllimin e vërtetë: me pretekstin e listave të zhbëjë koalicionet zgjedhore. Nëse kemi dakordësinë në Këshill, që është i thjeshtë, që ashtu siç u gjetën firmat për të çuar në parlament në emër të maxhorancës, por si produkt i marrëveshjes së 14 janarit dhe 5 qershorit, një draft të plotë ligji, po ashtu gjenden 28 apo më shumë firmat që është obligim më pas i maxhorancës, për ta çuar në parlament dhe për të miratuar të gjitha ndryshimet e nevojshme që janë në përputhje me atë që do të dakordësohet.

 

Gazment Bardhi: Së pari, Kushtetuta është akt bashkimi kombëtar. Cilido që ndërmerr akte të njëanëshme për ndryshimin e Kushtetutës, duke injoruar vullnetin e opozitës së bashkuar që në zgjedhjet e deformuara të 2017-ës përfaqëson jo më pak se 765 mijë votues, pra më shumë se sa përfaqëson ai që po ndërmerr aktin e njëanshëm, do të duhet të ketë të qartë që po bën një atentat, një puç kundër demokracisë. Nuk mundet që me një veprim të njëanshëm për një kalkulim politik të momentit të hedhësh në erë Kushtetutën e vendit tënd, të hedhësh në erë parimet e paqes sociale dhe të hedhësh në erë demokracinë e vendit. Prandaj është koha për t’i rikujtuar atë që në fakt ishte thirrja e çdo partneri ndërkombëtar, nga Uashingtoni deri në Berlin, nga Brukseli në Londër. Ne jemi të hapur për të vijuar dialogun politik. Nuk pranojmë teorinë e faktit të kryer. Nuk pranojmë që ta trajtojmë Kushtetutën e vendit tonë si rregullore kooperative. Nuk mund të ndryshosh kushtetutën e vendit tënd për 6 orë në një proces të mbyllur në kohë pandemie. Ne jemi të hapur, jemi për dialog. Pala tjetër, Edi Rama, nuk duhet t’i trembet dialogut, nëse është në këtë proces në interes të Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Nëse është në interes, siç është në fakt, të pushtetit të vet personal do të duhet të ketë në konsideratë se po injoron me këtë veprim të njëanshëm, vullnetin e jo më pak se 765 mijë votuesve në zgjedhjet e 2017-ës, ku të gjithë bashkë besoj biem dakord që ishin zgjedhjet më të deformuara në gjithë periudhën e pluralizmit.

 

Petrit Vasili: Për të mos u marrë me fjalët boshe të maxhorancës, edhe duke e përbuzur historinë e 28 firmave dhe kushdo që e promovon edhe politikisht edhe mediatikisht, po i referohem marrëveshjes së 14 Janarit, pasi partitë dhe forcat politike serioze janë ato që u qëndrojnë marrëveshjeve. Ata që kanë ngarkesa mafioze e të tjera, nuk mund t’u qëndrojnë atyre. Po u citoj çfarë thotë 14 Janari, meqë kam vënë re që në memorjen tuaj, përgjithësisht ju duket si eveniment i largët, por themeli ku është ndërtuar ajo punë, është ndërtuar mbi atë dakordësi. Çfarë thuhet në 14 Janar?

“Palët e përfshira angazhohen të përfshihen, të adresojnë me konsensus të gjitha çështjet objekt i punës së komisionit të Refrmës Zgjedhore, përfshirë dhe rekomandimet e OSBE-OHDIR dhe, për çështje për të cilat nuk gjendet dakordësi, do të kërkohet mendim dhe asistencë nga ekspertiza ndërkombëtare e OSBE-OHDIR-it, me qëllim gjetjen e një zgjidhjeje të pranueshme.”

Ku është konsultuar? Kush e konsultoi? Ku u ndodhën në Këshillin Politik raporti i detajuar i ekspertizës ndërkombëtare për këtë çështje? Dhe më tepër çfarë mbyllet?

T’i japim përgjigje edhe turpit të 28 firmave. Projekti përfundimtar i dakortësuar mes palëve, sipas dokumentit, do të miratohet në Kuvend në përputhje me procedurat parlamentare. Shumica, fiktivisht janë ata, po ata shumica quhen, angazhohet që të kryhen ndryshimet në Komisionin përkatës, në seancë plenare, në tekstin e dakortësuar midis palëve dhe ta bëjë atë pa ndryshime. Tani, në qoftë se gjërat janë kaq të qarta, do t’ju luteshim shumë miqësisht atyre që nuk kanë as përgjegjshmërinë, as seriozitet, po janë gati ta çojnë vendin në shkatërrim, sepse hesapi politik i ditës, i cili gjithmonë nuk del. Nuk del! S’ka! Ditën e gjykimit nuk e shtyn dot njeri, ka ardhur dita e gjykimit, ka ardhur që në 30 qershor, kur 85 % e shqiptarëve i refuzuan, por minimumi i seriozitetit, pra, e pranimit të humbjes me një minimum të një dinjiteti, është detyrim politik. Këto janë marrëveshje të shkruara e zeza në të bardhë. Këto marrëveshje ndodhen në Shqipëri. Këto marrëveshje ndodhen në Bruksel. Këto ndodhen në Berlin. Këto ndodhen në Uashington dhe përpara të gjithë shqiptarëve, të cilët e kanë zgjidhur punën me Edi Ramën dhe përpara gjithë ndërkombëtarëve, Shqipëria përfaqësohet me një Kryeministër, që është një turp i këtij vendi, i cili shkel çdo marrëveshje, promovon një reformë zgjedhore të njëanshme, duke drejtuar dhe OSBE-në. Pra turpi i Edi Ramës është i dimensionit ndërkombëtar, pasi ky është promovuesi, është njeri që e ka gojën tashmë të mbyllur, se në vendin e tij ku do të promovonte së paku,   procedurat më të hapura, më gjithëpërfshirëse, më transparente, komunikonte  shembull, meqë ishte  drejtim historik ky i Shqipërisë, promovon më të shëmtuarën gjë dhe ju e kuptoni që damka e këtij turpi të Edi Ramës tani ka një dimension ndërkombëtar.

 

Pyetje: Zoti Bylykbashi, sa do ta vononte procesin e numërimit ky model flete i propozuar nga ju ku të gjitha partitë të dalin me kandidatët e vet?

Oerd Bylykbashi: Sigurisht, që futja e listave të hapura me çdo lloj versioni flete votimi kërkon pasqyrimin e kujdeshëm në Kodin Zgjedhor të rregullave të detajuara, që bëjnë të mundur jo vetëm hartimin e një flete votimi të qartë për zgjedhësin, por edhe të rregullave për vlerësimin e votës, numërimin, hedhjen në tabelë, shpalljen e rezultatit, përllogaritjen dhe mundësisht, edhe procesin ankimor më pas. Zgjidhjet ekzistojnë, pra ekziston një zgjidhje e thjeshtë, ka ndoshta të tjera zgjidhje të thjeshta, të cilat e bëjnë këtë të mundur. Kohë do të marrë më tepër, por është kostoja për procesin të cilin po pranojmë të gjithë dhe që konsiderohet si arritje – hapjen e listave të kandidatëve në procesin e votimit, kështu që është detyrë e teknicienëve, më pas, mbi bazën e traditës që ekziston sot në botë, që të përzgjedhin zgjidhjen teknike më të mire, më të thjeshtë që u shpiegohet më thjeshtë qytetarëve, në mënyrë që vota e tyre të mos çohet dëm. Kjo arrihet, por ajo që duhet të evitojmë është që duke i hequr mundësinë partive të garojnë të grupuara, votat e atyre partive që i marrin nga zgjedhës që nuk duan të votojnë parti të tjera, por duan të votojnë ato, nëse këto nuk e kapërcejnë dot pragjet e vështira që do të krijojë Edi Rama, të mos hidhet në plehra. Në demokraci duhet të vlejë dhe të numërohet çdo votë dhe kjo është detyra jonë si Këshill Politik për të hartuar rregulla të qarta të thjeshta për zgjedhësit që votojnë dhe pë rata që do të numërojnë votën e tyre.

 

Pyetje: Kryeministri ka kërkuar hapjen jo të plotë të listave për të ruajtur kuotën gjinore. Ju si e keni menduar si do t’i ruani këto kuota?

Gazmend Bardhi: Faleminderit për pyetjen! Sigurisht që zgjidhja që ne kemi ofruar për hapjen 100 % të listave ka brenda edhe mundësinë për të respektuar ruajtjen e kuotave gjinore. Një zgjidhje fjala vjen është që fillimisht bëhet shpërndarja e mandateve të grave që kanë më shumë vota në atë qark apo në nivel qarku derisa arrihet 1/3 e vëndeve në parlament dhe më pas kalohet në ndarjen e mandateve për burrat derisa të plotësohet numri tjetër plotësues i mandateve që kanë fituar secila parti politike. Kjo mund të jetë një zgjidhje, por e rëndësishme është që në parlamentin shqiptar nuk mund të ketë disa deputetë të zgjedhur dhe disa deputetë që nuk i zgjedhin qytetarët. Nëse kalohet në modelin e listave të hapura, ato do të duhet të jenë 100% të hapura. Pra, është i papranueshëm propozimi që të hapim pjesën humbëse dhe të mbajmë të mbyllur pjesën fituese. Prandaj dhe unë duke ju falenderuar kam edhe një apel të fundit: Është momenti që maxhoranca, qeveria t’u thotë “po” listave 100% të hapura, t’i thotë po intergrimit europian dhe të mos humbim kohë me lojra politike, hallet e shqiptarëve janë më të mëdha se hallet e Edi Ramës për mbijetesën e tij personale politike. Shqipëria duhet të ecë përpara, shqiptarët duhet të ecin përpara, sepse është koha që të meremi me pandeminë, me ekonominë, me integrimin Europian të Shqipërisë dhe jo me hallet personale të Edi Ramës. Faleminderit.

 

Pyetje: Mosdakortësia në Këshillin Politik, pasi kërkohen ndryshime jo të pakta, a mund ta rrezikojë datën zgjedhore në një sezon tjetër? A mund të rrezikohet data zgjedhore në një sezon tjetër duke qënë se ndryshimet mund të kërkojnë kohë?

Oerd Bylykbashi: Teknikisht jo. Pjesa e madhe e Kodit Zgjedhor është bërë. Zbatimi i gjithë ndryshimeve do të kërkojë kohën e vet, por që është mëse e mjaftueshme, pë sa kohë qëllimi nuk janë lojrat, por dakortësia është e pastër, e qartë, e shprehur politikisht tani, pa humbur kohë, në mënyrë që më pas të ulemi dhe të shkruajmë këto rregulla. Koha më pas është e mjaftueshme në përputhje me gjithë traditën e reformës zgjedhore në të shkuarën.

 

Faleminderit!