• Këshilli Politik bie dakord për 3 çështje të reformës zgjedhore, financimi i partive, periudha e zgjedhjeve dhe kuotat gjinore. Bylykbashi: Problematika më e rëndësishme është mbrojtja e zgjedhësit shqiptar që ta hedhë votën e lirë dhe në sekret të plotë.

    DEKLARATA E PLOTË E PËRFAQËSUESIT TË OPOZITËS, OERD BYLYKBASHI PAS TAKIMIT TË KËSHILLIT POLITIK PËR REFORMËN ZGJEDHORE

     

    Sot patëm mbledhjen e radhës të Këshillit Politik pas asaj ndërprerje brutale që shkaktoi veprimet e kryeministrit Rama, për të nxjerrë nga binarët një proces kaq të rëndësishëm politik për Shqipërinë.  Sot ne diskutuam tre çështje, çështjen e periudhës zgjedhore, çështjen e kuotës gjinore dhe çështjen e financimit të partive politike. U arrit në Këshill dakordësia që periudha zgjedhore të jenë në dy periudha zgjedhore; 15 prill -15 maj është periudha e parë dhe 15 tetor -15 nëntor periudha e dytë, e cila do t’i mundësojë Presidentit të Republikës që të mundësojë datën e zgjedhjeve pa kufizime siç është deri më sot në këto periudha zgjedhore.

    Kjo jep mundësinë që jo vetëm zgjedhësve të marrin pjesë në numër më të lartë në zgjedhje, duke gjykuar që shumë zgjedhës largohen nga Shqipëria për impenjimet e tyre për periudha sezonale apo largohen për periudha të nxehta apo të ftohta që mund të pamundësojnë pjesëmarrjen në zgjedhje.

    Nga ana tjetër diskutuam dhe arritëm në dakordësinë në shumë prej elementëve për sa i përket financimit të partive politike. Ekspertët tashmë kanë marrë detyrën për të gjetur zgjidhjet përfundimtare në lidhje me raportet e financimit nëpërmjet një formule mikse, ku synimi kryesor i yni si opozitë ka qenë pikërisht reduktimi në mënyrë drastike i financimit privat dhe i shpenzimeve në fushata zgjedhore, në mënyrë që të pastrohet politika dhe fushata nga ndikime të paligjshme dhe interesa të paligjshme që vijnë dhe penetrojnë në fushatë nëpërmjet financimit.

    Sigurisht që pati debat për çështje të ndryshme për sa i përket por jemi në rrugën e përmbylljes së këtyre dy paketave.

    Duhet të jeni të qartë se problematikat kryesore të procesit zgjedhor, pavarësisht se këto çështje që diskutuam sot janë të rëndësishme, nuk janë këto.

    Ajo që ne duhet patjetër të garantojmë është mbrojtja e zgjedhësit shqiptar që ai ta hedhë votën e lirë dhe në sekret të plotë. Është një rekomandim shumë i rëndë në fakt që ODIHR-i, i cili pasi konstaton se liria dhe sekreti i votës cenohet ka bërë rekomandimin e qartë se kjo duhet të merren masa për ta mbrojtur.

    Ajo që ne do të kemi në diskutim në ditët në vijim janë masa që rregullojnë rolin e organeve ligjzbatuese, Prokurorisë, Policisë, SPAK-ut në mënyrë të veçantë në goditjen e krimit zgjedhor i cili intimidon zgjedhësit dhe cënon lirinë.

    Masa që do të merren për të mbrojtur sekretin e votës në qendrat e votimit, masa që do të merren për garantimin që kutia e votimit nuk do të mbushet, pra teknologjia në votim të shërbejë që ato vota që janë aty janë vota të zgjedhësve të vërtetë dhe jo votim familjar, votim në emër të emigrantëve pa ardhur kurrë në Shqipëri apo mbushje e kutisë nga komisionerët, e më pas për të vazhduar me çështje të tjera.

    Por këto janë problemi real, garantimi që vota e  zgjedhësve është e vërtetë dhe numërohet pa manipulim, të gjitha çështjet e tjera janë rreth këtij  boshti për të garantuar standarde. Kjo është sfida e madhe që na pret në ditët në vijim dhe për të cilin ne do të kërkojmë konsensus deri në momentin e fundit pa hequr dorë për asnjë moment nga garantimi i standardit siç e kërkon OSBE/ODIHR-i.

    Pyetje: Z.Bykykbashi është e mundur kjo reformë zgjedhore brenda muajit maj?

    Oerd Bylykbashi: Ne do të provojmë të gjitha përpjekjet që brenda datës 31 maj të diskutojmë dhe të arrijmë në kompromis. Ditën e enjte do të kemi mbledhje me këto çështje që do të diskutojmë.