“JEMI NË PANDEMI EKONOMIKE”, BASHA: QEVERIA VARFËROI EDHE MË SHUMË NJERËZIT. MUNGESA DHE VONESA E MBËSHTETJES FINANCIARE SOLLI HUMBJEN E RRETH 120 MIJË VENDEVE TË PUNËS. PO E SHTYN VENDIN DREJT NJË KRIZE EDHE MË TË THELLË EKONOMIKE.

 

Fokusi i Kryetarit të Opozitës Lulzim Basha në bashkëbisedimin e sotëm me gazetarët ishte përkeqësimi i gjendjes së ekonomisë, për shkak të mungesës së ndihmës nga qeveria. “Pandemia ekonomike po i zë vendin me shpejtësi pandemisë COVID-19. Është një problem, i cili po zmadhohet me një shpejtësi të frikshme dhe po prek të gjitha familjet shqiptare, duke shkaktuar pasiguri, varfërim dhe papunësi në të gjithë shtresat e popullsisë, natyrisht në veçanti ata që janë më të pambrojtur dhe në pamundësi ekonomike”- tha Basha, i cili vuri në dukje se varëria e njerëzve edhe para pandemisë, tani po thellohet. “Fatkeqësisht sjellja e qeverisë Rama gjatë pandemisë i ka bërë edhe më të varfër, ndërkohë që po e shtyn Shqipërinë drejt një krize edhe më të thellë ekonomike.” – tha kreu i opozitës.

 

“Ky është një shqetësim të cilin e paraqitëm prej ditës së parë, ku kërkuam krahas masave për mbrojtjen e popullsisë dhe për sigurimin e mjeteve të mjaftueshëm shëndetësore për të gjithë aspektet e përballjes me pandeminë që nga testimi e deri tek trajtimi i të sëmurëve, të merreshin urgjentisht masat për ekonominë, kërkesat tona bazoheshin në një analizë realiste të gjendjes ku gjendet vendi, edhe para pandemisë, edhe para tërmetit të 26 nëntorit.

 

Shqipëria në këto vite që nuk ka ecur me të njëjtën ritëm si vendet e rajonit por ka bërë pas. Po ju jap një shembull. Vetëm para pak vitesh Shqipëria dhe Serbia kishin të njëjtën borxh publik 70% e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Ku jemi sot?!  Sot Shqipëria vazhdon të ketë një borxh të lartë i cili, po të kihet parasysh edhe faturat e koncesioneve, përllogaritet deri në 84%, Serbia ka shkuar në 54.6%; ka ulur borxhin, ka financuar eksportet, ka financuar teknologjinë e informacionit, ka shtuar vendet e punës.

 

Ndërkohë që ne vetëm gjatë këtyre 8 javëve për shkak të mungesës totale të kujdesit për njerëzit, për ekonominë dhe për vendin kemi humbur vetëm sipas Tatimeve mbi 60 mijë vende pune, shifra mund të jetë dy herë më lartë se kaq. Le të marrim Kosovën, përmes formalizimit kryesisht ka shënuar 6 mijë vende të reja pune gjatë këtyre dy muajve. Edhe një herë vetëm sipas Tatimeve ne kemi humbur 10 herë më shumë, 61 mijë vende pune.”

 

“41 MILIONË EURO NË TOTAL PËR 3 MILIONË SHQIPTARË”, BASHA: RAMA DHA PËR EKONOMINË AQ SA DHA PËR 2 KM RRUGË TEK UNAZA E RE. PARA INTERESIT TË SHQIPTARËVE, RAMA VENDOS INTERESAT E 5 OLIGARKËVE, ME TË CILËT MBUSH XHEPAT.

 

Jemi në këtë situatë të pandemisë ekonomike, sepse gjatë këtyre 7 viteve, buxheti i shqiptarëve, taksat e shqiptarëve, të cilat janë rritur nga viti në vit nuk kanë shkuar as për të stimuluar ekonominë, as për të mbështetur biznesin, as për të mbështetur eksportin apo teknologjinë e informacionit, apo teknologjitë e reja që stimulojnë vende pune, as për të stimuluar investimet e huaja në vend, por kanë shkuar për një grusht oligarkësh dhe PPP-rash. Ato jo vetëm nuk kanë shtuar vlerën në ekonominë shqiptar, jo vetëm që nuk kanë shtuar vende pune, por kanë marrë atë pak oksigjen që duhej më shumë se kurrë në kohën e pandemisë të shkonte tek njerëzit në nevojë dhe tek bizneset në stres të jashtëzakonshëm.

 

Sot që flasim për ta thënë edhe më shkoqur, deri dje Thesari shënonte një shumë totale prej 13.7 milionë euro të paguara për paketën e parë, 27.8 milionë euro për paketën e dytë, në total 41.5 milionë euro. Kaq është shuma totale që Edi Rama ka dhënë për 3 milionë shqiptarë ku janë qindra mijëra të papunë, qindra mijëra që kanë humbur vendet e punës dhe bizneset në një stres të jashtëzakonshëm. Me TVSH ka dhënë më shumë për 2 km unazë oligarkëve tek Unaza e Re, të gjithë e dini. Me TVSH shuma qe iu dedikua atij projekti korruptiv eshte me e madhe sesa shuma qe ka ndare dhe ka dhene per shqiptaret ne këto 8 jave te varfërimit dhe torturës ekonomike dhe bukës se gojës per qindra- mijëra familje dhe te stresit dhe pasigurisë per qindra e mijëra biznese.

 

Kjo vjen për një arsye të thjeshtë. Edhe gjatë pandemisë, sikundër edhe para pandemisë, sikundër para dhe pas tërmetit, qeveria Rama nuk ka hequr dorë nga nje tipar karakterizues prej ditës së parë – vendosjen e interesave të një grushti oligarkësh mbi interesat e 3 milionë shqiptarëve, mbi interesat akute të atyre që kanë nevojë për ndihmë ekonomike, mbi interesat afatgjatë të fëmijëve të shqiptarëve, të zhvillimit të ekonomisë, të rritjes së produktiviteti, të rritjes së konkurueshmërisë në rajon dhe më gjerë, të thithjes së investimeve të huaja, të hapjes së konkurrencës. Jo! 5 veta kanë të drejtë të marrin punë, 5 veta kanë të drejtë të marrin frymë ekonomisht në Shqipërinë e Edi Ramës, 5 oligarkë, të cilët mbushin xhepat e Edi Ramës dhe pushtetarëve me afera të qarta korruptive, siç janë koncensionet dhe PPP-të. E vetmja gjë e re e Edi Ramës janë koncensionet dhe PPP-të, asnjë financim për ekonominë.

 

BASHA BËN KONSTRASTIN: PËR TË GRABITUR TEATRIN KOMBËTAR QEVERIA BOTOI VENDIMIN BRENDA DITËS NË FLETOREN ZYRTARE, PËR TË DHËNË NDIHMËN ME PIKATORE PËR NJERËZIT, VONUAN 2-4 JAVË.

 

Ende nuk ka asnjë masë për turizmin. Rregulla kaotike, por, absolutisht, asnjë masë për ta bështetur, siç edhe konstatuam bashkarisht, gjatë takimit që pata me shosqatën e turizmit. Ndërkohë, fermerët që kanë qenë në krizë të vazhdueshme gjatë këtyre shtatë viteve, sot janë në krizën më të thellë që mbajnë mend. Të gjithë besoj i keni parë pamjet e fermerëve në Korçë që hodhën patatet. Është një rast, por ka mijëra raste të tilla anë e mbanë vendit në të gjitha zonat bujqësore, blegtorale, ku fermerët ndodhen në pikën e tyre më të ulët të mbijetesës. Çfarë kemi përballë kesaj? Një qeveri pa, absolutisht, asnjë plan. Në kulmin e kësaj krize ndërkohë që numri i të papunëve është shtuar, ndërkohë që numri i bizneseve në vështirësi dhe drejt falimentimit shtohet frikshëm, shiko çfarë bëjnë. Mbrëmë brenda natës marrin vendimin dhe e botojnë brenda natës në Fletoren Zyrtare për të grabitur Teatrin Kombëtar. Brenda natës, merret vendimi dhe botohet në Fletoren Zyrtare. Për të mbështetur shqiptarët iu deshën dy javë, për të marrë vendimin për të dhënë me pikatore disa lekë që akoma nuk kanë mbërritur dhe iu desh prapë një apo dy javë për ta botuar në Fletoren Zyrtare. Kur vjen puna për të mbështetur njerëzit që ndodhen para kësaj krize të thellë, zgjaten e stërzgjaten për të dhënë ndihmë me pikatore. Kur vjen puna për të grabitur brenda ditës, brenda natës bëhet vendimi dhe publikohet në fletoren zyrtare. Në këtë situatë ku ndodhet vendi dhe me një qeveri që e ka lëshuar plotësisht në një rënie të lirë ekonominë shqiptare, ajo që po ndodh normalisht edhe në vende të tjera, në Shqipëri do të jetë disa herë më e rëndë.

 

PROJEKSIONET NEGATIVE TË INSTITUCIONEVE FINANCIARE NDËRKOMBËTARE, BASHA, RËNIA EKONOMIKE 5-7 % PËR SHQIPËRINË, MË E LARTA NË RAJON. QEVERIA NUK I ÇON PARATË TEK NJERËZIT, POR TEK OLIGARKËT

 

Projeksionet e publikuara së fundmi tregojnë se për shkak të përqasjeve të ndryshme qe qeveritë në rajon kanë patur ndaj ekonomisë, edhe rezultatet do të jenë të ndryshme. Kështu, ndërkohë që vende fqinje si Maqedonia e Veriut, apo Serbia kanë orientuar, edhe para pandemisë, paratë drejt zhvillimit, drejt eksportit, drejt thithjes së teknologjive të reja dhe vendeve të punës dhe kanë dedikuar paketa shumë më të mëdha, deri dyfish e trefish më të mëdha sesa tona, dhimbjet do të jenë shumë më të lehta. Botimet e fundit të FMN I nxjerrin hapur këto kontraste dhe gënjeshtrat e kryeministrit për mbështetjen që kanë bërë.

FMN e thotë fare qartë me shifra se paketa e ndihmës direkte të Shqipërisë është vetëm 0.86 % e PBB. 3.2% është e Serbisë. Kjo është arsyeja pse Shqipëria parashikohet të ketë një rënie ekonomike që luhatet mes 5 dhe 7 përqind dhe, me siguri, do të shkojë duke u thelluar, ndërkohë që Maqedonia pret një rënie prej 1.4 %, Serbia 2.5%. Këto janë burimet e Bankës Botërore. Pra lidhja shkak-pasojë është fare e qartë. Një qeveri që edhe në kohë pandemie e ka patur mendjen të favorizojë konceisonet dhe oligarkët, të çojë paratë e shqiptarëve të paguajë afera të dyshimta dhe të shpënzojë në total, edhe sot që flasim, për të gjithë shqiptarët, një shumë më të ulët sesa për 2 kilometra të aferës tek Unaza e Re, po e çon ekonominë në greminë.

Ky ka qenë dhe do të jetë fokusi kryesor i PD dhe opozitës, Pandemia COVID 19 ka lënë pasojat e saj. U takon vetëm shqiptarëve mirënohja për kufizimin maksimal deri më sot dhe kujdesin për të vazhduar sat ë jemi të mundur, pasi përsa I përket qeverisë, ia lidhi duart dhe zytë mjekëve pa testime. Ne mbetemi vendi me testimet më të ulëta në rajon, por tani, pandemia ekonomike, kriza ekonomike që po pllakos është kërcënimi nr. 1 për mirëqenien e familjeve shqiptare, për ekonominë kombëtare dhe mund të them edhe për sigurinë kombëtare të Shqipërisë.

 

DENONCIMI I FORTË I BASHËS PËR MANIPULIMIN ME DOKUMENTAT E TENDERAVE SEKRET: NË MINISTRINË E SHËNDETËSISË PO DIGJEN DOKUMENTA. HETIMI I TENDERAVE SEKRET, TEST PËR JETË A VDEKJE PËR SPAK-UN. NËSE DËSHTON, SPAK-U I RI KA LINDUR I VDEKUR.

 

Edi Rama ka dhënë ndihmën më të ulët direkte në rajon dhe në Europë, 0. 86 % e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Pse?! Sepse vazhdon të paguajë shuma stratosferike të taksave të shqiptarëve për koncesione, sepse edhe në kohë pandemie e ka mendjen për të vjedhur, prandaj shkojnë edhe për tenderat sekret. Paska rënë edhe zjarri në një nga katet e Ministrisë se Shëndetësisë tani që SPAK –u filloi hetimin. Keni dëgjuar apo jo?! Ka rëne zjarri në katin e 4-rt, tek zyra e Prokurimeve në Ministrinë e Shëndetësisë para disa ditësh. Kam parajamëruar prej kohësh që arsyeja kryesore përse Edi Rama nuk publikon, siç e ka për detyrë, ofertat, kontratat e tenderave sekretë është, sepse po manipulon të dhënat. Si duket nuk ia kanë dalë dot me manipulimin dhe u kanë vënë flakën. Por uroj që të kenë mbetur mjaftueshëm gjurmë sepse ky është një test për jetë a vdekje për SPAK-un. Në qoftë se dështon në këtë test, praktikisht, SPAK-u i ri ka lindur i vdekur.

Ndaj dua t’i bëj thirrje prokurorëve që të procedojnë me hetimin me transparencë dhe të komunikojnë me publikun sepse bëhet fjalë për taksat e shqiptarëve në kohë pandemie dhe të refuzojnë çdo formë presioni apo joshje nga Ëngjëll Agaçi, Taulant Balla, nga Ulsi Manja dhe korrierët e tjerë të Edi Ramës, të cilët nga mëngjesi deri në darkë ushtrojnë presion ndaj SPAK-ut për të mbyllur hetimet kundër korrupsionit. Ky është një test të cilin shqiptarët, jo vetëm opozita, po e shikojnë me shumë, shumë vëmendje dhe jam i sigurt edhe faktori ndërkombëtar. Dhe askush nuk ka për t’i falur, nëse nuk ngrihen në lartësinë e detyrës për të cilën u krijuan, për të hetuar korrupsionin dhe për t’i vënë prangat zyrtarëve të lartë të korruptuar.

 

“SJELLJE PREJ REGJIMI”, BASHA DËNON DHUNËN NDAJ AKTIVISTËVE PROTESTUES: PROTESTA E QYTETARËVE ËSHTË NJË LIRI E PATJETËRSUESHME. FATKEQËSIA NATYRORE NUK MUND TË KUFIZOJË TË DREJTËN PËR TË PROTESTUAR.

Pyetje: Në këto momente në sheshin “Skënderbej” policia po ushtron terror ndaj disa bashkëqytetarëve të cilët po protestojnë kundër ndryshimeve në Kodin Penal. Është ushtruar dhunë ndaj disa personave, janë shoqëruar disa të tjerë. Keni një koment, pasi këta persona rrezikojnë të ndëshkohen me ndryshimet e reja në Kodin Penal?

Lulzim Basha: Është një njëjta gjë që ndodhi edhe dje dhe pardje, dua ta dënoj me ashpërsinë më të madhe këtë sjellje prej regjimi. Kjo është një shkelje elementare e të drejtave të njeriut. Ky lloj trajtimi që i bëhet në mënyrë antikushtetuese, antiligjore njerëzve që po protestojnë për të drejtat dhe liritë e tyre themelore kushtetuese, nuk ka vend, nuk ka gjasë të ndodhë në një vend që pretendon të hapë negociatat me Bashkimin Europian. Kjo është një ngjarje tipike për një regjim i cili edhe shtetin, edhe ekonominë e ka vendosur në funksion të një grushti njerëzish. Protesta e qytetarëve është një liri e patjetërsueshme. Asnjë gjendje e fatkeqësisë natyrore nuk mund të kufizojë të drejtën për të protestuar. Natyrisht si kudo tjetër qytetarët marrin masa për të respektuar distancën dhe për të siguruar kushtet e higjienës personale në mënyrë që të mos shkelen ato udhëzime që kanë të bëjnë me shëndetin. Por nëse këto kushte zbatohen asnjë shtet përveç diktaturave nuk ka të drejtë të kufizojë liritë dhe të drejtat e njeriut, ku e drejta për të protestuar, e drejta për t’u mbledhur dhe për të ngritur zërin është elementare. Ndaj dua ta dënoj me ashpërsinë më të madhe këtë që po raportoni se po ndodh dhe ju siguroj që menjëherë pas kësaj konference për shtyp do ta ndjekim hap pas hapi.

 

BASHA: JEMI TË VENDOSUR PËR TË MBROJTUR TEATRIN. BASHKË ME ARTISTËT DHE QYTETARËT DO TA ÇOJMË KËTË BETEJË DERI NË FUND.

 

Pyetje: Pak më parë përmendët faktin që trualli i Teatrit Kombëtar i kalon Bashkisë së Tiranës. Duke qenë se është beteja e fundit për të hapur rrugën drejt prishjes së Teatrit, një vit më parë keni bërë një kontratë me Teatrin ku keni deklaruar se jeni në krah të tyre. Nëse në këtë betejë të fundit do të jeni sërish bashkë me personat që po qëndrojnë në mbrojtje të Teatrit?

 

Lulzim Basha: Asgjë nuk ka ndryshuar në vendosmërinë tonë prej ditës së parë. Ne kemi dy vite e gjysëm që e bëjmë këtë betejë bashkë me artistët, bashkë me qytetarët dhe do ta çojmë këtë betejë deri në fund. Dhe kushdo që me këtë akt i shpall luftë artit, qytetarisë dhe normave elementare të demokracisë dhe Europës, sepse Europa Nostra ka dedikuar fonde për restaurimin e Teatrit duhet dhe sa na takon ne do të përballet me të gjitha pasojat e kësaj grabitje. Por ajo që tregon fare mirë është që mbrëmë Edi Ramën dhe Erion Veliajn nuk i ka zënë gjumi, jo për barkun bosh të qindra mijëra qytetarëve dhe fëmijëve të tyre, as për hallin e mijëra bizneseve që po shkojnë drejt falimentimit, por për të përdorur pandeminë për të grabitur dhe për të çuar deri në fund aferën korruptive të pastrimit të parave të pista me grabitjen e truallit të Teatrit. Dhe për këtë asgjë nuk ka ndryshuar, përkundrazi, jemi më të vendosur se kurrë të bëjmë gjithçka që ne kemi në dorë bashkë me qytetarët, bashkë me artistët për t’i përballur me pasojat e veprimeve të tyre.

 

BASHA: SHQETËSIMI I ÇDO SHQIPTARI ËSHTË PASIGURIA EKONOMIKE PËR NESËR. KRIZA EKONOMIKE KA NJË EMËR, EDI RAMËN DHE QEVERINË E TIJ. ME PARATË QË MARRIN PËR INCENERATORËT, DO TË KISHTE SIGURUAR PAKETË MË TË MADHE NDIHME SE KOSOVA.

 

Gjendja sot është shumë më e keqe seç ishte para një jave dhe kështu siç po vazhdojmë do të jetë shumë më keq pas një jave, shumë më keq pas një muaji e shumë e shumë më keq pas dy apo tre muajsh. Prandaj detyra jonë kryesore është që të bëjmë gjithçka që kjo gjendje të marrë fund një orë e më parë. Nga kjo pikëpamje dua ta them fare qartë – në kohën e pandemisë detyra jonë ishte të bënim gjithçka për të kontribuar për lehtësimin e pasojave, por jo për të korrigjuar qeverinë. Koha tregoi si gjatë dhe pas tërmetit kur i la njerëzit, akoma i ke njerëzit në çadra, me ato lekë që harxhuan për inceneratorët e Edi Ramës, Arben Ahmetajt, Erjon Veliajt dhe bandës së Lushnjës, me ato inceneratorë që po grabisin milionat e shqiptarëve mund të kishin blerë kontenierë të përshtatur për banim për të gjitha familjet e mbetura pa strehë. Mendoni pak këtë: Një anëtar i bandës së Lushnjës dhe dy prestanomët e tij, Edi Rama, Arben Ahmetaj dhe Erjon Veliaj përfitojnë nga kjo aferë më shumë para sesa do të duheshin për të strehuar në kontenierë të gjithë banorët e mbetur pa strehë nga tërmeti. Anullimi i koncensioneve korruptive do të mjaftonte që Shqipëria të kishte një paketë ndihme për biznesin, për të punësuarit dhe për familjet në nevojë të njëjtë, pse jo dhe pak më të mirë sesa e Kosovës, ku në fakt e kanë një të tretën e nivelit të Kosovës. Nuk po krahasohem as me Maqedoninë e Veriut as me Serbinë, vetëm me Kosovën. Pra qeveria nuk ka menduar asnjë çast për njerëzit, tjetër gjë ka bërë, tjetër gjë ka bërë dhe pasojat tani janë të dukshme. Nëse javët e para ishin javë të frikës, intimidimit dhe pasigurië nga koronavirusi, sot, shqetësimi i çdo shqiptari është pasiguria ekonomike për nesër. Është kriza ekonimike që po pllakos dhe ka një emër – Edi Ramën dhe qeverinë e tij. Qeveria priti derisa biznesit i erdhi thika në fyt dhe u detyruan të çregjistrojnë nga sigurimet shoqërore 61 mijë njerëz. Duke patur parasysh shkallën e informalitetit, numri i atyre që përllogariten të kenë humbur punën, është dy herë më i madh. 120 mijë të shpunësuar për 8 javë për një popullsi me 2.8 milionë, kjo nuk është një shifër, është një tmerr. Një qeveri që i shërben pakicës dhe është barrë për shqiptarët, nuk mund të jetë kurrë zgjidhja. Kriza e pandemisë vetëm e konfirmoi këtë.

 

“QEVERIA KAP ÇA T’KAPËSH PARA SE TË IKË”, BASHA: ME BASHKINË E TIRANËS SI LAVATRIÇE E PARAVE TË DROGËS NË NDËRTIM, KRIZA PO THELLOHET MË TEJ. KY ËHSTË NJË REGJIM NË GRAHMAT E FUNDIT, QË NUK E MERITON EMRIN QEVERI.

 

Kjo qeveri është hedhur dhe vërsulur me aferat e vjetra korruptive që nga koncensionet e reja që dhanë para 2 javesh, tek zaptimi i truallit të Teatrit Kombëtar, duke ia dhënë Bashkisë së Tiranës që është lavatriçe e parave të pista të drogës. Çdo ndërtim i ri që shikoni në Tiranë, shumica dërrmuese, financohen drejtpërdrejt nga paratë e drogës. Me hir apo me pahir zhvilluesit janë sot të detyruar të pranojnë pastrimin e parave të pista të drogës, përmes lavatriçes së pastrimit të parave të drogës që është bashkia e Tiranës, ku kryebetonieri, bashkë me Edi Ramën, po bëjnë ekzaktësisht të kundërtën e saj që u premtuan qytetarëve të Tiranës – po zaptojnë çdo shesh të lirë, po kërcënojnë çdokënd që nuk u bindet vullnetit të tyre për të betonizuar çdo hapësirë që ka mbetur në Tiranë.  Kjo nuk është zgjidhje dhe kjo jo që nuk e shpëton ekonominë, por do ta thellojë edhe më tej krizën, në veçanti edhe krizën e sektorit të ndërtimit dhe të shitjeve të pasurive të patundshme. Pra nuk e meriton emrin qeveri. Eshte një regjim, i cili në grahmat e fundit e ka të skalitur në ballë dhe në valixhet që po bëjnë gati t’i marrin në largim e sipër atë që në mënyrë të pandërgjegjshme e projektojnë te një grup, shumica orkatësh të tyre kap ça të kapësh. Kjo është qeveria “Kap ça të kapësh” para se të ikë për dëmin që po i shkakton ekonomisë kombëtare dhe familjeve shqiptare. Është i pallogaritshëm dhe i parikuperueshëm brenda një kohe të shkurtër, nëse nuk ndalin një orë e më parë aventurizmin, hajdutërinë dhe kalimin e fondeve të shqiptarëve, edhe në kushtet e pandemisë, të një grusht oligarkësh, me të cilët kanë shtatë vjet që vjedhin dhe batërdisin buxhetin e shtetit.

 

BASHA: OPOZITA ËSHTË E BASHKUAR, FUNDI I EDI RAMËS ËSHTË I PASHMANGSHËM. DO TË KENË ZGJEDHJE TË LIRA E TË NDERSHME OSE DO TË BËJNË ATË QË BËN ÇDO SHOQËRI EUROPIANE, KUR I MOHON TË DREJTAT THEMELORE.

 

Ata që shpresojnë në përçarjen e opozitës për të mbajtur në këmbë një regjim hajdutësh dhe grabitësish, dua ta dëgjojnë shkoqur edhe nga unë siç e kanë dëgjuar nga çdo aleat i imi: Opozita është e bashkuar, fundi i Edi Ramës është i pashmangshëm. E vetmja gjë që ka në dorë Edi Rama është të lejojë qytetarët që të zgjedhin ndryshimin me votë ose të përballet me zemërimin e tyre legjitim dhe më të gjitha pasojat sociale dhe ekonomike që do të sjellë bllokimi apo manipulimi i procesit zgjedhor, për të cilin është investuar personalisht para gjashtë javësh duke kërkuar legalizimin e kanabisit dhe për të cilin ka nisur bashkë me kupolën e lartë socialiste dhe kupolën e banditëve të banditëve të Partisë Socialiste, procesin e kanabizimit në të gjithë vendin dhe për të cilin janë informuar shumë mirë dhe janë në dijeni edhe partnerët tanë ndërkombëtarë. Laku në qafen e kësaj qeverie regjim po ngushtohet. Investimi i Lulzim Bashës dhe i Partisë Demokratike është ta sjellë ndryshimin me sa më pak kosto për shqiptarët, po ndryshimi është i pashmangshëm. Fundi i kësaj qeverie është i vulosur dhe shqiptarët meritojnë. Do të kenë zgjedhje të lira e të ndershme ose do të bëjnë atë që bën çdo shoqëri europiane kur i mohon të drejtat themelore.