• Paratë që merr sot me kontrata hajdutërie kalçeto e oligarkëve do i kthehen në investime shqiptarëve. Qeveria e PD dhe aleatëve, dalë nga zgjedhjet e lira do t’ja shtypë kokën krimit, nga i pari tek i fundit. Kush nuk është në burg do të shkojë në burg.

Rrugëtimin për Shqipërinë, kryetari i Partisë Demokratike dhe opozitës, Lulzim Basha e vijoi në Divjakë ku bashkëbisedoi me fermerët e rajonit të Myzeqesë. Duke ndare programin qeveris me fermerët e kësaj zone, Basha tha se ka vendosur të shohë krizën me sytë e shqiptarëve dhe zgjidhjen për daljen prej po prej syve dhe mendimeve të shqiptarëve.

Basha: Pasi vodhën Shqipërinë me koncensione e PPP, tani po vjedhin edhe gjyqtarë. ​

“Ka njerëz që thonë se ka krizë politike, krizë kushtetuese, krizë institucionale. Pasi kanë vjedhur buxhetin, taksat, kanë shpikur këto metodat e vjedhjes që i kanë quajtur koncensione e PPP, që janë emra kot sepse hajdutëri është e gjitha, tani po vjedhin edhe gjyqtarët, gjykatat dhe institucionet. Kështu që mos është më mirë që kryetari i opozitës të rrijë në Tiranë dhe të merret gjithë kohën me krizën politike?! Unë kam zgjedhur ta shoh edhe këtë krizë me sytë e shqiptarëve, me sytë tuaj, jo me sytë e kalçetos së korrupsionit dhe të krimit që ka zaptuar Tiranën politike, me sytë e politikanëve të korruptuar që çdo ligj dhe vetë Kushtetutën, i përdorin për të ju varfëruar ju dhe për të pasuruar veten e tyre. Ndaj të gjitha problemet që diskutojmë së bashku është më mirë ti shoh, ti dëgjoj dhe ti kuptoj përmes syve, përmes gojëve dhe mendjeve tuaja . Kam ardhur të ju dëgjoj e të shtrojmë së bashku zgjidhjet për hallet që i kanë vënë përfund familjet shqiptare, veçanërisht në zonat rurale”, – deklaroi Basha.

Braktisja e zonave rurale sipas shefit të opozitës është bërë me një qëllim: Të nxitet importi i produkteve nga jashtë që kontrollohet nga 4-5 oligarkët e kalçetos.

Basha: 4-5 oligarkët e kalçetos importojnë gjithë ushqimet dhe nuk duan prodhimin shqiptar

“Blegtoria është totalisht e braktisur që ka nxitur edhe më shumë braktisjen e zonave rurale. Pse është bërë kjo? Fshatrat tona zbrazen që të nxitet importi i ushqimeve nga jashtë, import që ju e dini fare mirë se kush e kontrollon, nuk jeni ju që i sillni. Janë 4-5 nga këta oligarkët e kalçetos që kontrollojnë gjithë importin dhe e sjellin këtu. E gjitha kjo bëhet në kurrizin tuaj, por edhe në kurrizin e konsumatorit shqiptar që në vend që të blejë prodhime cilësore dhe të freskëta nga toka jonë, detyrohet të gëlltisë prodhimet e ngrira dhe shpesh herë skarco që vijnë nga kontrabanda e nxitur dhe e ekzekutuar nga një grusht njerëzish që pasurohen edhe duke helmuar shqiptarët”.

Basha tha se një nga zgjidhjet e krizës së bujqësisë është digjitalizimi i saj, duke prezantuar edhe projektin e subvensionimit të fermerëve nëpërmjet rrugës digjitale dhe jo nëpërmjet duarve dhe trarëve të korrupsionit. 

“Është shumë e thjeshtë të bëhet nëse ke vullnet. Me një çip shmang gjithë burokratët, të gjithë administratën dhe të gjithë hajdutët dhe vjen drejtë për drejtë subvensioni tek fermeri në bazë të sasisë së tokës që ka apo në bazë të numrit të krerëve që mbarështon. Nuk ka nevojë për ndërmjetës. Nuk ka nevojë për sekserë. Nuk ka nevojë ti thuhet ‘faleminderit” askujt dhe as ti paguash kafe askujt, sepse çipi nuk pi kafe”, – garantoi Basha para fermerëve në Divjakë.

Shqipëria nuk është shkretëtirë që të mos prodhojë asgjë, është një vend pjellor që sipas kryetarit të PD, mjafton të ketë liri dhe mbështetje nga qeveria. Lideri i opozitës ripërsëriti skemën e subvensioneve si rruga e vetme për të zëruar koston e prodhimit në bujqësi.

“Nuk jemi shkretëtirë që nuk ka mundësi dhe nuk ke se çfarë të bësh. Toka është pjellore, klima është e mirë dhe mundësitë janë të jashtëzakonshme. E vetmja gjë që mungon është mbështetja për fermerët. Mungon mbështetja direkte me subvensione, mungojnë politikat nxitëse. Mendja e këtij shteti është të nxjerrë edhe kacidhen e fundit nga xhepi juaj. Ka shpikur lloj-lloj metodash për t’ju gjobitur, për t’ju goditur dhe pastaj për t’ju penguar prodhimin tuaj për të shkuar në treg, po nuk kaloi përmes gypave që kontrollojnë ata.

Prandaj platforma jonë përbëhet nga disa parime kryere: së pari liria. të jeni të lirë dhe të çliruar për të punuar, jo duke parë nga mëngjesi deri në darkë se nga po mbin shteti në forma e mënyra të ndryshme, jo për t’ju ndihmuar por për t’ju goditur. Liria dhe çlirimi nga frika e shtetit është gjëja e parë që do të bëjmë. Nuk do të shikoni më inspektorë si grerëza rreth mjaltit që vijnë për t’ju marrë djersën tuaj  dhe për t’ju zhvatur çdo gjë që munden.

Së dyti për t’ju garantuar tregun, që prodhimet tuaja të shkojnë në treg, të shiten me çmime të përballueshme për konsumatorin dhe me fitim për ju. Nuk ka nevojë të shpiket asgjë. Kjo arrihet duke zëruar koston përmes subvensionit. Subvensioni për këtë është shpikur, që të kompensojë vështirësinë tipike që ka bujqësia e blegtoria, krahasuar me çdo sektor tjetër.

Duke shpalosur programin për bujqësinë dhe blegtorinë, Basha paralajmëroi edhe oligarkët e kalçetos se paratë e marra prej tyre padrejtësisht, do ti kthehen fermerëve me mbështetje.

Basha: Paratë që shkojnë sot tek ata grusht njerëzish për të cilët punon e gjithë Shqipëria, që ditën e parë këto kontrata hajdutërie do të anulohen, përgjegjësit do të çohen para ligjit

“Sot shtetin e keni kundër dhe ju shikon nga xhepi se si t’ju marrë edhe kacidhen e fundit. Sepse ky shtet është një kalçeto korrupsioni, një kalçeto hajdutësh që i ka vënë përfund gjithë shqiptarët dhe i trajton si lopë për tu mjelë. Më keq! Më shumë keni dashuri ju për lopët se sa ata kanë për shqiptarët. Që nga 28 nëntori 1912, deri më sot, vetëm Edi Rama ka arritur ta çojë Shqipërinë në vendin e tretë më të korruptuar të botës. Themeli i politikës tonë për të mbështetur fermerët dhe për të çliruar ekonominë nga kjo zgjedhë është pikërisht kjo: Paratë që shkojnë sot tek ata grusht njerëzish për të cilët punon e gjithë Shqipëria, që ditën e parë këto kontrata hajdutërie do të anulohen, përgjegjësit do të çohen para ligjit. Ne do të ngremë një mekanizëm që ti gjurmojnë ku i kanë çuar ato para dhe një gjë ju siguroj: ato qindra milion euro që gllabërohen sot në forma dhe mënyra të ndryshme do të kthehen në shërbim të njerëzve. Për fermerin do të kthehen në një buxhet minimalisht në katër vitet e para, 100 milion euro të ndara veç për mbështetje direkte të fermerit shqiptar”, – premtoi shefi i opozitës.

Që kjo të realizohet, sipas Bashës ka vetëm një rrugë: Zgjedhje të lira e të ndershme nga të cilat të dalë një qeveri e qytetarëve dhe jo një qeveri e diktuar nga krimi dhe që i shërben krimit. 

Basha: Qeveria e nesërme e dalë me votën tuaj të lirë, qeveria e PD me aleatët e opozitës së bashkuar, prioritet kryesor të saj do të ketë: Të ja shtypë kokën krimit, nga i pari tek i fundit. Kush nuk është në burg do të shkojë në burg.

“Zgjidhja që ne ofrojmë është zgjidhje e përbashkët që buron nga ky bashkëbisedim dhe që do ti hapë rrugë një qeverie që vjen me votë të lirë dhe ju shërben vetëm ju. Jo një qeverie që vjen me votë të vjedhur, me votë të paguar me paratë e oligarkëve që ju vjedhin, me votën e paguar me paratë e korrupsionit, me votën e blerë me paratë e krimit dhe të drogës dhe pastaj kemi një qeveri dhe një kryeministër që është ortak dhe rob i Rrumave dhe Rrajave me shokë.  Dhe për hesap të Rrumëve me shokë që mbushin xhepat e Edi Ramës, jemi këtu në një republikë të paligjshmërisë, me një parlament të paligjshëm, me një me qeveri të paligjshme, me kryetarë bashkish të paligjshëm, me Gjykatë Kushtetuese të paligjshme, me prokurorë të paligjshëm, ku e gjithë struktura shtetërore punon vetëm për të mbushur xhepat e një grushti njerëzish. Rruga për të dalë nga kjo, padyshim është rruga e zgjedhjeve. Kjo është detyra kryesore për të cilën po punojmë ne si opozitë, për të afruar një orë e më parë ditën kur ju ti drejtoheni kutive të votimit dhe të votoni të lirë e të pa kërcënuar për programin që ju mendoni se është më i miri për ju. Kjo është vlera e demokracisë. në qoftë se nuk arrin dot që vullneti i njerëzve të përkthehet në një qeveri siç e duan njerëzit dhe jo Rrumërit, Rrajat dhe Aldo Baret me shokë që kanë emëruar të gjithë kupolën në Tiranë dhe Lushnje duke punuar për bandën e Lushnjes sepse megjithëse janë tek 313 punët i kryejnë qe andej, i dëgjuat ambasadorët perëndimore. Që andej komandojnë gjithçka. E dëgjuat kreun e Antimafias i cili tha se krimi i organizuar dhe mafia shqiptare bashkëpunojnë ngushtë me politikanët dhe zyrtarët shqiptarë. Për kë e kishte fjalën? Për këta e kishte fjalën, partnerët e Aldo Bares me shokë. Sa njerëz janë këta që janë bërë tmerri i Shqipërisë?! Po këta janë një grusht shushunjash. Po pse i kanë frikë? Sepse kanë ngrënë e kanë pirë bashkë. I kanë bërë votat bashkë ndaj nuk flet dot as Edi Rama e as Erjon Braçe, askush tjetër nuk i përmend dot. U dridhet zëri. Sepse janë partnerët e tyre dhe me ta erdhën në pushtet dhe me ata ndajnë paratë. Pa ata nuk janë asgjë. Le të vinë e ta matin veten e tyre pa përkrahjen e krimit dhe ta shohim se sa u vlen lëkura.

Nuk ka zgjidhje me këta njerëz.

Nuk kanë ofertë, kanë mbaruar. Nuk sjellin dot as rend e siguri, as lufte kundër korrupsionit, përkundrazi, të vetmin preokupim është te kapin drejtësinë se po nuk e kapën drejtësinë e dinë mirë ku e kanë vendin.

Ndaj dua t’ju them sot këtu nga Lushnja, që qeveria e nesërme e dalë me votën tuaj të lirë, qeveria e PD me aleatët e opozitës së bashkuar, prioritet kryesor të saj do të ketë: Të ja shtypë kokën krimit, nga i pari tek i fundit. Kush nuk është në burg do të shkojë në burg. Kush është në burg dhe vazhdon të komandojë nga burgu, do ti pritet gjuha në kuptimin figurativ të fjalës, dhe nuk do të arrijë dot të bëjë bosin dhe të komandojë nga burgu aferat, pronat dhe pasuritë e shqiptarëve. Sa i përket oligarkëve, koha kur një kryeministër dhe një grusht oligarkësh kapen dhe shfrytëzuan Shqipërinë, do të marrë fund. Çdo para që kanë marrë me të padrejtë do ta kthejnë”.

Duke iu përgjigjur ngacmimit të një prej fermerëve për sulmet e propagandës së qeverisë, Basha iu përgjigj me batuta.

Fermeri: Vazhdimisht për ty nga mediat dëgjojmë se “kryetari Basha fle gjumë”, por nuk qenka ashtu.

Basha: Këta punë quajnë vjedhjen. po nuk vodhe për këta fle gjumë. 

Një premtim i rëndësishëm për zonat rurale ishte ai që Basha parashtroi në Divjakë: Zero tarifë për studentët që vijnë nga familje fermerësh.

Basha: Fëmijët e fermerëve tarifë zero në universitete

“Fëmijët e fermerëve do të kenë 100% mbështetje nga buxheti i shtetit dhe do të paguajnë zero tarifë për universitetin dhe do të kualifikohen në shkolla profesionale për atë sektorë që ju shërbejnë ju”, – garantoi të rinjtë e zonave rurale Basha.

Basha garantoi se në planin qeverisës të PD, do të ketë mbrojtje të prodhimit vendas i cili do të ketë barazi në konkurushmërinë e tregut dhe për këtë do të ketë masa konkrete.

“Kontroll në dogana, që një prodhim që vjen si prodhimi juaj, le të themi që është me të njëjtën cilësi, jo më pak, po me të njëjtën cilësi, por që është mbështetur me subvencione më të larta se ai që merrni ju. Le të themi teorikisht që ju merrni 100 lekë subvencion për domaten dhe ai tjetri që vjen nga vendi X, merr 200 lekë, pra ai vjen dhe e sjell. Kështu? Zotëria do të paguajë 100 lekë në doganë para se të hyjë. Do të vijë të konkurrojë në mënyrë të barabartë me prodhimin tuaj, nuk mund të vijë ai me një çmim më të ulët, me cilësi të njëjtë nganjëherë edhe më të dyshimtë vetëm e vetëm se ka marrë subvencion nga shteti i tij në një shumë më të madhe se ç’keni marrë ju. Ndërsa sot ndodh e kundërta: Ju e prodhoni më mirë, e prodhoni më lirë, por vjen ai importuesi që ka marrë të njëjtin produkt nga një vend që është tërësisht i financuar dhe e shet më lirë se ju, pra dogana shqiptare do të fillojë të punojë për interesin e shqiptarëve dhe jo për të mbushur xhepat e qeveritarëve”. 

Gjatë bashkëbisedimit me fermerët në Divjakë, kryetari demokrat prezantoi edhe pika të tjera të programit për bujqësinë, përfshirë këtu edhe përcaktimin e një buxheti 50 milion euro në vit për mbështetjen në infrastrukturë për zonat rurale si një nga problemet që ndikon direkt në ekonominë bujqësore e blegtorale të vendit.