• PD publikon dokumentat për arrestimin në Greqi të Agim Kajmakut në Janar 2003. Po bënte biznes fidanësh me para të fallsifikuara.

 

  • Krimi dënohet me 10 vjet burg, por kandidati i Edi Ramës, vazhdon t’i fshihet drejtësisë.

 

  • Agim Kajmaku ka çështje penale të hapur në Greqi me emrin Jorgo Toto. Ligji i dekriminalizimit i ndalon atij të ushtrojë funksion publik.

 

  • Edi Rama ka dijeni për problemet me drejtësinë greke të Agim Kajmakut Rama hesht dhe mbron Agim Kajmakun nga drejtësia.

 

  • PD i kërkon prokurorisë të ndihmojë drejtësinë greke, duke e informuar se Jorgo Toto ka si adresë të re zyrën e Kryetarit të Bashkisë Vorë.

 

 

DEKLARATË E SEKRETARIT TË PËRGJITHSHËM TË PD, GAZMENT BARDHI

 

Edi Rama vazhdon të bëjë sikur nuk dëgjon dhe nuk shikon që kandidatët që u ofroi shqiptarëve më 30 Qershor, janë kontigjent burgjesh dhe, njësoj si ai vetë, janë përfaqësues të padenjë për një shoqëri që kërkon të zhvillojë vlerat dhe standardet europiane. Edi Rama hesht prej disa ditësh në përpjekje për të shpëtuar me makinacione dhe manovra të pista kandidatin e tij të Vorës, Agim Kajmaku, i cili ka llogari të hapura me drejtësine greke dhe duhet të japë menjëherë dorëheqjen dhe të paguajë para drejtësisë shqiptare dhe greke krimin e tij.

 

Rasti i Agim Kajmakut është rasti i dytë brenda një muaji që Partia Demokratike po denoncon me fakte dhe dokumenta se kandidatët e Edi Ramës për Kryetarë Bashkie kanë krye krime dhe i kanë fshehur ato.

 

Me heshtjen prej fajtori, Edi Rama provoi se është i pafuqiashëm të përballet me të vërtetën dhe se vetëm bashkëpunimi me krimin është mekanizmi i vetëm që i siguron atij pushtetin.

 

Në këto 6 vjet të drejtimit të vendit, Edi Rama u provua si Kryeministri që promovoi në politikë dhe në administratën publike mbi 300 persona me precedentë kriminalë, nga vrasësit dhe përdhunuesit, tek trafikantët e drogës dhe trafikantët e grave dhe vajzave.

 

Edi Rama po provohet dita ditës që nuk heq dorë nga projekti i tij për bashkëqeverisjen me krimin.

 

Edi Rama hesht megjithëse ka marrë informacion të plotë se Agim Kajmaku alias Jorgo Toto, ka mashtruar me Formularin e Dekriminalizimit, sepse është një person me precedent penal dhe sipas ligjit nuk mund të ushtrojë asnjë funkison publik përfshirë atë të Kryetarit të Bashkisë.

 

Po kjo për Edi Ramën nuk përbën problem, përsa kohë Jorgo i Vorës i siguron pushtet. Ndiqeni sesi mburreshin Edi Rama dhe Belinda Balluku me Jorgon e tyre 3 ditë se të merrnin me dhunën e një procesi të paligjshëm Bashkinë e Vorës. .

 

[VIDEO KU RAMA DHE BALLUKU LAVDËROJNË AGIM KAJMAKUN]

 

Përvçse një grup që me kokëfortësi duan të mbajnë një pushtet të paligjshëm, me kokëfortësi vazhdojnë të vjedhin çdo ditë, këta janë vërtetë një grup, por në kuptimin penal të fjalës. Keta janë një grup i struktuar kriminal që meritojnë të shkojnë pas hekurave të burgut dhe jo të drejtojnë qeverinë, ministritë apo bashkitë.

 

Edi Rama është Kryeministër dhe pozicioni shtetëror i mundëson verifikimin e të dhënave për çdo person brenda pak minutave. Ai nuk mund t’i bëjë shqiptarët për budallenj me propagandën e tij të dalë boje se gjoja ai nuk di gjë, se ai nuk mban përgjegjësi për të tjerët apo se Agim Kajmaku, njësoj si Valdrin Pjetri, duhet të mbajë përgjegjësi individuale.

 

Agim Kajmaku u zgjodh si kandidat për Kryetar të Bashkisë Vorë me firmën e Edi Ramës dhe me këmbënguljen e Belinda Ballukut. Edi Rama kishte të gjitha mundësitë institucionale që të mësonte, brenda pak minutave, të vërtetën që dinte çdo socialist në Vorë mbi të kaluarën kriminale të Agim Kajmakut.

 

Në fakt Edi Rama e ka mësuar, por fshihet nga përgjegjësia me shpresën se e vërteta nuk do të dalë dhe se “Katicat” e tij të korruptuara në Prokurorinë e Përgjithshme, do ta mbrojnë.

 

Në vend që të distancohej menjëherë nga Agim Kajmaku, Edi Rama heshti dhe e urdhëroi atë të mashtronte qytetarët e Vorës, duke i premtuar atij mbrojtje nga drejtësia.

 

Media ka transmentuar përbetimet e Jorgo Totos së Vorës, se ai deklaron që nuk ka asnjë problem me drejtësinë greke.

 

Kjo është një gënjeshtër.

 

Gënjeshtër ishte edhe publikimi i disa ditëve më parë, ku kandidati i Edi Ramës në Bashkinë Vorë, njëlloj siç bëri edhe Valdrin Pjetri i Shkodrës, nxori dëshminë e penalitetit për të mohuar problemet me drejtësinë greke.

 

E vërteta është se Agim Kajmaku alias Jorgo Toto është person me precedent të rëndë kriminal.

 

Duke qenë se Prokuroria po e zvarrit çështjen, njësoj siç bëri me Vakdrin Pjetrin, për të cilin akoma nuk ka një përgjigje zyrtare, Partia Demokratike po sjell prova autentike të dosjes penale të kandidatit të Edi Ramës për Bashkinë Vorë.

 

Ky që shikoni këtu është vendimi i Prokurorisë dhe i Gjykatës së Janinës, i Qershorit 2003.

 

[SHFAQEN DOKUMENTET NË EKRAN]

 

Vendimi i Gjykates se Janines

 

Pretenca e Prokurorise se Janines per Agim Kajmakun

 

Sipas këtij dokumenti zyrtar, rezulton se:

 

Agim Kajmaku alias Jorgo Toto, i datëlindjes 1971, banues në Tiranë Shqipëri, është arrestuar në flagrancë në shtetin grek, në zonën e Janinës, më datë 14.01.2003 për veprën penale “Përdorim dhe shpërndarje kartmonedhash të falsifikuara”. Ai është arrestuar në flagrancë, duke u arratisur nga territori i shtetit grek.

 

Krimi është kryer gjatë një transaksioni për blerjen e fidanëve dhe bimëve të tjera, dhe Agim Kajmaku ka përdorur identitetin e rremë Jorgo Toto, me atësi Thanas dhe amësi Parashivi.

 

Pasi është marrë në pyetje nga hetuesi paraprak dhe ka qëndruar disa ditë në burg, oficeri i policisë gjyqësore ka vendosur që hetimet ndaj tij të zhvilloheshin nën masën e sigurisë “detyrim paraqitje”, derisa çështja t’i përcillej prokurorisë dhe gjykatës.

 

Pasi dosja është përcjellë në prokurori, Prokuroria e Janinës ka konstatuar se jemi përpara një krimi të nivelit të parë (shkalla më e rëndë e klasifikimit të veprave penale), dhe nga provat e administruara ka vlerësuar se rezultonte e provuar që krimi ishte kryer nga shtetasi Agim Kajmaku alias Jorgo Toto.

 

Krimi i kryer nga Agim Kajmaku alias Jorgo Toto, sipas prokurorisë greke, duhet të dënohej me jo më pak se 10 vjet burgim.

 

Për këtë arsye, Prokuroria ka urdhëruar arrestin e tij të menjëhershëm dhe ka përcjellë dosjen në gjykatë. Gjykata ka pranuar kërkesën e prokurorisë dhe ka vendosur arrest me burg të menjëhershëm dhe marrjen të pandehur të shtetasit Agim Kajmaku alias Jorgo Toto, për fallsifikim parash, si dhe dërgimin e çështjes për gjykim.

 

Vendimi i gjykatës për arrestimin e Agim Kajmakut nuk është ekzekutuarj, për shkak se gjatë periudhës së shqyrtimit gjyqësor, ai ishte arratisur menjëherë nga territori i shtetit grek dhe ka ardhur në Shqipër. Këtu ka ndryshuar menjëherë edhe identitetin, nga Jorgo Toto, përdoruesi i parave të fallsifikuara në kërkim në Greqi, në Agim Kajmaku, biznesmeni i duhur për politikën kriminale të Edi Ramës.

 

Sipas legjislacionit penal grek, gjykata ka vendosur pezullimin e gjykimit derisa ky shtetas të arrestohet ose t’i gjendet një adresë e saktë për t’i komunikuar akuzën. Sipas ligjit grek në këtë lloj gjykimi, shtetasi duhet të jetë vetë prezent në gjykim, për shkak se bëhet fjalë për krime të rënda.

 

Më duhet të theksoj edhe një herë, se urdhri i arrestit të gjykatës greke nuk është ekzekutuar, pasi shtetasi Jorgo Toto nuk është gjendur në Greqi.

 

Sipas dokumentacionit zyrtar të autoriteteve greke rezulton e provuar se shtetasi Agim Kajmaku alias Jorgo Toto i është shmangur drejtësisë greke për përballjen me një akuzë, që parashikon të paktën 10 vjet burg. Ai ka të paekzekutuar një masë arresti me burg dhe nuk ka marrë kurrë pafajësinë mbi akuzën e ngritur nga Prokuroria greke. Pra, praktikisht është edhe sot nën procedim penal nga autoritetet greke, me një masë “arresti në burg” në fuqi.

 

Të gjitha këto të dhëna provojnë se Agim Kajmaku është subjekt ndalimi për të ushtruar një funksion publik nga ligji i dekriminalizimit.

 

Sipas ligjit për dekriminalizimin nuk mund të kandidojnë dhe as të zgjidhen kryetarë bashkie, personat ndaj të cilëve është marrë një masë arresti me burg apo masë tjetër sigurimi personal në një nga vendet e Bashkimit Europian, në rastin konkret Greqi.

 

Për këtë kategori personash, sipas ligjit të dekriminalizimit, ndalimi për kandidim, zgjedhje apo ushtrim të mandatit, zgjat derisa nuk ka një vendim pafajësie në favor të tij. Ky ndalim është i vlefshëm edhe kur masa përkatëse e sigurisë personale është hequr, por ende nuk është marrë një vendim gjyqësor në lidhje me fajësinë e personit.

 

Megjithëse është në dijeni të plotë të problemeve të hapura me drejtësinë greke, këmbëngulja e Agim Kajmakut për t’i shkuar mashtrimit të tij deri në fund, provon se ai ka mbrojtje në nivelin më të lartë të pushtetit. Me heshtjen e tij, Edi Rama provoi se është ai mbrojtësi i Agim Kajmakut, me kandidimin e të cilit provoi edhe njëherë se është i lidhur pazgjidhshmërisht me krimin.

 

Partia Demokratike i kërkon organit të prokurorisë nisjen e mënjëhershme të procedimit penal ndaj shtetasit Agim Kajmaku, për kryerjen e krimit të fallsifikimit të Formularit të Dekriminalizimit.

 

Partia Demokratike i kërkon organit të prokurorisë të informojë menjëherë autoritetet ligjzbatuese greke se shtetasi Jorgo Toto alias Agim Kajmaku ka si adresë të tij të re, me bekimin dhe ndihmën e Edi Ramës, zyrën e Kryetarit të Bashkisë Vorë.

 

Edi Rama dhe “katicat” e tij të korruptuara në prokurori, mund ta pengojnë apo vonojnë nxjerrjen e rezultateve zyrtare për këtë rast, por ato nuk do të arrijnë kurrë t’i imponojnë Vorës dhe qytetarëve të saj të nderuar, një Kryetar Bashkie keqbërës, pjesë e botës së krimit dhe një falsifikator i provuar.