• Arsimi i lartë ndodhet në krizën më të rëndë që ka parë në 29 vite. PD do ta anullojë menjëherë ligjin aktual.

 

  • Prej vitit 2013, ku buxheti për arsimin ishte 4,24 %, ka rënë në vitin 2019 në 3,29 %, të PBB.

 

  • 133 mijë nxënës dhe studentë kanë braktisur në këto 4 vite shkollën, pra 1 në 6 nxënës dhe 1 në 4 studentë.

 

  • Në arsimin e lartë janë regjistruar 44 mijë më pak studentë për të ndjekur vitin akademik

 

  • Kemi të bëjmë me një çeshtje, të jemi a mos të jemi?! Me këto ritme, vendi do të shëndërrohet në një azil për të moshuarit.

 

  • Ne i qëndrojmë fuqimisht propozimit për dyfishimin e buxhetit të arsimit të lartë, për një shtesë prej 74 milionë usd në vit.

 

  • 38 milion usd do të përdoren për të financuar plotësisht tarifat për studentë që vijnë nga familje me të ardhura mujore nën 640 mijë lek.

 

  • Për studentët nga familjet me mbi 640 mijë lek të ardhura mujore, do të ketë subvencionim 50 % të tarifës Bachelor dhe Master.

 

  • 5 milion usd do të dedikohen për bursë prej 2200 usd në vit për 5-6 mijë studentë që e kanë të pamundur ekonomikisht të mbijetojnë.

 

  • 32 milion usd në vit janë planifikuar të investohen për 4 vjet në drejtim të investimit në infrastrukturën konviktore dhe akademike.

 

  • Me PD në qeveri, ka një të ardhme për arsimin e lartë shqiptar dhe studentët shqiptarë. Kjo do të jetë një e ardhme europiane

 

 

Fjala e plotë dhe dy ndërhyrjet e kryetarit Basha në tryezën e organizuar nga PD, për Arsimin e Lartë në Shqipëri

 

Të nderuar zonja dhe zotërinj, të nderuar profesorë,

 

Si përfaqësues i Partisë Demokratike dhe i opozitës, vi jo vetëm për të shpalosur programin për arsimin në tërësi, por mbi të gjitha për t’u angazhuar si dëgjues në radhë të parë, dhe së dyti i gatshëm në çdo ndërveprim, pyetje-përgjigje apo debat, për të avancuar më tej vizionin tonë për ta nxjerrë arsimin nga kriza e thellë ku ndodhet sot.

 

Do desha të ngulisim fort, që në nisje të takimit, disa fakte të dhimbshme që përbëjnë edhe gjenezën e proceseve të ndryshme politike, akademike, studentore, për të adresuar krizën e rëndë të arsimit të lartë.

 

Zonja e zotërinj, ne jemi sot këtu pas disa muajve të cilët kanë kulmuar krizën e thellë ku ndodhen institucionet e arsimit të lartë. E tillë ishte lëvizja studentore e dhjetorit e janarit, dhe gjithçka që ka vazhduar pas kësaj, vetëm sa fakton se vendi ndodhet, sa i përket arsimit të lartë, në krizën më të rëndë që ka parë në 29 vite. Aspekti i parë i kësaj krize duket qartë në krizën e financimit. Prej vitit 2013, ku buxheti për arsimin në tërësi kapi shifrën e 4,24 %, kjo shifër ka qenë në rënie graduale, për të arritur në vitin 2019 në 3,29 %, e projektuar në 3,05 % e prodhimit të brendshëm bruto. Kjo në një kohë kur niveli minimal për të garantuar standardet rajonale të arsimit të lartë duhet të jetë, jo më pak se 5 %. Kjo krizë është edhe më e rëndë, po të shohim se një pjesë e mirë e këtij buxheti nuk shkon as për pedagogët, as për infrastrukturën universitare, as për infrastrukturën e kërkimit shkencor, as për infrastrukturën konviktore, në fakt një pjesë e madhe e këtyre parave kanë shkuar për rikonstruksionin e Ministrisë së Arsimit, i cili siç jeni të gjithë dëshmitarë ka angazhuar fonde maramendëse, dhe një fasadë me të vërtetë llamburitëse të mermerit më të shtrenjtë, e tejkalueshme në kosto dhe në luks, vetëm nga orenditë e reja, të blera për të dekoruar zyrën e ministrit kryesisht,dhe disa prej sallave brenda ministrisë.

 

Ndërkohë rënia në pikiatë e financimit për arsimin e lartë dhe arsimin në tërësi shoqërohet vetëm nga një rënie tjetër në pikiatë, e cila është me të vërtetë e tmerrshme, braktisja e studimeve. 133 mijë nxënës dhe student kanë braktisur në këto 4 vite shkollën, pra 1 në 6 nxënës dhe 1 në 4 studentë, po të marrim statistikat zyrtare të vendit. Në vitin 2013-2014, numri total i nxënësve të regjistruar ishte 786 mijë. Në vitin 2017-2018, ky numër ky numër briti në 653 mijë. Në këto 4 vite, 2013-2-17, sipas statistikave, arsimi 9-vjeçar ra me 57403 nxënës më pak. Në arsimin e mesëm u regjistruan 31 875 nxënës më pak dhe në arsimin e lartë 44 425 më pak student.

 

Braktisja e arsimit, padyshim që shoqërohet edhe me braktisjen e vendit. Një numër i madh i nxënësve, dhe në veçanti një numër i madh i studentëve, ju është pamundësuar për shkak të mos mbështetjes me fonde të arsimit të lartë, dhe për shkak të krizës ekonomike, ndjekja e universitetit. Ndërsa një pjesë e madhe, përllogariten të jenë larguar nga vendi.

 

Përmenda sot, gjatë një takimi me rininë në Lezhë, një shifër prej 100 mijë nxënësish më pak, krahasuar vetëm me vitin e kaluar. Dhe tani jam i detyruar nga etika e transparencës publike, t’ju them se nga vjen kjo shifër?!

 

100 mijë nxënës më pak, është shifra që vjen nga agregati i blerjes së teksteve shkollore, nga të gjithë shtëpitë e botimit të teksteve shkollore.

 

Është një shifër e tmerrshme.

 

Nëqoftëse llogarisim 2 fëmijë për çdo familje, do të thotë; 50 mijë familje të cilat nuk ndodhen në Shqipëri, sepse mendoj se mbi 99 përqind të tyre nuk kanë shkuar në shkollë se nuk ndodhen në Shqipëri dhe po marrim 1-2 përqind që ndodhen akoma këtu dhe kanë arsye të tjera. 100 mijë fëmijë, të paktën 50 mijë familje të larguara nga vendi.

 

Hemoragjia vazhdon përditë. Kjo përbën një emergjencë kombëtare.

 

I kalon kufijtë e planifikimit afatmesëm dhe afatgjatë, për të nxjerrë arsimin e lartë nga lluca ku e ka xhytur verbëria, babëzia, korrupsioni dhe urrjejtja ndaj arsimit të lartë dhe ndaj profesorëve, si dhe investimi në injorancë, si investimi më i mirë për konsolidimin e pushtetit jashtë ligjit.

 

Kemi të bëjmë me një çeshtje: të jemi a mos të jemi?! Me këto ritme, vendi do të shëndërrohet në një azil për të moshuarit.

 

Në këtë kuadër, platforma jonë, programi ynë për arsimin, ka propozime të qarta dhe të forta, të cilat kanë të bëjnë me dy aspekte;

Së pari: financimin. Kemi deklaruar, “arsimi një prioritet kombëtar absolut”, pra prioritetin numër 1 kombëtar të vendit.

Dhe natyrisht vetëm financimi nuk mjafton. Rikonceptualizimi, si sa i përket standarteve, parimeve, të funksionimit dhe menaxhimit të arsimit të lartë, ashtu edhe sa i përket një qasje europiane, bashkëkohore, që do të bëjë të mundur që arsimi i lartë të mos funksionojë i izoluar nga realiteti ekonomik i vendit, por të jetë pjesë përbërëse e një trekëndëshi vendimarrje, qeveri-ekonomi-botë universitare, me qëllim që ti përshtatet nevojave të tregut dhe të udhëheqë nevojat e këtij tregu, drejt një ekonomie të re. Të re në koncepte, të re në teknologji, të re në aftësinë për të thithur investime dhe për të krijuar vende pune. Të re në mundësitë për të përfituar, nga revolucioni më i thellë teknologjik i cili tashmë ka filluar. Deri para disa muajsh thonim: do fillojë, tashmë ka filluar. Revolucioni i inteligjencës artificiale, revolucioni i robotikës, revolucioni i “kompjuterave quantum”, revolucioni i bio-teknologjisë dhe revolucioni në materialet e ndryshme të përdorimit industrial.

 

Në 5 fusha bota po shëndërrohet më shpejt dhe më thellë, dhe do të shëndërrohet më shpejt dhe më thellë, brënda 5 viteve të ardhëshme seç është shëndërruar në 200 vitet e fundit. Asnjë vend e aq më pak një vend në zemër të Europës, nuk e ka luksin ta humbasë këtë mundësi të jashtëzakonëshme. Dhe kjo mundësi e jashtëzakonëshme, përbën një shans për të lënë mbrapa 5 vite stanjacion dhe prapambetje në fushën e arsimit të lartë. Përbën të njëjtin shans që përbente dikur për shqiptarët, shpikja e teknologjisë celulare me një shoqëri ku vetëm 2 përqind e saj, kishte telefoni fikse me tel bakri. Brënda vitit 1996 u shtruan fibër optike për kapita, aq sa në Europën perëndimore. Brenda vitit 1999-të, depërtimi i teknologjisë celulare arriti nivele të barabarta me Europën veri-perëndimore.

 

Shanset që na ofron ky revolucion teknologjik, i cili tashmë ka zbarkuar, dhe nevojat e një tregu gjigand me lokomotivë ekonominë gjermane janë të jashtëzakonëshme. Vetëm në fushën e Teknologjisë së informacionit mbi 2 mlion vende të reja pune do të happen, shumica prej tyre me njerëz të kualifikuar që mund të operojnë nga shtëpitë e tyre, që nuk kanë nevojë të emigrojnë në Frankfurt, Berlin, Hamburg, Këln apo në Mynih, por që mund të punojnë nga Tirana, Durrësi, Shkodra, Vlora, Korça, kudo tjetër, mjafton të jenë të përgatitur, të posedojnë aftësitë dhe të jenë të ndërlidhur me tregun europian të punës.

 

Kjo natyrisht, më lehtë thuhet sesa bëhet. Por ne kemi një vision të qartë, të mbështetur në modelin më të suksesshëm në Europë, që është modeli  gjerman “Dual vocational training system”, të cilët përmes ndarjes 50 me 50 përqind të kohës midis auditorit, seminarit, pra pranisë dhe instruksionit akademik dhe 50 përqind të praktikës drejtëpërdrejt në terren, po përvijojnë arsimin e lartë të shekullit të XXi (21).

Që ta bëjmë këtë na duhen tre gjëra:

 

Së pari na duhet përvoja, dhe marrja e përvojës nuk është diçka e thjeshtë, e lehtë dhe që mund të ndodhë sa hap e mbyll sytë. Por ne kemi një shans të jashtëzakonshëm, jo vetëm programi i Partisë Demokratike, por edhe bashkëpunimi i ngushtë me partinë tonë simotër, CDU-në e Angela Merkel dhe “Konrad Adenauer Siftung”, ka bërë të mundur që ne të përfitojmë, jo thjeshtë njohuritë, dijeninë se si ndërtohet ky sistem, por edhe kontaktet shumë të vyeshme për ta kthyer këtë, jo thjeshtë në një përfitim të Shqipërisë, por në një ushtrim win-win, si për Shqipërinë dhe brezin e shqiptarëve, ashtu edhe për industrinë gjermane të etur për vende të kualifikuara pune.

 

Së dyti, por do të thoja e para për nga rëndësia, është që ky vullnet politik, që sot ka formën e një programi të detajuar të Partisë Demokratike, nesër të përkthehet në atë që përkthehet vullneti politik, në qeverisje dhe në buxhet.

 

Dhe së treti, duhet që ky buxhet të administrohet në mënyrë të tillë, që të mos kthehet në më shumë tendera  për rikonstruksion zyrash luksoze, blerjes automjetesh luksoze, por të shkojë me të vërtetë aty ku ka nevojë arsimi i lartë.

 

Për ta përmbyllur, më lejoni t’ju siguroj se ne i qëndrojmë fuqimisht propozimit të bërë public në dhjetor, për dyfishimin e buxhetit të arsimit të lartë, pra për një shtesë 74 milionë dollarësh amerikanë në mënyrë të përvitshme, të ndarë në dy lote kryesore:

 

Loti i parë i cili përbëhet nga afro 34 milion dollar, do të shkojë për të adresuar një nga problemet më kryesore; të aksesit në arsimin e lartë, fakti që nuk përballohen tarifat e larta, ndër më të lartat në Europë, për cilësinë më të dobët të arsimit të lartë në Europë. Nuk është thjeshtë paradox, është kriminale.

 

Pra, nga këto 74 milion dollar, do të përdoren 38 milion dollar, për të financuar, për të subvensionuar tarifat universitare të universiteteve publike, sipas një skeme ku studentët që vijnë nga familje me më pak se 640 mijë lek të vjetra të ardhura në muaj, do të përfitojnë subvensionin e plotë të tarifës Bachelor dhe Master, duke e konsideruar këtë të ardhur mujore minimumin jetik të të ardhurave. Ndërkohë që për familjet me mbi 640 mijë lek të vjetra të ardhura në muaj, do të përfitohet subvensionimi 50 përqind i tarifës Bachelor dhe Master. Efekti total është 38 milion dollar.

 

5 milion dollar të tjerë, do të dedikohen për të ndihmuar përveç subvensionimit 100 përqind të tarifës edhe me një bursë prej 2200 dollarësh në vit, një kontigjent prej afro 5-6 mijë studentësh, të cilët edhe nëse ju subvensionohet totalisht tarifa universitare, e kanë të pamundur ekonomikisht të mbijetojnë. Pra të paguajnë për ushqime, qera, libra, veshmbathje, abonenë, apo transportin ndërurban.

 

Pjesa tjetër, 32 milion dollar në vit, janë planifikuar të investohen gjatë një periudhe 4-vjeçare, sa ç’është mandate normal i një qeverie të legjitimuar në mënyrë demokratike, në drejtim të investimit në infrastrukturën konviktore dhe infrastrukturën akademike të Universiteteve publike shqiptare.

 

Elemenit i tretë: Menaxhimi këtyre fondeve dhe menaxhimi i universiteteve në tërësi. Është emergjëncë kombëtare, largimi nga cetralizimi total, hiperstalinist që bën ligji actual për arsimin e lartë, dhe akoma më keq zbatimi apo moszbatimi i këtij ligji. Sepse edhe në fushën e arsimit të lartë, si kudo tjetër, po sundohet me dekret, “Rule by decree”. Shpesh herë në mungesë të VKM-ve dhe akteve të tjera nënligjore, janë vullnetet personale të të parit të qeverisë, apo të ministrit të arsimit, që vendosin dhe që kanë çuar, jo 5 por as 29, por 50 vite prapa, vendimarrje të tilla siç është psh; vendimarrja për kërkimin shkencor. Zonja Pack ndoshta e di, nëqoftëse nuk e di, me siguri do të shokohet, nëse dëgjon se për të miratuar kërkimin shekncor, duhet firma e ministrit të arsimit. Gjë që nuk ka ekzistuar në diktaturën komuniste, ç’është e vërteta. Ndërkohë që buxheti total për kërkim shkencor për gjithë Republikën e Shqipërisë, nuk kalon 600 mijë dollar.

 

Demokratizimi, decentralizimi, natyrisht duke ruajtur rolin e qeverisë si gardiane e interesit publik, pra edhe gardiane e përdorimit të parasë publike, do të jenë parimet që do të udhëheqin këtë model të ri të administrimit të universiteteve, duke i dhënë një rol të rëndësishëm, vendimarrës, pedagigëve. Duke u dhënë një rol të rëndësishëm studentëve, po kështu në këtë vendimarrje.

 

Po padyshim qeveria jonë, qeveria e re shqiptare, do të ndërtojë çdo prioritet të investimit të parave publike në univeristetet publike, mbi kriterin e performancës. Dhe performance nuk do të jetë, thjeshtë dhe vetëm numri i diplomave të cfarëdo dege që dalin nga universitetet publike, por realizimi i objektivave të përbashkëta kombëtare që do të vendosin në trekëndëshin; botë universitare-ekonomi-qeverisje publike. Që do të thotë se ato degë të cilat më të vërtetë premtojnë ti japin një hop, një kërcim të madh përpara mundësive për punësim, për thithje të teknologjisë së avancuar, apo që kanë rëndësi të veçantë për gjendjen ku ndodhet vendi, siç është psh: nevoja akute për të rritur numrin e mjekëve. Apo ato degë të tjera të inxhinierisë dhe të çdo fushe tjetër, të cilat premtojnë jo thjeshtë dhe i përgjigjen nevojave aktuale të ekonomisë, por të projektojnë një ekonomi në rritje, padyshim që do të kenë dhe do të marrin pjesën e luanit nga financimi public.

 

Nuk do të jetë pra një process bajat, i ndenjur, ndarje fondesh në mnëyrë matematike, por do të jetë një proces i udhëhequr nga suksesi në treg, nga performance në treg dhe natyrisht në ato aspekte që janë jashtë tregut, por që kanë rëndësi kombëtare, siç është shëndetësia, siç është vetë arsimi, ku numri i pedagovë, 3 për 1 mijë banorë është tre herë më i ulët se mesatarja europiane. Këto do të jenë dhe degët që do të kenë prioritetin kryesor.

 

Me këto tre parashtrime, kam përmbyllur tre kollonat kryesor të vizionit dhe programit tonë për Arsimin e Lartë, program i cili është shumë i detajtuar dhe absolutisht, kemi mundësinë sot dhe në vijim të dëgjojmë kontributin tuaj, por edhe të përgjigjemi për çdo pyetje apo koment që mund të keni mbi këtë program.

 

Ka një të ardhme për arsimin e lartë shqiptar, ka një të ardhme për studentët shqiptarë, ka një të ardhme për pedagogët shqiptarë, dhe ju siguroj se ajo e ardhme do të duket krejt ndryshe nga e sotmja që ka projektuar kjo qeveri nga shullazizimi i universiteteve, nga ndërhyrja sovjetike në vendimarrje, nga përpjekja maoiste për ti kundërvënë studentët, pedagogëve, për qëllime të ulta politike.

 

Do të jetë një e ardhme europiane.

Faleminderit për vëmendjen!

 

 

Qendrimi per Ligjin e Arsimit të lartë

 

Qëndrimi ynë për ligjin e arsimit të lartë nuk ka ndryshuar. Anullimi i ligjit të arsimit të lartë, do të jetë realitet në orët e para të qeverisjes tonë. Për këtë arsye kemi ngritur një grup pune, një bërthamë e cila do të nisë punë për hartimin e ligjit të ri të lartë. Do të kërkojmë për këtë, jo thjeshtë konultim, por ekspertizën e të gjithë faktorëve të interesuar, duke përfshirë në veçanti pedagigët e universiteteve publike, por edhe të universiteteve jopublike, në mënyrë që ligji të cojë drejt një produkti me interes public dhe kombëtar, jo drejt një produkti as klientelist por as të padrejtë, mbytës për konkurencës, sepse ne jemi një parti që beson se konkurenca e çon përpara shoqërinë, përfshirë kjo edhe në fushën e arsimit. Pra, jo vetëm kapitulli i 12-të, por i gjithë ligji për arsimin e lartë, një produkt i shtrembëruar, i qëllimeve të kompromentuara që në fillim, pavarësisht se çfarë u deklarua, do të jetë ndër ligjet e para që do të anullohen nga qeverisja e ardhëshme. Ndërsa parimet që shpreha para jush, ato të decentralizimit, të autonomisë universitare dhe të përgjegjshmërisë në raport me fondet publike, do të jenë baz ambit ë cilën do të ndërtohen konceptet e reja të arsimit të lartë në ligjin e ri për arsimin e lartë.

 

Qëndrimi për Kampusin Universitar

 

Sa për kampusin universitar, çeshtja e kampusit universitar është një çeshtje e pastër korruptive. Ju e dini fare mirë, siç di dhe unë, që territori i caktuar për Kampusin universitar, është sot pjesë e një loje mafioze, me përfshirje të drejtëpërdrejtë të të parit të qeverisë, të të parit të bashkisë. Për fat të keq ka shkatuar edhe një luftë të brendëshme në profesioriat, luftë klanesh se kush do ketë të drejtën për të marrë dhe për të tenderuar ndërtimin e kampusit dhe si do të tenderohet ky kampus. Sa pjesë e territorit do ti shkojë kampusit dhe sa do ti shkojë parkimit. Dhe çfarë do të ndërtohet mbi parkim apo cili nga oligarkët do ta ndërtojë. Natyrisht që ne nuk do të lejojme diçka të tillë të ndodhë. Sot me fuqinë e mobilizimit qytetar, studentor, shpresoj dhe të pedagogëve, dhe nesër me fuqinë e ligjit dhe legjitimitetin e votës së qytetarëve, do të bëjmë të mundur që jo vetëm ky territor, por edhe çdo territor universitar, të ruhet nga grabitja, nga sjellja grabitqare që shohim me territoret publike, e shohim te Universiteti Bujqësor, i kanë vënë syrin edhe Kopshtit Botanik, dhe të shërbejë ekskluzivisht vetëm për nevojat universitare.