• Me largimin nga Parlamenti kemi shpëtuar demokracinë shqiptare nga asgjesimi, sepse gjithçka tjetër është kapur. Largimi i Edi Ramës është vetëm çeshtje kohe. 

BASHKËBISEDIM I KRYETARIT BASHA ME BANORË TË LUZIT TË VOGËL

Tani jemi në një moment kritik, jemi në një udhëkryq. Prapë na duhet të bëjmë një sakrificë, por jo duke u hipur anijeve si refugjatë, por duke sjellë Europën dhe standartet europiane në Shqipëri. Ju e dini se ndryshimi i vetëm mes Shqipërisë dhe vendeve europiane nuk është klima, nuk është toka se tokat i kemi njësoj,

nuk është fati i keq i një Shqipërie të varfër, sepse Shqipëria nuk është e varfër, por është fati i keq i një Shqipërie të vjedhur nga një klasë politike hajdutësh e bërë njësh me krimin dhe oligarkinë.

Ajo që na ndan nga Europa, është zbatimi i ligjit, barazia para ligjit, ku të fortët, të pushtetshmit, hajdutët, oligarkët, kriminelët, politikanët me Edi Ramën në krye, i shpëtojnë drejtësisë edhe kur kapen duke vjedhur, duke grabitur. Kanë asgjesuar Gjykatën Kushtetuese që të kalojnë vendim pas vendimi, kundër kushtetutës.

Ndryshimi do të vijë dhe do të jetë një ndryshim shumë më i thellë, se sa largimi i Edi Ramës. Largimi i Edi Ramës është vetëm çeshtje kohe, por pas largimit të Edi Ramës, do të na duhet të investojmë për një sistem me të vërtetë të vlerave europiane, ku, në rradhë të parë, politikanët e kapur në bashkëpunim me krimin duke vjedhur votat dhe pasuritë tuaja, të mos jenë në gjendje t’i shpëtojnë më ndëshkimit, por të shkojnë para drejtësisë dhe në burg. Këtu fillon ndryshimi i sistemit, këtu fillon Shqipëria europiane.

Miqtë europianë e dinë fare mirë se në Europë nuk shkohet me gënjeshtra dhe mashtrime. Nuk ka ndodhur kurrë që një vendi që Antimafia italiane e quan Kolumbia e Europës, t’i hapen dyert e Europës.  Në Europë shkohet me bashkimin me të madh të shqiptarëve të ndershëm, që është lëvizja jonë, beteja jonë për vlera europiane.

Ndaj, jemi në rrugën e mbarë.

Jemi nisur me 16 shkurt dhe me 17 shkurt kemi marrë një vendim historik për të mos qenë më kurrë deputetët e Partisë Demokratike dhe të opozitës në krah të bedelëve të krimit në parlamentin e krimit.

Prandaj, jemi larguar dhe me largimin tonë kemi shpëtuar demokracinë shqiptare nga asgjesimi, sepse gjithçka tjetër është kapur.

Nuk ka Gjykatë Kushtetuese. Eshtë kapur prokuroria.

Janë kapur gjykatat.

Parlamenti është kthyer në një noter të kryeministrit.

Kanë rënë zgjedhjet, sepse themeli i zgjedhjeve është vota e lirë. Dosja 339 dhe dosjet e tjera, tregojnë sesi krimi bleu zgjedhjet.

I vetmi institucion i pa kapur akoma ishte opozita shqiptare.

Po të qëndronim në atë sallë, do të ishim të kapur, sepse ne nuk arrinim të mbronim asnjë interes tuajin. Nuk arrinim të ndryshonim asnjë ligj! Ishim fasada e regjimit të Edi Ramës. Ne nuk mund të ishim më në krah të tij, në krah të hajdutëve. Ne vendosëm të jemi në krahun tuaj, në krahun e shqiptarëve, për një betejë që do të ketë vetëm një përfundim: fitoren e Demokracisë, fitoren e lirisë, fitoren e vlerave tona.

Basha shpjegon ndryshimin e sistemit: Shefi i deputetëve të maxhorancës së ardhshme, që jemi ne, nuk do të jetë më kryetari, por qytetarët. 

Çlirimi i qeverisë dhe qeverisjes nga krimi është prioriteti ynë, por ne do të vazhdojmë më tej. Ne do të ndërtojmë një sistem, ku deputeti ta ketë fatin e tij të lidhur me ju. Të jetë aty me të vërtetë si përfaqësues i juaj, si i zgjedhuri i preferuar i kryetarit të partisë, jo si skllav i kryeministrit të ardhshëm.

Jo, kurrë më!

Kurrë më një njeri i vetëm në karrigen e kryeministrit, nuk do t’i ketë të gjitha pushtetet. Kurrë më një njeri i vetëm në karrigen e kryeministrit, nuk do të jetë në gjendje të vendosë për gjithçka, sipas mendjes dhe interesave të veta, sipas xhepave të veta.

Dhe kjo fillon duke ndryshuar parlamentin, duke ia rikthyer parlamentin popullit.

Rikthimi i parlementit tek populli, kërkon një ndryshim. Kërkon që deputetët e ardhshëm shqiptarë të jenë, para së gjithash dhe mbi të gjitha, përcaktimi i mendjes, vullnetit dhe votës së qytetarëve shqiptarë. Kështu, ata do ta kuptojnë, deputetët e ardhshëm të PD, jam i bindur se, për shkak të sistemit të konkurencës, edhe partitë e tjera, pra, duhet ta kuptojnë se fati i tyre lidhet me fatin tuaj, se karriera e tyre do të lidhet me gjykimin tuaj. Do ta kuptojnë se shefi i deputetëve të ardhshëm të PD-së dhe të maxhorancës së ardhshme që jemi ne, që është sot shumica e shqiptarëve, nuk do të jetë kryetari i partisë, nuk do të jetë kryeministri. Shefi i deputetit të ardhshëm të Kavajës, do të jenë qytetarët e Kavajës. Këto do të jenë kriteret e zgjedhjes së deputetëve të ardhshëm, jo a më pëlqen a s’më pëlqen, a më ka qejf, a s’më ka qejf kryeministri i ardhshëm apo kryetari i partisë.

Ky është ndryshimi i sistemit, këto janë hapat që do të kthejnë vlerat europiane në Shqipëri që do të bëjnë të mundur që, në këtë vend që s’i mungon asgjë tjetër për t’u qeverisur si në Europë, të kemi dhe një sistem që e bën të mundur Shqipërinë si gjithë Europa.

Basha: Heqja e rimbursimit të TVSH-së, akt kriminal i qeverisë ndaj fermerëve

Akti i fundit i heqjes së rimbursimit të TVSH-së, është akti më kriminal që mund të ketë menduar ndonjëherë një qeveri në Europë kundër fermerëve të vet. Rimburson vetëm 6 përqind.

Çfarë do të thotë kjo?

Le të marrim qumështin, meqë është dhe kriza e fundit.

Kjo do të thotë që grumbulluesi i qumështit ose duhet ta shesë 14 përqind më shtrenjtë produktin në treg dhe të konkurojë me qumështin e importit, ose duhet ta subvencionojë vet, pra të ulë fitimin e vet, që është kundër llogjikës ekonomike. Ose, më e thjeshta për fat të keq, të vijë tek ju e t’ju thotë: sa e ke qumështin, 600? Jo, do ta marr 450, sepse nuk i marr dot lekët mbrapsht nga TVSH-ja.

Kush e mendoi këtë skemë dhe për çfarë arsye?!

E menduan vetëm për një arsye: që të falimentojnë fermerin shqiptar dhe të nxisin importin. Kushdo që e mendoi, kushdo që e vuri në jetë, ka një dhe një përgjegjës që është kryeministri i vendit.

Edi Rama për këtë vendim meriton jo vetëm një shuplakë apo një grusht, por një shkelm përfundimtar për ta hedhur në kanal, aty ku duhen hedhur jo produktet tuaja, por duhet hedhur ky pushtet i korruptuar.

Dhe tani thotë do të subvencionojë 10 lek litrin. 14 përqind i heq me një dorë dhe pastaj do ta subvencionojë me 10 lek litrin. Skemë e plotë vjedhje. Merr me dy duar dhe bën sikur jep me një dorë. Edhe atë nuk e bën, edhe atë nuk e jep. Aq sa keni marrë subvencione këto vite, aq do të merrni kompensim për qumështin. Koha e mështimit ka marrë fund, koha e ndryshimit ka ardhur.

Basha: 100 mln euro subvencione në vit për bujqësinë, 50 mln euro në vit investime për infrastrukturën e fshatit,  ndalim kontrabandes së grosistëve të importit.

Do të zerojmë koston e imputeve bujqësore, me qëllim që djersa juaj që derdhet lumë dhe i vadit këto toka njësoj si uji, të mos kthehet në mallkim, të mos kthehet në falimentim, të mos ju zhysë në borxh, të mos ju detyrojë të shkoni drejt emigrimit, sepse prodhimet tuaja në vend që të shiten, kalben apo derdhen kanaleve. Por, që djersa juaj të kthehet jo thjesht në mbijetesë, të kthehet në mirëqenie për fermerin, që garanton me punën e tij sot punësimin në shkallën 25 %, 1 në 4 shqiptarë është i punësuar në sektorin e bujqësisë,ndërkohë që pothuajse 1 në 2 shqiptarë jeton në zonat rurale.

100 milionë euro mbështetje të drejtpërdrejtë për fermerin vit për vit, do të kemi mbështetje për infrastrukturën, për rrugët e aksesit, për pikat e grumbullimit, për magazinimin, për frigoriferimin, për industrinë agro-përpunuese. Sepse edhe atëhere kur s’keni mundësi ta çoni produktin e freskët në treg, ju keni mundësi ta çoni të përpunohet, të konservohet, të kthehet fjala bie molla në marmalatë apo në reçel, prodhimet e tjera në turshi apo në lëng frutash. Asgjë që prodhohet me djersën tuaj të mos shkojë dëm. Për këtë, qeveria e ardhshme e Partisë Demokratike do të investojë çdo vit 50 milionë euro.

Së treti, kurrë më një grusht grosistësh dhe importuesish të lidhur me qeverinë, nuk do t’u jepet shansi të sjellin në tregun shqiptar prodhime të subvencionuara të vendeve të tjera, përmes kontrabandës doganore, për të kërcënuar dhe konkurruar në mënyrë të pandershme prodhimet e fermerëve shqiptarë. Fermeri shqiptar i pari, prodhimet e fermerit shqiptar të parat.

Basha: Në krye të 4 viteve të qeverisë sime, nuk do të ketë pensione nën 250 mijë lekë.

Do t’ia heqim hurin e vjedhjes, të 1.7 miliardë eurove vjedhje në 1 vit Edi Ramës, dhe me këto fonde do të nisim politikën e rritjes së pensioneve. Të mos kemi më pensionistë, që pasi harxhojnë lekët për korrentin, pasi harxhojnë lekët për ilaçet, s’u ngelen lekë as për bukë e për faturën e ujit. Pensionisti mbi moshën 70 vjeç harxhon 60-80 mijë lekë për faturën e tij të ilaçeve.

Unë nisem nga prindërit e mi, të cilët kanë punuar gjithë jetën dhe po të mos kenë ndihmë nga unë, pensioni s’u mjafton as për ilaçet dhe energjinë elektrike. Gjithë jetën nëna ime mësuese, hiq faturën e ilaçeve, s’u ngelet as 5 mijë lekë në ditë për muajin. Po jua them se e di fare mirë këtë situatë. Dhe të mendosh se prindërit e mi nuk kanë pensione të ulëta. Po ata që marrin vetëm 70, 80 apo 90 mijë lekë pension, me çfarë jetojnë? E çan kokën ky (Rama) me çfarë jetojnë ata? Ky një shishe verë e blen sa dy pensione.

Shoh nganjëherë se disa qeshin me batutat e kryeministrit. Mos qeshni o të mjerë se për çdo shaka që bën, është duke ju vjedhur, ju ka futur dorën në xhep, ju ka futur dorën në shtëpi. Vetëm sipas shifrave të KLSH, vjedhja është 100 mijë euro në orë. 1 orë me Edi Ramën u kushton shqiptarëve 100 mijë euro. Nuk është humor falas, po tallet me ju. Thirrini mendjes.

Bashkohuni me ne, bashkohuni me këtë shumicë, bashkohuni me shumicën dërrmuese të shqiptarëve, se sot jemi shumicë morale dhe politike. Prandaj,  rritja e pensioneve do të fillojë menjëherë. Pensione nën 250 mijë lekë në muaj në krye të 4 vjetëve nuk do të ketë.

Ftesa e Bashës për shqiptarët: Të shtunën bota do t’i ketë sytë në Tiranë për të parë forcën e bashkimit të popullit.

Beteja jonë është për të varrosur njëherë e mirë fenomenin e Ramës, pushtetarit batakçi, të lidhur me krimin që shkatërron ekonominë, futet në shtëpitë tuaja, në xhepat tuaja për të pasuruar veten e tij dhe një grusht njerëzish. Nuk ka kthim pas në atë që kemi nisur. Nuk ka pazar, kompromis mbi sakrificën tuaj, nuk ka asnjë zgjidhje tjetër përveç një zgjidhje të thellë politike, ku të realizohet ëndrra e çdo prindi, fermeri apo pensionisti të Rrogozhinës, për një Shqipëri europiane. Pranvera sapo ka nisur, ndryshimi po vjen falë jush.

Ndaj dua t’ju ftoj, ju banorë të Luzit, Kavajës dhe gjithë Shqipërisë, të vazhdojmë betejën tonë, ditën e shtunë me 13 prill në orën 18.00 pasdite, në një protestë madhështore kombëtare. Ju them se sytë e botës do të jenë aty të shtunën e ardhshme, për të parë forcën dhe bashkimin e një populli europian që nuk do të pranojë kurrë, asgjë më pak se çfarë kanë popujt e tjerë të Europës.

Ndaj ju ftoj të mos mungoni, kështu të gjithë të derdhemi në Tiranë ditën e shtunë në orën 18.00 për të treguar me bashkimin tonë vullnetin e pakthyeshëm për ndryshim, për Shqipërinë europiane, për fitoren e qytetarëve shqiptarë.