Partia Demokratike depozitoi në Prokurori 3 prova të reja për paligjshmërinë e veprimeve të Edi Ramës, Lindita Nikollës dhe Ogerta Manastirliut për shkeljen e ligjit me mbledhjen e të dhënave personale, me qëllim përdorimin e tyre për qëllime elektorale.

3 provat janë përgjigjet zyrtare të Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, që vlerëson të paligjshme urdhrat e nxjerrë nga Ministret Manastirliu dhe Nikolla.

Dokumentat e publikuar më herët nga PD provojnë se aktiviteti i paligjshëm e ka burimin nga Zyra e Kryeministrit, që ka urdhëruar mbledhjen antikushtetuese të të dhënave për prindrit e nxënësve dhe pacientët ose rreth 80% e elektoratit.

Edi Rama, Lindita Nikolla dhe Ogerta Manastirliu u paditën nga Grupi Parlamentar i PD për veprat penale të “shpërdorimit të detyrës” dhe “përdorimit të funksionit publik për veprimtari politike apo zgjedhore”.

Megjithëse padia është dorëzuar që në 8 Maj 2018, deri tani nuk ka asnjë veprim të prokurorisë pët të hetuar aktin antiligjor të kryeministrit dhe dy anëtarëve të tjerë të kabinetit qeveritar.