Basha: Mosshpallja e emergjencës është përgjegjësi ligjore dhe penale dhe çdo pasojë në jetët dhe shëndetin e banorëve të bashkisë së Shkodrës dhe bashkisë së Vaut të Dejës, çdo pasojë negative, është pasojë e mosveprimit, pra është vepër penale dhe kriminale.

Basha: I bëj apel qeverisë dhe Ramës që të shpallin menjëherë gjendjen e emergjencës dhe t’i japin fund heshtjes bashkëfajtore të KESH-it dhe ministrit të KESH-it.

Basha: Dua t’i drejtoj një apel kryeministrit , shpallë menjëherë gjendjen e emergjencës. T’i japë fund heshtjes fajtore të KESH-it dhe të Ministrit të KESH-it, Damian Gjiknuri, heshtjes bashkëfajtore trë kryeministrit dhe të autoriteteve të tjera, përballë përmbytjeve në Shkodër. Të shpallet menjëherë gjendja e emergjencës.

Basha: Ndihmat e ardhura nga qeveria janë krejtësisht të pamjaftueshme dhe puna e bërë deri tani është nga bashkia e Shkodrës, e cila nuk është e përgatitur për ta përballuar këtë gjendje emergjence ndaj kjo është edhe arsyeja kryesore që insistohet për shpalljen e gjendjes së emergjencës.

Basha: Ju falënderoj që me punën tuaj të jashtëzakonshme keni qëndruar në krye të detyrës këto 18 ditë; falënderoj edhe Forcat e Armatosura. Unë e njoh problemin e Shkodrës dhe askush nuk mund të më thotë se kjo është vepër Zotit por përgjegjësi e drejtpërdrejtë e njeriut , KESH është përgjegjësi për përmbytjen e Shkodrës me shkarkimet nga kaskada. 

Deklarata e plotë e kryetarit Basha në Shkodër:

Së pari dua t’ju falenderoj për punën e jashtëzakonshme që keni bërë gjatë këtyre 18 ditëve. E di që ka qenë një kohë shumë e lodhshme, por ju shpreh përgëzimet dhe mirënjohjen time për faktin që keni qëndruar dhe vazhdoni të qëndroni në krye të detyrës.

Zonja kryetare e Bashkisë, i gjithë aparati i emergjencës, zonja kryetare e qarkut, deputetë, z. Kryetar i Partisë Demokratike të Shkodrës dhe të gjithë vullnetarët të cilët me përpjekjet e tyre gjatë këtyre 18 ditëve kanë bërë akoma më shumë se sa institucionet e tjera që e kanë për detyrë të ndihmojnë në raste të tilla.

Dua të falenderoj pa dyshim edhe personelin e forcave të ushtrisë së Forcave të Armatosura dhe këdo tjetër që është bërë pjesë e kësaj përpjekje.

Unë e njoh problemin e përmbytjeve në Shkodër. Kemi bashkëpunuar në vitet e kaluara ngushtësisht për ë përballuar pasojat e përmbytjeve. Ndaj askush nuk mund të më thotë, se kjo që po ndodh këtu, është vepër e Zotit.

Ne të gjithë e dimë se kjo është vepër e njeriut. Është përgjegjësi e drejtpërdrejt e KESH. Kaskada e Drinit është përgjegjësja për përmbytjet e Shkodrës.

Para se të shkojmë tek përgjegjësitë dhe tek fajtorët që heshtin, dua të them se me të drejtë kemi vendosur theksin tek prioriteti numër një, që është jeta dhe shëndeti i banorëve, është gjendja e tyre, familjeve dhe banesave të tyre dhe natyrisht gjendja e ekonomisë së tyre.

Të treja këto shkojnë të lidhura me njëra-tjetrën.

Sot që flasim, sipas informacioneve që parashtuat, janë mbi 1 mijë familje dhe rreth 800 banesa të rrethuara nga uji.

Kjo përbën për çdo vend dhe çdo qeveri normale një gjendje enmergjence. Këto familje të rrethuara nga uji, janë në kërcënimin e vazhdueshëm të izolimit, mungesës së ujit të pijshëm, mungesës së shërbimit shëndetësor, për të moshuarit, për fëmijët.

Në një pjesë të madhe të territorit shkollat kanë ndalur aktivitetin e tyre ndërkohë që zona kryesisht bujqësore – blektorale është shkatërruar dhe të mbjellat po edhe ato aktivitete afatgjata siç janë fidanishtet, janë shkatërruar ndërkohë që raportohet për qindra, mijëra dëme për bagëtinë.

Prioritet absolutisht duhet të jetë jeta e qytetarëve dhe unë ju përgëzoj sepse për 24 orë në ditë bashkia gjendet në krye të detyrës për t’u ardhur në ndihmë rasteve emergjente.

Gjatë komunikimeve tona në këto ditë, më keni informuar për rastet e evakuimeve drejt qendrës së konvikteve si edhe për ndihmën që keni dhënë për të ndihmuar familjet e izoluara e duke i dërguar tek të afërmit e tyre.

Dua t’i drejtoj një apel të gjithë banorëve të izozluar nga uji, të vazhdojnë të mbajnë kontakte me autoritetet lokale dhe t’u përgjigjen dhe t’u binden këshillave dhe instruksioneve të autoriteteve lokale, sepse shpëtimi i jetëve njerëzore në këtë situatë mbetet prioriteti numër një.

Së dyti, ndihmat e ardhura nga qeveria, janë krejtësisht të pamjaftueshme.

Puna e bërë deri tani, mbështetet nga ndihmat, rezervat, resurset e Bashkisë së Shkodrës e cila sikundër në asnjë bashki tjetër nuk është e përgatitur, as nga ana buxhetore, as nga ana infrastrukturore ta përballojë e vetme këtë gjendje emergjence.

Kjo është arsyeja kryesore se përse insistohet prej më shumë se dy javësh në shpalljen e gjendjes së emergjencës.

Herën e fundit që isha në Shkodër, njolla e përmbytjes, ishte 1/3 e kësaj që është sot, e vazhdon edhe sot. Përmbytja ka përfshirë edhe bashkinë e Vaut të Dejës ku janë me qindra familje jo të rrethuara nga uji, por me praninë e ujit, brenda banesave, jo në oborre.

Situata nuk po shkon drejt përmirësimit, por po shkon drejt përmirësimit të thellë.

Arsyeja kryesore për shpalljen e emergjencës është, t’i vihet në ndihmë me të gjitha mjetet dhe mënyrat, banorëve të izoluar, banorëve të kërcënuar, jetës dhe shëndetit të tyre.

Mosshpallja e emergjencës është përgjegjësi ligjore dhe penale dhe çdo pasojë në jetët dhe shëndetin e banorëve të bashkisë së Shkodrës dhe bashkisë së Vaut të Dejës, çdo pasojë negative, është pasojë e mosveprimit, pra është vepër penale dhe kriminale.

Unë dua të përgëzoj aktin bipartizan të Këshillit Bashkiak të Shkodrës që kanë kërkuar në mënyrë unanime shpalljen e emergjencës.

Dua t’i drejtoj një apel kryeministrit , shpallë menjëherë gjendjen e emergjencës. T’i japë fund heshtjes fajtore të KESH-it dhe të Ministrit të KESH-it, Damian Gjiknuri, heshtjes bashkëfajtore trë kryeministrit dhe të autoriteteve të tjera, përballë përmbytjeve në Shkodër.

Të shpallet menjëherë gjendja e emergjencës.

E kuptoj që prefekti është i margjinalizuar nga urdhërat që i vijnë nga lart, por e kujtoj prefektin për detyrën dhe përgjegjësinë e tij para ligjit, është detyrë e tij të kërkojë zyrtarisht në emër të shtabit të emergjencës lokale, me shkresë zyrtare qeverisë, shpalljen e emergjencës.

Asnjë alibi nuk duhet të ekzistojë për të përjashtuar Edi Ramën, Damian Gjiknurin dhe kabinetin qeveritar nga përgjegjësia e drejtpërdrejt që kanë për përmbytjen e Shkodrës dhe për rrezikun që kjo sjell për banorët e Shkodrës.

Sikundër i bëj thirrje prokurorisë të nisë hetimet për çdo neglizhencë, nga cilido autoritet, të veprojnë para se të jetë vonë.

Mosshpallja e emergjencës nga Edi Rama ka dy arsye.

E para, që është kriminale sa ç’është edhe absurde, është për të shmangur dëmshpërblimet e familjeve të dëmtuara.

Ligji shqiptar thotë se, me shpalljen e emergjencës së pjesshme, ata që janë bashkëpërgjegjës në këtë emergjencë, në këtë rast, shteti, qeveria, si pronare dhe menaxhuese e KESH-it, me shpalljen e gjendjes së emergjencës, është e detyruar të dëmshpërblejë për dëmin e shkaktuar.

Është një llogari meskine, e cila e pengon Edi Ramën të shpallë gjendjen e emergjencës.

Pasojat e mosshpalljes së emergjencës janë akute dhe do të jenë edhe më akute në orët në vijim.

Nuk është lojë lajmesh dhe as politikë. Shpallja e emergjencës sot, nuk është thjeshtë detyrë e kryeministrit, mosshpallja e emergjencës është vepër kriminale, është vepër penale.

Jam këtu t’ju jap të gjithë mbështetjen e opozitës dhe të PD, timen personalisht, që të jeni e të vazhdoni të jeni në krye të detyrës.

Nuk ka gjë më të rëndësishme sikundër nuk ka gjë më të vështirë.

Banorët në zonat e përmbytura, këtu në Shkodër dhe në të gjithë Shqipërinë, e dinë fare mirë, edhe një festë po të zgjasë 15 ditë, njerëzit lodhen, imagjinoni dy javë e gjysëm të rrethuar nga uji që vazhdon dhe rritet.

Falënderoj të gjithë ato organizata, Kryqin e Kuq, Caritas, Kishën, të gjithë organizatat bamirëse, të gjithë organizatat bamirëse të cilët po japin  ndihmën e tyre modeste.

Natyrisht që kjo është një situatë që duhet të përballet me mjete mbështetëse. Mungesa e kryeministrit, prania fotografike dhe fotozhonike e vartëses dhe vartësve të tij denoncojnë së bashku me heshtjet e tyre fajësinë dhe bashkëfajësinë për mos menaxhimin e situatës.

Nuk i fajësoj dhe nuk mund të fajësoj kurrë qeverinë për reshjet apo për nivelin e Kaskadës së Drinit. Përgjegjësinë ligjore dhe financiare për menaxhimin e Kaskadës së Drinit e ka patur dhe e ka qeveria shqiptare, demokrate, socialiste, e ka dhe e ka patur qeveria shqiptare e cila është përgjegjëse për këtë gjendje e nuk mund të iki kësaj përgjegjësie duke mos shpallur gjendjen e emergjencës.

I fajësoj pra për braktisjen e Shkodrës. I akuzoj për braktisjen e Shkodrës. I akuzoj për mos menaxhimin e situatës në parametrat reale të rrezikut siç është dhe i kërkoj Prokurorisë të nisë menjëherë hetimet për arsyen e kësaj heshtjeje dhe mosveprimit kriminal.

Në aspektin afatgjatë dëmet që po shkaktohen janë shumë të mëdha; dëmet e infrastrukturës rrugore, dëmet e infrastrukturës ujësjellës kanalizime, dëmet e mëdha ekonomike që i shkakton mijëra familjeve janë shumë të mëdha.

Ndaj bashkë me deputetët e Shkodrës do të përgatisim urgjentisht një raport me të dhënat e Bashkisë Shkodër, me të dhënat e Qarku Shkodër, po kështu të Bashkisë Vau i Dejës për këto dëme dhe do të shohim me mjetet dhe mënyrat e kufizuara që opozita ka për të kërkuar që menjëherë pas tërheqjes së ujit të alokohen fonde të veçanta për të riparuar këto dëme të infrastrukturës publike.

Edhe një herë dua t’ju përgëzoj, t’ju inkurajoj, t’ju falënderoj nga zemra si kryetar i opozitës, si kryetar i Partisë Demokratike, si qytetar për punën dhe sakrificën e deritanishme. T’ju inkurajoj të vazhdojmë kështu deri në momentin kur situata të stabilizohet, ndërkohë që do të vazhdojmë të ngrejmë zërin për shpalljen e gjendjes së emergjencës si një e drejtë ligjore e Shkodrës dhe shkodranëve përballë me këtë katastrofë natyrore.