U uroj nga zemra të gjithë vëllezërve dhe motrave bektashianë, Gëzuar ditën e bekuar të Sulltan Novruzit, ditëlindjen e Imam Aliut.

Është dita e ringjalljes, dita që shënon fundin e dimrit të egër dhe nisjes së pranverës, është dita e fitores së dritës mbi errësirën.
Ndaj ju uroj nga zemra, të gjithë besimtarëve të Zotit, qoftë kjo një ditë e ripërtëritjes së shpresës dhe besimit në Zot, e optimizmit dhe të mirës në zemrat dhe familjen e çdokujt.

Është po kështu 22 marsi historik, dita ku 26 vite më parë me 22 mars 1992, shqiptarët u bashkuan dhe mposhtën errësirën dhe tiraninë 45 vjeçare.
Mposhtën diktaturën e së keqes, diktaturën më çnjerëzore që varfëroi, shtypi dhe shkatërroi jetët e miliona shqiptarëve.

Është dita e triumfit të madh, të bashkimit të vullnetit të shqiptarëve, por është po kështu një thirrje për një bashkim dhe një zgjim tjetër të madh vullnetesh të shqiptarëve për të mposhtur diktaurën e krimit, për të marrë në dorë fatin tonë dhe për ta çuar Shqipërinë drejt destinacionit të saj hyjnor, mision kombëtar i Partisë Demokratike dhe Shqipërisë së lirisë, së dinjitetit, të punës dhe të demokracisë europiane.

Gëzuar ditën e Sulltan Novruzit!

Gëzuar 22 marsin e historisë, paralajmërimin dhe bekimin për të nesërmen europiane për çdo shqiptare dhe çdo shqiptar.

Gëzuar!