Grupi parlamentar i Partisë Demokratike vendosi të kërkojë mocion me debat me kryeministrin Edi Rama për çështjen e heqjs nga skema e ndihmës ekonomike të mbi 20 mijë familjeve të varfra në të gjithë vendin.
Pas mbledhjes së grupit parlamentar, ku deputetët nga zona të ndryshme të vendit raportuan për heqjen nga skema të mijëra familjeve, Kryetari i PD, Lulzim Basha, tha se përjashtimi nga skema është bërë në mënyrë të pashpjegueshme dhe kriminale. “Ndihma ekonomike është e vetmja e ardhur me të cilën mbajnë shpirtin gjallë. Kjo është një dramë njerëzore po edhe një emergjencë kombëtare.”- u shpreh Basha.
Kreu i opozitës vuri në dukje se për shkak të vullnetit të Edi Ramës sot Shqipëria është i vetmi vend në Europë që ka futur në karantinë urie apo ka çuar drejt emigracionit shumë qytetarë për shkak të varfërisë, që nuk kanë mundësi të sigurojnë ushqimin e përditshëm, ilaçet, energji elektrike apo ngrohje për shtëpitë e tyre.
Kryetari i Partisë Demokratike tha se këto janë metoda spastrimi që kryeministri po i përdor ndaj qytetarëve të vet, prandaj ai u bëri thirrje mediave ta vendosin sa të munden në qendër të vëmendjes së tyre përjashtimin nga skema e ndihmës ekonomike të mijëra familjeve ekstremisht të varfra. “Nuk ka gjë më urgjente: jetë njerëzore në rrezik. Edi Rama u ka lënë vetëm një mundësi-të shuhen, të vdesin ose të largohen, që do të përbëjë një tjetër valë refugjatësh që do të mbulojë Europën”.
Duke iu referuar shkresës së 31 Janarit, që PD i ka nisur Ministres për Çështjet Sociale, Basha vuri në dukje se Minsitrja mban të fshehur informacionin dhe me kalimin e afatit ligjor dyjavor, ajo është në kushtet e ndjekjes penale (për shpërdorim detyre).
“Përflitet se kriteret e përdorura janë prania e një televizori apo një frigoriferi. Ndërkohë që shumica dërrmuese e familjeve që ne kemi vizituar nuk ka as frigorifer, as televizor. Por, edhe në rast se mund të kenë një televizor të dhuruar, ky nuk përbën kriter për heqjen e ndihmës ekonomike. Ligji e thotë qartë ndihmë ekonomike përfitojnë ata që nuk kanë të ardhura. Të kesh një televizor, një frigorifer apo një radio, nuk do të thotë automatikisht të kesh të ardhura.”-tha Basha.
Këto janë arsyet përse Partia Demokratike do të kërkojë mocion me debat, “për të vënë-siç tha Basha, Edi Ramën dhe marionetat e tij para përgjegjësisë dhe për të zbardhur pjesë të këtij skenari kriminal kundër pjesës më të pambrojtur të shoqërisë.”